LIBIA, LIBIANËT
Libia e lashtë zinte një rajon të Afrikës Veriore në perëndim të Egjiptit. Në përgjithësi mendohet se banorët e saj quheshin Luvím në hebraisht. (2Kr 12:3; «libianë», LXX, BR, Dio) Nëse Luvím është një formë tjetër e Lehavím (Lehabim), kjo mund të tregojë se të paktën disa libianë e kishin prejardhjen nga Kami nëpërmjet Mizraimit. (Zn 10:13) Sipas traditës judaike të paraqitur në shkrimet e historianit Jozef (Antikitete judaike, I, 130-132 [vi, 2]), libianët ishin pasardhës të Kamit nëpërmjet Putit. (Zn 10:6) Po ashtu, te Jeremia 46:9, Ezekieli 27:10 dhe Ezk 38:5 ku teksti hebraik thotë «Puti», Septuaginta greke dhe Vulgata latine thonë «libianët». Natyrisht, ekziston mundësia që edhe pasardhësit e Putit, edhe ata të Mizraimit të jenë vendosur në rajonin gjeografik të Afrikës Veriore që u quajt Libi. Nëse ka ndodhur kështu, atëherë emri «libianë» ka kuptim më të gjerë se fjala hebraike Luvím.
Shishaku, mbret i Egjiptit, që mbahet si themeluesi i «Dinastisë Libiane», mësyu Judën në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit (993 p.e.s.) dhe shtiu në dorë shumë qytete. Në ushtrinë e tij të fuqishme me karroca e kalorës kishte edhe libianë. Ndonëse Jerusalemi u kursye, Shishaku zhvati thesaret e qytetit. (1Mb 14:25, 26; 2Kr 12:2-9) Rreth 26 vjet më vonë (967 p.e.s.), libianët bënin pjesë në trupat e etiopasit Zerah, që u futën në Judë por pësuan një disfatë poshtëruese. (2Kr 14:9-13; 16:8) Në shekullin e 7-të p.e.s., libianët dhe të tjerë i vajtën në ndihmë qytetit egjiptian të No-Amonit, por nuk e shpëtuan dot nga gjëma që sollën asirianët. (Na 3:7-10) Ishte parathënë se libianët dhe etiopasit do të ndiqnin «gjurmët» e «mbretit të veriut», çka tregonte se këta ish-aleatë të Egjiptit do të viheshin nën sundimin e këtij mbreti.—Dn 11:43.
Në vitin 33 të e.s., mes judenjve dhe prozelitëve që ndodheshin në Jerusalem për festën e Ditës së Pesëdhjetë, kishte edhe disa që vinin nga ‘viset e Libisë, që janë afër Kirenës’, pra nga viset perëndimore të Libisë. Ka shumë mundësi që disa prej tyre u pagëzuan pasi dëgjuan fjalimin e Pjetrit dhe më vonë e çuan mesazhin e krishterë në vendin ku jetonin.—Ve 2:10.