1 Samuelit
5 Filistinët, pra, e morën arkën+ e Perëndisë së vërtetë dhe e çuan nga Ebenezeri në Ashdod.+ 2 Pastaj e morën arkën e Perëndisë së vërtetë, e çuan në shtëpinë e Dagonit+ dhe e vendosën pranë tij. 3 Të nesërmen ashdoditët u çuan herët dhe ja, Dagoni kishte rënë me fytyrë përtokë përpara arkës së Jehovait.+ Atëherë e morën Dagonin dhe e kthyen në vendin e vet.+ 4 Ditën tjetër, kur u çuan herët në mëngjes panë prapë që Dagoni kishte rënë me fytyrë përtokë përpara arkës së Jehovait. Koka e Dagonit dhe pëllëmbët e të dyja duarve të tij, ishin të prera te pragu.+ Mbi të kishte mbetur vetëm pjesa si peshk. 5 Ja pse priftërinjtë e Dagonit dhe të gjithë ata që hyjnë në shtëpinë e tij nuk e shkelin pragun e Dagonit në Ashdod deri sot e kësaj dite.
6 Dhe dora e Jehovait+ mbi ashdoditët u bë më e rëndë. Ai filloi të ngjallte panik e ta godiste me hemorroide+ Ashdodin dhe territoret e tij. 7 Burrat e Ashdodit e panë se ç’po ndodhte dhe thanë: «Të mos qëndrojë mes nesh arka e Perëndisë së Izraelit, sepse dora e tij është e rëndë kundër nesh dhe kundër Dagonit, perëndisë tonë.»+ 8 Prandaj dërguan fjalë e mblodhën pranë vetes të gjithë sundimtarët e aleancës filistine dhe i pyetën: «Ç’të bëjmë me arkën e Perëndisë së Izraelit?» Në fund thanë: «Le të çohet në Gath+ arka e Perëndisë së Izraelit.» Kështu, arka e Perëndisë së Izraelit u çua atje.
9 Pasi e kishin çuar atje, dora e Jehovait+ shkaktoi në atë qytet një rrëmujë shumë të madhe. Ai filloi t’i godiste njerëzit e qytetit, të madh e të vogël, dhe atyre nisën t’u dilnin hemorroide.+ 10 Prandaj e dërguan arkën e Perëndisë së vërtetë në Ekron.+ Sapo arka e Perëndisë së vërtetë mbërriti atje, ekronitët filluan të thërritnin: «E kanë sjellë arkën e Perëndisë së Izraelit, që të vdesim ne dhe populli ynë!»+ 11 Atëherë dërguan fjalë e mblodhën të gjithë sundimtarët e aleancës filistine dhe thanë: «Kthejeni arkën e Perëndisë së Izraelit në vendin e vet, që të mos vdesim ne dhe populli ynë.» Sepse në tërë qytetin kishte pasur një rrëmujë vdekjeprurëse.+ Dora e Perëndisë së vërtetë atje kishte qenë shumë e rëndë,+ 12 dhe njerëzit që nuk kishin vdekur, ishin goditur me hemorroide.+ E pra, klithma+ e qytetit për ndihmë ngjitej deri në qiell.