KAPITULLI 2
Si të mbash një ndërgjegje të mirë
«Mbani një ndërgjegje të mirë.»—1 PJETRIT 3:16.
1, 2. Pse busulla është një vegël jetësore dhe në ç’aspekt krahasohet me ndërgjegjen?
A E DI ç’kanë të përbashkët timonieri që drejton anijen përmes dallgëve të oqeanit të paanë, udhëtari që ecën përmes një shkretëtire ku s’ka frymë njeriu dhe piloti që drejton avionin tek ngjitet përmes reve që kanë mbuluar qiellin? Secili prej tyre mund të gjendet në telashe të mëdha po të mos ketë një busull, sidomos nëse nuk ka teknologji tjetër të përparuar.
2 Busulla është një vegël e përbërë nga një kuti e vogël, e rrumbullakët, me fushë të shkallëzuar e me një gjilpërë magnetike që tregon gjithmonë Veriun. Kur punon mirë, e sidomos kur përdoret bashkë me një hartë të saktë, ajo mund të të shpëtojë jetën. Në disa aspekte, kjo vegël krahasohet me ndërgjegjen, këtë dhuratë të çmuar që na ka dhënë Jehovai. (Jakovi 1:17) Pa ndërgjegjen, do të ishim pa asnjë drejtim. Kur përdoret mirë, ajo na ndihmon të gjejmë rrugën e duhur në jetë dhe të qëndrojmë në të. Kështu, le të shohim fillimisht ç’është ndërgjegjja dhe si punon. Më pas do të shqyrtojmë këto pika: (1) Si ta stërvitim ndërgjegjen, (2) pse duhet të marrim parasysh ndërgjegjen e të tjerëve dhe (3) si nxjerrim dobi kur mbajmë një ndërgjegje të pastër.
Ç’ËSHTË NDËRGJEGJJA DHE SI PUNON?
3. Cili është kuptimi i fjalës greke të përkthyer «ndërgjegje» dhe cilës aftësi unike te njerëzit i referohet?
3 Në Bibël, fjala greke e përkthyer «ndërgjegje» shprehimisht do të thotë «bashkënjohuri ose njohuri për veten». Ndryshe nga gjithë krijesat e tjera në tokë, Perëndia na ka krijuar vetëm ne me aftësinë që të njohim veten. Me fjalë të tjera, mund të ndalemi e të analizojmë veten dhe të shohim nëse jemi në rregull nga ana morale. Si një dëshmitar i brendshëm e si një gjykatës, ndërgjegjja shqyrton veprimet, qëndrimet dhe vendimet tona. Na drejton që të marrim një vendim të mirë ose na paralajmëron për një vendim të gabuar. Më pas, na qetëson kur kemi bërë zgjedhjen e mirë ose na ndëshkon kur kemi bërë zgjedhjen e gabuar, duke na brejtur nga brenda.
4, 5. (a) Si e dimë që Adami dhe Eva kishin ndërgjegje dhe ç’pasoja patën kur shpërfillën ligjin e Perëndisë? (b) Cilët shembuj tregojnë se njerëzve besnikë të kohëve të lashta u punonte ndërgjegjja?
4 Burri dhe gruaja e kishin të lindur që në fillim këtë aftësi. Që Adami dhe Eva kishin ndërgjegje duket nga turpi që patën pasi mëkatuan. (Zanafilla 3:7, 8) Por, mjerisht, në atë kohë s’u hynte më në punë ndërgjegjja e trazuar. Ata kishin shpërfillur me dashje ligjin e Perëndisë. Kështu, me vetëdije të plotë, kishin zgjedhur të rebeloheshin e t’i kundërviheshin Perëndisë Jehova. Ishin të përsosur, prandaj e dinin ç’po bënin dhe s’kishte më kthim prapa.
5 Ndryshe nga Adami dhe Eva, shumë njerëz të papërsosur e kanë dëgjuar zërin e ndërgjegjes. Për shembull, Jobi besnik tha: «Mbahem fort pas drejtësisë sime dhe nuk do ta lë. Zemra nuk do të më qortojë për asnjë nga ditët e mia.»a (Jobi 27:6) Jobi ishte vërtet njeri i ndërgjegjshëm. E dëgjonte me kujdes zërin e ndërgjegjes dhe e linte që t’i drejtonte veprimet dhe vendimet. Prandaj mund të thoshte me plot gojën se ndërgjegjja nuk e qortonte, duke e bërë të ndihej i turpëruar a në faj. Tani shiko si reagoi Davidi. Kur tregoi mungesë respekti për Saulin, mbretin që Jehovai kishte mirosur, atë «filloi ta qortonte zemra». (1 Samuelit 24:5) Kjo brejtje e ndërgjegjes i bëri mirë, sepse e mësoi që të mos e përsëriste më gabimin.
