Isaia
19 Shpallja kundër Egjiptit.+ Ja, Jehovai ka hipur mbi një re+ të shpejtë dhe po hyn në Egjipt. Perënditë e kota të Egjiptit do të dridhen prej tij,+ dhe zemra e egjiptianëve do të mpaket.+
2 «Unë do t’i nxit egjiptianët kundër njëri-tjetrit, dhe ata do të luftojnë vëllai kundër vëllait, shoku kundër shokut, qyteti kundër qytetit dhe mbretëria kundër mbretërisë.+ 3 Egjiptianët do të hutohen,+ dhe unë do t’ua ngatërroj planet.+ Ata do t’u drejtohen perëndive të kota,+ magjistarëve, mediumeve dhe atyre që kanë si zanat parathënien e ngjarjeve.+ 4 Unë do ta jap Egjiptin në duart e një zotërie të ashpër, dhe mbreti që do të sundojë mbi ta+ do të jetë shumë i fortë»,—thotë Zotëria i vërtetë, Jehovai i ushtrive.
5 Ujërat e detit do të thahen, kurse lumi do të shterojë dhe do të mbetet i thatë.+ 6 Lumenjtë do të bien erë të qelbur. Kanaleve të Nilit në Egjipt do t’u pakësohet uji e do të shterojnë.+ Kallami+ dhe xunkthi do të shkërmoqen. 7 Vendet e zhveshura buzë lumit Nil, te gryka e tij, dhe të gjitha tokat e mbjella të lumit Nil, do të thahen.+ Bimësia e tyre do të thahet dhe do ta marrë era. 8 Peshkatarët do të mbajnë zi dhe të gjithë ata që hedhin grepat në lumin Nil, do të jenë të pikëlluar. Edhe ata që shtrijnë rrjetat e peshkimit mbi sipërfaqen e ujërave, do të ligështohen.+ 9 Atyre që punojnë lirin e krehur,+ do t’u vijë turp. Kështu do të ndihen edhe ata që endin pëlhurë të bardhë në tezgjah. 10 Endësit+ e tij dhe gjithë punëtorët me pagesë që e kanë shpirtin të hidhëruar, do të ndihen të dërrmuar.
11 Princat e Zoanit+ janë vërtet të marrë. Më të mençurit e këshilltarëve të faraonit japin këshilla të paarsyeshme.+ E si mund t’i thoni faraonit: «Unë jam biri i të mençurve, biri i mbretërve të kohëve të lashta.» 12 Ku janë, pra, të mençurit e tu?+ A e dinë dhe a mund të të tregojnë se çfarë ka vendosur Jehovai i ushtrive për Egjiptin?+ 13 Princat e Zoanit kanë vepruar pa mend.+ Princat e Nofit+ janë mashtruar dhe prijësit+ e fiseve të Egjiptit e kanë çorientuar kombin. 14 Jehovai e ka turbulluar+ vendin dhe të parët e tij kanë bërë që Egjipti të endet nëpër tërë veprën e tij, ashtu si një i dehur endet nëpër të vjellën e vet.+ 15 Në Egjipt koka dhe bishti, bisku dhe xunkthi s’do të mund të bëjnë më asgjë.+
16 Atë ditë Egjipti do të bëhet si gratë. Ai do të dridhet+ dhe do të tmerrohet kur Jehovai i ushtrive t’i tregojë grushtin.+ 17 Egjipti do të mpaket nga frika+ për shkak të Judës. Kujtdo që do t’ia përmendin, do t’i hyjë tmerri, për shkak të asaj që ka vendosur Jehovai i ushtrive kundër tij.+
18 Atë ditë në Egjipt do të ketë pesë qytete+ që do të flasin gjuhën e Kanaanit+ dhe që do të betohen+ para Jehovait të ushtrive. Njëri prej tyre do të quhet Qyteti i Rrëzimit.
19 Atë ditë, në mes të Egjiptit+ do të ketë një altar kushtuar Jehovait, kurse buzë kufirit të tij do të gjendet një shtyllë kushtuar Jehovait. 20 Do të jenë një shenjë dhe një dëshmi për Jehovain e ushtrive në Egjipt.+ Ata do t’i thërrasin Jehovait për shkak të shtypësve,+ dhe ai do t’u dërgojë një shpëtimtar, po, një shpëtimtar të madh, që do t’i çlirojë.+ 21 Jehovai do të bëhet i njohur për egjiptianët.+ Atë ditë egjiptianët do ta njohin Jehovain, dhe do t’i bëjnë atij flijime e dhurata.+ Ata do të marrin një zotim para Jehovait dhe do ta mbajnë atë.+ 22 Jehovai do t’i japë Egjiptit një goditje.+ Goditja do të pasohet nga shërimi,+ dhe ata do të kthehen te Jehovai.+ Ai do ta pranojë përgjërimin e tyre e do t’i shërojë.+
23 Atë ditë do të ketë një rrugë+ që del nga Egjipti për në Asiri. Asiria do të vijë në Egjipt, dhe Egjipti në Asiri; e së bashku do të bëhen shërbëtorë të Tij. 24 Atë ditë Izraeli do të jetë i treti bashkë me Egjiptin dhe Asirinë,+ domethënë një bekim në mes të tokës,+ 25 sepse Jehovai i ushtrive do t’i ketë bekuar,+ duke thënë: «Bekuar qoftë Egjipti, populli im, Asiria, vepra e duarve të mia,+ dhe Izraeli, trashëgimia ime!»+