Isaia
7 Në ditët e Akazit,+ birit të Jotamit, që ishte biri i Uziahut, mbretit të Judës, Rezini,+ mbreti i Sirisë, bashkë me Pekahun,+ birin e Remaliahut, mbretin e Izraelit, u ngjit në Jerusalem për të bërë luftë kundër tij, por nuk mundi të luftonte.+ 2 Shtëpinë e Davidit e njoftuan: «Siria është mbështetur tek Efraimi.»+
Atëherë atij dhe popullit të tij filloi t’i dridhej zemra, ashtu si dridhen pemët e pyllit nga era.+
3 Dhe Jehovai i tha Isaisë: «Të lutem, dili para Akazit bashkë me tët bir, Shear-Jashubin.+ Shko në fund të kanalit+ të rezervuarit të sipërm, pranë rrugës për në arën e rrobalarësit,+ 4 dhe thuaji: “Hap sytë dhe rri i qetë.+ Mos ki frikë dhe as drojë në zemër+ nga zemërimi i zjarrtë i Rezinit, i Sirisë dhe i birit të Remaliahut,+ të cilët janë si dy urë zjarri që pothuajse janë djegur e nxjerrin veç tym. 5 Mos ki frikë ngaqë Siria me Efraimin dhe me birin e Remaliahut kurdisën të këqija kundër teje e thanë: 6 ‘Le të ngjitemi kundër Judës, ta bëjmë copë-copë dhe ta shtiem në dorë, duke çarë muret. Le të vëmë një mbret tjetër për të mbretëruar në të, birin e Tabelit.’+
7 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Kjo nuk do të realizohet dhe as do të ndodhë.+ 8 Sepse koka e Sirisë është Damasku dhe koka e Damaskut është Rezini. Vetëm brenda gjashtëdhjetë e pesë vjetësh Efraimi do të bëhet copë e çikë, aq sa nuk do të jetë më një popull.+ 9 Koka e Efraimit është Samaria+ dhe koka e Samarisë është biri i Remaliahut.+ Nëse nuk keni besim, nuk e keni të gjatë.’”»+
10 Jehovai i foli përsëri Akazit dhe i tha: 11 «Kërkoji Jehovait, Perëndisë tënd,+ një shenjë që të jetë e thellë sa Sheoli ose e lartë sa qielli.» 12 Por Akazi tha: «Nuk do të kërkoj asgjë nga Jehovai dhe as do ta vë në provë.»
13 Pastaj ai ia ktheu: «Dëgjo, të lutem, o shtëpi e Davidit! Mos të duket gjë e vogël të lodhësh njerëzit, që të lodhësh edhe Perëndinë tim?+ 14 Prandaj vetë Jehovai do të të japë një shenjë: ja, vasha+ do të mbetet shtatzënë+ dhe do të lindë një djalë,+ të cilit do t’ia vërë emrin Emanuel. 15 Kur të dijë të flakë të keqen dhe të zgjedhë të mirën,+ ai do të ketë filluar të hajë veç gjalpë dhe mjaltë të egër. 16 Sepse para se djali të dijë të flakë të keqen dhe të zgjedhë të mirën,+ toka e dy mbretërve që ti i ke tmerr, do të braktiset krejt.+ 17 Mbi ty,+ mbi popullin tënd dhe mbi shtëpinë e atit tënd, Jehovai do të sjellë ditë si ato që nuk kanë ardhur që prej kohës kur Efraimi u nda nga Juda.+ Ai, pra, do të sjellë mbretin e Asirisë.+
18 Atë ditë Jehovai do t’u fërshëllejë mizave që gjenden në skajet më të largëta të kanaleve të Nilit, që janë në Egjipt, dhe bletëve+ që ndodhen në Asiri.+ 19 Ato do të vijnë e do të ulen që të gjitha mbi luginat e thikëta të përrenjve, mbi të çarat e shkrepave, mbi tërë ferrishtat dhe mbi gjithë vendet ku ka ujë.+
20 Atë ditë, me anë të një brisku të marrë me qira në rajonin e Lumit,*+ po, me anë të mbretit të Asirisë,+ Jehovai do t’i rruajë kokën dhe qimet e këmbëve e do t’i heqë edhe mjekrën.+
21 Atë ditë një njeri do të lërë gjallë një lopë të re nga tufa dhe dy dele.+ 22 Për shkak të qumështit të bollshëm, ai do të hajë gjalpë, sepse kushdo që do të mbetet në vend, do të hajë vetëm gjalpë dhe mjaltë+ të egër.
23 Atë ditë, çdo vend ku kishte një mijë hardhi me vlerë një mijë monedha argjendi,+ do të pushtohet nga ferrat dhe barërat e këqija.+ 24 Atje do të hyhet me shigjeta dhe me hark,+ sepse gjithë vendi do të mbushet veç me ferra e barëra të këqija. 25 Nga frika e ferrave dhe e barërave të këqija, ti nuk do të shkosh në asnjë nga malet që dikur pastroheshin me shat nga bimët e bezdisshme. Ai do të bëhet një vend ku do të lëshohen demat dhe një tokë ku do të shkelin dhentë.»+