BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Eklisiastiu 1:1-12:14
  • Eklisiastiu

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Eklisiastiu
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Eklisiastiu

EKLISIASTIU

1 Fjalët e atij që mbledh popullin,+ birit të Davidit, mbretit në Jerusalem.+

 2 «Kotësi e kotësive!»—thotë ai që mbledh popullin.

«Kotësi e kotësive! Çdo gjë është kotësi!»+

 3 Ç’dobi ka njeriu nga e gjithë puna e mundimshme

që e sfilit nën diell?+

 4 Një brez shkon, një brez vjen,

por toka qëndron* përjetë.+

 5 Dielli lind* e perëndon,

pastaj kthehet me të shpejtë* aty ku lind përsëri.+

 6 Era fryn nga jugu e shkon drejt veriut.

Vërtitet e vërtitet po aty; era vjen rrotull pa pushim.

 7 Gjithë lumenjtë* vërshojnë në det, por deti nuk mbushet;+

ata kthehen në vendin ku burojnë për të vërshuar përsëri.+

 8 Të gjitha gjërat janë të lodhshme

e s’mund të shpjegohen me fjalë.

Syri nuk ngopet me atë që sheh,

as veshi me atë që dëgjon.

 9 Ajo që ka qenë, prapë do të jetë,

ajo që është bërë, prapë do të bëhet;

s’ka asgjë të re nën diell.+

10 A ka ndonjë gjë për të cilën mund të thuhet: «Ja, një gjë e re!»

Ajo ka ekzistuar prej kohësh,

ka ekzistuar tashmë përpara nesh.

11 Askush nuk i kujton brezat e mëparshëm,

as brezat që do të vijnë nuk do të kujtohen.

Madje as këta nuk do të kujtohen nga brezat e mëvonshëm.+

12 Unë që mbledh popullin jam mbreti i Izraelit në Jerusalem.+ 13 Vendosa në zemër të studioja e të rrëmoja me mençuri+ çdo gjë që është bërë nën qiej+—çdo gjë të mjerueshme që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve të merren.

14 I pashë të gjitha punët që ishin bërë nën diell,

dhe ja, çdo gjë ishte kotësi, një rropatje pas erës.+

15 Ajo që është e shtrembër, s’mund të drejtohet,

dhe ajo që mungon, s’ka si të numërohet.

16 Atëherë thashë me vete: «Ja, unë kam fituar shumë mençuri, më shumë se kushdo përpara meje në Jerusalem,+ dhe zemra ime është mbushur me mençuri e njohuri.»+ 17 U përpoqa me gjithë zemër të njihja mençurinë, budallallëkun* dhe marrëzinë;+ edhe kjo është një rropatje pas erës.

18 Se aty ku ka shumë mençuri, ka edhe shumë zhgënjim e irritim;

prandaj kush shton njohurinë, shton dhembjen.+

2 Atëherë thashë me vete: «Do të provoj kënaqësitë* e jetës dhe do të shoh ç’të mira vijnë.» Por ja, edhe kjo ishte kotësi.

 2 Për të qeshurën thashë: «Është budallallëk!»,

dhe për kënaqësinë:* «Ç’dobi sjell?»

3 Vendosa në zemër t’i bëja qejfin vetes e të jepesha pas verës,+ por pa e humbur mençurinë. Madje u kapa fort pas marrëzisë, që të zbuloja cila është gjëja më e mirë që mund të bëjë njeriu gjatë jetës së tij të shkurtër nën qiej. 4 U mora me vepra të mëdha.+ Ndërtova shtëpi+ dhe mbolla vreshta për veten.+ 5 Bëra kopshte e parqe, dhe mbolla në to pemë frutore të çdo lloji. 6 Bëra edhe rezervuarë me ujë për të vaditur pyllishte të harlisura.* 7 Mora shërbëtorë dhe shërbëtore,+ madje pata shërbëtorë që lindën në shtëpinë time. Po ashtu pata shumë bagëti, të trasha e të imëta,+ më shumë se kushdo përpara meje në Jerusalem. 8 Grumbullova argjend dhe ar,+ thesaret* e mbretërve dhe të provincave.+ Mblodha këngëtarë e këngëtare, si dhe ato që u sjellin kënaqësi të thellë bijve të njerëzve: një grua, po, shumë gra.* 9 Kështu u madhërova dhe ia kalova kujtdo para meje në Jerusalem.+ Për më tepër, mençuria nuk u nda prej meje.

10 Çdo gjë që dëshirova,* nuk ia mohova vetes.+ Nuk ia kurseva zemrës asnjë lloj kënaqësie,* sepse gjithë puna ime e palodhur ma mbushte zemrën me gëzim, dhe ky ishte shpërblimi* për gjithë mundin tim.+ 11 Por kur u mendova mirë për gjithë punët që bëra me duart e mia dhe djersën që derdha për to,+ pashë që çdo gjë ishte kotësi, një rropatje pas erës.+ S’kishte asgjë që t’ia vlente vërtet* nën diell.+

12 Pastaj i kushtova vëmendje mençurisë, budallallëkut* dhe marrëzisë.+ (E ç’mund të bëjë ai që i zë vendin mbretit, përveçse asaj që tashmë është bërë?!) 13 Atëherë pashë se ka më shumë epërsi mençuria se marrëzia,+ ashtu sikurse ka më shumë epërsi drita se errësira.

