Numrat
12 Miriami dhe Aaroni nisën të flitnin kundër Moisiut, për shkak të gruas kushite që kishte marrë, sepse ai kishte marrë për grua një kushite.+ 2 Ata thoshin: «Pse, vetëm nëpërmjet Moisiut ka folur Jehovai? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?»+ E Jehovai dëgjonte.+ 3 Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë; ai ishte më zemërbuti+ ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut.
4 Atëherë, Jehovai i tha menjëherë Moisiut, Aaronit dhe Miriamit: «Ju të tre, dilni e shkoni te tenda e takimit.» Dhe ata të tre dolën. 5 Pas kësaj Jehovai zbriti në shtyllën e resë,+ qëndroi në hyrje të tendës dhe thirri Aaronin me Miriamin. Ata të dy dolën përpara 6 dhe ai u tha: «Dëgjoni, ju lutem, çfarë do t’ju them. Po të kishte mes jush ndonjë profet për Jehovain, unë do t’i shfaqesha atij në vegim;+ do t’i flitja në një ëndërr.+ 7 Por nuk është kështu me Moisiun,+ shërbëtorin tim! Atij i është besuar gjithë shtëpia ime.+ 8 Unë flas me të gojë më gojë,+ duke ia thënë gjërat qartë e jo me gjëegjëza.+ Ai sheh pamjen e Jehovait.+ Si nuk patët frikë të flitnit kundër Moisiut, shërbëtorit tim?»+
9 Kështu, Jehovait iu ndez zemërimi kundër tyre e pastaj iku. 10 Reja u largua nga tenda, kur ja, Miriami ishte goditur nga lebra dhe ishte bërë e bardhë si bora.+ Aaroni u kthye nga Miriami dhe pa se ajo ishte me lebër.+ 11 Sakaq Aaroni i tha Moisiut: «Të më falësh, zotëria im! Të lutem mos na e ngarko mëkatin që kemi kryer pa mend!+ 12 Të lutem, mos e lër time motër të mbetet si një e vdekur,+ mishi i së cilës është si mishi gjysmë i konsumuar kur del nga barku i nënës!» 13 Dhe Moisiu i thirri Jehovait: «Të lutem, o Perëndi, të lutem shëroje!»+
14 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Po ta kishte pështyrë+ i ati në fytyrë, a nuk do të ishte e poshtëruar për shtatë ditë? Le të vihet shtatë ditë në karantinë+ jashtë kampit,+ e pastaj le të futet përsëri.»+ 15 Kështu, Miriamin e vunë për shtatë ditë në karantinë jashtë kampit+ dhe populli nuk u nis gjersa Miriami u fut përsëri. 16 Pastaj populli u nis nga Hazeroti+ dhe e ngriti kampin në shkretëtirën e Paranit.+