Psalm i Davidit.
103 Beko Jehovain, o shpirti im!+
Gjithë qenia ime të bekojë emrin e tij të shenjtë.+
2 Beko Jehovain, o shpirti im,
e mos i harro të gjitha ato që ka bërë.+
3 Atë që fal të gjitha fajet e tua,+
që shëron tërë sëmundjet e tua.+
4 Atë që e nxjerr jetën tënde nga gropa e varrit,+
Atë që të vë si kurorë dashamirësinë dhe mëshirën e tij.+
5 Atë që e ngop jetën tënde me të mira;+
dhe rinia jote përtërihet si ajo e shqiponjës.+
6 Jehovai bën vepra drejtësie,+
dhe mbron të drejtën e atyre që u hahet haku.+
7 Ai ia bëri të njohura udhët e tij Moisiut,+
dhe bijve të Izraelit ua bëri të njohur mënyrën se si vepron.+
8 Jehovai është i mëshirshëm dhe hirmadh,+
nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashamirësi.+
9 Ai nuk do të gjejë të meta gjithë kohën,+
as do të mbajë mëri tërë jetën.+
10 Ai nuk vepron me ne sipas mëkateve tona,+
dhe nuk na ndëshkon siç e meritojnë fajet tona.+
11 Sepse, ashtu si qiejt qëndrojnë më lart se toka,+
po aq lart qëndron edhe dashamirësia e tij për ata që i frikësohen.+
12 Sa larg është lindja nga perëndimi,+
aq larg nga ne i ka vënë shkeljet tona.+
13 Jehovai tregon mëshirë për këdo që i frikësohet atij,+
ashtu si një atë tregon mëshirë për bijtë e vet.+
14 Sepse ai e di mirë se si jemi formuar,+
dhe nuk harron që jemi pluhur.+
15 Ditët e vdekatarit janë si ato të barit të gjelbër,+
ai çel porsi lulja e fushës.+
16 Veç një erë t’i fryjë përsipër, e nuk është më;+
vendi i vet nuk e sheh më.+
17 Por dashamirësia e Jehovait vazhdon mot e jetë+
për ata që i frikësohen,+
e drejtësia e tij për bijtë e bijve,+
18 për ata që mbajnë besëlidhjen e tij+
dhe për ata që kujtojnë urdhërimet e tij dhe i zbatojnë.+
19 Jehovai e ka vendosur patundshmërisht fronin në qiej,+
dhe mbretëria e tij shtrihet mbi gjithçka.+
20 Bekoni Jehovain, ju, o engjëjt+ e tij shumë të fuqishëm, që përmbushni fjalën e tij,+
dhe u bindeni fjalëve që thotë ai.+
21 Bekoni Jehovain, të gjitha ju ushtritë e tij+ dhe
shërbëtorët e tij, që kryeni vullnetin e tij.+
22 Bekoni Jehovain, të gjitha ju krijesat e tij,+
në çdo vend ku sundon ai.+
Beko Jehovain, o shpirti im!+