14 I mençuri i mban sytë hapur,*+ ndërsa i pamendi ecën në errësirë.+ Kam kuptuar edhe se të gjithë i pret i njëjti fund.+ 15 Kështu thashë me vete: «Edhe mua do të më ndodhë ajo që do t’i ndodhë të pamendit.»+ E për çfarë u bëra tejet i mençur?! Atëherë thashë me vete: «Edhe kjo është kotësi!», 16 sepse as i mençuri, as i pamendi, s’do të kujtohen gjatë.+ Në ditët që do të vijnë, secili ka për t’u harruar. E si do të vdesë i mençuri? Njësoj si i pamendi.+

17 Prandaj e urreva jetën,+ sepse gjithçka që bëhej nën diell më dukej dëshpëruese, sepse çdo gjë ishte kotësi,+ një rropatje pas erës.+ 18 I urreva të gjitha gjërat për të cilat isha munduar kaq shumë nën diell,+ sepse duhej t’ia lija atij që do të më zinte vendin.+ 19 E kush e di nëse ai do të jetë i mençur apo i marrë?+ Sido që të jetë, ai do të shtjerë në dorë të gjitha gjërat që fitova me mund e mençuri nën diell. Edhe kjo është kotësi. 20 Prandaj zemrën ma mbërtheu dëshpërimi për gjithë punën e mundimshme nga e cila isha sfilitur nën diell. 21 Vërtet, dikush mund të punojë pa u kursyer dhe me mençuri, njohuri e mjeshtëri, por duhet t’ia lërë trashëgiminë e vet* dikujt që nuk është munduar fare për të.+ Edhe kjo është e kotë dhe tragjike.*

22 Ç’dobi ka njeriu nga gjithë mundi i tij dhe nga ambicia që e shtyn* të punojë fort nën diell?+ 23 Se gjatë gjithë ditëve të tij, puna i sjell dhembje e zhgënjim,+ madje edhe natën zemra nuk i gjen prehje.+ Edhe kjo është kotësi.

24 Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se të hajë, të pijë dhe të kënaqet me mundin e vet.+ Kam kuptuar se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë së vërtetë,+ 25 sepse kush ha e pi më mirë se unë?!+

26 Ai i jep mençuri, njohuri dhe gëzim njeriut që ka pëlqimin e tij.+ Kurse mëkatarit i ngarkon këtë detyrë: të mbledhë e të grumbullojë vetëm e vetëm për njeriun që ka pëlqimin e Perëndisë së vërtetë.+ Edhe kjo është kotësi, një rropatje pas erës.

3 Për çdo gjë ka një kohë të caktuar,

ka një kohë për çdo punë nën qiej:

 2 një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur;

një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur;

 3 një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar;

një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar;

 4 një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur;

një kohë për të vajtuar dhe një kohë për të hedhur valle;*

 5 një kohë për të shpërndarë gurë dhe një kohë për të mbledhur gurë;

një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar;

 6 një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të hequr dorë;

një kohë për të mbajtur dhe një kohë për të flakur;

 7 një kohë për të grisur+ dhe një kohë për të qepur;

një kohë për të heshtur+ dhe një kohë për të folur;+

 8 një kohë për të dashur dhe një kohë për të urryer;+

një kohë për luftë dhe një kohë për paqe.

9 Ç’fiton punëtori nga gjithë mundi i vet?!+ 10 I kam parë gjërat që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve të merren. 11 Ai e ka bërë çdo gjë të bukur* në kohën e vet,+ madje ka vënë edhe përjetësinë në zemrat e njerëzve. Prapëseprapë, ata nuk do ta zbulojnë dot kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë.

12 Kam arritur në përfundimin se s’ka gjë më të mirë për njeriun se të gëzojë e të bëjë mirë gjatë jetës së vet,+ 13 dhe që çdo njeri të hajë, të pijë e të kënaqet për gjithë mundin e vet. Kjo është dhuratë nga Perëndia.+

14 Kam arritur të kuptoj se çdo gjë që bën Perëndia i vërtetë, do të qëndrojë përjetë. S’ke çfarë t’i shtosh, as çfarë t’i heqësh. Perëndia i vërtetë e ka bërë çdo gjë në këtë mënyrë, që njerëzit të kenë nderim të thellë për të.*+

15 Ajo që po ndodh, tashmë ka ndodhur, dhe ajo që do të jetë, tashmë ka qenë.+ Megjithatë, Perëndia i vërtetë do të realizojë atë që njerëzit kanë kërkuar me ngulm.*

16 Veç kësaj kam parë këtë gjë nën diell: gjykimit të drejtë ia kishte zënë vendin ligësia, madje edhe drejtësisë ia kishte zënë vendin ligësia.+ 17 Prandaj thashë me vete: «Perëndia i vërtetë do të gjykojë si të drejtin, edhe të ligun,+ sepse ka një kohë për çdo gjë dhe për çdo punë.»

18 Gjithashtu thashë me vete se Perëndia i vërtetë do t’i vërë në provë bijtë e njerëzve dhe do t’u tregojë që s’janë më mirë se kafshët. 19 Vërtet, të gjithë i pret i njëjti fund, si njerëzit, edhe kafshët. Po, të gjithë përfundojnë njësoj;+ si vdes njëri, ashtu vdes edhe tjetri, dhe të gjithë kanë të njëjtën frymë.*+ Prandaj njeriu s’ka asnjë epërsi mbi kafshët, sepse çdo gjë është kotësi. 20 Të gjithë shkojnë në të njëjtin vend;+ të gjithë janë bërë nga pluhuri,+ dhe të gjithë në pluhur kthehen.+ 21 Kush e di vërtet nëse fryma* e bijve të njerëzve ngjitet lart dhe nëse fryma e kafshëve zbret poshtë?!+ 22 Prandaj kam parë që s’ka asgjë më të mirë për njeriun, sesa të kënaqet me punën e vet,+ sepse ky është shpërblimi i tij.* Vërtet, kush mund t’i tregojë ç’do t’i ndodhë pas vdekjes?!+

