ASA
1. Mbreti i tretë i Judës pas ndarjes së kombit në dy mbretëri. Asa ishte biri i Abijamit (Abijahut) dhe nipi i Rehoboamit. Ai mbretëroi për 41 vjet (977-937 p.e.s.).—1Mb 15:8-10.
Zelli i Asës për adhurimin e pastër. Pas ndarjes së kombit në dy mbretëri, për 20 vjet Juda dhe Beniamini ishin kredhur në apostazi. «Ashtu si Davidi, paraardhësi i tij», Asa tregoi zell për adhurimin e pastër dhe me guxim iu fut punës për të pastruar vendin nga idhujt dhe prostitutat-meshkuj të tempullit. Ai hoqi gjyshen e tij, Makahën, nga pozita si ‘zonja e parë’ e vendit—ngaqë kishte bërë një «idhull të llahtarshëm» për adhurimin e shtyllës së shenjtë ose të Asherahut—dhe e dogji idhullin.—1Mb 15:11-13.
Sipas 2 Kronikave 14:2-5, Asa «hoqi altarët e huaj dhe vendet e larta, bëri copë-copë kolonat e shenjta dhe rrëzoi shtyllat e shenjta». Mirëpo te 1 Mbretërve 15:14 dhe 2 Kronikave 15:17 thuhet se ai «nuk i hoqi vendet e larta». Pra, ka mundësi që vendet e larta që përmenden në fragmentin e parë të Kronikave të ishin ato të adhurimit pagan me të cilin ishte ndotur Juda, kurse fragmenti i Mbretërve u referohet vendeve të larta ku populli adhuronte Jehovain. Edhe pas ngritjes së tabernakullit e, më vonë, pas ndërtimit të tempullit, me raste Jehovait i ishin bërë flijime nëpër vende të larta dhe këtë gjë ai e pranoi në rrethana të veçanta, si në rastin e Samuelit, të Davidit dhe të Elijas. (1Sa 9:11-19; 1Kr 21:26-30; 1Mb 18:30-39) Megjithatë, vendi i miratuar për paraqitjen e flijimeve ishte ai që kishte autorizuar Jehovai. (Nu 33:52; Lp 12:2-14; Js 22:29) Forma të papërshtatshme të adhurimit nëpër vende të larta mund të kenë vazhduar pavarësisht nga heqja e vendeve të larta pagane, mbase sepse mbreti nuk iu vu me të njëjtën forcë eliminimit të tyre, siç kishte bërë me vendet pagane. Ose ka mundësi që Asa të ketë hequr plotësisht të gjitha vendet e larta; por, me kohë, ato mund të jenë shfaqur prapë dhe mund të mos jenë hequr deri në fund të mbretërimit të tij, aq sa t’i jetë dashur pasuesit të tij, Jehozafatit, t’i bënte copë-copë.
Gjatë dhjetë viteve të para të mbretërimit të tij, Jehovai e bekoi Asën me paqe falë zellit për adhurimin e vërtetë. (2Kr 14:1, 6) Më vonë, Judën e sulmoi një ushtri me një milion luftëtarë nën komandën e Zerahut, etiopasit. Megjithëse përballë një ushtrie shumë më të madhe në numër, Asa i doli para pushtuesit në Mareshah, rreth 38 km në perëndim-jugperëndim të Jerusalemit, në ultësirat e Judës. Në lutjen e zjarrtë që i bëri Jehovait para betejës, ai pranoi se Perëndia kishte fuqi t’i çlironte dhe i kërkoi ndihmë, duke thënë: «Te ti mbështetemi dhe në emrin tënd kemi dalë kundër kësaj turme! O Jehova, ti je Perëndia ynë! Mos lër që njeriu i vdekshëm të dalë më i fortë se ti!» Si rezultat, arriti një fitore të bujshme.—2Kr 14:8-15.
Më pas, Asën e takoi profeti Azariah, i cili i kujtoi: «Jehovai do të jetë me ju për sa kohë të jeni me të . . . por nëse e braktisni, do t’ju braktisë». Ai i solli ndër mend luftërat e përgjakshme që kishin shkatërruar kombin kur ishte larguar nga Jehovai dhe e nxiti Asën të vazhdonte me guxim betejën për adhurimin e pastër. (2Kr 15:1-7) Reagimi i menjëhershëm i Asës dhe nxitja që i dha kombit për t’i shërbyer Jehovait siç duhej, bënë që një numër i madh banorësh nga mbretëria veriore t’i braktisnin ato vise për të marrë pjesë në një asamble madhështore në Jerusalem në vitin e 15-të të mbretërimit të Asës (963 p.e.s.). Atje populli bëri një besëlidhje që shprehte vendosmërinë e tij për të kërkuar Jehovain dhe për të dënuar me vdekje ata që nuk e respektonin këtë besëlidhje.—2Kr 15:8-15.
