HANAI
[nga heb., që do të thotë «tregoj miratim; hirmadh»].
Emërohet kryeprift rreth vitit 6 ose 7 të e.s. nga perandori romak i Sirisë, Kuirini, dhe shërbeu në këtë detyrë deri rreth vitit 15 të e.s. (Lu 2:2) Pra, Hanai ishte kryeprift kur Jezui 12-vjeçar la gojëhapur mësuesit rabinikë në tempull. (Lu 2:42-49) Prokurori Valer Grati e shkarkoi Hanain nga detyra, sepse kishte abuzuar, le të themi, me autoritetin që i kishte dhënë Roma. Megjithëse nuk e mbante më titullin zyrtar, dukej qartë se ai vazhdonte të kishte pushtet e ndikim të madh si kryeprift i nderuar dhe i kishte peshë fjala në hierarkinë judaike. Pesë nga bijtë e tij, si dhe dhëndri i tij, Kajafa, mbajtën me radhë postin e kryepriftit. Falë pozitës së rëndësishme, me të drejtë Hanai renditet në Shkrime mes krerëve të priftërinjve. (Mt 26:3; Lu 3:2) Pasi Jezuin e arrestuan, e çuan në fillim te Hanai që ta merrte në pyetje, pastaj te Kajafa që të gjykohej. (Gjo 18:13) Emri i Hanait është në krye të listës së kundërshtarëve më të mëdhenj të apostujve të Jezu Krishtit.—Ve 4:6.
Hanai vinte nga një derë e pasur dhe me shumë ndikim në fisin e Levit, dhe ishte majmur nga shitja e kafshëve të flisë brenda tempullit. Kjo ishte një arsye e mjaftueshme për ta vrarë Jezuin, i cili e kishte pastruar dy herë tempullin që ata e kishin kthyer në «shpellë kusarësh». (Gjo 2:13-16; Mt 21:12, 13; Mr 11:15-17; Lu 19:45, 46) Një arsye tjetër e mundshme pse Hanai urrente Jezuin dhe apostujt e tij ishte se Jezui mësonte ringjalljen, dhe një provë e gjallë për këtë ishte ngritja e Lazarit nga të vdekurit, e apostujt predikonin e mësonin të njëjtën doktrinë. Nëse ishte vërtet saduce, Hanai nuk besonte te ringjallja.—Ve 23:8; krahaso 5:17.