4 I kushtova përsëri vëmendje gjithë shtypjes që bëhet nën diell. Pashë lotët e të shtypurve, të cilët s’kishte kush t’i ngushëllonte;+ pushtetin e kishin shtypësit, prandaj s’kishte kush t’i ngushëllonte. 2 Atëherë përgëzova ata që tashmë kanë vdekur, sepse janë më mirë se ata që janë ende gjallë.+ 3 Dhe akoma më mirë se ata, është ai që s’ka ardhur ende në jetë,+ që s’i ka parë gjërat dëshpëruese që bëhen nën diell.+

4 Kam parë sa mund* dhe mjeshtëri sjell rivaliteti mes njerëzve;+ edhe kjo është kotësi, një rropatje pas erës.

5 I pamendi rri duarkryq teksa trupi i tretet.*+

6 Është më mirë të kesh një grusht me pushim, sesa dy grushte me mund dhe të rropatesh pas erës.+

7 I kushtova vëmendje edhe një kotësie tjetër nën diell: 8 dikush është vetëm fare, s’ka asnjë shok, as bir, as vëlla, e prapëseprapë nuk pushon kurrë së punuari dhe sytë s’i ngopen me pasuri.+ Vallë, a e pyet veten: «Për kë po mundohem? Për kë po ia mohoj vetes gjithë të mirat?»+ Edhe kjo është kotësi, s’ia vlen mundimi.+

9 Dy janë më mirë se një,+ sepse kanë një shpërblim të mirë* për mundin e tyre. 10 Në fakt, në rëntë njëri, tjetri mund ta ndihmojë shokun të ngrihet. Por ç’do të ndodhë me atë që bie e s’ka kush ta ndihmojë?

11 Për më tepër, nëse dy shtrihen bashkë, kanë për t’u ngrohur, por si do të ngrohet një i vetëm? 12 E nëse një njeri i vetëm mund të mposhtet, dy së bashku mund t’ia dalin mbanë. Një litar tresh nuk këputet kollaj* më dysh.

13 Është më mirë një djalë i varfër, por i mençur, se një mbret i moshuar, por i marrë,+ që nuk ka më aq mend sa t’ua vërë veshin këshillave.+ 14 Në fakt, ai* del madje edhe nga burgu që të bëhet mbret,+ ndonëse lind i varfër në mbretërinë e atij mbreti.+ 15 Kam menduar për gjithë të gjallët që ecin nën diell, si edhe çfarë ndodh me djalin që i zë vendin mbretit. 16 Edhe pse përkrahësit e tij janë të panumërt, ata që do të vijnë më pas, nuk do të jenë të kënaqur me të.+ Edhe kjo është kotësi, një rropatje pas erës.

5 Ki kujdes* kurdo që të shkosh në shtëpinë e Perëndisë së vërtetë.+ Është më mirë të shkosh për të dëgjuar,+ se të ofrosh një flijim si bëjnë të pamendët+ që s’e kuptojnë që bëjnë veç keq.

2 Goja jote të mos nxitohet dhe zemra jote të mos flasë pa u menduar para Perëndisë së vërtetë,+ sepse Perëndia i vërtetë është lart në qiej, kurse ti je poshtë në tokë, prandaj duhet të jesh fjalëpak.+ 3 Nga meraku i tepërt* shihen ëndrra,+ dhe nga fjalët e shumta burojnë dërdëllitjet e të pamendit.+ 4 Sa herë të marrësh një zotim para Perëndisë, mos vono ta mbash,+ sepse ai nuk kënaqet me të pamendët.+ Zotimin që merr, mbaje.+ 5 Është më mirë të mos e marrësh një zotim, se ta marrësh e të mos e mbash.+ 6 Mos e lejo gojën të të bëjë të mëkatosh*+ dhe mos thuaj para një engjëlli* se fole pa u menduar.+ Pse të indinjohet Perëndia i vërtetë nga ajo që the, e të detyrohet të shkatërrojë punën e duarve të tua?!+ 7 Nga meraku i tepërt shihen ëndrra,+ e po njësoj, fjalët e shumta nuk sjellin gjë. Më mirë ki nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë.*+

8 Nëse sheh në krahinën tënde se të varfrit shtypen, drejtësia shkelet dhe jepen gjykime të padrejta, mos u trondit,+ sepse atë zyrtar të lartë po e vëzhgon një më i lartë se ai, dhe ka të tjerë që janë akoma më të lartë se ata.

9 Të gjithë këta burra hanë nga prodhimi i tokës, madje edhe vetë mbreti ushqehet me prodhimin e arës.+

10 Ai që do argjendin, s’ngopet kurrë me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura.+ Edhe kjo është kotësi.+

11 Kur shtohen të mirat, shtohen edhe ata që i harxhojnë.+ E ç’përfitim ka pronari, përveçse t’i shohë ato me sy?!+

12 I ëmbël është gjumi i atij që shërben, edhe nëse ha pak, edhe nëse ha shumë; por bollëku nuk e lë të pasurin të vërë gjumë në sy.

