Naumi
3 Mjerë qyteti gjakatar!
Ai është i mbushur me mashtrim e grabitje,
dhe preja nuk i mungon kurrë.
2 Dëgjohet fshikullima e kamxhikut, kërcëllima e rrotave,
kuajt që turren, karrocat që hovin;
3 kalorësit që kalërojnë, shpatat që flakërojnë, heshtat që vetëtijnë.
Ka mori të vrarësh, grumbuj kufomash
—të vdekur pa fund.
Njerëzit pengohen nëpër trupat e vdekur.
4 Të gjitha këto prej prostitucionit të saj të papërmbajtur.
Ajo është tërheqëse e plot nur, mjeshtre për shtrigëri;
i zë në lak kombet me prostitucionin e saj dhe popujt me shtrigëritë e saj.
5 Jehovai i ushtrive thotë: «Ja, unë jam kundër teje,*+
do të ta ngre fundin deri në fytyrë,
dhe kombet do të shohin lakuriqësinë tënde,
kurse mbretëritë çnderimin tënd.
6 Do të të mbuloj me fëlliqësira
aq sa të ngjallësh përbuzje.
Po, do të të bëj teatër për botën.+
7 Të gjithë ata që do të të shohin, do t’ia mbathin nga ti+ e do të thonë:
‘Ninevia është shkretuar!
Kush do t’ia qajë hallin?’
Ku të kërkoj ngushëllues për ty?
8 Mos je ti më e mirë se No-Amoni*+ që ulej këmbëkryq buzë kanaleve të Nilit?!+
Ujërat e rrethonin,
deti e pasuronte dhe si mur e mbronte.
9 Etiopia me Egjiptin ishin burimi i fuqisë së tij të pakufishme.
Puti+ dhe libianët i vinin në ndihmë.+
10 Por edhe ai vajti në dhé të huaj,
përfundoi në robëri;+
edhe fëmijët ia bënë copë-copë në qoshet e rrugëve.*
Për parinë e tij hodhën short;
tërë njerëzit e shquar ia vunë nën vargonj.
11 Edhe ty do të të merren këmbët nga dehja.+
Do të kërkosh një vend ku të futesh;
do të përpiqesh të mbrohesh nga armiku.
12 Të gjitha fortifikatat e tua janë si fiqtë e hershëm;
mjafton t’i shkundësh e ata bien në gojën e gllabëruesve.
13 Ja, trupat e tua ushtarake janë si gratë mes teje.
Portat e vendit tënd do të hapen krejt para armiqve të tu.
Shulat e portave të tua do t’i përpijë zjarri.
14 Nxirr ujë e bëhu gati për rrethimin!+
Forcoji fortifikatat!
Hyr në llucë, ngjishe argjilën,
merre kallëpin dhe bëj tulla.
15 Por prapë do të të shuajë zjarri.
Shpata do të të shfarosë+
e do të të përpijë si larvat e karkalecave.+
Shtohu si larvat e karkalecave,
po, po, shtohu si karkalecat!
16 I ke shtuar tregtarët e tu më shumë se yjet e qiellit,
por larvat e karkalecave ndërrojnë lëkurë e pastaj fluturojnë tutje.
17 Rojat e tua janë si karkalecat,
oficerët e tu si mori karkalecash.
Në një ditë të ftohtë ndalen e zënë vend në vatha prej guri,
por sapo shkëlqen dielli, ikin tutje
dhe s’dihet ku venë.
18 Barinjtë e tu janë përgjumur, o mbret i Asirisë;
fisnikët e tu rrinë të qetë në banesat e tyre.
Kurse populli yt është shpërndarë maleve
e s’ka kush ta mbledhë.+
19 S’ka lehtësim për katastrofën tënde.
S’ka shërim për plagën tënde.