Komploti dhe lufta kundër Baashës. Baasha, mbreti i Izraelit, fortifikoi Ramahun, një qytet kufitar që shtrihej në rrugën kryesore që të çonte në Jerusalem (pak më në veri të tij), për të penguar kalimin e kujtdo që kishte si synim të kthehej në Judë. Asa, që e pa këtë situatë nga një këndvështrim krejt njerëzor ose ngaqë ndoqi këshillën e gabuar, nuk u mbështet tërësisht te Jehovai, por përdori diplomacinë dhe bisedimet e fshehta për të shmangur kërcënimin. Ai mori thesarin e tempullit dhe të shtëpisë së mbretit dhe ia nisi si ryshfet mbretit të Sirisë, Ben-Hadadit I, për ta bindur të shpërqendronte Baashën me një sulm në kufirin verior të Izraelit. Ben-Hadadi I pranoi dhe mësyu qytetet izraelite në veri. Kjo bëri që Baasha të linte në mes ndërtimet e nisura dhe të tërhiqte trupat e tij nga Ramahu. Atëherë Asa rekrutoi si krah pune të gjithë ata që ishin të gatshëm në tërë mbretërinë e Judës; mori të gjitha materialet e ndërtimit që kishte pasur Baasha dhe i përdori për ndërtimin e qyteteve të Gebës e të Mizpahut.—1Mb 15:16-22; 2Kr 16:1-6.
Për këtë Asën e qortoi parashikuesi Hanan që i tha se ishte treguar i pamend që nuk ishte mbështetur te Perëndia, i cili e kishte çliruar nga ushtria e madhe etiopase. Ai i kujtoi Asës se «sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij». Marrëzinë e tij, Asa do ta paguante duke pasur vazhdimisht luftë. I inatosur nga qortimi, Asa e burgosi padrejtësisht Hananin dhe shtypi të tjerë akoma nga populli.—2Kr 16:7-11.
Pohimi që gjejmë te 2 Kronikave 16:1 se Baasha doli kundër Judës «vitin e tridhjetegjashtë të mbretërimit të Asës» ka ngritur disa pyetje, pasi sundimi i Baashës filloi vitin e tretë të mbretërimit të Asës dhe zgjati vetëm 24 vjet, pra, kishte mbaruar rreth 10 vjet para vitit të 36-të të mbretërimit të Asës. (1Mb 15:33) Sipas disave, këtu është bërë një gabim gjatë kopjimit dhe duhet të jetë fjala për vitin e 16-të ose të 26-të të mbretërimit të Asës. Megjithatë, s’ka nevojë të hamendësohet një gabim i tillë që të harmonizohen dy tregimet. Komentuesit judenj citojnë një burim shumë të lashtë (Seder Olam), sipas të cilit viti i 36-të llogaritet duke filluar nga lindja e mbretërisë së Judës (997 p.e.s.) dhe përkon me vitin e 16-të të mbretërimit të Asës (meqë Rehoboami mbretëroi 17 vjet dhe Abijahu 3 vjet, i bie që ishte viti i 16-të i mbretërimit të Asës). (Soncino Books of the Bible, Londër, 1952, shën. te 2Kr 16:1) Me këtë mendim pajtohet edhe kryepeshkopi Ashër. Po ashtu, mospërputhja në dukje ndërmjet 2 Kronikave 15:19 ku thuhet se «nuk pati luftë deri në vitin e tridhjetepestë [faktikisht në vitin e pesëmbëdhjetë] të mbretërimit të Asës» dhe 1 Mbretërve 15:16 që thotë se «mes Asës dhe Baashës, mbretit të Izraelit, pati luftë gjatë gjithë jetës së tyre» mund të shpjegohet me faktin që, kur mes dy mbretërve filloi armiqësia, ata nuk reshtën së luftuari, siç kishte parathënë Hanani.—2Kr 16:9.
Sëmundja dhe vdekja. Tri vitet e fundit të jetës së tij, Asa vuajti nga një sëmundje e këmbëve (ndoshta podagra ose cerma). Si i pamend, ai kërkoi më shumë shërimin fizik, sesa atë frymor. Kur vdiq, e varrosën me të gjitha nderimet në varrin e përgatitur nga vetë ai në Qytetin e Davidit.—1Mb 15:23, 24; 2Kr 16:12-14.
Megjithëse herë pas here tregoi mungesë mençurie dhe gjykimi të thellë frymor, cilësitë e mira të Asës dhe fakti që i qëndroi larg apostazisë kishin më shumë peshë se gabimet e tij, dhe ai konsiderohet si një nga mbretërit besnikë të shtëpisë mbretërore të Judës. (2Kr 15:17) Mbretërimi i tij 41-vjeçar përkoi, tërësisht ose pjesërisht, me mbretërimin e tetë mbretërve të Izraelit: Jeroboamit, Nadabit, Baashës, Elahut, Zimrit, Omrit, Tibnit (që mbretëroi në një pjesë të Izraelit si kundërshtar i Omrit) dhe Akabit. (1Mb 15:9, 25, 33; 16:8, 15, 16, 21, 23, 29) Pas vdekjes së Asës, në fron hipi i biri, Jehozafati.—1Mb 15:24.
2. Bir i levitit Elkanah dhe i ati i Berekisë; për këtë të fundit thuhet se banoi në «vendbanimet e netofathitëve» pas kthimit nga mërgimi në Babiloni.—1Kr 9:16.