13 Kam parë nën diell një tragjedi* të madhe: dikush grumbullon pasuri në dëm të vetes. 14 Ato pasuri marrin fund për shkak të ndonjë falimentimi* dhe, kur atij i vjen në jetë një djalë, s’i ka mbetur më gjë.+

15 Lakuriq del njeriu nga barku i nënës, e lakuriq ikën;+ njeriu s’mund të marrë me vete asgjë nga mundi i tij.+

16 Edhe kjo është një tragjedi* e madhe: pikërisht ashtu siç erdhi, ashtu edhe do të ikë. Ç’fiton ai që stërmundohet pas erës?!+ 17 Veç kësaj, çdo ditë e jetës së tij është e zymtë,* plot zhgënjime, sëmundje dhe zemërim.+

18 Kam parë se është mirë dhe e drejtë që njeriu të hajë, të pijë e të kënaqet me gjithë mundin e vet+ nga i cili sfilitet nën diell, gjatë atyre pak ditëve jetë që i ka dhënë Perëndia i vërtetë, sepse ky është shpërblimi i tij.*+ 19 Gjithashtu, kur Perëndia i vërtetë i jep dikujt pasuri e të mira materiale,+ si edhe aftësinë që të kënaqet me to, ai duhet ta pranojë shpërblimin dhe të gëzojë me mundin e vet. Kjo është dhuratë nga Perëndia.+ 20 Në të vërtetë, ditët do t’i fluturojnë pa kuptuar, sepse Perëndia i vërtetë do ta mbajë të zënë me gjëra që ia mbushin zemrën me gëzim.+

6 Kam parë edhe një tragjedi* tjetër nën diell, që është më se e zakonshme mes njerëzve: 2 Perëndia i vërtetë i jep dikujt aq pasuri, të mira materiale dhe lavdi, sa nuk i mungon asgjë që dëshiron.* E megjithatë, Perëndia i vërtetë nuk e lejon të kënaqet me to, por lejon një të huaj të kënaqet me to. Kjo është kotësi dhe një vuajtje e madhe. 3 Sikur njeriu të bëhet njëqind herë baba, të jetojë shumë vjet e të plaket, e të mos kënaqet me të mirat që ka para se të zbresë në varr,* unë them se edhe fëmija që lind i vdekur, është më mirë se ai,+ 4 sepse, ndonëse vjen më kot në jetë, shkon në errësirë, i groposet emri në terr, 5 nuk e sheh kurrë dritën e diellit e as nuk merr vesh gjë, është përsëri më mirë* se ai tjetri.+ 6 Ç’kuptim ka të jetosh një mijë vjet, madje dy mijë, e të mos shohësh asnjë gëzim në jetë?! A nuk shkojnë të gjithë në të njëjtin vend?!+

7 Edhe pse bëjnë të pamundurën për të ngopur barkun,+ njerëzit nuk kënaqen kurrë. 8 Prandaj ç’epërsi ka i mençuri mbi të pamendin?+ Apo ç’dobi ka i varfri që di si të nxjerrë bukën e gojës?* 9 Më mirë të kënaqesh me atë që ke para syve, se të endesh pa pushim pas dëshirave.* Edhe kjo është kotësi, një rropatje pas erës.

10 Çdo gjë që ekziston, tashmë e ka një emër, dhe tashmë dihet si është vërtet njeriu: njeriu nuk hahet dot me një më të fuqishëm.* 11 Sa më shumë fjalë,* aq më shumë kotësi. E ç’dobi i sjellin ato njeriut?! 12 Kush e di cila është gjëja më e mirë që mund të bëjë njeriu gjatë jetës së tij të shkurtër e të kotë, që i kalon si hije?+ Kush mund t’i thotë, pra, njeriut ç’do të ndodhë nën diell pas vdekjes së tij?!

7 Një emër i mirë* vlen më shumë se vaji aromatik,+ dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes. 2 Më mirë të shkosh në një shtëpi ku vajtohet, se në një shtëpi ku festohet,*+ sepse vdekja është fundi i çdo njeriu, dhe të gjallët duhet të reflektojnë për këtë. 3 Trishtimi është më mirë se e qeshura,+ sepse nga fytyra e trishtuar zemra bëhet më e mirë.+ 4 Të mençurit e kanë zemrën në shtëpinë ku vajtohet, kurse të pamendët e kanë zemrën në shtëpinë ku festohet.*+

5 Është më mirë të dëgjosh qortimin e të mençurve,+ se këngën e të marrëve. 6 Porsi kërcitja e gjembave tek digjen nën kazan, është e qeshura e të marrëve;+ edhe kjo është kotësi. 7 Shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë çmendurisht, dhe ryshfeti e korrupton zemrën.+

8 Më mirë se fillimi i një pune është fundi i saj. Më mirë të jesh i duruar, se të jesh fodull.*+ 9 Mos u fyej shpejt,*+ sepse fyerja prehet në gji të të marrëve.*+

10 Mos thuaj: «Si ka mundësi që ditët e kaluara ishin më të mira se të tanishmet?», sepse kjo pyetje nuk është aspak e mençur.+

11 Mençuria bashkë me trashëgiminë është një gjë e mirë dhe u jep epërsi atyre që shohin dritën e diellit.* 12 Vërtet, mençuria është mbrojtje+ siç është edhe paraja,+ por epërsia e njohurisë dhe e mençurisë është se i ruajnë gjallë ata që i zotërojnë.+

13 Mendo për veprën e Perëndisë së vërtetë: kush mund ta drejtojë atë që ai e ka bërë të shtrembër?!+ 14 Në ditë të mirë pasqyro mirësi,+ por në ditë të vështirë* mendo: Perëndia ka bërë si njërën, edhe tjetrën,+ që njeriu të mos dijë me siguri* ç’do t’i ndodhë në të ardhmen.+

15 Kam parë çdo gjë gjatë jetës sime të kotë+—të drejtin që vdes para kohe ndonëse është i drejtë,+ dhe të ligun që jeton gjatë ndonëse është i lig.+

16 Mos ji tepër i drejtë,+ as mos u trego më i mençur se ç’duhet.+ Pse të shkatërrosh veten?!+ 17 Mos e lër veten në duart e ligësisë, as mos u bëj i marrë.+ Pse të vdesësh kur s’e ke kohën?!+ 18 Është mirë t’ia vësh veshin këshillës së parë pa shpërfillur të dytën,+ sepse ai që ka nderim të thellë për Perëndinë,* ua vë veshin të dyjave.

