Numrat
3 Këta ishin brezat e Aaronit dhe të Moisiut, ditën që Jehovai foli me Moisiun në malin e Sinait.+ 2 Emrat e bijve të Aaronit ishin: Nadabi, i parëlinduri, Abihu,+ Eleazari+ dhe Ithamari.+ 3 Këta ishin emrat e bijve të Aaronit, të priftërinjve të mirosur që ishin emëruar* për të shërbyer si të tillë.+ 4 Por Nadabi dhe Abihu vdiqën para Jehovait, kur paraqitën zjarr të palejueshëm+ para Jehovait në shkretëtirën e Sinait. Ata nuk patën bij. Ndërsa Eleazari+ dhe Ithamari+ shërbyen si priftërinj bashkë me të atin, Aaronin.
5 Jehovai i tha Moisiut: 6 «Sill këtu fisin e Levit,+ dhe vëre të qëndrojë para priftit Aaron, që t’i shërbejë.+ 7 Ata duhet të përmbushin detyrimin që kanë ndaj tij dhe ndaj tërë asamblesë që është para tendës së takimit, duke kryer shërbimet në tabernakull. 8 Ata duhet të kujdesen për të gjitha pajisjet+ e tendës së takimit, duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimin e bijve të Izraelit për të kryer shërbimet në tabernakull.+ 9 Levitët jepja Aaronit dhe bijve të tij. Ata janë të dhuruarit, që i janë dhënë atij nga bijtë e Izraelit.+ 10 Duhet të caktosh Aaronin dhe bijtë e tij që të kryejnë detyrat e tyre priftërore.+ Kushdo tjetër që i afrohet shenjtërores, duhet të vritet.»+
11 Më pas Jehovai i tha Moisiut: 12 «Ja, unë po i marr levitët nga gjiri i bijve të Izraelit, në vend të të gjithë të parëlindurve+ që kanë çelur barkun e bijve të Izraelit. Po, levitët do të jenë të mitë, 13 sepse çdo i parëlindur është imi.+ Ditën kur godita të gjithë të parëlindurit e Egjiptit,+ shenjtërova për vete të gjithë të parëlindurit e Izraelit, qoftë të njerëzve, qoftë të kafshëve.+ Ata do të jenë të mitë. Unë jam Jehovai.»
14 Jehovai i tha ende Moisiut në shkretëtirën e Sinait:+ 15 «Regjistroji bijtë e Levit, sipas shtëpive të tyre atërore, sipas familjeve të tyre. Regjistro të gjithë meshkujt njëmuajsh e lart.»+ 16 Dhe Moisiu filloi regjistrimin e tyre sipas urdhrit të Jehovait, tamam siç e kishte urdhëruar. 17 Bijtë e Levit,+ sipas emrave të tyre, ishin Gershoni, Kehathi dhe Merari.+
18 Bijtë e Gershonit, sipas familjeve të tyre, ishin Libni dhe Shimei.+
19 Bijtë e Kehathit,+ sipas familjeve të tyre, ishin Amrami, Izari,+ Hebroni dhe Uzieli.
20 Bijtë e Merarit,+ sipas familjeve të tyre, ishin Mahli+ dhe Mushi.+
Këto ishin familjet e levitëve, sipas shtëpive të tyre atërore.
21 Nga Gershoni rridhnin familja e libnitëve+ dhe familja e shimeitëve.+ Këto ishin familjet e gershonitëve. 22 Të gjithë meshkujt njëmuajsh e lart që u regjistruan,+ ishin shtatë mijë e pesëqind veta.+ 23 Familjet e gershonitëve qëndronin prapa tabernakullit+ dhe kishin fushuar në perëndim. 24 Prijësi i shtëpisë atërore të gershonitëve ishte Eliasafi, biri i Laelit. 25 Detyrimet e bijve të Gershonit+ në tendën e takimit ishin tabernakulli, tenda,+ mbulesa e saj,+ perdja+ në hyrje të tendës së takimit, 26 pëlhurat e varura+ të oborrit, perdja+ në hyrje të oborrit, që është rreth e përqark tabernakullit dhe altarit, litarët+ e tendës dhe gjithçka që lidhej me to.
