1 Samuelit
14 Një ditë Jonatani,+ biri i Saulit, i tha shërbëtorit që i mbante armët: «Eja të shkojmë te pararoja e filistinëve që është andej matanë.» Por nuk ia tha këtë të atit.+ 2 Sauli banonte në rrethinat e Gibeahut,+ nën shegën që gjendet në Migron. Me të ishin rreth gjashtëqind burra.+ 3 (Efodin+ e mbante Akijahu, biri i Ahitubit,+ vëllai i Ikabodit,+ biri i Finehasit,+ biri i Eliut,+ prifti i Jehovait në Shiloh.)+ Populli nuk e dinte që Jonatani kishte ikur. 4 Midis rrugëkalimeve që kërkonte Jonatani për të shkuar kundër pararojës+ së filistinëve, gjendej një shkrep në formë dhëmbi nga njëra anë dhe një shkrep në formë dhëmbi nga ana tjetër. Njëri e kishte emrin Bozez, kurse tjetri Seneh. 5 Njëri dhëmb ngrihej si një shtyllë në veri, përballë Mikmashit,+ kurse tjetri në jug, përballë Gebës.+
6 Jonatani i tha shërbëtorit, shqytarit të tij: «Eja të shkojmë te pararoja e këtyre të parrethprerëve.+ Ndoshta Jehovai do të bëjë diçka për ne, sepse Jehovain s’e pengon asgjë që të shpëtojë, qoftë shumë, qoftë pak veta.»+ 7 Atëherë shqytari i tha: «Bëj ç’të të dojë zemra. Shko nga të duash. Unë do të vij me ty ku të të dojë zemra.»+ 8 Jonatani ia ktheu: «Ne do të shkojmë tek ata burra dhe do t’u dalim hapur para. 9 Nëse do të na thonë: ‘Ndaluni dha na pritni aty’, atëherë do të qëndrojmë aty ku jemi dhe nuk do të ngjitemi tek ata. 10 Por nëse na thonë: ‘Ejani!’, atëherë do të ngjitemi, sepse Jehovai do të na i japë në dorë, dhe kjo është shenja për ne.»+
11 Atëherë, që të dy dolën hapur para pararojës së filistinëve. Dhe filistinët thanë: «Ja, hebrenjtë po dalin nga vrimat ku ishin fshehur.»+ 12 Kështu, burrat e pararojës i thanë Jonatanit dhe shqytarit të tij: «Ngjituni te ne, se do t’ju themi diçka!»+ Menjëherë Jonatani i tha shqytarit të vet: «Eja pas meje, sepse Jehovai do t’i japë në dorë të Izraelit.»+ 13 Dhe Jonatani u ngjit me këmbë e me duar,+ ndërsa shqytari shkonte pas tij. Ata filluan të binin përpara Jonatanit,+ kurse shqytari i vriste nga pas.+ 14 Kjo qe masakra e parë, gjatë së cilës Jonatani dhe shqytari i tij goditën rreth njëzet burra brenda pothuajse gjysmë brazde në gjysmë hektari tokë.
