Josiu
20 Pastaj Jehovai i tha Josiut: 2 «Thuaju bijve të Izraelit: ‘Caktoni qytetet e strehimit,+ për të cilët ju fola me anë të Moisiut, 3 që atje të ikë me të shpejtë ai+ që vret një shpirt pa paramendim dhe pa dashje. Ato do t’ju shërbejnë si strehim nga gjakmarrësi.+ 4 Ai duhet të ikë+ në një nga këto qytete, të qëndrojë në hyrje të portës+ së qytetit dhe t’u thotë ç’ka për të thënë pleqve+ të atij qyteti, të cilët do ta dëgjojnë. Këta do ta pranojnë në qytetin e tyre, do t’i gjejnë një vend dhe ai do të banojë me ta. 5 Në rast se gjakmarrësi e ndjek, atëherë ata nuk duhet ta dorëzojnë atë që ka vrarë në duart e tij,+ sepse ai e ka vrarë tjetrin pa dashje dhe pa e urryer më parë.+ 6 Ai duhet të banojë në atë qytet gjersa të dalë para asamblesë për gjykim,+ gjer në vdekjen e kryepriftit+ që është ato ditë. Atëherë ai që ka vrarë mund të kthehet+ dhe të hyjë në qytetin dhe në shtëpinë e tij, në qytetin nga i cili kishte ikur.’»
7 Kështu, pra, ata shpallën të shenjtë Kedeshin+ në Galile, në rajonin malor të Neftalit, Sikemin+ në rajonin malor të Efraimit dhe Kiriat-Arbën,+ domethënë Hebronin, në rajonin malor të Judës. 8 Kurse në viset e Jordanit, në Jeriko, në drejtim të lindjes dhanë Bezerin+ në shkretëtirën që gjendet në rrafshnaltë, nga fisi i Rubenit,+ Ramotin+ në Galaad, nga fisi i Gadit, dhe Golanin+ në Bashan, nga fisi i Manaseut.
9 Këto ishin qytetet që u caktuan për tërë bijtë e Izraelit dhe për të ardhurit që banonin mes tyre, që atje të ikte me të shpejtë kushdo që kishte vrarë padashur+ një shpirt, me qëllim që të mos vdiste nga dora e gjakmarrësit, gjersa të dilte para asamblesë.+