Eksodi
14 Jehovai i tha Moisiut: 2 «Folu bijve të Izraelit, që të kthehen e të fushojnë në Pihahirot, mes Migdolit dhe detit, përballë Baal-Zefonit.+ Do të fushoni përballë tij, pranë detit. 3 Atëherë faraoni do të thotë për bijtë e Izraelit: ‘Ata po bredhin të hutuar. Shkretëtira i ka zënë brenda.’+ 4 Në të vërtetë, unë do të lejoj që zemra e faraonit të bëhet kryeneçe.+ Ai do t’i ndjekë, dhe unë do të fitoj lavdi, duke ngadhënjyer mbi faraonin dhe gjithë forcat e tij ushtarake.+ Egjiptianët kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»+ Prandaj, ata bënë pikërisht ashtu.
5 Më vonë, mbretin e Egjiptit e njoftuan se izraelitët kishin ikur. Menjëherë, zemra e faraonit dhe e shërbëtorëve të tij ndryshoi kundrejt tyre,+ prandaj thanë: «Ç’bëmë kështu? Si e lamë Izraelin të ikte nga skllavëria+ jonë?» 6 Prandaj, ai bëri gati karrocat e luftës dhe mori me vete njerëzit e tij.+ 7 Mori gjashtëqind karroca të zgjedhura+ dhe gjithë karrocat e tjera të Egjiptit, me luftëtarë në secilën prej tyre. 8 Kështu, Jehovai lejoi që zemra e faraonit, mbretit të Egjiptit, të bëhej kryeneçe,+ dhe ai shkoi të ndiqte bijtë e Izraelit, ndërsa këta po dilnin fitimtarë.*+ 9 Egjiptianët nisën t’i ndiqnin, dhe gjithë karrocat e faraonit, kalorësit+ dhe forcat e tij ushtarake po u afroheshin, kur ata kishin fushuar pranë detit, pranë Pihahirotit, përballë Baal-Zefonit.+
10 Kur faraoni u afrua, bijtë e Izraelit ngritën sytë dhe panë se egjiptianët po i ndiqnin nga pas. Atëherë, ata u frikësuan shumë e nisën t’i thërritnin Jehovait.+ 11 I thoshin Moisiut: «A s’kishte varre në Egjipt, që na solle të vdesim këtu në shkretëtirë?!+ Pse na e bëre këtë dhe na nxore nga Egjipti?! 12 A nuk të thamë në Egjipt: ‘Na lër rehat që t’u shërbejmë egjiptianëve.’ Më mirë t’u shërbenim egjiptianëve, se të vdesim në shkretëtirë.»+ 13 Atëherë Moisiu i tha popullit: «Mos kini frikë!+ Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin që do t’ju sjellë sot Jehovai.+ Sepse egjiptianët që po shihni sot, nuk do t’i shihni kurrë më!+ 14 Jehovai do të luftojë për ju,+ kurse ju do të rrini të qetë.»
15 Jehovai i tha Moisiut: «Përse më thërret akoma?+ Folu bijve të Izraelit, që të heqin kampin. 16 Kurse ti ngrije shkopin,+ shtrije dorën drejt detit dhe ndaje atë,+ që bijtë e Izraelit të kalojnë përmes detit në tokë të thatë.+ 17 Unë po i lejoj zemrat e egjiptianëve të bëhen kryeneçe+ dhe t’ju ndjekin nga pas. Kështu unë do të fitoj lavdi, duke ngadhënjyer mbi faraonin dhe gjithë forcat e tij ushtarake, mbi karrocat e tij të luftës dhe mbi kalorësit e tij.+ 18 Egjiptianët kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, kur të fitoj lavdi, duke ngadhënjyer mbi faraonin, mbi karrocat e tij të luftës dhe mbi kalorësit e tij.»+
19 Atëherë engjëlli+ i Perëndisë së vërtetë që shkonte në krye të kampit të Izraelit, u nis dhe zuri vend prapa tyre, kurse shtylla e resë lëvizi që nga përpara dhe zuri vend prapa tyre.+ 20 Kështu, hyri mes kampit të egjiptianëve dhe kampit të Izraelit.+ Në njërën anë u bë re dhe errësirë. Në anën tjetër vazhdonte të ndriçonte natën.+ Në këtë mënyrë, njëri grup nuk iu afrua grupit tjetër gjatë gjithë natës.
21 Tani, Moisiu e shtriu dorën drejt detit,+ dhe Jehovai me anë të një ere të fortë nga lindja, që fryu gjatë tërë natës, bëri që deti të tërhiqej. Kështu, e ktheu shtratin e detit në tokë të thatë,+ kurse ujërat u ndanë.+ 22 Së fundi, bijtë e Izraelit kaluan përmes detit në tokë të thatë,+ dhe ujërat ishin për ta si një mur, në të djathtë e në të majtë.+ 23 Egjiptianët nisën t’i ndiqnin, dhe gjithë kuajt e faraonit, karrocat e luftës dhe kalorësit u nisën pas tyre,+ në mes të detit. 24 Gjatë ndërresës së mëngjesit, Jehovai nisi të vëzhgonte kampin e egjiptianëve nga shtylla e zjarrit dhe e resë,+ dhe e bëri rrëmujë+ kampin e egjiptianëve. 25 U hoqi rrotat karrocave, dhe ata i ngitnin me vështirësi.+ Prandaj egjiptianët nisën të thoshin: «T’ia mbathim para izraelitëve, sepse Jehovai po lufton për ta kundër nesh.»+
26 Pastaj, Jehovai i tha Moisiut: «Shtrije dorën drejt detit,+ që ujërat të bien mbi egjiptianët, mbi karrocat e luftës dhe mbi kalorësit.» 27 Moisiu e shtriu menjëherë dorën drejt detit, dhe deti nisi të kthehej në vendin e vet, kur po lindte mëngjesi. Ndërkohë, egjiptianët po ia mbathnin që të mos i përlante deti, por Jehovai i plandosi egjiptianët në mes të detit.+ 28 Ujërat vazhdonin të ktheheshin.+ Së fundi, ato mbuluan karrocat e luftës, kalorësit dhe të gjitha forcat ushtarake të faraonit, që kishin shkuar në det pas tyre.+ Nuk mbeti asnjë.+
29 Kështu, bijtë e Izraelit ecën në tokë të thatë në mes të shtratit të detit,+ dhe ujërat ishin për ta si një mur në të djathtë e në të majtë.+ 30 Atë ditë Jehovai e shpëtoi Izraelin nga dora e egjiptianëve,+ dhe Izraeli i pa egjiptianët të vdekur në breg të detit.+ 31 Izraeli pa edhe dorën e fuqishme, me të cilën Jehovai veproi kundër egjiptianëve. Kështu populli nisi t’i frikësohej Jehovait e të tregonte besim te Jehovai dhe te Moisiu, shërbëtori i tij.+