Eksodi
18 Jetroi, prifti i Midianit, vjehrri i Moisiut,+ dëgjoi gjithçka që kishte bërë Perëndia për Moisiun dhe Izraelin, popullin e tij, dhe se si Jehovai e kishte nxjerrë Izraelin nga Egjipti.+ 2 Kështu Jetroi, vjehrri i Moisiut, mori Ziporën, gruan e Moisiut, që ky e kishte dërguar atje, 3 dhe dy bijtë e saj.+ Njëri quhej Gershom,+ «sepse,—si tha Moisiu,—jam një i ardhur në vend të huaj». 4 Tjetri quhej Eliezer,+ «sepse,—si tha Moisiu,—Perëndia i atit tim është ndihma ime, dhe më çliroi nga shpata e faraonit».+
5 Kështu, Jetroi, vjehrri i Moisiut, bijtë dhe gruaja e tij vajtën te Moisiu në shkretëtirë, ku ai kishte ngritur kampin, në malin e Perëndisë së vërtetë.+ 6 Pastaj i çoi fjalë Moisiut: «Unë, vjehrri yt, Jetroi,+ kam ardhur te ti, bashkë me gruan tënde dhe me dy bijtë e saj.» 7 Menjëherë, Moisiu doli jashtë të takonte vjehrrin, ra përmbys dhe e puthi.+ Pastaj nisën të pyetnin shoqi-shoqin se si ia kishin kaluar. Më pas, hynë në tendë.
8 Moisiu nisi t’i tregonte vjehrrit gjithçka që Jehovai i kishte bërë faraonit dhe Egjiptit për shkak të Izraelit,+ tërë vështirësitë që kishin hequr udhës,+ por edhe se si po i çlironte Jehovai.+ 9 Kështu, Jetroi u gëzua kur dëgjoi për gjithë të mirat që i kishte bërë Izraelit Jehovai dhe që i kishte çliruar nga dora e Egjiptit.+ 10 Atëherë, Jetroi tha: «Bekuar qoftë Jehovai, që ju ka çliruar nga dora e Egjiptit dhe nga dora e faraonit, dhe që e ka çliruar popullin nga zgjedha e Egjiptit!+ 11 Tani e di që Jehovai është më i madh se gjithë perënditë e tjera,+ sepse e tregoi këtë kur egjiptianët vepruan me arrogancë* kundër izraelitëve.» 12 Pastaj, Jetroi, vjehrri i Moisiut, bëri një blatim të djegur dhe flijime për Perëndinë.+ Aaroni dhe gjithë pleqtë e Izraelit shkuan të hanin bukë me vjehrrin e Moisiut, përpara Perëndisë së vërtetë.+
13 Të nesërmen, Moisiu u ul si zakonisht që të gjykonte para popullit,+ dhe populli qëndroi para tij, nga mëngjesi deri në mbrëmje. 14 Vjehrri i tij pa gjithçka që bënte ai për popullin. Prandaj e pyeti: «Ç’po bën kështu me popullin? Përse ulesh i vetëm, kurse gjithë populli rri para teje nga mëngjesi në mbrëmje?» 15 Atëherë Moisiu iu përgjigj: «Sepse populli vjen tek unë për të pyetur Perëndinë.+ 16 Në rast se lind ndonjë çështje mes tyre,+ dalin para meje dhe unë gjykoj mes palëve, si dhe u bëj të njohura vendimet e Perëndisë së vërtetë dhe ligjet e tij.»+
17 Vjehrri ia ktheu: «Nuk është mirë kështu si vepron ti. 18 Do të rraskapiteni, ti dhe populli, sepse kjo punë është goxha ngarkesë për ty.+ S’mund ta bësh vetëm.+ 19 Tani, më dëgjo.+ Unë do të të jap një këshillë, dhe Perëndia qoftë me ty!+ Ti shërbe si përfaqësues për popullin para Perëndisë së vërtetë+ dhe çoje çështjen para Perëndisë së vërtetë.+ 20 Tregoju rregullat dhe ligjet.+ Bëju të njohur udhën ku duhet të ecin dhe çfarë duhet të bëjnë.+ 21 Megjithatë, zgjidh nga populli burra të zotë,+ që i frikësohen Perëndisë,+ të denjë për besim+ dhe që e urrejnë përfitimin e padrejtë.+ Vendosi këta mbi popullin si krerë të mijësheve,+ të qindësheve, të pesëdhjetësheve dhe të dhjetësheve.+ 22 Le ta gjykojnë ata popullin sa herë të ketë nevojë. Çdo çështje të madhe ta paraqitin ty,+ por çdo çështje të vogël ta gjykojnë vetë. Kështu lehtëson veten, dhe ata mbajnë ngarkesën bashkë me ty.+ 23 Nëse vepron në këtë mënyrë, duke shpresuar që Perëndia po të urdhëron kështu, ke për t’i bërë ballë punës, dhe njerëzit do të kthehen në paqe në shtëpitë e veta.»+
24 Moisiu e dëgjoi menjëherë vjehrrin dhe bëri gjithçka që i tha.+ 25 Zgjodhi burra të zotë nga gjithë Izraeli dhe i vuri si krerë të popullit,+ si krerë të mijësheve, të qindësheve, të pesëdhjetësheve dhe të dhjetësheve. 26 Ata e gjykonin popullin sa herë që kishte nevojë. Çështjet e rënda ia çonin Moisiut,+ kurse çështjet e vogla i gjykonin vetë. 27 Pastaj, Moisiu u nda me vjehrrin,+ i cili u kthye në vendin e vet.