19 Mençuria i jep njeriut të mençur më shumë forcë sesa kanë dhjetë prijës të fuqishëm në qytet.+ 20 Megjithatë, s’ka njeri të drejtë në tokë që bën gjithmonë të mirën dhe nuk mëkaton kurrë.+

21 Veç kësaj, mos ua vër veshin* gjithë fjalëve që thonë njerëzit,+ se ndoshta dëgjon edhe shërbëtorin tënd të flasë keq për ty,* 22 sepse thellë-thellë ti e di mirë se edhe vetë ke folur keq për të tjerët shumë herë.+

23 Të gjitha këto i shqyrtova me mençuri dhe thashë: «Do të bëhem i mençur», por kjo ishte përtej aftësive të mia. 24 Çdo gjë që ekziston, është e paarritshme dhe jashtëzakonisht e pamatshme. E kush mund ta kuptojë?!+ 25 U përpoqa me gjithë shpirt të kuptoja, të rrëmoja e të kërkoja mençurinë dhe arsyen e gjërave, si dhe të kuptoja ligësinë e të pamendëve dhe marrëzinë e budallenjve.+ 26 Pastaj zbulova këtë: më e hidhur se vdekja është gruaja që i ngjan lakut të gjuetarëve, që e ka zemrën si rrjetë peshkimi dhe duart si vargonj. Njeriu që ka pëlqimin e Perëndisë së vërtetë, ia mbath nga ajo,+ por mëkatari bie pre e saj.+

27 «Ja pra, çfarë kam zbuluar», thotë ai që mbledh popullin.+ «I shqyrtova gjërat një nga një për të nxjerrë një përfundim. 28 Mirëpo, atë që kërkova pareshtur, nuk e gjeta dot. Mes një mijë vetave, e gjeta një burrë të drejtë, por një grua të drejtë nuk e gjeta dot. 29 Ja, vetëm këtë kam zbuluar: Perëndia i vërtetë i ka bërë njerëzit të drejtë,+ por ata kanë ndjekur udhët e tyre.»*+

8 Kush është si i mençuri? Kush e di zgjidhjen e problemeve?* Mençuria ia çel fytyrën njeriut dhe ia zbut pamjen e vrazhdë.

2 Unë them: «Bindju urdhrit të mbretit+ për hir të betimit që ke bërë para Perëndisë.+ 3 Mos nxito të largohesh nga prania e tij+ dhe mos u përfshi në asgjë të keqe,+ sepse mbreti bën ç’të dojë 4 dhe fjala e tij është absolute.+ Kush mund t’i thotë: ‘Çfarë po bën?’»

5 Kush i zbaton urdhërimet, nuk do të shohë asnjë të keqe,+ dhe zemra e mençur do të dijë kohën dhe mënyrën* e duhur.+ 6 Për çdo gjë ka një kohë dhe një mënyrë për të vepruar,+ sepse telashet e njerëzimit s’kanë të sosur. 7 Askush nuk e di të ardhmen. E kush mund të thotë si do të venë gjërat?!

8 Askush nuk ka fuqi mbi forcën e jetës* e s’mund ta mbajë atë nën fre, e po njësoj askush nuk ka fuqi mbi ditën e vdekjes.+ Asnjë ushtar nuk lirohet nga detyra gjatë luftës, e po njësoj ligësia i mban nën kthetra ata që veprojnë me ligësi.*

9 Të gjitha këto i pashë me sytë e mi, ndaj bluajta në mendje çdo punë që është bërë nën diell gjatë kohës që njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.*+ 10 I pashë edhe të ligjtë, ata që dikur vinin e iknin nga vendi i shenjtë, të varroseshin e të harroheshin shpejt në qytetin ku kishin vepruar me ligësi.+ Edhe kjo është kotësi.

11 Ngaqë dënimi kundër një veprimi të gabuar nuk ekzekutohet menjëherë,+ njeriu merr zemër për të bërë keq.+ 12 Edhe pse një mëkatar mund të bëjë keq njëqind herë e të jetojë gjatë, e di fare mirë se vetëm atyre që kanë nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë,* do t’u dalë për mirë, pikërisht ngaqë kanë nderim të thellë për të.+ 13 Kurse të ligjve nuk do t’u dalë për mirë,+ dhe ata as nuk e zgjatin dot jetën e tyre që është porsi hije,+ sepse nuk kanë nderim të thellë për Perëndinë.

14 Ja një gjë e kotë* që ndodh në tokë: ka njerëz të drejtë që trajtohen sikur të kenë vepruar me ligësi,+ dhe ka njerëz të ligj që trajtohen sikur të kenë vepruar me drejtësi.+ Them se edhe kjo është kotësi.

15 Prandaj, për mendimin tim, është mirë të gëzosh,+ sepse për njeriun s’ka gjë më të mirë nën diell, se të hajë, të pijë e të gëzojë. Ky gëzim e shoqëroftë gjithë ditët e jetës+ që Perëndia i vërtetë i ka dhënë nën diell ndërkohë që punon fort.