6. Si e kuptojmë se ndërgjegjja është një dhuratë për gjithë njerëzimin?
6 A e kanë vetëm shërbëtorët e Jehovait dhuratën e ndërgjegjes? Ja ç’thotë nën frymëzim apostulli Pavël: «Sa herë që njerëzit e kombeve, që nuk kanë ligj, bëjnë nga natyra gjërat e ligjit, këta njerëz, edhe pse nuk kanë ligj, janë ligj për vetveten. Këta tregojnë se thelbin e ligjit e kanë të shkruar në zemër, ndërkohë që ndërgjegjja e tyre, që jep dëshmi bashkë me ta dhe në mendimet e tyre, i akuzon ose i shfajëson.» (Romakëve 2:14, 15) Nganjëherë, ky dëshmitar i brendshëm mund t’i shtyjë të veprojnë në përputhje me parimet hyjnore edhe njerëz që s’i njohin fare ligjet e Jehovait.
7. Pse disa herë ndërgjegjja mund të na tregojë drejtimin e gabuar?
7 Por disa herë ndërgjegjja mund të na tregojë drejtimin e gabuar. Përse? Të vazhdojmë shembullin e busullës. Po ta vësh afër një magneti, ky mund të ndikojë në fushën magnetike aq sa busulla të mos tregojë më Veriun. Gjithashtu, nëse nuk përdoret bashkë me një hartë të saktë, busulla pothuajse s’hyn në punë. Po njësoj, kur ndikohet tepër nga dëshirat egoiste të zemrës, ndërgjegjja mund të na tregojë drejtimin e gabuar. E po të mos përdoret bashkë me Fjalën e Perëndisë që jep udhëheqje të pagabueshme, ndoshta në shumë çështje të rëndësishme s’do të jemi në gjendje të dallojmë të drejtën nga e gabuara. Pra, që ndërgjegjja të punojë siç duhet, kemi nevojë për udhëheqjen e frymës së shenjtë të Jehovait. Pavli shkroi: «Ndërgjegjja ime jep dëshmi me mua në përputhje me frymën e shenjtë.» (Romakëve 9:1) Si të sigurohemi se ndërgjegjja jonë punon në përputhje me frymën e shenjtë të Jehovait? Gjithçka varet nga stërvitja.
SI TA STËRVITIM NDËRGJEGJEN
8. (a) Si mund të ndikojë zemra te ndërgjegjja e ç’duhet të ketë më shumë rëndësi kur marrim vendime? (b) Pse nuk është gjithmonë e mjaftueshme që një i krishterë ta ketë ndërgjegjen të qetë? (Shih shënimin.)
8 Si duhet marrë një vendim duke u bazuar te ndërgjegjja? Disa thjesht dëgjojnë zemrën e tyre dhe vendosin ç’të bëjnë. Pastaj thonë: «Mua s’më vret ndërgjegjja.» Dëshirat e zemrës mund të jenë shumë të forta e të ndikojnë për keq te ndërgjegjja. Bibla thotë: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë?» (Jeremia 17:9) Pra, dëshirat e zemrës s’duhet të jenë gjëja e parë që marrim parasysh. Në radhë të parë duhet të shqyrtojmë se çfarë do t’i pëlqejë Perëndisë Jehova.b
9. Ç’është frika nga Perëndia e si ndikon ajo në ndërgjegjen tonë?
9 Kur një vendim bazohet vërtet në ndërgjegjen e stërvitur, do të pasqyrojë frikën nga Perëndia, jo dëshirat tona. Shqyrto një shembull. Guvernatori besnik Nehemia kishte të drejtë t’u kërkonte haraçe e taksa banorëve të Jerusalemit, por nuk e bëri. Pse jo? Kishte zët edhe mendimin se mund t’i shkaktonte pakënaqësi Jehovait, duke shtypur popullin e Tij. Ai tha: «Unë nuk veprova kështu, sepse kisha frikë nga Perëndia.» (Nehemia 5:15) Frika e pastër nga Perëndia, pra frika me gjithë zemër se mos i shkaktojmë pakënaqësi Atit tonë qiellor, është e domosdoshme. Kjo frikë plot nderim do të na shtyjë të kërkojmë udhëheqje në Fjalën e Perëndisë kur marrim vendime.
