21 Atëherë Jobi iu përgjigj me fjalët:
2 «Dëgjojini mirë fjalët që do t’ju them,
dhe ato le të jenë ngushëllim për ju.
3 Kini durim me mua e më lini të flas;
e pasi të kem folur, më shpotitni+ sa të doni.
4 Mos vallë unë ia shpreh shqetësimin ndonjë njeriu?!
Përndryshe, si do të duronte shpirti im?!
5 Kthehuni nga unë, shikomëni të shtangur
dhe mbylleni gojën.+
6 Kur e kujtoj, tronditem edhe vetë,
e më zënë dridhmat.
7 Pse, pra, të ligjtë rrojnë,+
plaken dhe vënë një mal me pasuri?+
8 Pasardhësit u rriten të sigurt para syve,
të bijtë begatohen para tyre.
9 Në shtëpitë e tyre sundon paqja e jo frika,+
shkopi i Perëndisë nuk bie mbi ta.
10 Demi i tyre mbars pa e çuar dëm farën;
lopa u pjell e nuk dështon.+
11 I nxjerrin vogëlushët të lodrojnë si kope qengjash,
e djemtë të kërcejnë plot hare.
12 I bashkojnë zërat me tingullin e dajres dhe të harpës,+
dhe gëzojnë nga melodia e pipëzës.
13 I kalojnë ditët si s’ka më mirë,+
dhe brenda një çasti zbresin pa dhembje në Sheol.
14 I thonë Perëndisë së vërtetë: ‘Largohu nga ne!+
Nuk na pëlqen të njohim udhët e tua.+
15 Kush është i Plotfuqishmi që u dashka t’i shërbejmë?+
Ç’fitojmë po të flasim me të?’+
16 E pra, ata nuk e kanë në dorë mirëqenien e tyre.+
Këshillave të të ligjve u rri larg.+
17 Sa herë u është shuar llamba të ligjve?+
Sa herë ka rënë gjëma mbi ta?
Sa herë i ka shkatërruar Perëndia nga zemërimi?+
18 A bëhen ata si kashta para erës,+
dhe si byku që e rrëmben furtuna?
19 Perëndia i ruan të këqijat që bën i ligu, për të ndëshkuar bijtë e tij,+
dhe i ligu do ta dijë se ai e ka shpaguar.+
20 Me sytë e tij do të shohë se si do të rrëgjohet,
dhe tërbimin e të Plotfuqishmit do të pijë.+
21 Ç’do të gëzojë në shtëpi pasi të ikë,
përderisa muajt e tij do të priten në mes?+
22 Mos do ta mësojë ai Perëndinë,+
kur ky të gjykojë ata që qëndrojnë në vend të lartë?+
23 Ai do të vdesë në kulmin e begatisë,+
kur të jetë i qetë dhe rehat;
24 kur kofshët t’i jenë trashur nga dhjami,
dhe palcën e kockave ta ketë plot njomësi,
25 kurse tjetri vdes me shpirt të helmuar
e pa shijuar asnjë të mirë.+
26 Të dy tok do të dergjen në pluhur,+
e vemjet do të jenë mbulojë për ta.+
27 E pra, jua njoh mirë mendimet
dhe planet me të cilat doni të më bëni keq.+
28 Se thoni: ‘Ku është shtëpia e atyre që mbahen për fisnikë?
Të ligjtë ku i kanë tendat e tabernakujt?’+
29 A nuk i pyesni, vallë, shtegtarët?
Vallë, nuk ua vini mendjen dëshmive të tyre,
30 se ditën e gjëmës i ligu kursehet,+
dhe ditën e zemërimit të furishëm çlirohet?
31 Kush ia përplas udhët e tij në fytyrë?+
Kush do ta shpaguajë për ato që ka bërë?+
32 Ai do të përfundojë në gropën e varrit,+
mbi varrin e tij do të rrijë një rojë.
33 Plisat e dheut nga luginat do të jenë të butë për të.+
Ai do të tërheqë pas vetes tërë njerëzit,+
dhe ata që shkuan para tij, janë të panumërt.
34 Si, pra, më ngushëlloni me fjalë të kota,+
e më përgjigjeni veç me gënjeshtra?!»