Isaia
38 Ato ditë Hezekia u sëmur për vdekje.+ Prandaj profeti Isaia,+ biri i Amozit, vajti dhe i tha: «Kështu thotë Jehovai: ‘Jepu udhëzimet e fundit njerëzve të shtëpisë,+ sepse ti nuk do të jetosh më, por do të vdesësh.’»+ 2 Atëherë Hezekia u kthye me fytyrë nga muri+ dhe filloi t’i lutej Jehovait:+ 3 «Të përgjërohem, o Jehova, kujto,+ të lutem, se si të kam shërbyer+ me besnikëri*+ dhe i kushtuar me gjithë zemër,+ dhe si kam bërë atë që të ka pëlqyer ty.» Dhe Hezekia nisi të qante me të madhe.+
4 Atëherë fjala+ e Jehovait iu drejtua Isaisë: 5 «Shko e i thuaj Hezekisë: “Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Davidit, paraardhësit tënd:+ ‘E dëgjova lutjen tënde.+ I pashë lotët e tu.+ Ja, unë po i shtoj pesëmbëdhjetë vjet jetës sate.+ 6 Unë do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga dora e mbretit të Asirisë, dhe do ta mbroj këtë qytet.+ 7 Kjo është shenja që do të të japë Jehovai për të treguar se Jehovai do ta bëjë atë që ka thënë:+ 8 Ja, unë po bëj që hija mbi shkallët e Akazit, e cila ka zbritur deri poshtë për shkak të diellit,+ të kthehet mbrapsht dhjetë shkallë.’”»+ Dhe dalëngadalë dielli u kthye mbrapsht aq sa hija u spraps dhjetë shkallë mbi shkallët ku kishte zbritur.+
9 Këto janë fjalët që shkroi Hezekia, mbreti i Judës, kur u sëmur+ dhe u shërua:+
10 «Unë thashë: ‘Jeta do të më pritet në mes dhe do të hyj në portat+ e Sheolit.
Pjesa tjetër e viteve të mia do të më hiqet.’+
11 Gjithashtu thashë: “Nuk do ta shoh Jah, po, Jah, në vendin e të gjallëve.+
Nuk do ta shikoj më njerëzinë, por do të jem me banorët e vendit të mbarimit.
12 Banesa ime është shkulur+ dhe është hequr prej meje si një tendë barinjsh.
Jeta ime është mbështjellë si pëlhura e tezgjahistit
dhe jam këputur+ si nga fijet e tezgjahut.
Ti më lë në dorë të së keqes që kur bëhet ditë e deri sa vjen nata.+
13 Qetësohem deri sa vjen mëngjesi.+
Si një luan, ti vazhdon të m’i thyesh kockat.+
Ti më lë në dorë të së keqes që kur bëhet ditë e derisa vjen nata.+
14 Unë cicëroj si dejka dhe si bilbili bishtgjatë.+
Si pëllumb vazhdoj të gugat.+
Sytë m’u ligën duke parë lart:+
‘O Jehova, jam i brengosur, ndaj më qëndro pranë!’+
15 Ç’të them? Ai vetë ka folur+
dhe vetë ka vepruar.+
Me shpirt të vrerosur+ eci ngadalë gjatë gjithë viteve të mia.
16 O Jehova, falë teje njerëzit mbahen gjallë dhe, njësoj si ata, mbahet gjallë edhe fryma ime.+
Ti do të më shërosh dhe do të më mbash gjallë.+
17 Ja, në vend të paqes, pata hidhërim, po, hidhërim,+
por ti e deshe shpirtin tim dhe e ruajte nga gropa e kalbjes.+
Ti i ke hedhur pas shpine gjithë mëkatet e mia.+
18 Sepse Sheoli nuk mund të të përlëvdojë,+ as vdekja nuk të lëvdon dot.+
Ata që futen në gropë, nuk mund të shpresojnë te besnikëria jote.+
19 I gjalli, i gjalli mund të të përlëvdojë,+
ashtu si mundem unë sot.+
Babai mund t’i mësojë+ bijtë e vet lidhur me besnikërinë tënde.
20 O Jehova, eja të më shpëtosh,+ dhe ne do të luajmë melodi me veglat me tela+
gjatë gjithë ditëve të jetës sonë në shtëpinë tënde, o Jehova!”»+
21 Isaia tha: «Merrni një bukëfiqe, vendoseni mbi çiban+ dhe mbreti do të shërohet.»+ 22 Ndërkohë Hezekia tha: «Cila është shenja që unë do të ngjitem në shtëpinë e Jehovait?»+