Josiu
8 Pastaj Jehovai i tha Josiut: «Mos ki frikë e mos u tremb.+ Merr tërë luftëtarët dhe ngrihu e shko në Ai. Unë të kam dhënë në dorë mbretin e Ait, popullin, qytetin dhe vendin e tij.+ 2 Ti do të bësh me Ain dhe me mbretin e tij, si bëre me Jerikonë dhe me mbretin e saj.+ Mund të merrni për vete+ vetëm plaçkën e tij dhe kafshët shtëpiake. Ngriji pritë qytetit nga prapa.»+
3 Kështu, Josiu tok me tërë luftëtarët+ u ngritën për t’u ngjitur në Ai. Josiu zgjodhi tridhjetë mijë trima të fuqishëm+ dhe i nisi natën. 4 Ai i urdhëroi: «Ngrijini pritë+ qytetit nga prapa. Mos u largoni shumë nga qyteti dhe rrini që të gjithë në gatishmëri. 5 Kurse unë dhe tërë populli që kam me vete do të shkojmë afër qytetit, dhe në rast se ata na sulen si herën e parë,+ ne do t’ia mbathim para tyre. 6 Ata do të na vijnë nga pas gjersa t’i tërheqim larg qytetit, sepse do të thonë: ‘Po ia mbathin para nesh si herën e parë.’+ Pra, ne do t’ia mbathim përpara tyre. 7 Pastaj ju do të dilni nga prita dhe do të shtini në dorë qytetin. Jehovai, Perëndia juaj, do t’jua japë në dorë.+ 8 Sapo ta keni pushtuar qytetin, vërini zjarrin.+ Bëni si ka thënë Jehovai. Ky është urdhri im.»+
9 Josiu i nisi dhe ata marshuan drejt vendit ku do të ngrihej prita. Zunë pozicion mes Bethelit dhe Ait, në krahun perëndimor të qytetit, ndërsa Josiu kaloi natën mes popullit.
10 Josiu u ngrit herët në mëngjes,+ kaloi popullin në revistë dhe bashkë me pleqtë e Izraelit, shkoi në Ai para popullit. 11 Të gjithë luftëtarët+ që ishin me të u ngjitën që të afroheshin përballë qytetit dhe e ngritën kampin në veri të Ait, në një vend ku midis tyre dhe Ait kishte një luginë. 12 Ndërkohë, ai mori rreth pesë mijë burra dhe i vuri në pritë+ midis Bethelit+ dhe Ait, në krahun perëndimor të qytetit. 13 Kampin kryesor populli e ngriti në veri të qytetit,+ kurse prapavijën në perëndim të tij.+ Gjatë asaj nate, Josiu përparoi deri në mes të ultësirës.
14 Sapo e pa këtë, mbreti i Ait dhe burrat e qytetit u ngritën herët me ngut dhe u sulën për betejë kundër Izraelit bashkë me tërë popullin. Ata dolën në kohën e caktuar, përpara rrafshinës së shkretë. Mirëpo mbreti nuk e dinte se i kishin ngritur pritë prapa qytetit.+ 15 Josiu dhe tërë Izraeli bënë sikur u mundën para tyre+ dhe ia mbathën duke ndjekur udhën që çonte drejt shkretëtirës.+ 16 Tërë popullit që gjendej në qytet iu bë thirrje që t’i ndiqte nga pas. Duke u vënë në ndjekje të Josiut, ata u larguan nga qyteti.+ 17 Në Ai dhe në Bethel nuk mbeti burrë pa dalë pas Izraelit. Ata e lanë qytetin fare hapur dhe iu vunë pas Izraelit.