10, 11. Cilat parime biblike vlejnë për pijet alkoolike dhe si mund të na udhëheqë Perëndia që të veprojmë sipas tyre?
10 Për shembull, mendo për pijet alkoolike. Ja një vendim që duhet të marrin shumë prej nesh kur mblidhemi në shoqëri: a do të pi? Së pari, duhet të informohemi se cilat parime biblike zbatohen në këtë rast. Bibla nuk e dënon pirjen me masë të alkoolit. Madje i thur lavde Jehovait për dhuratën e verës. (Psalmi 104:14, 15) Por ajo dënon pirjen me tepri dhe festat e shfrenuara. (Luka 21:34; Romakëve 13:13) Gjithashtu, dehjen e rendit mes mëkateve shumë të rënda, siç është imoraliteti seksual.c—1 Korintasve 6:9, 10.
11 Këto parime e edukojnë dhe e bëjnë të ndjeshme ndërgjegjen e të krishterit. Kështu, kur duhet të marrim një vendim nëse do të pimë alkool në një festë, pyesim veten: ‘Ç’lloj feste po organizohet? A ekziston mundësia të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një festë të shfrenuar? Ç’prirje kam unë vetë? A jam i dhënë pas alkoolit, s’bëj dot pa të dhe e përdor për të ndryshuar humorin dhe sjelljen? A kam aq vetëkontroll sa t’i them vetes mjaft?’ Ndërsa meditojmë për parimet biblike dhe pyetjet që lindin prej tyre, duhet t’i lutemi Jehovait për udhëheqje. (Lexo Psalmin 139:23, 24.) Kështu po e ftojmë të na drejtojë me frymën e shenjtë. Gjithashtu, po e stërvitim ndërgjegjen që të veprojë sipas parimeve hyjnore. Por ka edhe një faktor tjetër që duhet të ketë peshë në vendimet tona.
PSE TË MARRIM PARASYSH NDËRGJEGJEN E TË TJERËVE?
Ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës të ndihmon të vendosësh nëse do të pish alkool apo jo
12, 13. Pse të krishterët mund të ndryshojnë për sa i përket ndërgjegjes e si duhet të reagojmë në këto raste?
12 Nganjëherë mund të çuditesh se sa shumë ndryshojnë të krishterët për sa i përket ndërgjegjes. Dikujt i duket i gabuar një zakon ose traditë, kurse një tjetri i pëlqen dhe nuk sheh ndonjë të keqe. Kur bëhet fjalë për pirjen e alkoolit në shoqëri, njërit i pëlqen të kthejë ndonjë gotë me miqtë ndërsa çlodhen një mbrëmje, kurse dikë tjetër e trazon kjo gjë. Pse ka ndryshime të tilla e si duhet të ndikojnë ato në vendimet tona?
13 Ka arsye të shumta pse ndryshojnë njerëzit nga njëri-tjetri. Formimet mund të jenë nga më të ndryshmet. Për shembull, disa janë më se të vetëdijshëm për një dobësi me të cilën kanë luftuar në të kaluarën e ndoshta jo gjithmonë ia kanë dalë mbanë. (1 Mbretërve 8:38, 39) Këta mund të jenë shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për alkoolin. Nëse ndonjëri prej tyre të vjen për vizitë në shtëpi, ndërgjegjja mund ta shtyjë me të drejtë që të mos pranojë të pijë alkool. A do të prekesh? A do të ngulësh këmbë? Nuk ka pse. Pavarësisht nëse i di ose jo arsyet e tij, për të cilat mund të mos dojë të flasë në këto rrethana, dashuria vëllazërore do të të shtyjë të mos këmbëngulësh.
14, 15. Ç’problem lindi në shekullin e parë që përfshinte ndërgjegjen e të krishterëve? Çfarë sugjeroi Pavli?
14 Në shekullin e parë, apostulli Pavël e kuptoi se shpesh ndërgjegjja e një të krishteri ndryshonte shumë nga ajo e një tjetri. Në atë kohë, disa të krishterë ishin të shqetësuar për ushqimet që u ishin flijuar idhujve. (1 Korintasve 10:25) Pavlit s’ia ndalonte ndërgjegjja të hante ushqime të tilla që më pas shiteshin në treg. Për të, idhujt ishin të pajetë dhe kurrë s’mund të zotëronin ushqimin që vinte nga Jehovai e që gjithsesi i përkiste Atij. Megjithatë, e kuptonte se të tjerët nuk kishin të njëjtën pikëpamje për këtë çështje. Disa prej tyre, para se të bëheshin të krishterë, mund të ishin përfshirë shumë në idhujtari. Prandaj, kishin neveri për çdo gjë që kishte pasur lidhje me idhujtarinë. Cila ishte zgjidhja?
