Zanafilla
46 Kështu, Izraeli dhe gjithë ata që ishin me të, u shkulën me gjithë ç’kishin dhe shkuan në Beer-Shebë,+ ku ai i bëri flijime Perëndisë së atit të tij, Isakut.+ 2 Atëherë Perëndia i tha Izraelit në vegime natën:+ «Jakob, Jakob!» Ai i tha: «Ja ku jam!»+ 3 Ai vazhdoi: «Unë jam Perëndia i vërtetë,+ Perëndia i atit tënd.+ Mos ki frikë të zbresësh në Egjipt, sepse atje do të të bëj një komb të madh.+ 4 Unë vetë do të zbres bashkë me ty në Egjipt, dhe unë vetë do të të ngjit prapë.+ Dhe Jozefi do të t’i mbyllë sytë me dorën e vet.»+
5 Pas kësaj, Jakobi u nis nga Beer-Sheba, dhe bijtë e Izraelit e morën atin e tyre, të vegjlit dhe gratë e tyre në qerret që faraoni kishte dërguar për të.+ 6 Morën me vete edhe tufat dhe të mirat që kishin grumbulluar në vendin e Kanaanit.+ Më në fund, Jakobi dhe gjithë pasardhësit e tij mbërritën në Egjipt. 7 Ai mori me vete në Egjipt gjithë pasardhësit e tij, bijtë me bijtë e bijve, dhe bijat me bijtë e bijave.+
8 Këta janë emrat e bijve të Izraelit, që erdhën në Egjipt,+ të Jakobit dhe bijve të tij: i parëlinduri i Jakobit, Rubeni.+
9 Bijtë e Rubenit ishin: Hanoku, Palui, Hezroni dhe Karmi.+
10 Bijtë e Simeonit+ ishin: Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini,+ Zohari dhe Shauli,+ biri i një kananiteje.
11 Bijtë e Levit+ ishin: Gershoni,+ Kehathi+ dhe Merari.+
12 Bijtë e Judës+ ishin: Eri,+ Onani,+ Shelahu,+ Perezi+ dhe Zerahu.+ Por, Eri dhe Onani vdiqën në vendin e Kanaanit.+
13 Bijtë e Isakarit+ ishin: Tola,+ Puvahu,+ Iobi dhe Shimroni.+
14 Bijtë e Zabulonit+ ishin: Seredi, Eloni dhe Jahleli.+
15 Këta janë bijtë e Leas,+ që ajo i lindi Jakobit në Padan-Aram, si dhe bija e tij, Dina.+ Bijtë dhe bijat e tij ishin gjithsej tridhjetë e tre shpirt.
16 Bijtë e Gadit+ ishin: Zifioni, Hagi, Shuni, Ezboni, Eri, Arodi dhe Areli.+
17 Bijtë e Asherit+ ishin: Imnahu, Ishvahu, Ishvi, Beriahu+ dhe Sera, motra e tyre.
Bijtë e Beriahut ishin Heberi dhe Malkieli.+
18 Këta ishin bijtë e Zilpës,+ të cilën Labani ia dha bijës së tij Leas. Ajo i lindi Jakobit gjashtëmbëdhjetë shpirt.
19 Bijtë e Rakelës,+ gruas së Jakobit, ishin Jozefi+ dhe Beniamini.+
20 Në vendin e Egjiptit, Asenata,+ bija e Potiferait, priftit të Onit, i lindi Jozefit Manaseun+ dhe Efraimin.+
21 Bijtë e Beniaminit ishin: Belahu,+ Bekeri,+ Ashbeli, Gerau,+ Naamani,+ Ehi, Roshi, Mupimi,+ Hupimi+ dhe Ardi.
22 Këta ishin bijtë e Rakelës, që i lindën Jakobit. Gjithsej ishin katërmbëdhjetë shpirt.
23 Bijtë e Danit+ ishin Hushimi.+
24 Bijtë e Neftalit+ ishin: Jahzeli, Guni,+ Jeseri dhe Shilemi.+
25 Këta ishin bijtë e Bilhasë,+ të cilën Labani ia dha së bijës, Rakelës. Ajo i lindi Jakobit gjithsej shtatë shpirt.
26 Përveç grave të bijve të Jakobit, gjithë të tjerët që vajtën me Jakobin në Egjipt kishin dalë nga pjesa e sipërme e kofshës së tij.+ Ata ishin gjithsej gjashtëdhjetë e gjashtë shpirt. 27 Jozefit i kishin lindur në Egjipt dy djem. Kështu, tërë shtëpia e Jakobit në Egjipt kishte gjithsej shtatëdhjetë shpirt.+
28 Ai dërgoi përpara Judën+ te Jozefi, që të jepte e të merrte që më përpara të dhëna për Goshenin. Pastaj, hynë në vendin e Goshenit.+ 29 Atëherë Jozefi bëri gati karrocën dhe u ngjit për të takuar Izraelin, atin e tij, në Goshen.+ Kur i doli përpara, ai iu hodh menjëherë në qafë dhe qau gjatë i përqafuar me të atin.+ 30 Më në fund, Izraeli i tha Jozefit: «Tani që e pashë fytyrën tënde, le të vdes,+ sepse je ende gjallë!»
31 Atëherë Jozefi u tha vëllezërve dhe njerëzve të shtëpisë së të atit: «Po ngjitem që t’i them faraonit:+ ‘Vëllezërit e mi dhe njerëzit e shtëpisë së atit tim, që ishin në vendin e Kanaanit, kanë ardhur këtu tek unë.+ 32 Ata janë barinj+ dhe rritës bagëtish,+ prandaj kanë sjellë këtu edhe kopetë e tufat e tyre.’+ 33 Kur faraoni t’ju thërrasë e t’ju pyesë: ‘Me çfarë merreni?’, 34 përgjigjjuni: ‘Që nga rinia e deri tani, shërbëtorët e tu kanë qenë rritës bagëtish, ne dhe paraardhësit tanë.’+ Kështu do t’ju lënë të banoni në vendin e Goshenit,+ sepse barinjtë e dhenve janë të pështirë për egjiptianët.»+