Eksodi
16 Më vonë, u nisën nga Elimi+ dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit mbërriti më në fund në shkretëtirën e Sinit,+ që ndodhet mes Elimit dhe Sinait, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë pas daljes nga vendi i Egjiptit.
2 Tërë asambleja e bijve të Izraelit nisi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aaronit në shkretëtirë.+ 3 Bijtë e Izraelit u thoshin atyre: «Oh, sikur të kishim vdekur+ nga dora e Jehovait në vendin e Egjiptit, kur rrinim ulur pranë kazanëve të mishit,+ kur hanim bukë sa ngopeshim, sepse ju na keni nxjerrë në këtë shkretëtirë, që ky kongregacion të vdesë nga zia e bukës!»+
4 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Unë do të bëj që të bjerë bukë nga qielli+ për ju. Populli të dalë, dhe secili të mbledhë racionin e vet të përditshëm,+ me qëllim që t’i vë në provë e të shoh nëse do të ecin apo jo sipas ligjit tim.+ 5 Ditën e gjashtë+ të përgatitin atë që do të mbledhin, dhe ka për të qenë dyfishi i asaj që mbledhin çdo ditë.»+
6 Prandaj, Moisiu dhe Aaroni u thanë gjithë bijve të Izraelit: «Në mbrëmje keni për ta marrë vesh se Jehovai ju ka nxjerrë nga vendi i Egjiptit.+ 7 Në mëngjes do të shihni lavdinë e Jehovait,+ sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër Jehovait. Cilët jemi ne, që të murmuritni kundër nesh?» 8 Moisiu vazhdoi: «Keni për ta parë këtë kur Jehovai t’ju japë në mbrëmje mish për të ngrënë dhe në mëngjes bukë sa të ngopeni, sepse Jehovai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja kundër tij. Por ne cilët jemi? Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Jehovait.»+
9 Moisiu vazhdoi t’i thoshte Aaronit: «Thuaji gjithë asamblesë së bijve të Izraelit: ‘Afrohuni pranë Jehovait, sepse ai i ka dëgjuar murmuritjet tuaja.’»+ 10 Kështu, sapo Aaroni foli me gjithë asamblenë e bijve të Izraelit, ata kthyen fytyrën nga shkretëtira dhe ja, lavdia e Jehovait u shfaq në re.+
11 Jehovai i tha prapë Moisiut: 12 «I kam dëgjuar murmuritjet e bijve të Izraelit.+ Thuaju atyre: ‘Ndaj të ngrysur do të hani mish dhe në mëngjes do të ngopeni me bukë,+ dhe keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, Perëndia juaj.’»+
13 Kështu, në mbrëmje shkurtat+ nisën të vinin e të mbulonin kampin, kurse në mëngjes rreth e qark kampit kishte një shtresë vese.+ 14 Pastaj, shtresa e vesës avulloi dhe ja, në sipërfaqe të shkretëtirës dukeshin ca si petëza të holla,+ të imëta si bryma+ mbi tokë. 15 Kur bijtë e Izraelit e panë, nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Ç’është kjo?» Sepse nuk e dinin ç’ishte. Prandaj, Moisiu u tha: «Është buka që Jehovai ju ka dhënë si ushqim.+ 16 Kështu urdhëron Jehovai: ‘Secili të mbledhë aq sa mund të hajë. Mblidhni një omer+ për kokë, për aq shpirt sa ka secili në tendën e tij.’» 17 Prandaj bijtë e Izraelit nisën të mblidhnin, kush më shumë e kush më pak. 18 Kur e peshonin me omerë, kush kishte mbledhur shumë, nuk kishte tepër dhe kush kishte mbledhur pak, nuk kishte mangët.+ Secili mblodhi aq sa mund të hante.
19 Atëherë Moisiu u tha: «Askush të mos lërë asgjë deri në mëngjes.»+ 20 Por ata nuk e dëgjuan Moisiun. Disa lanë diçka deri në mëngjes, dhe ajo zuri krimba e lëshoi një erë të qelbur.+ Prandaj, Moisiu u indinjua me ta.+ 21 Kështu, ata e mblidhnin mëngjes+ për mëngjes, secili aq sa mund të hante. Kur dielli nxehej, ajo shkrihej.
22 Ditën e gjashtë mblodhën dyfishin e bukës,+ dy omerë për njeri. Kështu, gjithë prijësit e asamblesë erdhën dhe ia njoftuan Moisiut. 23 Ai u tha: «Kështu thotë Jehovai: Nesër do të mbahet sabati, një sabat i shenjtë për Jehovain.+ Piqni ç’keni për të pjekur dhe zieni ç’keni për të zier.+ Ç’t’ju teprojë, hiqeni mënjanë dhe ruajeni deri në mëngjes.» 24 Prandaj, ata e hoqën mënjanë deri në mëngjes, ashtu si urdhëroi Moisiu, dhe ajo nuk ra erë të qelbur dhe nuk zuri vemje.+ 25 Atëherë Moisiu u tha: «Hajeni sot, sepse sot është sabat+ për Jehovain, dhe nuk do ta gjeni në fushë. 26 Për gjashtë ditë do ta mblidhni, por ditën e shtatë është sabat.+ Atë ditë nuk do të ketë.» 27 Megjithatë, ditën e shtatë, disa nga populli dolën për të mbledhur, por nuk gjetën gjë.
28 Prandaj, Jehovai i tha Moisiut: «Deri kur nuk do të pranoni t’u bindeni urdhërimeve dhe ligjeve të mia?+ 29 Mbani mend se Jehovai ju ka dhënë sabatin.+ Ja përse ditën e gjashtë ai ju jep bukën e dy ditëve. Secili të rrijë ulur në vendin e vet.+ Askush të mos dalë që aty ditën e shtatë.» 30 Kështu, populli e mbante sabatin ditën e shtatë.+
31 Shtëpia e Izraelit e quajti atë ushqim «mana».* Ajo ishte e bardhë si fara e koriandrit dhe shijen e kishte si të kuleçve të hollë me mjaltë.+ 32 Atëherë Moisiu tha: «Kështu urdhëron Jehovai: ‘Mblidhni një omer mana dhe ruajeni brez pas brezi,+ me qëllim që ata të shohin bukën që ju dhashë të hanit në shkretëtirë, kur ju nxora nga vendi i Egjiptit.’»+ 33 Pastaj, Moisiu i tha Aaronit: «Merr një enë, hidh brenda një omer të plotë manë, dhe vëre përpara Jehovait, që të ruhet brez pas brezi.»+ 34 Aaroni bëri ashtu si e urdhëroi Jehovai Moisiun, dhe e vuri atë përpara Dëshmisë+ për t’u ruajtur. 35 Bijtë e Izraelit hëngrën manë për dyzet vjet,+ derisa vajtën në një vend të banuar.+ Ata hëngrën manë derisa mbërritën në kufirin e vendit të Kanaanit.+ 36 Një omer është një e dhjeta e një efe.