E premte, 12 shtator
Skena e kësaj bote po ndryshon.—1 Kor. 7:31.
Duhet të kemi reputacion si njerëz të arsyeshëm. Ndaj, të pyesim veten: «A më shohin të tjerët si njeri të arsyeshëm, tolerant dhe që hap rrugë? Apo më shohin si njeri strikt, të vrazhdë ose kokëfortë? A i dëgjoj dhe u hap rrugë dëshirave të tyre kur është e mundur?» Sa më të arsyeshëm të jemi, aq më shumë po imitojmë Jehovain dhe Jezuin. Një njeri i arsyeshëm tregohet elastik kur ndryshojnë rrethanat. Ndryshimet në jetë mund të na sjellin probleme që s’na i kishte marrë mendja. Për shembull, befas mund të kemi një problem të rëndë shëndetësor. Ose ndryshimet e papritura në ekonomi a në situatën politike mund të na e vështirësojnë goxha jetën. (Ekl. 9:11) Edhe ndryshimi i një caktimi teokratik mund të jetë një sfidë. Mund të përshtatemi me sukses me rrethanat e reja nëse bëjmë këta katër hapa: (1) pranojmë realitetin, (2) i mbajmë sytë nga e ardhmja, (3) përqendrohemi te gjërat pozitive dhe (4) bëjmë për të tjerët. w23.07 21-22 ¶7-8
E shtunë, 13 shtator
Ti je shumë i vyer.—Dan. 9:23.
Profeti Daniel ishte i ri në moshë kur babilonasit e morën si rob lufte dhe e syrgjynosën larg vendlindjes. Por me sa duket, Danieli u tërhoqi vëmendjen autoriteteve babilonase. Ata panë ‘atë që shihte syri’—pra që ai ishte ‘pa asnjë të metë, i pashëm’ dhe vinte nga derë fisnike. (1 Sam. 16:7) Prandaj babilonasit e stërvitën që të bëhej pjesë e elitës së shoqërisë së tyre. (Dan. 1:3, 4, 6) Jehovai e donte Danielin e ri për llojin e njeriut që zgjodhi të bëhej. Në fakt, Danieli mund të ketë qenë nga fundi i adoleshencës ose fillimi i të 20-ve kur Jehovai e përmendi si një shembull krahas Noesë dhe Jobit, të cilët kishin gëzuar miratimin e Tij për dekada të tëra. (Zan. 5:32; 6:9, 10; Jobi 42:16, 17; Ezek. 14:14) E Jehovai vazhdoi t’i tregonte dashuri Danielit gjatë gjithë jetës së tij të gjatë e mbresëlënëse.—Dan. 10:11, 19. w23.08 2 ¶1-2
E diel, 14 shtator
Kuptoni cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia e së vërtetës.—Efes. 3:18.
Kur vendos nëse do të blesh një shtëpi, dëshiron ta studiosh vetë me imtësi banesën tënde të ardhshme. Edhe kur lexon e studion Shkrimet, mund të bësh diçka të ngjashme. Po ta lexosh shpejt e shpejt, mund të mësosh vetëm faktet bazë—«gjërat elementare të thënieve të shenjta të Perëndisë». (Hebr. 5:12) Në vend të kësaj, ashtu siç do të bëje me shtëpinë, hyr «brenda» dhe shqyrto gjithë hollësitë e saj mahnitëse. Një mënyrë e shkëlqyer për ta studiuar Biblën është të shohësh si ndërthuren pjesët e ndryshme të saj. Përpiqu të kuptosh jo vetëm çfarë të vërtetash beson, por edhe pse i beson. Që ta kuptojmë plotësisht Fjalën e Perëndisë, duhet të ndalemi te të vërteta të thella të saj. Apostulli Pavël i nxiti vëllezërit e motrat ta studionin me kujdes Fjalën e Perëndisë, që ‘të kuptonin krejtësisht cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia’ e së vërtetës. Kështu do të bëheshin akoma më «të rrënjosur» e më «të qëndrueshëm» në besim. (Efes. 3:14-19) Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. w23.10 18 ¶1-3