Jerusalemi: «Qyteti i mbretit madhështor»
«Mos u beto . . . për Jerusalemin, sepse ai është qyteti i Mbretit madhështor.»—MATEU 5:34, 35, BR.
1, 2. Cila ide mund të jetë enigmatike për disa njerëz, në lidhje me Jerusalemin?
JERUSALEM: Te njerëzit e feve të ndryshme, vetë emri i tij ngjall ndjenja të forta. Në fakt, meqenëse përmendet shpesh në lajme, asnjëri prej nesh nuk mund ta shpërfillë këtë qytet të lashtë. Por mjerisht, shumë prej këtyre lajmeve zbulojnë se Jerusalemi nuk është gjithmonë vend paqeje.
2 Për disa lexues të Biblës, kjo mund të krijojë një ide enigmatike. Në të kaluarën, emri i shkurtuar i Jerusalemit ishte Salem, që do të thotë «paqe». (Zanafilla 14:18; Psalmi 76:2; Hebrenjve 7:1, 2) Prandaj, mund të pyesësh veten: ‘Pse një qyteti me këtë emër i ka munguar kaq shumë paqja kohët e fundit?’
3. Ku mund të gjejmë informacion të besueshëm për Jerusalemin?
3 Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të kthehemi shumë prapa në histori dhe të mësojmë diçka për Jerusalemin e kohëve të lashta. Por disa mund të mendojnë: ‘S’kemi kohë të studiojmë historinë e lashtë.’ Megjithatë, njohuria e saktë mbi historinë e hershme të Jerusalemit ka vlerë për të gjithë ne sot. Bibla e tregon pse-në me këto fjalë: «Të gjitha gjërat që u shkruan qëmoti u shkruan për udhëzimin tonë, që përmes qëndrueshmërisë sonë dhe përmes ngushëllimit nga Shkrimet të kemi shpresë.» (Romakëve 15:4, BR) Njohuria biblike mbi Jerusalemin mund të na japë ngushëllim, po, madje shpresë për paqe jo vetëm në atë qytet, por në mbarë tokën.
Vendi i «fronit të Perëndisë»
4, 5. Si ishte përfshirë Davidi në ndihmën që iu dha Jerusalemit për të luajtur rol kyç në realizimin e qëllimit të Perëndisë?
4 Në shekullin e 11-të p.e.s., Jerusalemi u bë botërisht i famshëm si kryeqyteti i një kombi të sigurt dhe paqësor. Mbi atë komb të lashtë, Izraelin, Perëndia Jehova kishte urdhëruar që të mirosej si mbret i riu David. Me selinë e qeverisë në Jerusalem, ndërsa kalonte koha, Davidi dhe pasardhësit e tij mbretërorë zunë «fronin e mbretërimit të Jehovait» apo «fronin e Jehovait».—1. Kronikave 28:5; 29:23, BR.
5 Davidi që druante Perëndinë, izraelit nga fisi i Judës, pushtoi Jerusalemin, i cili ishte në duart e jebusenjve idhujtarë. Në atë kohë, qyteti zinte vetëm një kodër që quhej Sion, por ai emër u bë sinonimi i vetë Jerusalemit. Me kalimin e kohës, Davidi mori masat që arka e besëlidhjes së Perëndisë me Izraelin të transportohej në Jerusalem, ku e vendosën në një tendë. Vite më parë, Perëndia i kishte folur profetit të tij Moisi nga një re që qëndronte mbi atë Arkë të shenjtë. (Dalja [Eksodi] 25:1, 21, 22; Levitiku 16:2; 1. Kronikave 15:1-3) Arka simbolizonte praninë e Jehovait, sepse Mbreti i vërtetë i Izraelit ishte Jehovai. Prandaj, në një kuptim të dyfishtë, mund të thuhej se Perëndia Jehova sundonte nga qyteti i Jerusalemit.
6. Cili ishte premtimi që bëri Jehovai në lidhje me Davidin dhe Jerusalemin?
6 Jehovai i premtoi Davidit se mbretëria e shtëpisë së tij mbretërore, e përfaqësuar nga Sioni apo Jerusalemi, nuk do të merrte fund. Kjo donte të thoshte se një pasardhës i Davidit do të trashëgonte të drejtën që të sundonte përgjithmonë si i Mirosuri i Perëndisë: Mesia apo Krishti.a (Psalmi 132:11-14; Luka 1:31-33) Bibla zbulon edhe se ky trashëgimtar i përhershëm në «fronin e Jehovait» do të sundonte mbi të gjitha kombet, jo vetëm mbi Jerusalemin.—Psalmi 2:6-8; Danieli 7:13, 14.
