1 Samuelit
4 Samueli vazhdoi t’i fliste tërë Izraelit.
Izraeli doli në betejë kundër filistinëve. Ata e ngritën kampin përgjatë Ebenezerit,+ kurse filistinët fushuan në Afek.+ 2 Filistinët u rreshtuan në formacion luftimi+ për t’u ndeshur me Izraelin. Beteja shkoi keq, kështu që Izraeli u mund para filistinëve,+ të cilët vranë rreth katër mijë burra në fushën e betejës. 3 Kur populli erdhi në kamp, pleqtë e Izraelit nisën të thoshin: «Pse na mundi sot Jehovai para filistinëve?+ Le ta marrim arkën e besëlidhjes+ së Jehovait nga Shilohu, që ajo të jetë mes nesh e të na shpëtojë nga dora e armiqve tanë.» 4 Kështu, populli dërgoi njerëz në Shiloh dhe morën që andej arkën e besëlidhjes së Jehovait të ushtrive, i cili rri ulur mbi kerubinët.+ Bashkë me arkën e besëlidhjes së Perëndisë së vërtetë atje ndodheshin edhe dy bijtë e Eliut, domethënë Hofni dhe Finehasi.+
5 Kur arka e besëlidhjes së Jehovait erdhi në kamp, të gjithë izraelitët lëshuan britma të forta,+ aq sa toka u drodh. 6 Edhe filistinët i dëgjuan britmat dhe nisën të thoshin: «Ç’është kjo britmë e fortë+ në kampin e hebrenjve?» Në fund morën vesh se në kamp kishte vajtur arka e Jehovait. 7 Filistinët u frikësuan dhe thanë: «Në kamp ka vajtur Perëndia!»+ Prandaj shtuan: «Mjerë ne, sepse një gjë e tillë s’ka ndodhur kurrë më parë! 8 Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga dora e këtij Perëndie të madhërishëm?! Ky është Perëndia që e goditi Egjiptin me lloj-lloj plagësh në shkretëtirë.+ 9 Jini guximtarë dhe tregohuni burra, o filistinë, që të mos u shërbeni hebrenjve si ju kanë shërbyer ata juve.+ Tregohuni burra dhe luftoni!» 10 Kështu, filistinët luftuan dhe Izraeli u mund,+ e secili nga ata ia mbathi në tendën e vet.+ Masakra qe shumë e madhe,+ aq sa nga Izraeli ranë tridhjetë mijë këmbësorë.+ 11 Arka e Perëndisë u mor+ dhe dy bijtë e Eliut, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.+
12 Një burrë nga ata të Beniaminit iku me vrap nga fusha e betejës, dhe po atë ditë mbërriti në Shiloh, me rroba të shqyera+ e me dhé në kokë.+ 13 Kur mbërriti, Eliu po rrinte ulur në ndenjësen buzë rrugës duke vëzhguar, sepse i regëtinte zemra për arkën e Perëndisë së vërtetë.+ Ky burrë hyri në qytet për të dhënë lajmin, dhe gjithë qyteti nisi të klithte. 14 Eliu i dëgjoi klithmat, prandaj pyeti: «Ç’është kjo rrëmujë?»+ Ai burrë nxitoi që të shkonte e t’i jepte lajmin Eliut. 15 (Eliu ishte nëntëdhjetë e tetë vjeç. Ai nuk i lëvizte më sytë dhe nuk shihte.)+ 16 Ky burrë i tha Eliut: «Unë vij nga fusha e betejës, dhe sot ia kam mbathur.» Atëherë ai e pyeti: «Ç’ka ndodhur, biri im?» 17 Lajmëtari iu përgjigj: «Izraeli ia mbathi nga filistinët dhe populli ka pësuar një humbje të madhe.+ Kanë vdekur edhe dy bijtë e tu, Hofni e Finehasi,+ dhe na kanë marrë arkën e Perëndisë së vërtetë.»+
18 Në çastin kur ai përmendi arkën e Perëndisë së vërtetë, Eliu u rrëzua praptas nga ndenjësja dhe ra buzë portës. Iu thye qafa dhe vdiq, sepse ishte burrë i moshuar dhe i rëndë. Ai e kishte gjykuar Izraelin për dyzet vjet. 19 Nusja e të birit, gruaja e Finehasit, ishte shtatzënë dhe afër lindjes kur dëgjoi lajmin se kishin marrë arkën e Perëndisë së vërtetë dhe se i kishin vdekur vjehrri e burri. Atëherë u kërrus dhe lindi, sepse papritur e zunë dhembjet.+ 20 Kur po vdiste, gratë që i rrinin pranë, i thanë: «Mos ki frikë, se ke lindur djalë.»+ Por ajo nuk u përgjigj dhe as nuk u kushtoi vëmendje,* 21 por e quajti djalin Ikabod,*+ dhe tha: «Lavdia iku nga Izraeli.»+ Këtë e tha, sepse arkën e Perëndisë së vërtetë e kishin marrë dhe vjehrri e i shoqi kishin vdekur.+ 22 Prandaj tha: «Lavdia iku nga Izraeli,+ sepse arkën e Perëndisë së vërtetë e morën.»+