Josiu
14 Këto janë vendet që morën bijtë e Izraelit si trashëgimi në vendin e Kanaanit.+ Këtë trashëgimi ua ndau prifti Eleazar me Josiun, birin e Nunit, e me krerët e shtëpive atërore të fiseve të bijve të Izraelit.+ 2 Nëntë fiseve dhe gjysmës së njërit fis,+ trashëgimia iu nda me short,+ si urdhëroi Jehovai me anë të Moisiut, 3 sepse dy fiseve të tjera dhe gjysmës tjetër të atij fisi, Moisiu ua kishte dhënë trashëgiminë matanë Jordanit,+ kurse levitëve nuk u dha trashëgimi mes tyre.+ 4 Bijtë e Jozefit ishin bërë dy fise:+ Manaseu+ dhe Efraimi.+ Levitëve nuk u dhanë pjesë në vend, përveç qyteteve+ për të banuar, kullotave për bagëtinë dhe pronave të tyre.+ 5 Bijtë e Izraelit bënë ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun dhe e ndanë vendin.
6 Më pas, bijtë e Judës iu afruan Josiut në Gilgal,+ dhe Kalebi,+ biri i Jefunehut, që ishte kenizit,+ i tha: «Ti e di mirë se çfarë i tha+ Jehovai Moisiut, njeriut të Perëndisë së vërtetë,+ për mua dhe për ty në Kadesh-Barnea.+ 7 Isha dyzet vjeç kur Moisiu, shërbëtori i Jehovait, më dërgoi nga Kadesh-Barnea për të vëzhguar vendin.+ Unë erdha e i shpreha ato fjalë që kisha në zemër.+ 8 Vëllezërit e mi që u ngjitën bashkë me mua ia mpakën zemrën popullit,+ kurse unë iu binda në çdo gjë Jehovait, Perëndisë tim.+ 9 Prandaj atë ditë Moisiu u betua me fjalët: ‘Vendi ku ka shkelur këmba jote,+ do të bëhet trashëgimia jote dhe e bijve të tu përgjithnjë, sepse ti i je bindur në çdo gjë Jehovait, Perëndisë tim.’+ 10 Ja pra, Jehovai, si premtoi,+ më ka ruajtur gjallë+ këta dyzet e pesë vjet, qysh kur Jehovai i bëri këtë premtim Moisiut, në kohën kur Izraeli endej nëpër shkretëtirë;+ dhe ja tek jam sot tetëdhjetë e pesë vjeç. 11 Megjithatë, sot jam po aq i fortë, sa ditën kur Moisiu më nisi për atje.+ Fuqinë që kisha atëherë kam edhe tani për të shkuar e për t‘u kthyer nga lufta.+ 12 Tani pra, më jep këtë rajon malor, që premtoi Jehovai atë ditë,+ sepse ti e dëgjove vetë se atje kishte anakimë+ dhe qytete të mëdha e të fortifikuara.+ Duket se Jehovai do të jetë me mua+ dhe si premtoi Jehovai, do t’ua marr pronat.»+
13 Atëherë Josiu e bekoi dhe i dha si trashëgimi Kalebit, birit të Jefunehut, Hebronin.+ 14 Ja pse deri sot e kësaj dite Hebroni i ka takuar si trashëgimi Kalebit, birit të Jefunehut, që ishte kenizit, sepse ai iu bind në çdo gjë Jehovait, Perëndisë së Izraelit.+ 15 Hebroni më parë quhej Kiriat-Arba+ (Arba+ kishte qenë një burrë i madh ndër anakimët). Kështu, vendi nuk pati më trazira nga lufta.+