Abdia
1 Vegimi i Abdisë:
Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova për Edomin:+ «Kemi dëgjuar një lajm nga Jehovai dhe drejt kombeve është nisur një i dërguar për të thënë: ‘Çohuni e le të sulemi në betejë kundër tij.’»+
2 «Ja, të kam bërë të vogël mes kombeve+ e ti je shumë i përbuzur.+ 3 Arroganca* që ke në zemër të mashtroi,+ o ti që banon në strukat e shkrepit,+ që rri në shkrepa të lartë e që thua me vete:* ‘Kush do të më zbresë poshtë në tokë?’ 4 Edhe sikur ta bëje çerdhen lart si shqiponja e mes yjeve ta vije folenë, do të të zbritja poshtë që andej,+—thotë Jehovai.
5 Sikur hajdutët të hynin te ti dhe grabitësit të vinin natën, deri në ç’pikë do të ishe shkatërruar?+ A s’do të vidhnin sa të donin? E sikur vjelësit e rrushit të vinin te ti, a nuk do të linin ndonjë bistak?+ 6 Oh, sa shumë janë hetuar+ bijtë e Esaut! Sa janë kërkuar thesaret e tij të fshehura! 7 Të çuan deri buzë kufirit. Të gjithë ata me të cilët bëre besëlidhje të mashtruan.+ Njerëzit me të cilët ishe në paqe ngadhënjyen mbi ty.+ Ata që hanin bashkë me ty, do të të vënë poshtë një rrjetë, përderisa ti je si ata që s’kanë aftësi dalluese.+ 8 A s’do të ndodhë kjo, vallë, atë ditë?—thotë Jehovai.
Do t’i zhduk të mençurit nga Edomi+ dhe do ta heq aftësinë dalluese nga rajoni malor i Esaut. 9 Burrat e tu të fuqishëm do të tmerrohen,+ o Teman,+ sepse do të shfarosen+ të gjithë nga rajoni malor i Esaut nga një masakër.+ 10 Për shkak të dhunës ndaj Jakobit, vëllait tënd,+ do të të mbulojë turpi+ dhe do të shfarosesh përgjithmonë.+ 11 Atë ditë kur qëndrove mënjanë, atë ditë kur të panjohurit robëruan forcat e tij ushtarake+ dhe kur ata që ishin krejtësisht të huaj hynë në portën+ e tij e hodhën short+ për Jerusalemin, edhe ti ishe si një prej tyre.
12 Ti s’duhej të rrije e të bëje sehir+ kur vëllai yt ishte në ditë të keqe, në ditën e mynxyrës. S’duhej të gëzoheshe për bijtë e Judës ditën kur ata morën fund.+ Me gojën tënde s’duhej të talleshe me krenari ditën e vuajtjes së tyre, 13 as duhej të hyje në portën e popullit tim ditën e katastrofës së tij.+ Ti s’duhej të ndaleshe e të shikoje gjëmën ditën e katastrofës së tij dhe as duhej të shtrije dorën mbi pasurinë e tij atë ditë.+ 14 Ti s’duhej të qëndroje aty ku ndaheshin udhët që të shfarosje ata që iknin.+ S’duhej t’i dorëzoje ditën e ankthit të mbijetuarit e tij.+ 15 Sepse dita e Jehovait kundër të gjitha kombeve është afër.+ Si bëre me të tjerët, ashtu do të bëhet edhe me ty.+ Po ai lloj trajtimi do të bjerë mbi kokën tënde.+ 16 Si pitë mbi malin tim të shenjtë, po ashtu do të vazhdojnë të pinë pareshtur+ të gjitha kombet. Po, do ta pinë e do ta rrëkëllejnë kupën e zemërimit të Perëndisë dhe do të bëhen sikur të mos kishin qenë kurrë.
17 Të shpëtuarit do të jenë në malin e Sionit+ e ai do të bëhet një gjë e shenjtë,+ kurse shtëpia e Jakobit do të shtijë në dorë ato që duhet të zotërojë.+ 18 Shtëpia e Jakobit ka për t’u bërë një zjarr,+ shtëpia e Jozefit një flakë, kurse shtëpia e Esaut si kashtë.+ Ata do t’i vënë zjarrin shtëpisë së Esaut e do ta gllabërojnë dhe prej saj s’do të mbetet asnjë i mbijetuar,+ sepse vetë Jehovai e ka thënë. 19 Ata do të shtien në dorë Negebin, rajonin malor të Esaut,+ Shefelahun, e madje edhe filistinët.+ Do të shtien në dorë fushën e Efraimit+ dhe fushën e Samarisë.+ Beniamini do të marrë Galaadin.+ 20 Të mërguarit e këtij ledhi mbrojtës,+ bijtë e Izraelit, do të marrin zotërimet e kananitëve+ deri në Zarefat.+ Të mërguarit e Jerusalemit, që ishin në Sefarad, do të shtien në dorë qytetet e Negebit.+
21 Shpëtimtarët+ do të ngjiten në malin e Sionit+ për të gjykuar rajonin malor të Esaut+ dhe mbretëria do të bëhet e Jehovait.»+