Proverbat
28 Të ligjtë ia mbathin edhe kur nuk i ndjek kush,+ kurse të drejtët janë si një luan i ri që është i sigurt.+
2 Për shkak të shkeljeve të vendit, të shumtë janë princat+ e tij që pasojnë njëri-tjetrin, por falë një njeriu me aftësi dalluese dhe që e njeh të drejtën, princi do të mbetet gjatë.+
3 I vobekti që u ha hakun+ të përvuajturve, është si shiu që merr me vete çdo gjë, aq sa nuk ka më ushqim.
4 Njerëzit që e braktisin ligjin, lëvdojnë të ligun,+ por ata që e zbatojnë ligjin, indinjohen me ta.+
5 Njerëzit e dhënë pas së keqes nuk mund ta kuptojnë drejtësinë, kurse ata që e kërkojnë Jehovain mund të kuptojnë gjithçka.+
6 Më mirë është i vobekti që ecën me integritet, se njeriu dredharak, edhe pse i pasur.+
7 Një bir me kuptueshmëri e ruan ligjin,+ ndërsa kush shoqërohet me grykësit, poshtëron të atin.+
8 Fajdexhiu që i shumon pasuritë me kamatë,+ i mbledh për atë që u jep hir të përvuajturve.+
9 E pështirë është lutja+ e atij që e largon veshin për të mos dëgjuar ligjin.+
10 Kush i shpie të drejtët në udhë të keqe,+ do të bjerë vetë në gropë,+ ndërsa ata që janë të patëmetë, do të zotërojnë të mira.+
11 Njeriut të pasur i duket vetja+ i drejtë, por i varfri që ka aftësi dalluese e heton fund e krye.+
12 Sa bukur është kur ngazëllojnë+ të drejtët! Por kur çohen të ligjtë, njerëzit maskohen.+
13 Kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë,+ por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë.+
14 Lum njeriu që ka frikë përherë,+ por kush e ngurtëson zemrën, do të bjerë në mjerim.+
15 Si një luan që gjëmon dhe si një ari që vërsulet, është një sundimtar i lig mbi popullin e përvuajtur.+
16 Prijësi që s’ka aftësi të vërtetë dalluese është plot me praktika hileqare,+ por kush e urren përfitimin e padrejtë,+ do t’i zgjatë ditët e tij.
17 Njeriu mbi të cilin rëndon faji i gjakut të një shpirti, do të marrë arratinë derisa të përfundojë në gropë.+ Askush të mos e ndalë.
18 Kush ecën në mënyrë të patëmetë, do të shpëtojë,+ por kush është dredharak, do të bjerë menjëherë.+
19 Kush e kultivon tokën, do të ketë mjaft bukë,+ dhe kush shkon pas gjërave të kota, do të ketë mjaft varfëri.+
20 Njeriu me vepra të besueshme do të marrë shumë bekime,+ por kush nxiton të fitojë pasuri, s’do të mbetet i pafaj.+
21 Nuk është gjë e mirë t’i mbash anën dikujt,+ as që një burrë të kryejë shkelje për një copë bukë.
22 Njeriu me sy ziliqar ngutet të shtjerë në dorë gjëra me vlerë,+ por s’e di që mbi të do të pllakosë skamja.
23 Kush qorton dikë,+ pastaj do të gjejë më shumë pëlqim se ai që bën lajka me gjuhën e tij.
24 Kush grabit atin e nënën+ e tij dhe thotë: «Kjo nuk është shkelje»,+ është shok i atij që shkakton rrënim.
25 Kush është arrogant në shpirt, ndez grindje,+ por kush mbështetet te Jehovai, do të majmet.+
26 Kush i zë besë zemrës së vet, është budalla,+ por kush ecën me mençuri, do të shpëtojë.+
27 Kush i jep të vobektit, s’do të ketë skamje,+ por kush i kthen sytë mënjanë, do të marrë shumë mallkime.+
28 Kur ngrihen të ligjtë, njerëzit fshihen,+ por kur ata marrin fund, të drejtët shtohen.+