Dirigjuesit. Për «Zambakët».+ Psalm i Davidit.
69 Shpëtomë, o Perëndi, sepse ujërat po më mbytin.+
2 U fundosa thellë në llucë, ku s’ka vend për të vënë këmbët.+
Hyra në ujëra shumë të thella
dhe një rrjedhë më mori me vete.+
3 U lodha së thirruri+
e zëri m’u ngjir.
Sytë m’u tretën, duke pritur Perëndinë tim.+
4 Ata që më urrejnë pa shkak, janë bërë edhe më të shumtë se flokët e kokës sime.+
Ata që duan të më kallin në heshtjen e vdekjes e që i kam armiq pa shkak, janë shumuar.+
Atë që nuk e kisha grabitur, e ktheva mbrapsht.
5 O Perëndi, ti vetë e di marrëzinë time,
dhe faji im nuk të është fshehur.+
6 Oh, mos u ardhtë turp për mua atyre që shpresojnë te ti,+
o Zotëri Sovran, Jehovai i ushtrive!+
Oh, mos u poshtërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë,+
o Perëndi i Izraelit!+
7 Sepse për shkakun tënd jam poshtëruar,+
turpi ma ka mbuluar fytyrën.+
8 Jam bërë një i panjohur për vëllezërit e mi,+
dhe një i huaj për bijtë e nënës sime.+
9 Sepse zelli për shtëpinë tënde më ka përpirë,+
dhe sharjet e atyre që të poshtëronin, kanë rënë mbi mua.+
10 Qaja kur agjëronte shpirti im,+
por kjo m’u bë shkak për poshtërim.+
11 Kur e bëra copën e thesit rrobën time,
u bëra gazi i botës.+
12 Ata që uleshin te porta, filluan të merreshin me mua,+
dhe unë isha kënga e pijanecëve.+
13 Por unë ta drejtoja ty lutjen time, o Jehova,+
në një kohë të favorshme, o Perëndi!+
Ti që je plot dashamirësi, përgjigjmu dhe trego se je shpëtimtar i vërtetë.+
14 Nxirrmë nga lluca, që të mos fundosem.+
Oh, u çlirofsha nga ata që më urrejnë+ dhe nga ujërat e thella!+
15 Oh, mos më marrtë me vete rrjedha e ujërave,+
mos më përpiftë thellësia
dhe as pusi mos e mbylltë gojën e tij mbi mua!+
16 Përgjigjmu, o Jehova, sepse dashamirësia jote është e mirë!+
Kthehu nga unë me mëshirën tënde të madhe+
17 dhe mos ia fshih fytyrën shërbëtorit tënd.+
Meqenëse e kam punën pisk, përgjigjmu shpejt.+
18 Afroju shpirtit tim e shpëtoje,+
dhe nga armiqtë e mi shpengomë.+
19 Ti e ke njohur poshtërimin, turpin dhe çnderimin tim.+
Të gjithë armiqtë e mi janë para teje.+
20 Poshtërimi ma ka thyer zemrën dhe plaga është e pashërueshme.+
Shpresoja që dikush të ma qante hallin, por s’kishte asnjeri;+
që dikush të më ngushëllonte, por s’gjeta asnjë.+
21 Përkundrazi, më dhanë si ushqim bimë helmuese,+
kurse për të shuar etjen, u përpoqën të më jepnin uthull.+
22 Tryeza që kanë përpara u bëftë një grackë,+
dhe ajo që është për mirëqenien e tyre, një lak!+
23 Sytë iu errësofshin që të mos shikojnë!+
Bëj që mesi t’u dridhet pa pushim.+
24 Derdhe mbi ta dënimin tënd,+
zemërimi yt i zjarrtë i zëntë!+
25 U shkretoftë kampi i tyre i rrethuar me mure!+
Mos banoftë kush në tendat e tyre!+
26 Sepse ndoqën atë që godite ti,+
dhe tregojnë tërë qejf dhembjet e atyre që ti shpove.
27 Vëru faj mbi faj,+
dhe mos hyfshin në drejtësinë tënde!+
28 U shofshin nga libri i të gjallëve,+
dhe mos u shkrofshin me të drejtët!+
29 Por unë jam i munduar dhe kam dhembje.+
Shpëtimi yt më mbrojttë, o Perëndi!+
30 Unë do ta lëvdoj emrin e Perëndisë me këngë+
dhe do ta madhëroj Perëndinë me falënderime.+
31 Kjo do të jetë për Jehovain më e pëlqyeshme se një dem,+
se një dem i ri dythundrak me brirë.+
32 Zemërbutët do të shohin dhe do të gëzojnë.+
Juve që kërkoni Perëndinë, le t’ju rrahë zemra përgjithmonë!+
33 Sepse Jehovai i dëgjon të varfrit,+
dhe nuk ka për t’i përbuzur të burgosurit e vet.+
34 Le ta lëvdojnë atë qiell e tokë,+
detet dhe çdo gjë që lëviz në ta.+
35 Sepse Perëndia do ta shpëtojë Sionin+
dhe do të ndërtojë qytetet e Judës.+
Atje do të banojnë dhe do ta marrin si pronë.+
36 Pasardhësit e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojnë,+
dhe ata që e duan emrin e tij, do të banojnë në të.+