2 Mbretërve
7 Eliseu tha: «Dëgjoni fjalën e Jehovait.+ Kështu thotë Jehovai: ‘Nesër në këtë kohë, te porta e Samarisë, një sea majë mielli do të vlejë një sikël dhe dy sea elb do të vlejnë po një sikël.’»+ 2 Atëherë adjutanti, te dora e të cilit mbështetej+ mbreti, iu përgjigj njeriut të Perëndisë së vërtetë: «Edhe sikur Jehovai të hapë portat e qiejve,+ a mund të ndodhë, vallë, një gjë e tillë?»+ Ai ia ktheu: «Ja, ti do ta shohësh me sytë e tu,+ por s’do të hash.»+
3 Në hyrje të portës ndodheshin katër burra të lebrosur,+ të cilët nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Pse rrimë ulur këtu, që të vdesim? 4 Nëse do të thoshim: ‘Le të hyjmë në qytet’, kur në qytet ka zi buke, do të vdisnim atje.+ Edhe po të rrinim ulur këtu, do të vdisnim. Prandaj, ejani të hyjmë në kampin e sirianëve. Nëse na lënë gjallë, do të jetojmë, por dhe po na vranë, ne për të vdekur kemi.»+ 5 Atëherë ata u çuan në muzg të mbrëmjes për të hyrë në kampin e sirianëve. Kur arritën në skajet e kampit të sirianëve, panë që nuk kishte njeri.
6 Në fakt, Jehovai kishte bërë që në kampin e sirianëve të dëgjohej+ zhurmë karrocash lufte,+ zhurmë kuajsh dhe zhurma e një ushtrie të madhe, kështu që ata i kishin thënë njëri-tjetrit: «Ja, mbreti i Izraelit ka paguar mbretërit e hititëve+ dhe mbretërit e Egjiptit+ për të dalë kundër nesh!» 7 Ata ishin ngritur e ia kishin mbathur menjëherë në të ngrysur,+ duke i lënë tendat, kuajt+ dhe gomarët e tyre, gjithë kampin, dhe kishin ikur për të shpëtuar kokën.*+
8 Kur këta të lebrosur arritën në skajet e kampit, hynë në njërën tendë dhe filluan të hanin e të pinin. Ata morën nga ajo argjend, ar e rroba dhe ikën e i fshehën. Pas kësaj u kthyen dhe hynë në një tendë tjetër, morën edhe nga ajo gjëra dhe ikën e i fshehën.+
9 Pastaj nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Kjo që po bëjmë nuk është e drejtë. Kjo ditë është ditë sihariqi!+ Nëse ngurrojmë dhe presim derisa të dalë drita e mëngjesit, do të na bjerë neve faji.+ Të shkojmë pra, dhe të njoftojmë në shtëpinë e mbretit.» 10 Kështu ata vajtën, u thirrën derëtarëve+ të qytetit dhe i njoftuan: «Ne vajtëm në kampin e sirianëve dhe atje nuk kishte njeri e nuk dëgjohej zë njeriu, por kishte vetëm kuaj dhe gomarë të lidhur, si dhe tenda të paprekura.»+ 11 Atëherë derëtarët thirrën dhe njoftuan në shtëpinë e mbretit.
12 Menjëherë mbreti u çua natën dhe u tha shërbëtorëve të tij:+ «Ju them unë se çfarë kanë bërë sirianët.+ Ata e dinë mirë se ne jemi të uritur,+ kështu që kanë ikur nga kampi për t’u fshehur në fushë+ se kanë thënë: ‘Ata do të dalin nga qyteti, dhe ne do t’i zëmë të gjallë e do të hyjmë në qytet.’» 13 Atëherë një nga shërbëtorët e tij tha: «Le të dërgojmë, të lutem, disa burra që të marrin pesë kuaj nga ata që kanë mbetur në qytet.+ Për ta njësoj është: nëse kthehen, do të jenë si gjithë turma e Izraelit që ka mbetur, nëse jo, do të jenë njësoj si të gjithë ata që kanë vdekur.+ Le t’i dërgojmë e të shohim.» 14 Kështu, ata burra morën dy karroca me kuaj dhe mbreti i dërgoi pas ushtrisë siriane e u tha: «Shkoni e shihni.» 15 Atëherë këta shkuan pas tyre deri në Jordan dhe panë se gjithë udha ishte plot me rroba dhe enë+ që sirianët i kishin flakur teksa nxitonin për të ikur.+ Pastaj lajmëtarët u kthyen dhe i raportuan mbretit.
16 Menjëherë populli doli dhe plaçkiti+ kampin e sirianëve. Kështu, një sea majë mielli vlejti një sikël dhe dy sea elb vlejtën po një sikël, si kishte thënë+ Jehovai. 17 Mbreti e kishte caktuar adjutantin, në dorën e të cilit mbështetej,+ që të ruante portën, por turma e popullit e shkeli me këmbë,+ dhe ai vdiq, ashtu si kishte thënë njeriu i Perëndisë së vërtetë,+ kur foli në kohën që mbreti shkoi tek ai. 18 Pra, ndodhi ashtu siç i kishte thënë mbretit njeriu i Perëndisë së vërtetë: «Nesër në këtë kohë, te porta e Samarisë dy sea elb do të vlejnë një sikël dhe një sea majë mielli do të vlejë po një sikël.»+ 19 Por adjutanti i kishte thënë njeriut të Perëndisë së vërtetë: «Edhe sikur Jehovai të hapë portat e qiejve, a mund të ndodhë ajo që thua ti?»+ Ai ia kishte kthyer: «Ja, ti do ta shohësh me sytë e tu, por s’do të hash.»+ 20 E pra, atij i ndodhi pikërisht kështu.+ Populli e shkeli me këmbë+ te porta, dhe ai vdiq.