Eksodi
21 Këto janë ligjet që do t’u japësh atyre:+
2 ‘Në rast se blen një skllav hebre,+ ai do të jetë skllav për gjashtë vjet, por vitin e shtatë do të shkojë i lirë, pa paguar asgjë.+ 3 Nëse ka ardhur vetëm, vetëm do të shkojë. Nëse ka qenë burrë* i një gruaje, edhe gruaja e tij do të shkojë bashkë me të. 4 Nëse zotëria i ka dhënë një grua, dhe ajo i ka lindur bij e bija, gruaja dhe fëmijët e saj do të bëhen të zotërisë,+ kurse ai do të shkojë vetëm.+ 5 Por nëse skllavi këmbëngul: “Unë e dua zotërinë tim, gruan dhe fëmijët e mi, prandaj nuk dua të shkoj i lirë”,+ 6 atëherë zotëria i tij do ta nxjerrë para Perëndisë së vërtetë, do ta mbështetë te dera ose te shtalka dhe do t’i shpojë veshin me fëndyell. Kështu ai do të jetë skllavi i tij gjithë jetën.+
7 Në rast se një burrë shet të bijën si skllave,+ ajo nuk do të lirohet njësoj si një skllav. 8 Në rast se ajo nuk i pëlqen zotërisë së saj, dhe ai nuk e mban si konkubinë,*+ por vendos që ajo të shpengohet, ai nuk ka të drejtë t’ia shesë një populli të huaj, sepse ka vepruar pabesisht me të. 9 Por nëse e ka marrë për të birin, duhet ta trajtojë sipas së drejtës që u takon bijave.+ 10 Në rast se ai merr një grua tjetër, nuk do t’ia pakësojë së parës as ushqimin, as veshjen+ dhe do të përmbushë me të detyrën martesore.+ 11 Por nëse nuk ia plotëson këto tri gjëra, ajo do të shkojë e lirë pa paguar asgjë.
12 Kush godet një njeri dhe i shkakton vdekjen, do të vritet patjetër.+ 13 Por nëse një njeri nuk i kishte ngritur pritë tjetrit, dhe megjithatë Perëndia i vërtetë e lë këtë gjë të ndodhë nga dora e atij njeriu,+ atëherë unë do të caktoj një vend ku ai të ikë.+ 14 Në rast se një njeri nxehet me një tjetër, deri në atë pikë sa ta vrasë me dredhi,+ do ta marrësh, qoftë edhe nga altari tim, dhe do ta vrasësh.+ 15 Kush rreh babanë ose nënën, do të vritet patjetër.+
16 Kush rrëmben një njeri,+ edhe sikur ta shesë,+ edhe sikur t’i gjendet akoma në duar, do të vritet patjetër.+
17 Kush mallkon atin ose nënën, do të vritet patjetër.+
18 Në rast se disa burra grinden, dhe njëri e godet tjetrin me gurë ose me shat dhe ky nuk vdes, por zë shtratin, 19 nëse ngrihet dhe ecën i mbështetur në një shkop, ai që e goditi, nuk do të ndëshkohet. Do të japë vetëm një dëmshpërblim për kohën që tjetri ka humbur nga puna, derisa të shërohet plotësisht.
20 Në rast se dikush godet+ skllavin ose skllaven e tij me shkop, dhe ai ose ajo i vdes në dorë, atyre do t’u merret haku patjetër.+ 21 Megjithatë, nëse mbijeton për një a dy ditë, nuk do t’u merret haku, sepse i ka blerë me para.
22 Në rast se disa burra zihen me njëri-tjetrin dhe godasin një grua shtatzënë, dhe asaj i del fëmija+ jashtë, por nuk ndodh asnjë aksident vdekjeprurës, fajtori do të paguajë patjetër dëmin që do t’i kërkojë burri* i saj. Ai do të paguajë si të vendosin gjykatësit.+ 23 Por nëse ndodh ndonjë aksident vdekjeprurës, do ta paguajë shpirt për shpirt,+ 24 sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë,+ 25 djegie për djegie, plagë për plagë, goditje për goditje.+
26 Në rast se dikush godet skllaven a skllavin e tij në sy dhe ia dëmton, ai do ta lërë të shkojë i lirë, si dëmshpërblim për syrin.+ 27 Në qoftë se i thyen dhëmbin skllaves a skllavit të tij, do ta lërë të shkojë i lirë, si dëmshpërblim për dhëmbin.
28 Në rast se një dem godet me brirë një burrë a një grua, dhe ai njeri vdes, demi do të vritet patjetër me gurë,+ por mishi i tij nuk do të hahet. I zoti i demit nuk do të ndëshkohet. 29 Por nëse një dem edhe më parë e kishte zakon të godiste me brirë, dhe i zoti ishte paralajmëruar për këtë gjë, por nuk e ruante, dhe demi vret një burrë a një grua, ai do të vritet me gurë, e po kështu edhe i zoti. 30 Nëse i kërkohet të paguajë një shpërblesë, ai do të paguajë çmimin e shpengimit për shpirtin e vet, aq sa t’i kërkohet.+ 31 Edhe po të godasë një djalë a një vajzë, ai do të gjykohet po sipas këtij ligji.+ 32 Nëse demi ka goditur një skllav a një skllave, i zoti i demit do t’i paguajë pronarit të atij njeriu një çmim prej tridhjetë siklash,+ kurse demi do të vritet me gurë.
33 Në rast se dikush zbulon një gropë ose në rast se gërmon vetë një gropë, por nuk e mbulon, dhe një dem a një gomar bie brenda,+ 34 pronari i gropës do të paguajë dëmshpërblimin.+ Çmimin do t’ia paguajë të zotit, kurse kafsha e ngordhur do t’i takojë atij. 35 Në rast se demi i dikujt godet demin e një tjetri, dhe ai ngordh, demin e gjallë do ta shesin dhe paratë e paguara për të do t’i ndajnë bashkë. Edhe demin e ngordhur do ta ndajnë bashkë.+ 36 Por nëse dihej që demi edhe më parë e kishte zakon të godiste, por i zoti nuk e ruante,+ ai do të paguajë patjetër dëmshpërblimin,+ dem për dem, kurse demi i ngordhur do t’i takojë atij.