Ezekieli
20 Vitin e shtatë, ditën e dhjetë të muajit të pestë, disa nga pleqtë e Izraelit erdhën të pyetnin Jehovain,+ dhe u ulën përballë meje.+ 2 Atëherë, fjala e Jehovait m’u drejtua: 3 «Bir njeriu, thuaju pleqve të Izraelit: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Mos keni ardhur për të më pyetur?+ Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—unë nuk do t’ju lë të më pyetni.’”+
4 A je gati t’i gjykosh, o bir njeriu, a je gati?+ Bëjua të ditura gjërat e pështira, që bënë paraardhësit e tyre.+ 5 Thuaju: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ditën kur zgjodha Izraelin,+ iu betova farës së shtëpisë së Jakobit+ duke ngritur dorën,+ dhe iu bëra i njohur atyre në Egjipt.+ Po, iu betova duke ngritur dorën dhe thashë: “Unë jam Jehovai, Perëndia juaj.”+ 6 Atë ditë iu betova atyre duke ngritur dorën+ se do t’i nxirrja nga Egjipti dhe do t’i çoja në një vend që kisha vëzhguar për ta, një vend ku rridhte qumësht dhe mjaltë.+ Ai ishte stolia e të gjitha vendeve.+ 7 Pastaj u thashë: “Secili nga ju të flakë gjërat e neveritshme nga i hodhi sytë,+ dhe të mos ndotet me idhujt e pështirë* të Egjiptit.+ Unë jam Jehovai, Perëndia juaj.”+
8 Por ata ngritën krye kundër meje+ dhe nuk pranuan të më dëgjonin. Asnjëri prej tyre nuk i flaku gjërat e neveritshme nga i kishin hedhur sytë dhe nuk i la idhujt e pështirë të Egjiptit.+ Atëherë, unë u thashë se do të derdhja tërbimin tim dhe do të shfreja zemërimin tim mbi ta në mes të Egjiptit.+ 9 Por u përmbajta për hir të emrit tim, që ai të mos përdhosej para syve të kombeve mes të cilëve ndodheshin ata,+ sepse iu bëra i njohur izraelitëve para syve të kombeve, kur i nxora nga Egjipti.+ 10 Kështu, i nxora nga Egjipti, dhe i çova në shkretëtirë.+
11 Pastaj u dhashë ligjet e mia+ dhe u bëra të njohura vendimet e mia gjyqësore,+ të cilat kush i zbaton, do të jetojë.+ 12 U dhashë edhe sabatet e mia,+ që të ishin si një shenjë midis meje dhe atyre.+ Kështu, ata do ta merrnin vesh se unë, Jehovai, i shenjtëroja.
13 Por shtëpia e Izraelit ngriti krye kundër meje në shkretëtirë.+ Ata nuk ecën sipas ligjeve të mia,+ dhe i hodhën poshtë vendimet e mia gjyqësore,+ të cilat kush i zbaton, do të jetojë.+ Ata i përdhosën aq shumë sabatet e mia,+ saqë unë u thashë se do të derdhja mbi ta zemërimin tim të furishëm në shkretëtirë, që t’i shfarosja fare.+ 14 Megjithatë, u përmbajta për hir të emrit tim, që ai të mos përdhosej para kombeve, para syve të të cilave i kisha nxjerrë nga Egjipti.+ 15 Unë iu betova atyre në shkretëtirë+ duke ngritur dorën, se nuk do t’i çoja në vendin që u kisha dhënë, në atë vend ku rridhte qumësht dhe mjaltë,+ (që është stolia e të gjitha vendeve),+ 16 sepse i kishin hedhur poshtë vendimet e mia gjyqësore, nuk kishin ecur sipas ligjeve të mia dhe i kishin përdhosur sabatet e mia, pasi zemra e tyre shkonte pas idhujve të pështirë.+
17 Syrit tim i erdhi keq që t’i shfaroste,+ prandaj nuk i zhduka në shkretëtirë. 18 Atëherë, u thashë bijve të tyre në shkretëtirë:+ “Mos ndiqni rregullat e paraardhësve tuaj,+ mos zbatoni vendimet gjyqësore të tyre+ dhe mos u ndotni me idhujt e tyre të pështirë.+ 19 Unë jam Jehovai, Perëndia juaj.+ Ecni sipas ligjeve të mia+ dhe ndiqni e zbatoni+ vendimet e mia gjyqësore.+ 20 Shenjtërojini sabatet e mia,+ që do të shërbejnë si një shenjë midis meje dhe jush, që ta merrni vesh se unë jam Jehovai, Perëndia juaj.”+
21 Por edhe bijtë e tyre ngritën krye kundër meje.+ Nuk ecën sipas ligjeve të mia dhe nuk i respektuan e nuk i zbatuan vendimet e mia gjyqësore, të cilat kush i zbaton, do të jetojë.+ Ata i përdhosën sabatet e mia,+ prandaj u thashë se do të derdhja tërbimin tim dhe do të shfreja zemërimin tim mbi ta në shkretëtirë.+ 22 Megjithatë, e ndala dorën+ dhe u përmbajta për hir të emrit tim, që ai të mos përdhosej para kombeve, para syve të të cilave i kisha nxjerrë nga Egjipti.+ 23 Unë iu betova atyre në shkretëtirë,+ duke ngritur dorën, se do t’i shpërndaja nëpër kombe të ndryshme dhe do t’i hallakatja vend më vend,+ 24 sepse nuk i zbatonin vendimet e mia gjyqësore,+ hidhnin poshtë ligjet e mia,+ përdhosnin sabatet e mia+ dhe sytë e tyre ndiqnin idhujt e pështirë të paraardhësve të tyre.+ 25 Atëherë, i lashë të kishin rregulla jo të mira dhe vendime gjyqësore, me anë të të cilave nuk do të jetonin.+ 26 I lashë të ndoteshin nga dhuratat e tyre, kur kalonin nëpër zjarr+ të gjithë fëmijët që çelnin barkun, që t’i katandisja si mos më keq e ta merrnin vesh se unë jam Jehovai.’+