16 U përpoqa me gjithë zemër të fitoja mençuri dhe të shihja të gjitha gjërat që ndodhin* në tokë,+ madje nuk vura gjumë në sy, as ditën, as natën.* 17 Atëherë mendova për gjithë veprën e Perëndisë së vërtetë dhe kuptova se njerëzit nuk e konceptojnë dot çfarë ndodh nën diell.+ Sado të mundohen, ata nuk e konceptojnë dot. Edhe sikur të thonë se janë mjaft të mençur për ta kuptuar, ata nuk mund ta konceptojnë vërtet.+

9 Kështu e bluajta në mendje gjithë këtë dhe arrita në përfundimin se të drejtët dhe të mençurit, si dhe veprat e tyre, janë në duart e Perëndisë së vërtetë.+ Njerëzit nuk e dinë ç’dashuri dhe urrejtje ekzistonte përpara se ata të lindnin. 2 Të gjithë i pret i njëjti fund,+ njeriun e drejtë dhe njeriun e lig,+ njeriun e mirë e të ndershëm dhe njeriun e ndyrë, atë që ofron flijime dhe atë që nuk ofron. Njeriu i mirë është njëlloj si njeriu mëkatar, dhe ai që betohet është njëlloj si ai që ngurron të betohet. 3 Ja një gjë dëshpëruese që ndodh nën diell: meqë të gjithë i pret i njëjti fund,+ zemra e njerëzve është plot ligësi dhe çmenduria nuk u shkulet nga zemra gjatë gjithë jetës, e pastaj vdesin!*

4 Ka shpresë për këdo që është ende gjallë, sepse një qen i gjallë është më mirë se një luan i ngordhur.+ 5 Të gjallët e dinë* se do të vdesin,+ kurse të vdekurit s’dinë asgjë;+ për ta nuk ka më kurrfarë shpërblimi, sepse kujtimi i tyre bie në harresë.+ 6 Po ashtu dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund, dhe ata nuk luajnë më asnjë rol në gjërat që bëhen nën diell.+

7 Shko, haje me hare ushqimin tënd dhe pije verën tënde me zemër të gëzuar,+ sepse Perëndia i vërtetë është i kënaqur me veprat e tua.+ 8 Qofshin rrobat e tua gjithmonë të bardha,* dhe mos mungoftë vaji mbi kokën tënde!+ 9 Gëzoje jetën me gruan tënde të dashur+ gjithë ditët e jetës sate të shkurtër* që Ai të ka dhënë nën diell, gjithë ditët e kotësisë sate, sepse ky është shpërblimi yt* në jetë, shpërblimi për mundin tënd, nga i cili sfilitesh nën diell.+ 10 Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me tërë fuqinë që ke, sepse nuk ka as punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Varr*+ ku po shkon.

11 Kam parë diçka tjetër nën diell: garën nuk e fitojnë gjithmonë të shpejtët, as betejën të fuqishmit,+ as të mençurit nuk kanë gjithmonë ushqim, as inteligjentët nuk kanë gjithmonë pasuri,+ as të diturit nuk kanë gjithmonë sukses,+ sepse kohët e vështira dhe ngjarjet e papritura* i zënë befas të gjithë. 12 Në fakt njeriu nuk e di kur i vjen ora;+ ashtu si peshqit zihen në një rrjetë mizore dhe zogjtë kapen në grackë, po njësoj bijtë e njerëzve zihen befas në lakun e kohëve tejet të vështira.*

13 Vura re edhe këtë gjë që më bëri përshtypje për mençurinë nën diell: 14 Në një qytet të vogël jetonin pak njerëz. Një mbret i fuqishëm shkoi për të luftuar kundër tij dhe ngriti rrethime të larta. 15 Atje ndodhej një njeri i varfër, por i mençur, që e shpëtoi qytetin falë mençurisë së vet. Por askujt nuk i ra ndër mend për atë njeri të varfër.+ 16 Atëherë thashë me vete: «Mençuria është më e mirë se forca,+ e prapëseprapë, mençuria e të varfrit përbuzet, dhe askush nuk ua vë veshin fjalëve të tij.»+

17 Më mirë t’ua vësh veshin fjalëve të qeta të të mençurit, se të bërtiturave të mbretit të të marrëve.

18 Mençuria është më e mirë se armët e luftës, por një mëkatar i vetëm mund të shkatërrojë shumë gjëra të mira.+

10 Nga mizat e ngordhura, vaji aromatik bie erë të qelbur. Po kështu, pak marrëzi e zbeh mençurinë dhe lavdinë.+

2 Zemra e prin të mençurin në rrugë të drejtë, kurse të pamendin në rrugë të gabuar.*+ 3 Të marrit i mungon gjykimi i mirë*+ në çdo udhë që ecën dhe e tregon sheshit sa i marrë është.+

4 Nëse një sundimtari i ndizet zemërimi* kundër teje, mos e lër vendin tënd,+ sepse qetësia fashit mëkate të mëdha.+

5 Kam parë një gjë dëshpëruese nën diell, një gabim të njerëzve në pushtet:+ 6 të marrët vihen në pozita të larta, kurse të aftët* qëndrojnë në pozita të ulëta.