15 Pavli tha: «Ne që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që s’janë të fortë, e jo të kënaqim veten. Sepse edhe Krishti nuk kënaqi veten.» (Romakëve 15:1, 3) Ai arsyetoi se duhet t’i vëmë nevojat e vëllezërve mbi ato vetjake, siç bëri Krishti. Tek trajtonte një temë që lidhej me këtë, Pavli tha se më mirë të mos hante fare mish, sesa të pengonte një dele të çmuar për të cilën Krishti kishte dhënë jetën.—Lexo 1 Korintasve 8:13; 10:23, 24, 31-33.
16. Pse ata që janë më striktë nuk duhet t’i gjykojnë të tjerët që vendosin ndryshe për çështjet e ndërgjegjes?
16 Nga ana tjetër, ai që është më strikt, nuk duhet të jetë kritikues e të ngulë këmbë që të gjithë të tjerët t’i shohin si ai çështjet e ndërgjegjes. (Lexo Romakëve 14:10.) Ndërgjegjen duhet ta përdorim për të gjykuar vetveten, jo si autorizim për të gjykuar të tjerët. Të mos harrojmë fjalët e Jezuit: «Mos i gjykoni më të tjerët, që të mos gjykoheni.» (Mateu 7:1) Asnjëri në kongregacion nuk duhet t’i bëjë problem çështjet që i përkasin ndërgjegjes së gjithsecilit. Përkundrazi, duhet të kërkojmë mënyra për të nxitur dashurinë dhe unitetin, duke ndërtuar e jo duke rrëzuar njëri-tjetrin.—Romakëve 14:19.
SI NXJERRIM DOBI KUR MBAJMË NJË NDËRGJEGJE TË PASTËR
Ndërgjegjja e pastër na drejton në udhëtimin e jetës, duke na sjellë gëzim e paqe të brendshme
17. Çfarë ka ndodhur me ndërgjegjen e shumë njerëzve sot?
17 Apostulli Pjetër shkroi: «Mbani një ndërgjegje të mirë.» (1 Pjetrit 3:16) Ndërgjegjja e pastër në sytë e Perëndisë Jehova, është një bekim i jashtëzakonshëm. Ajo ndryshon kryekëput nga ndërgjegjja e njerëzve sot. Pavli foli për ata që janë «të damkosur në ndërgjegjen e tyre si me hekur të nxehtë». (1 Timoteut 4:2) Hekuri i nxehtë e djeg mishin, duke i lënë shenjë e duke e bërë të pandjeshëm. Ndërgjegjja e shumë vetave sot është pothuajse e vdekur, domethënë kaq e damkosur dhe e pandjeshme saqë nuk u dërgon më sinjale paralajmërimi e nuk i bën të ndihen me turp a në faj kur gabojnë. Ata i shpërfillin pa pikë problemi ndjenjat e fajit.
18, 19. (a) Për çfarë mund të ndihmojnë ndjenjat e fajit ose të turpit? (b) Ç’të bëjmë nëse ndërgjegjja vazhdon të na ndëshkojë për mëkatet e kaluara, për të cilat tashmë jemi penduar?
18 Shpesh, kur ndihemi fajtorë, është zëri i ndërgjegjes që po na thotë se kemi gabuar. Kur këto ndjenja e shtyjnë një mëkatar të pendohet, mund t’i falen edhe mëkatet më të rënda. Për shembull, mbreti David mëkatoi rëndë, por Perëndia e fali kryesisht sepse ai u pendua sinqerisht. Ngaqë ndjeu urrejtje për rrugën e tij të gabuar dhe vendosi të zbatonte ligjet e Jehovait që nga ai çast e tutje, Davidi mundi të provonte se Jehovai është ‘i mirë dhe gati të falë’. (Psalmi 51:1-19; 86:5) Po sikur ndjenjat e forta të turpit e të fajit të mbeten edhe pasi të jemi penduar e të na jetë falur gabimi?
