Numrat
6 Jehovai i tha Moisiut: 2 «Thuaju bijve të Izraelit: ‘Në rast se një burrë ose një grua zotohet që të jetojë si nazire+ për Jehovain, 3 ai duhet të heqë dorë nga vera dhe nga pijet dehëse. Nuk duhet të pijë uthull të bërë nga vera ose uthull të bërë nga pije dehëse.+ Gjithashtu, nuk duhet të pijë asnjë lloj lëngu të bërë nga rrushi dhe nuk duhet të hajë rrush as të freskët, as të thatë. 4 Për sa ditë të jetë nazire, nuk duhet të hajë asgjë të bërë nga hardhia, as rrushin e pabërë dhe as lëkurën.
5 Gjatë gjithë ditëve të zotimit të tij për të jetuar si nazire, mbi kokën e tij+ nuk duhet të kalojë brisku. Ai duhet të jetë i shenjtë, duke i lënë flokët+ të rriten, gjersa të mbushen ditët për të cilat ai u nda për Jehovain. 6 Për sa ditë të qëndrojë i ndarë për Jehovain, të mos i afrohet asnjë shpirti të vdekur.+ 7 Të mos ndotet as kur të vdesë i ati, e ëma,+ i vëllai ose e motra, sepse mbi kokë ka shenjën e nazireatit për Perëndinë e tij.
8 Gjatë gjithë ditëve të nazireatit, ai do të jetë i shenjtë për Jehovain. 9 Por në rast se gjatë këtyre ditëve dikush vdes afër tij+ krejt papritur, dhe koka e tij ndotet, atëherë ai duhet ta rruajë+ kokën ditën kur të shpallet i pastër; ta rruajë ditën e shtatë. 10 Ditën e tetë duhet t’i sjellë priftit dy turtuj ose dy zogj pëllumbash në hyrje të tendës së takimit.+ 11 Prifti do ta përdorë njërin si blatim për mëkatin,+ ndërsa tjetrin si blatim të djegur,+ dhe të bëjë shlyerjen për të, pasi ka mëkatuar meqë ka prekur një shpirt të vdekur. Pastaj, atë ditë ai duhet të shenjtërojë kokën e tij. 12 Gjatë ditëve të nazireatit+ të tij, ai duhet të jetojë si nazire për Jehovain dhe të sjellë një qengj mashkull motak si blatim për fajin.+ Ditët e mëparshme nuk do të numërohen, ngaqë ai e ndoti nazireatin e tij.
13 Ky, pra, është ligji për nazireun: kur të mbushen ditët e nazireatit të tij,+ atë do ta sjellin në hyrje të tendës së takimit. 14 Ai do t’i paraqitë si blatim Jehovait një qengj mashkull të shëndetshëm e motak si blatim të djegur,+ një qengj femër, të shëndetshëm motak, si blatim për mëkatin,+ një dash të shëndetshëm si flijim në bashkësi,+ 15 një shportë me kuleç të ndormë në formë unaze, të bërë me majë mielli+ të përzier me vaj,+ galeta të ndorme të lyera me vaj,+ blatimin e tyre në drithë+ dhe blatimet e tyre në pije.+ 16 Prifti do t’i nxjerrë ato para Jehovait dhe të paraqitë blatimin e vet për mëkatin dhe blatimin e vet të djegur.+ 17 Ai do t’i paraqitë Jehovait dashin si flijim në bashkësi+ bashkë me shportën e kuleçve të ndormë, kurse prifti do të paraqitë blatimin në drithë+ dhe blatimin në pije të dashit.
18 Nazireu do t’i rruajë+ flokët e nazireatit të tij në hyrje të tendës së takimit, do t’i marrë ato e do t’i vërë në zjarrin që gjendet poshtë flijimit në bashkësi. 19 Prifti do të marrë një shpatull të zier+ nga dashi, një kulaç të ndormë në formë unaze nga shporta dhe një galetë të ndorme,+ e do t’ia vërë në dorë nazireut, pasi të ketë rruar flokët që janë shenjë e nazireatit të tij. 20 Prifti do t’i tundë si blatim të tundur para Jehovait.+ Këto bashkë me gjoksin+ që jepet si blatim i tundur dhe me këmbën që jepet si kontribut,+ janë një gjë e shenjtë për priftin. Pas kësaj nazireu mund të pijë verë.+
21 Ky është ligji për nazireun,+ që zotohet të bëjë blatimin e tij para Jehovait për nazireatin e tij, veç atij që mund të bëjë sipas mundësisë. Ai duhet të bëjë siç është zotuar, për shkak të ligjit të nazireatit të tij.’»
22 Pastaj Jehovai i tha Moisiut: 23 «Thuaji Aaronit dhe bijve të tij: “Kështu duhet t’i bekoni+ bijtë e Izraelit e t’u thoni:
24 ‘Jehovai të bekoftë+ e të ruajttë!+
25 Jehovai bëftë që fytyra e tij të ndriçojë mbi ty+ dhe të dhëntë hir!+
26 Jehovai i ktheftë sytë drejt teje+ dhe të dhëntë paqe!’”+
27 Kështu ata do ta thërrasin emrin tim+ mbi bijtë e Izraelit, dhe unë do t’i bekoj.»+