7 Kam parë shërbëtorë që kalëronin mbi kuaj dhe princa që ecnin në këmbë si shërbëtorë.+

8 Kush hap një gropë, mund të bjerë vetë brenda,+ dhe kush shemb një mur guri, mund ta kafshojë ndonjë gjarpër.

9 Kush nxjerr gurë në gurore, mund të vritet me ta, dhe kush çan dru, mund të vihet në rrezik prej tyre.*

10 Nëse sëpata nuk pret dhe nuk mprehet, duhet më shumë forcë për ta përdorur, por me mençuri mund të kesh sukses.

11 Nëse gjarpri kafshon para se të hipnotizohet, s’hyn më në punë një hipnotizues i zoti.*

12 Fjalët që dalin nga goja e të mençurit janë të këndshme,+ kurse buzët e veta e rrënojnë të pamendin.+ 13 Me të hapur gojën ai flet marrëzira+ dhe e mbyll bisedën me budallallëqe që sjellin veç shkatërrim. 14 E megjithatë i marri s’pushon së foluri.+

Njeriu nuk e di të ardhmen. E kush mund t’i thotë ç’do të ndodhë kur të mos jetë më?!+

15 Të pamendin e rraskapit mundi i vet, sepse ai s’di të gjejë as rrugën për në qytet.

16 Mjerë ai vend ku mbreti është çunak+ dhe princat ia shtrojnë me të ngrëna e të pira që në mëngjes! 17 Lum ai vend ku mbreti është bir fisnikësh dhe princat hanë në momentin e duhur për të marrë fuqi, e jo për t’u dehur!+

18 Nga përtacia e madhe trarët e çatisë bëjnë bark, dhe po të rrish duarkryq shtëpia pikon.+

19 Buka* ia shton gëzimin jetës dhe vera të sjell në qejf,+ kurse paraja i përgjigjet çdo nevoje.+

20 As me mendje* mos fol keq për* mbretin+ dhe as në dhomën e gjumit mos fol keq për të pasurin, sepse ndonjë harabel mund ta çojë larg zërin* tënd ose ndonjë zog* mund ta përsëritë atë që thua.

11 Hidhe* bukën tënde në valët e ujit,+ sepse pas shumë ditëve do ta gjesh përsëri.+ 2 Jepu një pjesë të gjërave të tua shtatë vetave, madje tetë vetave,+ sepse nuk e di ç’e keqe do të ndodhë në tokë.

3 Nëse retë janë të ngarkuara, zbrazin shi në tokë; nëse një pemë bie nga jugu a nga veriu, aty ku bie, mbetet.

4 Kush vëzhgon erën, nuk do të mbjellë farë, dhe kush shikon retë, nuk do të korrë.+

5 Ashtu sikurse nuk kuptohet si vepron forca e jetës* te trupi* i fëmijës në bark të nënës,+ po ashtu nuk kuptohet vepra e Perëndisë së vërtetë, që bën çdo gjë.+

6 Mbille farën në mëngjes dhe mos e lër dorën tënde të pushojë deri në mbrëmje,+ sepse nuk e di cila do të mbijë, kjo apo ajo, apo që të dyja.

7 E ëmbël është drita, e sa e këndshme është për sytë drita e diellit. 8 E në jetoftë njeriu shumë vjet, i shijoftë të gjitha vitet!+ Ama të mos harrojë se ditët e errëta mund të jenë të shumta dhe çdo gjë që do të vijë është kotësi.+

9 Gëzohu, pra, o djalosh, sa je ende i ri! Të gëzoftë zemra në ditët e rinisë sate! Ndiq udhët e zemrës sate e shko ku të të çojnë sytë. Por dije se Perëndia i vërtetë do të të kërkojë llogari* për të gjitha këto.+ 10 Largoji shqetësimet nga zemra dhe mbroje trupin* nga gjërat e dëmshme, sepse rinia dhe pranvera e jetës fluturojnë.*+

12 Kujtoje, pra, Krijuesin tënd të Madh në ditët e rinisë sate,+ para se të vijnë ditët e vështira*+ dhe vitet kur do të thuash: «Nuk më sjellin më asnjë kënaqësi»; 2 para se dielli, drita, hëna e yjet të errësohen+ dhe retë të kthehen sërish pas rrebeshit;* 3 para se rojtarëve të shtëpisë t’u dridhet trupi, burrat e fuqishëm të kërrusen, gratë të mos bluajnë më ngaqë janë rralluar dhe zonjat të shohin nga dritarja veçse errësirë;+ 4 para se dyert e rrugës të mbyllen, zhurma e mullirit të zbehet, njeriu të zgjohet nga cicërima e një zogu dhe gjithë bijat e këngës të meken;+ 5 para se të frikësohesh nga lartësitë dhe nga tmerret rrugës, para se pema e bajames të çelë,+ karkaleci të hiqet zvarrë, fryti i kaperit* të shpërthejë, njeriu të ecë drejt shtëpisë ku do të prehet gjatë+ dhe kortezhi i vajtuesve të endet rrugëve;+ 6 para se kordoni prej argjendi të këputet, kupa prej ari të copëtohet, shtamba në krua të thyhet dhe çikriku i sternës* të bëhet copë-copë. 7 Atëherë pluhuri do të kthehet në tokë,+ aty ku ishte më parë, dhe fryma* do t’i kthehet Perëndisë së vërtetë që e dha.+

8 «Kotësi e kotësive!»—thotë ai që mbledh popullin.+ «Çdo gjë është kotësi!»+

9 Përveçse u bë i mençur vetë, ai që mbledh popullin u mësoi pareshtur njerëzve ato që dinte,+ dhe bluajti në mendje e bëri kërkime të hollësishme, që të përpilonte* shumë proverba.+ 10 Ai kërkoi të gjente fjalë të këndshme+ dhe të hidhte me shkrim fjalë të sakta të së vërtetës.

11 Fjalët e të mençurve janë si hostenë* qesh+ dhe thëniet e tyre të urta janë si gozhdë të ngulura mirë; ato i ka dhënë një barí i vetëm. 12 Përveç gjithë këtyre, biri im, mbaj parasysh këtë: shkruhen libra pa fund, e të jepesh shumë pas tyre, e sfilit trupin.*+

13 Pas gjithë gjërave që u thanë, ky është përfundimi: ki nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë*+ dhe zbatoji urdhërimet e tij,+ se ky është tërë detyrimi i njeriut,+ 14 sepse Perëndia i vërtetë do të gjykojë çdo vepër, përfshirë çdo gjë të fshehur, në është e mirë a e keqe.+

Ose «mbetet».