27 Nga Kehathi rridhnin familja e amramitëve, familja e izaritëve, familja e hebronitëve dhe familja e uzielitëve. Këto ishin familjet e kehathitëve.+ 28 Të gjithë meshkujt njëmuajsh e lart ishin tetë mijë e gjashtëqind veta. Ata duhej të përmbushnin detyrimet që kishin të bënin me vendin e shenjtë.+ 29 Familjet e bijve të Kehathit kishin fushuar anës tabernakullit në jug.+ 30 Prijësi i shtëpisë atërore të familjeve të kehathitëve ishte Ilizafani, biri i Uzielit.+ 31 Detyrimet+ e tyre ishin: Arka,+ tryeza,+ shandani,+ altarët,+ pajisjet+ e vendit të shenjtë me të cilat kryhej shërbimi, perdja+ dhe gjithçka që lidhej me to.
32 Prijësi i prijësve të levitëve ishte Eleazari,+ biri i priftit Aaron. Ai mbikëqyrte ata që plotësonin detyrimet në vendin e shenjtë.
33 Nga Merari rridhnin familja e mahlitëve+ dhe familja e mushitëve.+ Këto ishin familjet e Merarit.+ 34 Numri i të gjithë meshkujve njëmuajsh e lart, që u regjistruan, ishte gjashtë mijë e dyqind veta.+ 35 Prijësi i shtëpisë atërore të familjeve të Merarit ishte Zurieli, biri i Abihailit. Ata kishin fushuar anës tabernakullit nga veriu.+ 36 Bijtë e Merarit kishin për detyrë të mbikëqyrnin skeletet me dërrasa+ të tabernakullit, shufrat,+ shtyllat+ dhe bazamentet me fole, të gjitha pajisjet+ e tyre dhe gjithçka që lidhej me to,+ 37 shtyllat+ rreth e përqark oborrit me bazamentet me fole,+ kunjat dhe litarët e tendës.
38 Moisiu dhe Aaroni me bijtë e tij fushuan para tabernakullit nga lindja, para tendës së takimit nga krahu që lind dielli. Ata kujdeseshin për shenjtëroren,+ duke përmbushur detyrimin që duhej të përmbushnin bijtë e Izraelit. Kushdo tjetër që i afrohej shenjtërores, duhej të vritej.+
39 Të gjithë levitët që u regjistruan nga Moisiu dhe Aaroni me urdhër të Jehovait, sipas familjeve të tyre, të gjithë meshkujt njëmuajsh e lart, ishin njëzet e dy mijë veta.
40 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: «Regjistro të gjithë meshkujt e parëlindur të bijve të Izraelit njëmuajsh e lart+ dhe numëro emrat e tyre. 41 Ti duhet t’i marrësh levitët për mua në vend të të gjithë të parëlindurve që janë në gjirin e bijve të Izraelit+—unë jam Jehovai—dhe duhet të marrësh edhe kafshët shtëpiake të levitëve, në vend të të gjitha pjellave të para mes kafshëve shtëpiake të bijve të Izraelit.»+ 42 Moisiu i regjistroi të gjithë të parëlindurit që ishin në gjirin e bijve të Izraelit, siç e urdhëroi Jehovai. 43 Të gjithë meshkujt e parëlindur njëmuajsh e lart, që u regjistruan duke numëruar emrat, ishin njëzet e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tre veta.
44 Më pas Jehovai i tha Moisiut: 45 «Merr levitët në vend të të gjithë të parëlindurve që janë në gjirin e bijve të Izraelit, dhe kafshët shtëpiake të levitëve në vend të kafshëve të tyre shtëpiake. Levitët do të jenë të mitë.+ Unë jam Jehovai. 46 Si çmim shpërblese+ për ata dyqind e shtatëdhjetë e tre veta nga të parëlindurit e bijve të Izraelit, që e kalojnë numrin e levitëve,+ 47 duhet të marrësh pesë sikla për kokë,+ sipas siklës së vendit të shenjtë. Një sikël është njëzet gera.+ 48 Paratë duhet t’ia japësh Aaronit dhe bijve të tij si çmim shpërblese për ata që e kalojnë numrin e tyre.» 49 Kështu, Moisiu mori paratë e shpengimit nga ata që e kalonin numrin e çmimit të shpërblesës së levitëve. 50 Ai i mori paratë nga të parëlindurit e bijve të Izraelit, dhe ishin gjithsej një mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë sikla, sipas siklës së vendit të shenjtë. 51 Pastaj Moisiu ia dha paratë e çmimit të shpërblesës Aaronit dhe bijve të tij, sipas urdhrit të Jehovait, siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.