18 Jehovai i tha Josiut: «Shtrije ushtën që ke në dorë drejt Ait,+ sepse do të ta lë në dorë.»+ Kështu, Josiu shtriu drejt qytetit ushtën që kishte në dorë. 19 Ata që ishin në pritë u çuan me të shpejtë nga vendi dhe në çastin kur ai shtriu dorën, ata ia nisën vrapit. Hynë në qytet dhe e morën,+ e pastaj nxituan dhe i vunë zjarrin.+
20 Burrat e Ait zunë të ktheheshin prapa, kur ja, panë tymin e qytetit që ngjitej në qiell. Ata nuk kishin nga t’ia mbanin as andej, as këtej. Populli që po ia mbathte drejt shkretëtirës u kthye kundër atyre që i ndiqnin. 21 Josiu dhe tërë Izraeli e panë që burrat që ishin në pritë+ e kishin marrë qytetin dhe që tymi i tij ngrihej lart, prandaj u kthyen prapa dhe vranë burrat e Ait. 22 Pjesa tjetër doli nga qyteti kundër tyre, dhe ata u gjendën në mes të Izraelit, këta nga njëra anë e ata nga ana tjetër. Kështu u ranë dhe nuk pati asnjë që të mbijetonte a të ikte.+ 23 Mbretin+ e Ait e zunë të gjallë dhe e çuan te Josiu.
24 Pasi i shfarosi, duke i shkuar në teh të shpatës të gjithë banorët e Ait që i kishin ndjekur deri në fushë, domethënë në shkretëtirë, Izraeli u kthye në Ai për të vrarë me shpatë banorët e tij. 25 Të gjithë ata që u vranë atë ditë, burra dhe gra, arritën në dymbëdhjetë mijë veta, pra tërë populli i Ait. 26 Josiu nuk e uli dorën me të cilën shtriu ushtën,+ derisa u shfarosën tërë banorët e Ait.+ 27 Vetëm kafshët shtëpiake dhe plaçkën e qytetit Izraeli e mori për vete, sipas urdhrit që Jehovai i kishte dhënë Josiut.+
28 Pastaj Josiu i vuri zjarrin Ait dhe e katandisi në një pirg të përhershëm gërmadhash,+ në një vend të shkretë deri sot e kësaj dite. 29 Mbretin e Ait+ e vari në një shtyllë dhe e la aty gjer në mbrëmje.+ Në perëndim të diellit, Josiu dha urdhër që kufomën e tij ta zbritnin+ nga shtylla. Pastaj e hodhën në hyrje të portës së qytetit dhe ngritën mbi të një pirg të madh gurësh, që është aty edhe sot e kësaj dite.
30 Në atë kohë, Josiu ndërtoi në malin e Ebalit+ një altar+ për Jehovain, Perëndinë e Izraelit, 31 siç i urdhëroi Moisiu, shërbëtori i Jehovait, bijtë e Izraelit dhe siç është shkruar në librin e ligjit+ të Moisiut: «Një altar me gurë të pacenuar, mbi të cilët nuk është përdorur asnjë vegël hekuri.»+ Mbi të ata i paraqitën Jehovait blatime të djegura dhe flijime në bashkësi.+
32 Pastaj ai shkroi mbi gurët një kopje+ të ligjit të Moisiut, që ky e kishte shkruar përpara bijve të Izraelit.+ 33 Tërë Izraeli bashkë me pleqtë,+ të parët dhe gjykatësit e tij, të ardhurit dhe vendësit,+ qëndronin në këmbë në këtë dhe në atë anë të Arkës, përballë priftërinjve+ levitë, që mbanin arkën e besëlidhjes së Jehovait.+ Gjysma e tyre ishte në këmbë të malit të Gerizimit+ dhe gjysma tjetër në këmbë të malit të Ebalit,+ (siç urdhëroi Moisiu, shërbëtori i Jehovait),+ që të bekohej+ së pari populli i Izraelit. 34 Pas kësaj, ai lexoi me zë të gjitha fjalët e ligjit,+ bekimet+ dhe mallkimet,+ pikërisht siç ishin shkruar në librin e ligjit. 35 Nga të gjitha ato që urdhëroi Moisiu, Josiu nuk la pa lexuar me zë as edhe një fjalë para tërë kongregacionit të Izraelit,+ ku përfshiheshin gratë,+ fëmijët+ dhe të ardhurit+ që ishin me ta.