Eksodi
34 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Gdhend dy pllaka guri si ato të parat,+ dhe unë do të shkruaj në to fjalët që ishin në pllakat+ që copëtove ti.+ 2 Bëhu gati në mëngjes, sepse atëherë do të ngjitesh në malin Sinai e do të qëndrosh pranë meje, atje në majë të malit.+ 3 Por askush s’mund të ngjitet me ty dhe askush të mos shihet në gjithë malin.+ Gjithashtu, asnjë kope dhe asnjë tufë të mos jetë duke kullotur në atë mal.»+
4 Prandaj, Moisiu gdhendi dy pllaka guri si të parat, u çua herët në mëngjes dhe u ngjit në malin Sinai, siç e urdhëroi Jehovai, dhe në dorë mbante dy pllakat e gurit. 5 Jehovai zbriti+ në renë, qëndroi atje me të dhe shpalli emrin e Jehovait.+ 6 Jehovai kaloi përpara tij dhe shpalli: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm+ dhe hirmadh,+ që nuk zemërohet shpejt,+ që është plot dashamirësi+ e të vërtetë,+ 7 që e ruan dashamirësinë për mijëra breza,+ që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin,+ por që në asnjë mënyrë nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin,+ duke ndëshkuar bijtë e nipërit për fajin e etërve, deri në brezin e tretë dhe të katërt.»+
8 Menjëherë, Moisiu u përkul thellë në tokë dhe ra përmbys.+ 9 Pastaj tha: «Nëse tani, o Jehova, kam gjetur hir në sytë e tu, të lutem, le të vijë Jehovai mes nesh,+ sepse ky është një popull me qafë të fortë.+ Na e fal fajin e mëkatin tonë,+ dhe na merr që të jemi prona jote.»+ 10 Perëndia ia ktheu: «Ja ku po bëj një besëlidhje me ju: para gjithë popullit tënd do të bëj gjëra të mrekullueshme, që s’janë bërë kurrë në gjithë tokën a mes tërë kombeve.+ Vërtet, gjithë populli në mes të të cilit ndodhesh, do të shohë veprën e Jehovait, sepse do të bëj me ty një gjë që ngjall frikë.+
11 Ti zbatoji ato që po të urdhëroj sot.+ Unë do të dëboj amoritët, kananitët, hititët, perezitët, hivitët dhe jebusitët.+ 12 Ki kujdes që të mos bësh asnjë besëlidhje me banorët e vendit ku po shkon,+ se mos bëhet lak për ty.+ 13 Por do të rrëzoni altarët e tyre, do të thyeni kolonat e tyre të shenjta dhe do të pritni shtyllat e tyre të shenjta.+ 14 Mos bjer përmbys para një perëndie tjetër,+ sepse Jehovai, emri i të cilit është ‘Ai që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij’, është me të vërtetë një Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij.*+ 15 Mos bëj asnjë besëlidhje me banorët e vendit, që kur ata të kurvërohen me perënditë e tyre+ e t’u bëjnë flijime,+ të mos të ftojnë e ti të hash nga flijimet e tyre.+ 16 Që të mos marrësh gra për bijtë e tu nga bijat e tyre,+ sepse ato do të kurvërohen me perënditë e tyre, dhe do t’i shtyjnë edhe bijtë e tu të kurvërohen me perënditë e tyre.+
17 Mos bëj perëndi-idhuj të derdhur.+
18 Do të kremtosh festën e kuleçve të ndormë.+ Do të hash kuleç të ndormë, ashtu si të urdhërova, shtatë ditë në kohën e caktuar të muajit abib,+ sepse atë muaj dole nga Egjipti.
19 Çdo gjë që çel barkun, është imja,+ si dhe çdo pjellë e parë mashkull e gjithë bagëtisë sate, e trashë ose e imët.+ 20 Pjellën e parë të gomarit do ta shpengosh me një dele.+ Por nëse nuk do ta shpengosh, thyeji qafën. Do të shpengosh çdo të parëlindur të bijve të tu.+ Ata nuk duhet të dalin para meje duarbosh.+
21 Gjashtë ditë do të punosh, kurse ditën e shtatë do të mbash sabatin.+ Do ta mbash sabatin edhe në kohën e lërimit e të korrjes.+
22 Do të kremtosh festën e javëve me frytet e hershme të korrjes së grurit,+ dhe festën e mbledhjes në të dalë të vitit.+
23 Tri herë në vit çdo mashkull yti do të dalë+ para Zotërisë së vërtetë, Jehovait, Perëndisë së Izraelit. 24 Sepse unë do të dëboj+ kombet dhe do ta zgjeroj territorin tënd.+ Askush nuk do ta dëshirojë vendin tënd, kur të ngjitesh për të parë fytyrën e Jehovait, Perëndisë tënd, tri herë në vit.+
25 Mos e paraqit gjakun e flijimit tim bashkë me gjëra të mbrujtura.+ Flia e festës së pashkës nuk duhet të mbetet deri në mëngjes.+
26 Më të mirat e fryteve të hershme+ të tokës do t’i sjellësh në shtëpinë e Jehovait, Perëndisë tënd.+
Mos e ziej kecin në qumështin e nënës së tij.»+
27 Jehovai i tha përsëri Moisiut: «Shkruaji këto fjalë,+ sepse në përputhje me to, po bëj një besëlidhje me ty dhe Izraelin.»+ 28 Kështu, ai ndenji atje me Jehovain dyzet ditë e dyzet net. Nuk hëngri bukë dhe nuk piu ujë.+ Ai* i shkroi në pllaka fjalët e besëlidhjes, Dhjetë Fjalët.+
29 Kur zbriti nga mali Sinai, Moisiu mbante në dorë dy pllakat e Dëshmisë.+ Por ai nuk e dinte që lëkura e fytyrës së tij rrezatonte sepse kishte folur me Perëndinë.+ 30 Kur Aaroni dhe gjithë bijtë e Izraelit e panë Moisiun, ja, lëkura e fytyrës së tij rrezatonte, dhe ata patën frikë t’i afroheshin.+
31 Atëherë Moisiu i thirri. Prandaj, Aaroni dhe gjithë prijësit e asamblesë u kthyen tek ai, dhe Moisiu nisi t’u fliste. 32 Vetëm atëherë iu afruan tërë bijtë e Izraelit, dhe ai nisi t’u urdhëronte gjithçka që i kishte thënë Jehovai në malin Sinai.+ 33 Kur Moisiu mbaronte të fliste me ta, vinte një vel në fytyrë.+ 34 Por, kur dilte para Jehovait për të folur me të, Moisiu e hiqte velin, deri kur dilte jashtë.+ Pastaj dilte dhe u thoshte bijve të Izraelit ato që i urdhëronte Perëndia.+ 35 Bijtë e Izraelit e shihnin që lëkura e fytyrës së Moisiut rrezatonte.+ Kështu, Moisiu e vinte velin në fytyrë, deri kur hynte për të folur me Perëndinë.+