Ligji i përtërirë
18 Priftërinjve levitë, domethënë tërë fisit të Levit,+ nuk i takon as pjesë, as trashëgimi mes Izraelit. Ata duhet të hanë blatimet e bëra me zjarr për Jehovain, trashëgiminë e tij.*+ 2 Kështu, Levit nuk i takon asnjë trashëgimi mes vëllezërve të vet. Jehovai është trashëgimia e tij,+ sikurse ai i ka thënë.
3 Tani, kjo duhet të mbetet si një e drejtë e priftërinjve që u takon ta marrin nga populli, nga ata që bëjnë një fli, qoftë dem, qoftë dele: priftit i duhen dhënë shpatullat, nofullat dhe plëndësi. 4 Prodhimin e parë të drithit, të verës së re e të vajit dhe qethjen e parë të bagëtisë sate, duhet t’ia japësh atij,+ 5 sepse nga tërë fiset e tua Jehovai, Perëndia yt, zgjodhi atë dhe bijtë e tij që të qëndrojnë para Jehovait për të shërbyer në emër të tij përgjithmonë.+
6 Në rast se një levit ikën nga njëri prej qyteteve që ke në tërë Izraelin, ku ka banuar për njëfarë kohe,+ e pastaj ngaqë ia do shpirti vjen në vendin që do të zgjedhë Jehovai,+ 7 ai do të shërbejë në emër të Jehovait, Perëndisë së tij, njësoj si tërë vëllezërit e tij levitë, që qëndrojnë atje para Jehovait.+ 8 Duhet të marrë një pjesë të barabartë për të ngrënë,+ veç asaj që merr duke shitur të mirat e të parëve të vet.
9 Pasi të hysh në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt, mos mëso të bësh gjëra të pështira si ato kombe.+ 10 Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata që e kalojnë të birin ose të bijën nëpër zjarr,+ që hedhin fall,+ që merren me magji,+ që kërkojnë ogure,+ ndonjë shtrigë,+ 11 ndonjë që ysht të tjerët,+ që këshillohet me një medium*+ ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve+ a ndonjë që pyet të vdekurit.+ 12 Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain, dhe për shkak të këtyre gjërave të pështira, Jehovai, Perëndia yt, po i përzë përpara teje.+ 13 Ti duhet të jesh i patëmetë para Jehovait, Perëndisë tënd.+
14 Kombet, të cilave po ua merrni pronën, dëgjonin magjistarët+ dhe fallxhorët,+ ndërsa juve, Jehovai, Perëndia juaj, nuk ju ka dhënë asgjë të tillë.+ 15 Jehovai, Perëndia juaj, do t’ju japë një profet si unë nga gjiri juaj, nga vëllezërit tuaj—atë duhet të dëgjoni—+ 16 për gjithë ato që kërkuat nga Jehovai, Perëndia juaj, në Horeb, ditën që u mblodhët si kongregacion,+ duke thënë: ‘Të mos e dëgjoj më zërin e Jehovait, Perëndisë tim, dhe të mos e shoh më këtë zjarr të madh, që të mos vdes.’+ 17 Sakaq Jehovai më tha: “Kanë bërë mirë që kanë folur kështu.+ 18 Unë do t’u jap një profet si ti nga gjiri i vëllezërve të tyre,+ do t’ia vë fjalët e mia në gojë+ dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj.+ 19 Atij që nuk do t’i dëgjojë fjalët e mia, që ky do të thotë në emrin tim, vetë unë do t’i kërkoj llogari.+
20 Mirëpo profeti që guxon të thotë në emrin tim një fjalë që unë nuk ia urdhëroj+ ose që flet në emër të perëndive të tjera,+ duhet të vdesë.+ 21 Ndoshta ti do të thuash:* ‘Si t’i dallojmë fjalët që nuk i ka thënë Jehovai?’+ 22 Kur profeti flet në emër të Jehovait dhe nuk ndodh si ka thënë ai ose fjalët e tij nuk dalin të vërteta, ato fjalë nuk i ka thënë Jehovai, por i ka thënë profeti me arrogancë.*+ Mos u tremb prej tij.”+