13 Syri im i ka parë të gjitha këto,
veshi im i ka dëgjuar dhe i ka kuptuar.
2 Ato që dini ju, i di fare mirë edhe unë;
nuk qëndroj më poshtë se ju.+
3 Por, sa do të doja t’i flisja të Plotfuqishmit,+
sa do të më pëlqente të diskutoja me Perëndinë!
4 Se ju i përbaltni të tjerët me gënjeshtra,+
dhe jeni mjekë që nuk shëroni.+
5 Do të ishte më e mençur
sikur të mos e hapnit fare gojën!+
6 Dëgjoni, tani, kundërpërgjigjen time,+
dhe vëruani veshin lutjeve që dalin nga buzët e mia.
7 Mos vallë do ta mbroni Perëndinë, duke thënë gjëra të padrejta
dhe duke nxjerrë nga goja mashtrime?+
8 Mos vallë do të jeni të njëanshëm?+
Mos vallë do t’i dilni krah Perëndisë së vërtetë në gjyq?
9 A do të ndaheshit mirë me të, sikur t’ju hetonte ju?+
Apo do të luani me të, siç luani me vdekatarin?
10 Ai do t’ju qortojë,+
nëse fshehtas mbani anën.+
11 Prej lavdisë së tij, a nuk do të brofni nga lemeria?
A nuk do t’ju kallë ai datën?+
12 Fjalët tuaja të paharruara janë dokrra në hi.
Gungat e trasha të mburojës suaj janë si prej argjile.+
13 Pushoni e më lini të flas unë.
Pastaj le të më ndodhë ç’të më ndodhë!
14 Pse ta mbaj shpirtin me dhëmbë,
e ta kem jetën në rrezik?+
15 Edhe sikur të donte të më vriste, do ta prisja,+
vetëm që të diskutoja me të për udhët e mia.
16 Ai do të ishte shpëtimi im,+
se asnjë apostat nuk del para tij.+
17 M’i dëgjoni fjalët deri në fund,+
vërjani veshin asaj që do të shpall.
18 Ja, unë po e paraqes për gjykim çështjen time,+
dhe e di mirë se kam të drejtë.
19 Kush do të hahet me mua?+
Se po ta mbyll gojën, me siguri do të vdes!
20 Veç dy gjëra mos më bëj, o Perëndi!
Atëherë nuk do të fshihesha nga ti.+
21 Largoje dorën nga unë,
e mos më kall më tmerrin.+
22 Më thirr, që të të përgjigjem,
ose të flas unë, e ti m’u përgjigj.
23 Ku kam gabuar e mëkatuar?
Më trego rebelimin dhe mëkatin tim.
24 Pse e fsheh fytyrën nga unë,+
dhe më sheh si armikun tënd?+
25 Mos do t’i shtiesh dridhmën një gjetheje që e merr era?
Mos do të ndjekësh kashtën e thatë?
26 Se ti shkruan kundër meje gjëra të hidhura,+
dhe më jep për pjesë pasojat e fajeve të rinisë.+
27 M’i vë këmbët në fallaka,+
vëzhgon tërë shtigjet e mia,
dhe këmbëve të mia u vë cak.
28 Ky burrë është si një kalbësirë që tretet,+
si një rrobë që e bren mola.+