7. Si e çoi përpara adhurimin e pastër mbreti David?
7 Përpjekjet për të hequr nga froni të mirosurin e Perëndisë, mbretin David, shkuan kot. Përkundrazi, kombet armike u nënshtruan, ndërsa kufijtë e Tokës së Premtuar u shtrinë deri në skajet që kishte caktuar Perëndia. Davidi e shfrytëzoi këtë situatë që ta çonte përpara adhurimin e pastër. Shumë psalme të Davidit lavdërojnë Jehovain si Mbretin e vërtetë në Sion.—2. Samuelit 8:1-15; Psalmi 9:1, 11; 24:1, 3, 7-10; 65:1, 2; 68:1, 24, 29; 110:1, 2; 122:1-4.
8, 9. Si u përhap adhurimi i vërtetë në Jerusalem nën mbretërimin e mbretit Solomon?
8 Gjatë mbretërimit të birit të Davidit, Solomonit, adhurimi i Jehovait arriti maja të reja. Që të përfshinte edhe kodrën Moriah (zona ku sot ndodhet Kubeja e Shkëmbit), Solomoni e shtriu Jerusalemin drejt veriut. Në këtë vend më të lartë, ai pati privilegjin të ndërtonte një tempull të mrekullueshëm në lavdi të Jehovait. Arka e besëlidhjes u vendos në Më të Shenjtën e atij tempulli.—1. Mbretërve 6:1-38.
9 Ndërsa mbështeste me gjithë zemër adhurimin e Jehovait me qendër në Jerusalem, kombi i Izraelit gëzonte paqe. Duke e përshkruar bukur këtë situatë, Shkrimet thonë: «Juda dhe Izraeli ishin të shumtë, ashtu si kokrrizat e rërës që janë me shumicë anës detit; hanin, pinin dhe gëzonin. . . . Dhe vetë paqja u bë [e Solomonit] në çdo rajon të tij, kudo përreth. Dhe Juda e Izraeli vazhduan të banonin në siguri, secili nën vreshtin e vet dhe nën fikun e vet.—1. Mbretërve 4:20, 24, 25, BR.
10, 11. Si e vërteton arkeologjia atë që thotë Bibla për Jerusalemin në periudhën e mbretërimit të Solomonit?
10 Gjetjet arkeologjike e mbështetin këtë tregim mbi mbretërimin e mbarë të Solomonit. Në librin e tij The Archaeology of the Land of Israel (Arkeologjia e vendit të Izraelit), profesori Johanan Aharoni pohon: «Pasuria që vërshonte në oborrin mbretëror nga të gjitha drejtimet dhe tregtia e mbarë . . . sollën një revolucion të shpejtë dhe të dukshëm në çdo aspekt të kulturës materiale. . . . Ndryshimi në kulturën materiale . . . dallohet jo vetëm në artikujt e luksit, por sidomos edhe në ato të qeramikës. . . . Cilësia e poçarisë dhe pjekja e saj u përmirësuan sa s’thuhet.»
11 Ngjashëm, Xheri M. Landei, shkroi: «Nën mbretërinë e Solomonit, brenda tri dekadash kultura materiale e Izraelit përparoi më shumë seç kishte përparuar gjatë 200 vjetëve të mëparshëm. Në shtresat arkeologjike solomonike gjejmë mbetjet e ndërtimeve madhështore, qytete të mëdha me mure masive, lagje banimi të shtuara me shpejtësi, të formuara nga grumbuj të ndërtuar mirë banesash të të kamurve, një hop i madh në mjeshtërinë teknike të poçarisë dhe të proceseve të saj të manifakturës. Gjejmë edhe mbetje artikujsh që përfaqësojnë mallra të bëra në vende të largëta, tregues të tregtisë dhe shkëmbit të fuqishëm ndërkombëtar të mallrave.—Shtëpia e Davidit.
Nga paqja në shkretim
12, 13. Si ndodhi që adhurimi i vërtetë nuk vazhdoi të gjente mbështetje në Jerusalem?
12 Paqja dhe lulëzimi i Jerusalemit, qytetit ku ndodhej shenjtërorja e Jehovait, ishte një temë e përshtatshme lutjeje. Davidi shkroi: «Kërkoni, o njerëz, paqen e Jerusalemit. Ata që të duan, o qytet, nuk do të kenë shqetësime. Vazhdoftë paqja brenda ledhit tënd, mungesa e shqetësimit brenda kullave të tua të banimit! Për hir të vëllezërve të mi dhe të shokëve të mi do të flas tani: ‘Pastë paqe brenda teje!’» (Psalmi 122:6-8, BR) Megjithëse Solomoni pati privilegjin që në atë qytet paqësor të ndërtonte tempullin e mrekullueshëm, në fund ai u martua me shumë gra pagane. Kur ishte në moshë të shkuar, ato e joshën në mbështetjen e adhurimit të perëndive të rreme të asaj kohe. Kjo apostazi pati efekt korruptues mbi gjithë kombin, duke i grabitur kështu paqen e vërtetë atij dhe banorëve të tij.—1. Mbretërve 11:1-8; 14:21-24.
