7 A nuk është luftë jeta e njeriut mbi dhé?
A nuk janë ditët e tij si ditët e një mëditësi?+
2 Ashtu si një skllav, ai dëshiron fort hijen,
ashtu si një mëditës, ai pret pagën e vet.+
3 Mua më kanë rënë për pjesë muaj të kotë,
më kanë rënë për short net plot mjerim.+
4 Sapo shtrihem, them: ‘Oh, kur do të ngrihem?’+
Por nata mezi kalon, e përpëlitem derisa vjen agimi.
5 Mishi më është mbuluar me vemje e me dhé;+
lëkura më ka zënë qelb e dregëza.+
6 Ditët e mia janë më të shpejta se masuri i endësit,+
dhe marrin fund pa pikë shprese.+
7 Mos harro që jeta ime shkon tutje si era,+
që sytë e mi s’do të shohin më ditë të lumtura.
8 Asnjë sy s’do të më shohë më;
sytë e tu do të më kërkojnë, por unë s’do të jem.+
9 Ashtu si reja që davaritet tutje,
ai që zbret në Varr, nuk kthehet më.+
10 Nuk do të kthehet më në shtëpinë e tij
e ka për t’u harruar në vendin e vet.+
11 Prandaj s’kam për ta mbyllur gojën,
në brengën e shpirtit do të flas,
me shpirt të helmuar do të ankohem!+
12 Mos jam det a përbindësh deti,
që të më ruash me rojë?
13 Sa them: ‘Divani do të më ngushëllojë,
shtrati do të ma lehtësojë vuajtjen’,
14 ti më tmerron me ëndrra
e me vegimet e tua më frikëson,
15 aq sa do të doja të mbytesha,
po, të vdisja, sesa të jetoja i katandisur kështu.+
16 Më është neveritur jeta!+ S’dua të jetoj më!
Lërmë, se ditët e mia s’janë veçse avull!+
17 Ç’është vdekatari që të merakosesh për të,
që ta mbash mendjen tek ai?+
18 Pse e vëzhgon mëngjes për mëngjes
dhe e vë në provë orë e çast?+
19 Pse nuk i heq sytë prej meje,
e nuk më lë as një çast sa të gëlltit pështymën?+
20 Edhe nëse kam mëkatuar, ç’të keqe të kam bërë ty, o Vëzhgues i njeriut?!+
Pse më ke vënë në shënjestër?
Mos të jam bërë barrë?!
21 Pse nuk ma fal shkeljen?
Pse nuk i mbyll sytë para fajit tim?
Se shpejt do të prehem në pluhur,+
e ti do të më kërkosh, por unë s’do të jem.»