Eksodi
24 Pastaj i tha Moisiut: «Ngjituni te Jehovai, ti, Aaroni, Nadabi, Abihu+ dhe shtatëdhjetë+ pleq të Izraelit, dhe përkuluni në njëfarë largësie. 2 Vetëm Moisiu t’i afrohet Jehovait, kurse ata nuk duhet të afrohen, dhe as populli nuk duhet të ngjitet me të.»+
3 Moisiu vajti e i tregoi popullit gjithë fjalët dhe ligjet e Jehovait.+ Atëherë tërë populli u përgjigj njëzëri: «Jemi gati t’i zbatojmë të gjitha fjalët e Jehovait.»+ 4 Kështu, Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Jehovait.+ Pastaj, u çua herët në mëngjes, ndërtoi në rrëzë të malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla, sipas dymbëdhjetë fiseve të Izraelit.+ 5 Më pas, dërgoi disa të rinj të bijve të Izraelit, të cilët paraqitën blatime të djegura dhe flijuan dema si flijime në bashkësi+ para Jehovait. 6 Atëherë Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në tase,+ kurse me gjysmën tjetër spërkati altarin.+ 7 Së fundi, mori librin e besëlidhjes+ dhe e lexoi para popullit.+ Pastaj, ata thanë: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që ka thënë Jehovai dhe të jemi të bindur.»+ 8 Prandaj, Moisiu mori gjakun, spërkati popullin+ dhe tha: «Ky është gjaku i besëlidhjes+ që Jehovai ka bërë me ju, sipas gjithë këtyre fjalëve.»
9 Pastaj, Moisiu, Aaroni, Nadabi, Abihu dhe shtatëdhjetë pleq të Izraelit u ngjitën lart 10 dhe panë Perëndinë e Izraelit.+ Poshtë këmbëve të tij kishte diçka që ngjante me një dysheme të punuar me rrasa safiri dhe që ishte e pastër si vetë qiejt.+ 11 Ai nuk e shtriu dorën kundër njerëzve të shquar të bijve të Izraelit,+ por ata patën një vegim të Perëndisë së vërtetë+ dhe hëngrën e pinë.+
12 Jehovai i tha Moisiut: «Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro atje, sepse dua të të jap pllakat e gurit, ligjin dhe urdhërimet që do të shkruaj, për t’ua mësuar atyre.»+ 13 Kështu, Moisiu dhe Josiu, shërbëtori i tij, u ngjitën, dhe Moisiu hipi në malin e Perëndisë së vërtetë.+ 14 Kurse pleqve u kishte thënë: «Ju na prisni këtu derisa të kthehemi.+ Ja, Aaroni dhe Huri+ janë me ju. Kush të ketë ndonjë çështje, le t’u drejtohet atyre.»+ 15 Kështu, Moisiu u ngjit në mal, dhe reja mbulonte malin.+
16 Lavdia e Jehovait+ qëndronte në malin Sinai+ dhe reja e mbuloi atë për gjashtë ditë. Së fundi, ditën e shtatë ai e thirri Moisiun nga mesi i resë.+ 17 Në sytë e bijve të Izraelit, pamja e lavdisë së Jehovait në majë të malit dukej si një zjarr që përpin.+ 18 Pastaj, Moisiu hyri në mes të resë dhe u ngjit në mal.+ Moisiu qëndroi në mal dyzet ditë e dyzet net.+