Ezekieli
47 Ai më çoi përsëri te hyrja e Shtëpisë,+ dhe ja, poshtë pragut të Shtëpisë dilte ujë+ në drejtim të lindjes,+ sepse pjesa e përparme e Shtëpisë ishte nga lindja. Uji zbriste poshtë nga ana e djathtë e Shtëpisë, duke kaluar në jug të altarit.
2 Pastaj më nxori jashtë nga porta e veriut+ dhe më çoi rrotull, duke shkuar deri te porta e jashtme që është nga lindja,+ dhe ja, nga ana e djathtë rridhte ujë.+
3 Burri shkoi drejt lindjes me një litar për matje në dorë+ dhe mati një mijë kute. Pastaj më vuri të kaloja ujin, që më arrinte deri te kyçi i këmbës.
4 Ai mati edhe një mijë kute të tjera, dhe pastaj më vuri të kaloja ujin, që më arrinte deri te gjuri.
Mati edhe një mijë kute të tjera dhe më vuri të kaloja ujin, që më arrinte deri në mes.
5 Mati edhe një mijë kute të tjera dhe ja, një përrua që nuk e kaloja dot, sepse ishte aq thellë sa mund të notoja. Ishte një përrua që nuk mund të kalohej më këmbë.
6 Ndërkaq ai më tha: «E pe, o bir njeriu?»
Pastaj më nxori nga përroi dhe më ktheu prapë në breg të tij. 7 Unë u ktheva, kur ja, buzë përroit kishte shumë e shumë pemë, si nga njëra anë edhe nga ana tjetër.+ 8 Ai më tha: «Ky ujë shkon drejt zonës lindore. Ai do të zbresë nëpër Arabah+ dhe do të derdhet në det.+ Meqenëse derdhet atje,+ uji i detit do të shërohet. 9 Çdo shpirt i gjallë që gëlon+ kudo ku arrin përroi me vëllim të dyfishuar, do të gjallërohet. Do të ketë shumë peshq, sepse atje shkon ky ujë. Uji i detit do të shërohet,+ dhe atje ku shkon përroi, gjithçka do të vijë në jetë.
10 Gjatë brigjeve të detit, nga En-Gedi+ deri në En-Eglaim, do të ketë peshkatarë. Atje do të ketë vend për të tharë rrjetat. Peshku i tij do të jetë si llojet e peshkut në Detin e Madh,+ dhe me shumicë.
11 Kënetat dhe moçalet e tij nuk do të shërohen,+ përkundrazi do të lihen për kripë.+
12 Përgjatë brigjeve të përroit, edhe nga njëra anë, edhe nga ana tjetër e tij, do të mbijë çdo lloj peme për ushqim.+ Gjethnaja e tyre nuk do të thahet+ dhe frytet e tyre nuk do të mbarojnë.+ Ato do të japin fryt muaj për muaj, sepse uji që i ujit del nga vetë shenjtërorja.+ Frytet e tyre do të shërbejnë për ushqim, kurse gjethnaja për shërim.»+
13 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: «Ky është territori që do t’u caktoni dymbëdhjetë fiseve të Izraelit si vend për ta trashëguar. Jozefi do të ketë dy pjesë.+ 14 Ju do ta trashëgoni, dhe do të marrë secili sa vëllai i vet. Do ta trashëgoni atë vend, për të cilin u betova duke ngritur dorën+ se do t’ua jepja paraardhësve tuaj.+ Ky vend do t’ju jepet me short si trashëgimi.+
15 Kufiri i vendit nga ana e veriut do të jetë nga Deti i Madh, duke kaluar nëpër Hethlon+ për në rrugën që të çon në Zedad,+ 16 Hamath,+ Berotah,+ Sibraim, që gjendet midis kufirit të Damaskut+ dhe Hamathit, dhe Hazer-Hatikon, që është në kufi me Hauranin.+ 17 Pra, kufiri do të jetë nga deti deri në Hazar-Enon,+ që është në kufi me Damaskun, duke vazhduar drejt veriut deri në kufi me Hamathin.+ Kjo është ana veriore.
18 Kufiri lindor fillon midis Hauranit+ e Damaskut+ dhe mbaron midis Galaadit+ e vendit të Izraelit, përgjatë Jordanit.+ Matjen duhet ta filloni nga kufiri drejt detit lindor. Kjo është ana lindore.
19 Kufiri jugor shtrihet në jug nga Tamara+ deri në ujërat e Meribat-Kadeshit,+ pastaj përgjatë luginës së përroit të Egjiptit+ deri në Detin e Madh. Kjo është ana jugore në drejtim të Negebit.
20 Kufiri perëndimor është Deti i Madh, nga kufiri jugor deri në hyrje të Hamathit.+ Kjo është ana perëndimore.
21 Ju do ta ndani këtë vend mes jush për dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 22 Ju do ta ndani si trashëgimi mes jush+ dhe atyre që banojnë si të ardhur në gjirin tuaj+ e që kanë lindur bij. Ata do të jenë për ju si vendës mes bijve të Izraelit. Bashkë me ju, ata do të marrin me short një trashëgimi mes fiseve të Izraelit.+ 23 Duhet t’ua jepni trashëgiminë në fisin ku ata banojnë si të ardhur,—thotë Zotëria Sovran Jehova.