27 Prandaj, o bir njeriu, thuaji shtëpisë së Izraelit:+ “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Paraardhësit tuaj më kanë sharë edhe duke vepruar me pabesi kundër meje.+ 28 Pasi i çova në vendin+ për të cilin isha betuar t’ua jepja duke ngritur dorën,+ ata sa herë që shihnin ndonjë kodër të lartë+ a ndonjë pemë me shumë degë, bënin atje flijimet e tyre,+ jepnin blatimet e tyre fyese, paraqitnin aroma të pëlqyeshme+ dhe derdhnin blatime në pije.+ 29 Atëherë, u thashë: “Ç’është ky vend i lartë ku shkoni, që u dashka ta quani deri sot e kësaj dite Vend i Lartë?!”’”+
30 Prandaj, thuaji shtëpisë së Izraelit: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘A nuk po ndoteni, duke ndjekur udhën e paraardhësve tuaj,+ dhe a nuk po kurvëroheni me idhujt e tyre të neveritshëm?+ 31 Dhe kur i ngrini dhuratat tuaja, duke i kaluar bijtë tuaj nëpër zjarr,+ a nuk po ndoteni deri më sot për nder të idhujve tuaj të pështirë?+ Atëherë, e si të të lë të më pyetësh, o shtëpi e Izraelit?!+
Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—unë s’do t’ju lë të më pyetni.+ 32 Dhe s’ka për të ndodhur aspak+ ajo që ju shkon ndër mend,+ kur thoni: “Le të bëhemi si kombet, si fiset e vendeve të tjera+ që i shërbejnë drurit dhe gurit.”+
33 Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—unë do të mbretëroj mbi ju me dorë të fortë, me krah të shtrirë+ e duke shfryrë tërbim.+ 34 Do t’ju nxjerr nga popujt dhe do t’ju mbledh nga vendet ku ishit shpërndarë, me dorë të fortë, me krah të shtrirë e duke shfryrë tërbim.+ 35 Do t’ju çoj në shkretëtirën e popujve,+ dhe atje do t’ju gjykoj sy ndër sy.+
36 Ashtu siç i gjykova paraardhësit tuaj në shkretëtirën e Egjiptit,+ po njësoj do të bëj edhe me ju,—thotë Zotëria Sovran Jehova.— 37 Do t’ju bëj të kaloni tamam si delet që kalojnë nën shkopin e bariut,+ dhe do t’ju detyroj ta zbatoni besëlidhjen time.+ 38 Do të spastroj nga ju ata që ngrenë krye kundër meje dhe shkelin ligjin+ tim, do t’i nxjerr nga vendi ku kanë banuar si të huaj dhe nuk do të hyjnë në Izrael.+ Atëherë keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.+
39 Prandaj, o shtëpi e Izraelit, ja çfarë thotë Zotëria Sovran Jehova: “Shkoni t’u shërbeni idhujve tuaj të pështirë,+ përderisa nuk më dëgjoni. Por emrin tim të shenjtë nuk keni për ta përdhosur më me dhuratat dhe idhujt tuaj të pështirë.+
40 Sepse në malin tim të shenjtë, në malin e lartë të Izraelit,+—thotë Zotëria Sovran Jehova,—mbarë shtëpia e Izraelit do të më shërbejë si një e tërë.+ Atje do të kënaqem me ju e atje do të kërkoj të paraqitni kontributet dhe frytet e para, pra tërë gjërat tuaja të shenjta.+ 41 Do të kënaqem me ju+ nga aroma e pëlqyeshme që do të më paraqitni, kur t’ju nxjerr nga popujt ku keni qenë dhe kur t’ju mbledh nga vendet ku ishit shpërndarë.+ Nëpërmjet jush, unë do të shenjtërohem para syve të kombeve.”+
42 Ju keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai,+ kur t’ju çoj në Izrael,+ në vendin që u betova t’ua jap paraardhësve tuaj duke ngritur dorën. 43 Atje ju do të kujtoni udhët tuaja+ dhe të gjitha veprimet me të cilat u ndotët,+ e do t’ju vijë krupë nga vetja për tërë të këqijat që bëtë.+ 44 E ju keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai,+ kur të veproj me ju për hir të emrit tim,+ dhe jo siç e meritoni për udhët e këqija që keni ndjekur ose për veprimet tuaja të korruptuara,+ o shtëpi e Izraelit,—thotë Zotëria Sovran Jehova.’”»
45 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 46 «Bir njeriu, ktheje fytyrën+ nga rajoni jugor, fol+ kundër jugut dhe profetizo kundër pyllit që gjendet në fushën e jugut. 47 Thuaji pyllit të jugut: “Dëgjo fjalët e Jehovait. Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do të ndez kundër teje një zjarr,+ që do të përpijë çdo dru, të njomë a të thatë.+ Flaka përvëluese e zjarrit nuk do të shuhet.+ Ajo do të zhuritë të gjitha fytyrat, nga jugu në veri.+ 48 Çdo mish do të shohë se unë, Jehovai, ta kam vënë flakën, dhe ajo nuk do të shuhet.’”»+
49 Unë thashë: «Medet, o Zotëri Sovran Jehova! Ata thonë për mua: ‘Gjithmonë proverba+ thotë ai!’»