Ose «shndrit».

Ose «me gulçim».

Ose «përrenjtë dimërorë; përrenjtë stinorë».

Ose «çmendurinë».

Ose «gëzimet».

Ose «gëzimin».

Ose «pyje të harlisur».

Ose «pronat».

Ose «një zonjë, madje disa zonja».

Ose «që dëshiruan sytë e mi».

Ose «gëzimi».

Ose «kjo ishte pjesa që më takonte».

Ose «S’kishte asnjë përfitim».

Ose «çmendurisë».

Ose «i ka sytë në ballë».

Ose «t’ia dorëzojë të gjitha».

Ose «një e keqe e madhe».

Fjalë për fjalë «dhe nga përpjekjet e zemrës».

Ose «për të kërcyer nga gëzimi».

Ose «me rregullsi; siç duhet; në mënyrë të përshtatshme».

Fjalë për fjalë «frikë prej tij». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».

Ose «do të kërkojë të mirën e atyre që përndiqen». Një mundësi tjetër «do të kërkojë atë që është zhdukur».

Ose «forcë jete». Shih Fjalorthin.

Ose «forca e jetës». Shih Fjalorthin.

Ose «kjo është pjesa që i takon».

Ose «përpjekje».

Fjalë për fjalë «dhe ha mishin e vet».

Ose «nxjerrin më shumë dobi».

Ose «shpejt».

Ndoshta i referohet djalit të mençur.

Ose «Ruaji këmbët».

Ose «Nga angazhimet e shumta».

Ose «ta bëjë trupin tënd të mëkatojë».

Ose «një lajmëtari».

Fjalë për fjalë «ki frikë nga Perëndia i vërtetë». Shih Fjalorthin.

Ose «një të keqe».

Ose «sipërmarrjeje të pasuksesshme».

Ose «një e keqe».

Fjalë për fjalë «të gjitha ditët e tij ha në errësirë».

Ose «kjo është pjesa që i takon».

Ose «një të keqe».

Ose «që i dëshiron shpirti».

Ose «e të mos ketë as varr për vete».

Fjalë për fjalë «prehet më shumë».

Fjalë për fjalë «si të ecë përpara të gjallëve?»

Ose «se me atë që dëshiron shpirti».

Ose «nuk mund ta mbrojë çështjen e vet kundër një më të fuqishmi».

Një mundësi tjetër «gjëra».

Ose «Një reputacion i mirë». Fjalë për fjalë «Një emër».

Ose «ku ka gosti».

Ose «ku ka gëzim; argëtim; gosti».

Ose «të kesh frymë fodulle».

Fjalë për fjalë «Mos u nxito në frymën tënde të fyhesh».

Një mundësi tjetër «është tipike për të marrët».

Domethënë, të gjallëve.

Ose «të kobshme».

Ose «të mos zbulojë».

Fjalë për fjalë «i frikësohet Perëndisë». Shih Fjalorthin.

Ose «mos i merr për zemër».

Fjalë për fjalë «të të mallkojë».

Ose «kanë thurur planet e tyre».

Ose «interpretimin e çështjeve?»

Ose «vendimin».

Ose «mbi erën; mbi frymëmarrjen». Fjalë për fjalë «mbi frymën».

Një mundësi tjetër «ligësia s’mund t’i shpëtojë të ligjtë».

Ose «për t’i bërë keq».

Fjalë për fjalë «i frikësohen Perëndisë së vërtetë». Shih Fjalorthin.

Ose «irrituese».

Ose «punët që bëhen».

Një mundësi tjetër «prej të cilave njerëzit nuk flenë, as ditën, as natën».

Fjalë për fjalë «dhe pas kësaj—te të vdekurit!»

Ose «janë të vetëdijshëm».

Domethënë, u referohet rrobave të bardha që tregojnë gjendje shpirtërore të gëzuar, dhe jo rrobave të zisë.

Ose «të kotë».

Ose «kjo është pjesa jote».

Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.

Ose «e paparashikuara».

Ose «të kobshme».

Fjalë për fjalë «Zemra e të mençurit është në të djathtë të tij, kurse zemra e të pamendit është në të majtë të tij».

Fjalë për fjalë «i mungon zemra».

Fjalë për fjalë «fryma».

Fjalë për fjalë «të pasurit».

Një mundësi tjetër «duhet të bëjë kujdes me ta».

Fjalë për fjalë «një mjeshtër i gjuhës».

Ose «Ushqimi».

Një mundësi tjetër «As në shtratin tënd».

Fjalë për fjalë «mos e mallko».

Ose «mesazhin».

Fjalë për fjalë «krijesë fluturuese e qiejve».

Ose «Nise».

Ose «fryma». Kjo mund t’i referohet edhe frymës së Perëndisë.

Fjalë për fjalë «kockat».

Ose «do të të gjykojë».

Fjalë për fjalë «mishin tënd».

Ose «janë të kota».

Ose «e zeza; e këqija».

Një mundësi tjetër «bashkë me rrebeshin».

Ose «fryti i kaparinës».

Domethënë, i depos së nëndheshme për të mbledhur ujë.

Ose «forca e jetës». Shih Fjalorthin.

Ose «të vinte sipas radhës».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «mishin».

Fjalë për fjalë «frikësoju Perëndisë së vërtetë». Shih Fjalorthin.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo