Ligji i përtërirë
20 Në rast se del në betejë kundër armiqve të tu dhe sheh kuaj e karroca lufte,+ një popull më të madh nga ç’je vetë, mos ki frikë prej tyre, sepse me ty është Jehovai, Perëndia yt,+ që të nxori nga Egjipti.+ 2 Sapo t’i afroheni fushës së betejës, prifti do të afrohet e do t’i thotë popullit:+ 3 ‘Dëgjoni, o burra të Izraelit, së shpejti do të dilni në betejë kundër armiqve tuaj. Zemra juaj të mos trembet.+ Mos kini frikë, mos vraponi në panik dhe mos u dridhni para tyre,+ 4 sepse Jehovai, Perëndia juaj, po vjen bashkë me ju për të luftuar kundër armiqve tuaj, që t’ju shpëtojë.’+
5 Të parët+ duhet t’i thonë popullit: ‘A ka ndonjë që ka ndërtuar një shtëpi të re, por që ende nuk e ka përuruar? Le të kthehet në shtëpi, se mos vdes në betejë e pastaj një tjetër e përuron.+ 6 A ka ndonjë që ka mbjellë një vresht, por që ende nuk i ka shijuar frytet e tij? Le të kthehet në shtëpi, se mos vdes në betejë e një tjetër i shijon.+ 7 A ka ndonjë që është fejuar me një vajzë, por që ende nuk e ka marrë? Le të kthehet në shtëpi,+ se mos vdes në betejë e një tjetër ia merr.’ 8 Të parët duhet t’i thonë gjithashtu popullit: ‘A ka ndonjë që ka frikë e që është zemërlëshuar?+ Le të kthehet në shtëpi, që të mos e mpakë zemrën e vëllezërve njësoj si zemrën e vet.’+ 9 Kur të parët të kenë mbaruar me popullin, ata duhet të caktojnë në krye të tij krerët e njësive ushtarake.
10 Po qe se i afrohesh një qyteti për të luftuar kundër tij, njofto edhe kushtet për paqe.+ 11 Po t’u përgjigj paqësisht dhe t’i hap portat, atëherë të gjithë njerëzit që gjenden në të, duhet të bëhen të tutë për punë të detyruar dhe duhet të të shërbejnë ty.+ 12 Mirëpo nëse nuk bën paqe me ty,+ por hap luftë kundër teje e detyrohesh ta rrethosh, 13 Jehovai, Perëndia yt, do ta japë në dorën tënde e ti shko në teh të shpatës çdo mashkull që gjendet atje.+ 14 Do të marrësh si plaçkë vetëm gratë, fëmijët e vegjël,+ kafshët shtëpiake+ dhe gjithçka që ka qyteti, po, tërë plaçkën e tij.+ Do të ushqehesh me plaçkën që do t’u zësh armiqve të tu, që Jehovai, Perëndia yt, t’i dha në dorë.+
15 Kështu do të bësh me të gjitha qytetet që janë shumë larg teje dhe që nuk janë qytete të këtyre kombeve. 16 Vetëm nga qytetet e këtyre popujve që Jehovai, Perëndia yt, po të jep si trashëgimi, mos lër gjallë asnjë që merr frymë,+ 17 sepse duhet t’i shfarosësh medoemos: hititët, amoritët, kananitët, perezitët, hivitët dhe jebusitët,+ si të urdhëron Jehovai, Perëndia yt, 18 që ata mos t’ju mësojnë të bëni tërë gjërat e pështira, që bëjnë me perënditë e tyre, dhe që të mos mëkatoni kundër Jehovait, Perëndisë tuaj.+
19 Në rast se rrethon për shumë ditë një qytet, duke luftuar kundër tij për ta marrë, mos i shkatërro pemët e tij me sëpatë, sepse duhet të hash prej tyre, prandaj mos i rrëzo.+ Mos është vallë njeri pema e fushës, që ti ta rrethosh? 20 Vetëm atë pemë që ti e di se nuk është për ushqim, mund ta presësh. Prite për të bërë pajisjet që duhen për rrethimin+ kundër qytetit që bën luftë me ty, gjersa ai të bjerë.