15 Atëherë kampit në fushë dhe tërë njerëzve të pararojës u hyri dridhma.+ Zunë të dridheshin edhe çetat e zhvatësve+ e toka nisi të tundej.+ Kjo dridhmë vinte nga Perëndia.+ 16 Rojat e Saulit në Gibeah+ të Beniaminit e panë këtë dhe rrëmuja u përhap anembanë kampit.+
17 Sauli u tha njerëzve që ishin me të: «Ju lutem, bëni numërimin dhe shikoni se kush nga ne ka ikur.» Kur bënë numërimin, Jonatani dhe shqytari i tij nuk ishin atje. 18 Atëherë Sauli i tha Akijahut:+ «Sille këtu arkën e Perëndisë së vërtetë!»+ (Sepse atë ditë arka e Perëndisë së vërtetë ishte me bijtë e Izraelit.)+ 19 Ndërsa Sauli i fliste priftit,+ rrëmuja në kampin e filistinëve sa vinte e bëhej më e madhe. Atëherë Sauli i tha priftit: «Prit.» 20 Kështu, Sauli dhe gjithë njerëzit që ishin me të, u mblodhën.+ Ata vajtën deri në vendin e betejës dhe atje shpata e secilit ishte ngritur kundër tjetrit.+ Rrëmuja ishte shumë e madhe. 21 Edhe hebrenjtë që ishin bashkuar më parë me filistinët+ dhe që ishin ngjitur me ta e gjendeshin rreth e qark kampit, u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonatanin. 22 Gjithashtu, tërë burrat e Izraelit që ishin fshehur+ në rajonin malor të Efraimit, dëgjuan se filistinët ia kishin mbathur, prandaj edhe ata zunë t’i ndiqnin këmba-këmbës, duke marrë kështu pjesë në betejë. 23 Atë ditë Jehovai e shpëtoi+ Izraelin dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.+
24 Burrat e Izraelit ishin të dërrmuar atë ditë, por megjithatë Sauli e vuri popullin në be,+ duke thënë: «Mallkuar qoftë ai njeri që ha bukë përpara mbrëmjes, derisa të kem marrë hak+ kundër armiqve të mi!» Dhe asnjë nga populli nuk vuri bukë në gojë.+
25 Të gjithë vendësit vajtën në pyll, kur mbi gjithë sipërfaqen e tokës kishte mjaltë.+ 26 Kur populli hyri në pyll, pa që atje pikonte mjaltë,+ por askush nuk e çonte dorën te goja, sepse populli kishte frikë nga beja.+ 27 Mirëpo Jonatani nuk e kishte marrë vesh që i ati e kishte vënë popullin në be,+ prandaj e zgjati majën e shkopit që kishte në dorë, e zhyti në huall dhe e çoi dorën në gojë, e ja, sytë zunë t’i rrezatonin.+ 28 Atëherë një nga populli mori fjalën dhe tha: «Yt atë e vuri popullin solemnisht në be, duke thënë: ‘Mallkuar qoftë ai njeri që ha bukë sot!’»+ (Dhe populli filloi të lodhej.)+ 29 Por Jonatani tha: «Im atë e ka futur vendin në telashe.*+ Pa shihni, ju lutem, se si më rrezatuan sytë ngaqë provova fare pak mjaltë.+ 30 Sa më mirë do të kishte qenë sikur sot populli të kishte ngrënë+ nga preja që gjeti tek armiqtë!+ Sepse masakra që u bë mes filistinëve nuk ka qenë e madhe.»+
31 Atë ditë i goditën filistinët nga Mikmashi+ deri në Ajalon,+ dhe populli u lodh shumë.+ 32 Prandaj populli u turr me lakmi mbi prenë+ dhe mori dhen, gjedhë e viça e i theri përtokë; dhe populli hëngri me gjithë gjak.+ 33 Atëherë i thanë Saulit: «Ja, populli po mëkaton kundër Jehovait, duke ngrënë me gjithë gjak.»+ E ai tha: «Ju keni vepruar pabesisht. Rrokullisni një gur të madh drejt meje.» 34 Pastaj Sauli tha: «Shpërndahuni mes njerëzve e u thoni: ‘Secili nga ju të më sjellë këtu demin dhe delen e vet. Therini në këtë vend dhe hajini, e mos mëkatoni kundër Jehovait, duke ngrënë me gjithë gjak.’»+ Kështu, atë natë gjithë njerëzit sollën secili demin që kishte në dorë dhe i therën atje. 35 E Sauli i ndërtoi një altar+ Jehovait. Me të ai filloi ndërtimin e altarëve për Jehovain.+
36 Më vonë Sauli tha: «Të zbresim natën pas filistinëve dhe t’i plaçkitim derisa të zbardhë dita+ e të mos lëmë as edhe një prej tyre.»+ Atëherë ata ia kthyen: «Bëj si të të duket më mirë.» Prifti, pra, tha: «Le t’i afrohemi këtu Perëndisë së vërtetë.»+ 37 Dhe Sauli e pyeti Perëndinë: «Të zbres pas filistinëve?+ A do t’ia japësh në dorë Izraelit?»+ Por atë ditë ai nuk iu përgjigj.+ 38 Prandaj Sauli tha: «Afrohuni këtu,+ të gjithë ju prijës,+ dhe zbuloni e shihni se si është bërë sot ky mëkat. 39 Sepse ashtu siç është e vërtetë që rron Jehovai, Çlirimtari i Izraelit, edhe sikur të gjendet tek im bir Jonatani, ka për të vdekur.»+ Por askush nga tërë populli nuk i përgjigjej. 40 Atëherë i tha gjithë Izraelit: «Ju do të qëndroni në njërën anë, kurse unë dhe im bir Jonatani do të qëndrojmë në anën tjetër.» Populli iu përgjigj Saulit: «Bëj si të të duket më mirë.»+
41 Sauli i tha Jehovait: «O Perëndi i Izraelit, jepe Thumimin!»+ Pastaj u morën Jonatani dhe Sauli, ndërsa populli doli.+ 42 Tani Sauli tha: «Hidhni short+ për të vendosur mes meje e tim biri, Jonatanit.» Dhe u mor Jonatani. 43 Atëherë Sauli i tha Jonatanit: «Tregomë, ç’ke bërë?»+ Kështu Jonatani i tregoi dhe tha: «Në të vërtetë unë provova pak mjaltë me majën e shkopit që kam në dorë.+ Ja tek jam! Le të vdes!»
44 Sauli i tha: «Kështu bëftë Perëndia, madje edhe më keq,+ nëse ti Jonatan nuk ke për të vdekur!»+ 45 Por populli i tha Saulit: «Të vdesë Jonatani që ka sjellë këtë shpëtim+ të madh në Izrael?! Kjo s’na ka shkuar kurrë ndër mend!+ Siç është e vërtetë që rron Jehovai,+ atij s’ka për t’i rënë përtokë as edhe një fije floku,+ sepse sot ai veproi bashkë me Perëndinë.»+ Populli, pra, e shpengoi+ Jonatanin dhe ai nuk vdiq.
46 Sauli nuk i ndoqi më filistinët dhe këta shkuan në vendin e tyre.+
47 Pastaj Sauli filloi mbretërimin e Izraelit+ dhe luftoi rreth e përqark kundër gjithë armiqve të vet, kundër Moabit,+ kundër bijve të Amonit,+ kundër Edomit,+ kundër mbretërve të Zobahut+ dhe kundër filistinëve.+ Ngado që drejtohej, zbatonte dënimin që ishte dhënë për ta.+ 48 Ai vazhdoi të vepronte trimërisht,+ goditi Amalekun+ dhe çliroi Izraelin nga dora e zhvatësve.
49 Bijtë e Saulit ishin Jonatani,+ Ishviu dhe Malki-Shua.+ Emrat e dy bijave të tij ishin: Meraba,+ e parëlindura, dhe Mikala,+ e vogla. 50 Emri i gruas së Saulit ishte Ahinoam, bija e Ahimaazit, kurse emri i kreut të ushtrisë së tij ishte Abner,+ biri i Nerit, ungjit të Saulit. 51 Kishi+ ishte i ati i Saulit, ndërsa Neri,+ i ati i Abnerit, ishte biri i Abielit.
52 Lufta kundër filistinëve vazhdoi e ashpër gjatë gjithë ditëve të Saulit.+ Kur Sauli shihte ndonjë burrë të fuqishëm a ndonjë njeri trim, e merrte me vete.+