19 Nganjëherë ndërgjegjja vazhdon ta rëndojë e ta mundojë një mëkatar me ndjenja faji edhe pasi ato nuk hyjnë më në punë. Në raste të tilla, ndoshta atij do t’i duhet ta sigurojë zemrën që e gjykon, se Jehovai është më i madh se çdo ndjenjë njerëzore. Duhet të besojë e të pranojë dashurinë dhe faljen e tij, ashtu siç u mëson edhe të tjerëve. (Lexo 1 Gjonit 3:19, 20.) Nga ana tjetër, ndërgjegjja e pastër të sjell paqe të brendshme, qetësi dhe një gëzim të thellë që rrallë ndeshet sot në botë. Shumë veta që më parë ishin zhytur në mëkate të rënda, kanë përjetuar këtë lehtësim të jashtëzakonshëm dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë Perëndisë Jehova me një ndërgjegje të pastër.—1 Korintasve 6:11.
20, 21. (a) Për çfarë do të të ndihmojë ky botim? (b) Ç’liri kemi si të krishterë, por si duhet ta përdorim?
20 Ky libër është përgatitur që të të ndihmojë të gjesh këtë gëzim dhe të mbash ndërgjegje të pastër gjithë ditët që i mbeten këtij sistemi të trazuar të Satanait. Natyrisht, s’mund të trajtohen të gjitha ligjet dhe parimet biblike që duhet të sjellësh ndër mend e t’i zbatosh në situatat që lindin dita-ditës. Veç kësaj, mos prit të gjesh në të rregulla të thjeshta bardhë e zi për çështjet e ndërgjegjes. Qëllimi i librit është të të ndihmojë që të edukosh ndërgjegjen e ta bësh më të ndjeshme, duke studiuar si ta zbatosh në jetën e përditshme Fjalën e Perëndisë. Ndryshe nga Ligji i Moisiut, ‘ligji i Krishtit’ i nxit përkrahësit e tij që të jetojnë më shumë sipas ndërgjegjes dhe parimeve, sesa sipas rregullave të shkruara. (Galatasve 6:2) Kështu, Jehovai u jep të krishterëve një liri të jashtëzakonshme. Gjithsesi, në Fjalën e tij këshillohemi të mos e përdorim këtë liri «si një maskim për të keqen». (1 Pjetrit 2:16) Kjo liri na jep një mundësi të shkëlqyer t’i shprehim Jehovait dashurinë që ndiejmë për të.
21 Nëse shqyrton në lutje si ta përshtatësh jetën sa më shumë me parimet biblike e pastaj i zbaton vendimet që merr, do të vazhdosh një proces jetësor që nisi kur fillove të njihje Jehovain, pra stërvitjen e ‘aftësive perceptuese’ «nëpërmjet përdorimit». (Hebrenjve 5:14) Ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës do të të sjellë dobi çdo ditë. Ashtu si busulla që drejton një udhëtar, ndërgjegjja do të të ndihmojë të marrësh vendime që i pëlqejnë Atit tënd qiellor. Kjo është një mënyrë e sigurt për ta ruajtur veten në dashurinë e Perëndisë.
a Në Shkrimet Hebraike nuk ka fjalë specifike për «ndërgjegjen». Por shembuj të tillë tregojnë qartë se ky koncept përdorej. Fjala «zemër» i referohet tërësisë së ndjenjave të njeriut. Në raste si ai i Jobit, kjo fjalë tregon pa dyshim një ndjenjë specifike, ndërgjegjen. Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala greke e përkthyer «ndërgjegje» del rreth 30 herë.
b Bibla tregon se jo gjithmonë është e mjaftueshme ta kemi ndërgjegjen të qetë. Për shembull, Pavli tha: «Unë e kam ndërgjegjen të pastër për çdo gjë. Megjithatë, me këtë nuk them se jam i drejtë, por se ai që më shqyrton mua është Jehovai.» (1 Korintasve 4:4) Edhe ata që përndjekin të krishterët, siç bënte Pavli më parë, mund ta bëjnë këtë me ndërgjegje të pastër ose të qetë, sepse mendojnë që Perëndia i miraton. Është jetësore jo vetëm që të kemi ndërgjegje të qetë për vete, por edhe të pastër në sytë e Perëndisë.—Veprat 23:1; 2 Timoteut 1:3.
c Vlen të përmendet që shumë mjekë thonë se të alkoolizuarit e kanë të pamundur të jenë të matur e të pinë me masë. Për ta «maturi» do të thotë të mos pinë fare.