13 Në fillimet e mbretërimit të birit të Solomonit, Roboamit, dhjetë fise u rebeluan dhe formuan mbretërinë veriore të Izraelit. Për shkak të adhurimit të tyre idhujtar, Perëndia lejoi që ajo mbretëri të rrëzohej nga Asiria. (1. Mbretërve 12:16-30) Mbretëria jugore e Judës e përbërë prej dy fisesh, vazhdoi ta kishte qendrën në Jerusalem. Por me kalimin e kohës edhe ato u larguan nga adhurimi i pastër, kështu që Perëndia lejoi që në vitin 607 p.e.s. ky qytet kryeneç të shkatërrohej nga babilonasit. Për 70 vjet, të mërguarit hebrenj lënguan si robër në Babiloni. Më pas, nga mëshira e Perëndisë, ata u lejuan të ktheheshin në Jerusalem dhe të rivendosnin adhurimin e vërtetë.—2. Kronikave 36:15-21.
14, 15. Si rifitoi Jerusalemi një rol kyç pas mërgimit në Babiloni, por me ç’ndryshim?
14 Pas 70 vjet shkretimi, ndërtesat e rrënuara duhej të ishin mbuluar nga barërat e këqija. Muri i Jerusalemit ishte rrëzuar dhe në vendet ku dikur ndodheshin portat dhe kullat mbajtëse, ishin krijuar të çara të mëdha. Por megjithatë, hebrenjtë e kthyer morën zemër. Në vendin ku më parë ndodhej tempulli, ata ndërtuan një altar dhe filluan t’i ofronin Jehovait flijime të përditshme.
15 Ky qe një fillim premtues, por ai Jerusalem i restauruar nuk do të ishte kurrë më kryeqyteti i një mbretërie që në fron do të kishte një pasardhës të mbretit David. Përkundrazi, hebrenjtë u vunë nën sundimin e një qeveritari të emëruar nga ata që kishin pushtuar Babiloninë dhe iu desh t’u paguanin taksa zotërinjve të tyre persë. (Nehemia 9:34-37) Megjithëse «i shkelur», Jerusalemi ishte ende i vetmi qytet në mbarë tokën, i favorizuar në mënyrë të veçantë nga Perëndia Jehova. (Luka 21:24, BR) Si qendra e adhurimit të pastër, ai përfaqësonte edhe të drejtën e Perëndisë për të ushtruar sovranitetin e tij mbi tokë nëpërmjet një pasardhësi të mbretit David.
I kundërshtuar nga fqinjët me fe të rreme
16. Pse hebrenjtë që u kthyen nga Babilonia e ndërprenë restaurimin e Jerusalemit?
16 Pas pak kohësh, hebrenjtë që ishin kthyer nga mërgimi në Jerusalem hodhën themelet e një tempulli të ri. Por fqinjët që praktikonin fenë e rreme i dërguan mbretit pers, Artakserksit, një letër me shpifje ku deklarohej se hebrenjtë do të rebeloheshin. Artakserksi, nga ana e tij, e ndaloi ndërtimin e mëtejshëm në Jerusalem. Mund ta marrësh me mend se sikur në atë kohë të jetoje në atë qytet, do të kishe pyetur veten se ç’e ardhme e priste Jerusalemin. Siç doli më vonë, hebrenjtë e ndërprenë ndërtimin e tempullit dhe u përpinë nga interesat e tyre materialiste.—Ezdra 4:11-24; Hageu 1:2-6.
17, 18. Me anë të cilave mjete u kujdes Jehovai për rindërtimin e Jerusalemit?
17 Rreth 17 vjet pas kthimit të tyre, për të ndrequr mënyrën e të menduarit të popullit të tij, Perëndia ngriti profetët Hage dhe Zaharia. Të penduar, hebrenjtë iu futën rindërtimit të tempullit. Ndërkohë, Dari ishte bërë mbreti i Persisë. Ai verifikoi urdhrin e mbretit Kir për rindërtimin e tempullit të Jerusalemit. Dari u dërgoi një letër fqinjve të hebrenjve, duke i paralajmëruar t’i ‘rrinin larg Jerusalemit’ dhe të jepnin mbështetjen e tyre financiare nga taksat e mbretit, që të përfundohej puna e ndërtimit.—Ezdra 6:1-13.
18 Hebrenjtë e përfunduan tempullin në vitin e 22-të të kthimit të tyre. Mund ta kuptosh se kjo ngjarje që la gjurmë do të ishte diçka për t’u festuar me gëzim të madh. Megjithatë, Jerusalemi dhe muret e tij ishin ende të rrënuara në një masë të konsiderueshme. Qytetit iu kushtua vëmendja e duhur «në ditët e Nehemisë, qeveritarit, dhe të priftit Ezdra, kopistit». (Nehemia 12:26, 27, BR) Duket se nga fundi i shekullit të pestë p.e.s., Jerusalemi ishte rindërtuar plotësisht si një qytet i rëndësishëm i botës së lashtë.
Shfaqet Mesia!
19. Si e pranoi Mesia pozitën unike të Jerusalemit?
19 Por, le t’i kapërcejmë disa shekuj deri te një ngjarje me rëndësi universale: lindja e Jezu Krishtit. Engjëlli i Perëndisë Jehova i kishte thënë nënës virgjëreshë të Jezuit: «Perëndia do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij, . . . dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.» (Luka 1:32, 33, BR) Vite më vonë, Jezui bëri Predikimin e tij të famshëm në Mal. Në këtë predikim, ai inkurajoi dëgjuesit dhe dha këshilla mbi shumë gjëra. Për shembull, ai i nxiti të përmbushnin kushtimet që i kishin bërë Perëndisë, por të kishin kujdes të mos jepeshin pas betimeve të kota. Jezui tha: «Ju keni dëgjuar se atyre të kohëve të lashta u qe thënë ‘nuk duhet të zësh be dhe të mos e bësh, por duhet t’i plotësosh kushtimet e tua ndaj Jehovait’. Megjithatë, unë po ju them: Mos zë fare be, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, as për tokën, sepse është stoli i këmbëve të tij, as për Jerusalemin, sepse ai është qyteti i Mbretit madhështor.» (Mateu 5:33-35, BR) Vlen të përmendet se Jezui pranoi pozitën unike të Jerusalemit, pozitë që ai e kishte gëzuar për shekuj të tërë. Po, ai ishte «qyteti i Mbretit madhështor», Perëndisë Jehova.
20, 21. Cili ndryshim dramatik ndodhi në qëndrimin e shumë personave që jetonin në Jerusalem?
20 Afër fundit të jetës së tij tokësore, Jezui iu paraqit banorëve të Jerusalemit si Mbreti i tyre i mirosur siç duhet. Në përgjigje të kësaj ngjarjeje drithëruese, shumë veta thirrën me gëzim: «I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait! E bekuar është mbretëria që po vjen e atit tonë David!»—Marku 11:1-10; Gjoni 12:12-15.
21 Megjithatë, brenda më pak se një jave, turmat ua lejuan udhëheqësve fetarë të Jerusalemit që t’i vërsulnin kundër Jezuit. Ai paralajmëroi se qyteti i Jerusalemit dhe i tërë kombi do ta humbitnin pozitën e tyre të favorizuar para Perëndisë. (Mateu 21:23, 33-45; 22:1-7) Për shembull, Jezui deklaroi: «Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët dhe gjuan me gurë ata që u dërguan tek ai. Sa shpesh desha t’i mblidhja së bashku fëmijët e tu, ashtu si klloçka mbledh së bashku zogjtë e saj nën krahët e vet! Por ju njerëz nuk e deshët këtë. Ja! Shtëpia juaj ju është braktisur.» (Mateu 23:37, 38, BR) Në kohën e Pashkëve të vitit 33 të e.s., kundërshtarët e ekzekutuan padrejtësisht Jezuin jashtë Jerusalemit. Megjithatë, Jehovai e ringjalli të Mirosurin e tij dhe e ngriti në lavdinë qiellore, me një jetë të pavdekshme frymore në Sionin qiellor, një akt prej të cilit mund të përfitojmë të gjithë.—Veprat 2:32-36.
22. Çfarë aplikimi patën pas vdekjes së Jezuit shumë referime që i bëheshin Jerusalemit?
22 Që prej asaj kohe e më pas, shumica e profecive të papërmbushura për Sionin apo Jerusalemin, mund të kuptohen si t’i aplikoheshin rregullimeve qiellore ose ithtarëve të mirosur të Jezuit. (Psalmi 2:6-8; 110:1-4; Isaia 2:2-4; 65:17, 18; Zaharia 12:3; 14:12, 16, 17) Është e qartë se disa referime që i bëhen «Jerusalemit» apo «Sionit», të cilat janë shkruar pas vdekjes së Jezuit, kanë kuptim të figurshëm dhe nuk i aplikohen qytetit apo vendit gjeografik. (Galatasve 4:26; Hebrenjve 12:22; 1. Pjetrit 2:6; Zbulesa 3:12; 14:1; 21:2, 10) Prova përfundimtare se Jerusalemi nuk ishte më «qyteti i Mbretit madhështor» u dha në vitin 70 të e.s., kur këtë qytet e shkretuan romakët, ashtu siç kishte profetizuar Danieli dhe Jezu Krishti. (Danieli 9:26; Luka 19:41-44) As shkrimtarët e Biblës, as Jezui vetë nuk parathanë ndonjë restaurim të mëvonshëm të Jerusalemit tokësor, duke pasur atë favor të veçantë të Perëndisë Jehova që kishte gëzuar dikur.—Galatasve 4:25; Hebrenjve 13:14.
Shenja paraprake e paqes së qëndrueshme
23. Pse duhet të na interesojë ende Jerusalemi?
23 Pasi dikush ka bërë një rishikim të historisë së hershme të Jerusalemit tokësor, nuk mund ta mohojë se gjatë mbretërimit paqësor të mbretit Solomon ky qytet jetoi në lartësinë e domethënies së emrit të tij: «Zotërimi [ose Themeli] i paqes së dyfishtë». Por megjithatë, kjo ishte vetëm një shenjë paraprake e paqes dhe e lulëzimit që do të gëzojnë së shpejti ata që duan Perëndinë, të cilët do të jetojnë në një tokë të transformuar në parajsë.—Luka 23:43.
24. Çfarë mund të mësojmë nga kushtet që mbizotëronin kur mbretëronte Solomoni?
24 Psalmi 72 pasqyron kushtet që mbizotëronin gjatë mbretërimit të mbretit Solomon. Por kjo këngë e bukur tregon në mënyrë profetike bekimet e njerëzimit nën sundimin qiellor të Mesisë, Jezu Krishtit. Për të, psalmisti këndoi: «Në ditët e tij do të lulëzojë i drejti dhe bollëku i paqes, derisa të mos ketë më hënë. . . . Ai do ta çlirojë të varfërin që thërret për ndihmë, gjithashtu, të munduarin dhe këdo që nuk ka se kush ta ndihmojë. Ai do të ndiejë keqardhje për të përulurin dhe për të varfërin dhe shpirtrat e të varfërve ai do t’i shpëtojë. Nga shtypja dhe dhuna ai do ta shpengojë shpirtin e tyre dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij. Do të ketë bollëk gruri mbi tokë; në majat e maleve do të ketë vërshim.»—Psalmi 72:7, 8, 12-14, 16.
25. Pse duhet të kemi dëshirë të mësojmë më shumë për Jerusalemin?
25 Ç’ngushëllim u japin këto fjalë atyre që duan Perëndinë, qofshin në Jerusalem ose kudo gjetkë në tokë! Ti mund të jesh mes atyre që do të gëzojnë paqen mbarëtokësore nën Mbretërinë Mesianike të Perëndisë. Njohuria mbi të kaluarën e Jerusalemit mund të na ndihmojë për të kuptuar qëllimin e Perëndisë për njerëzimin. Artikujt vijues do të përqendrohen në ngjarje që ndodhën në dekadën e shtatë dhe të tetë pas kthimit të hebrenjve nga mërgimi në Babiloni. Kjo do t’i ngushëllojë të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin adhurim të pranueshëm Perëndisë Jehova, Mbretit Madhështor.
[Shënimi]
a Titujt «Mesia» (përshtatur nga një fjalë hebraike) dhe «Krisht» (nga greqishtja) kanë që të dy domethënien «i Mirosuri».
A të kujtohet?
◻ Si ndodhi që Jerusalemi u bë vendi i «fronit të Jehovait»?
◻ Çfarë roli domethënës pati Solomoni në çuarjen përpara të adhurimit të vërtetë?
◻ Si e dimë se Jerusalemi nuk qe më qendra e adhurimit të Jehovait?
◻ Pse na intereson të mësojmë më shumë për Jerusalemin?
[Figura në faqen 10]
Qyteti i Davidit ndodhej në një kreshtë jugore, por Solomoni e shtriu qytetin drejt veriut dhe ndërtoi tempullin
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Burimi i figurës në faqen 8]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.