BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • nwt Vajtimet 1:1-5:22
  • Vajtimet

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vajtimet
  • Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Vajtimet

VAJTIMET

א [Alef]*

1 Si vallë rri ulur krejt e vetmuar ajo* që dikur ishte plot e përplot me njerëz?!+

Si vallë u bë vejushë zonja e madhe e* kombeve?!+

Si vallë u katandis në skllave princesha e provincave?!+

ב [Beth]

 2 Netëve qan me ngashërim+ dhe lotët i rrjedhin faqeve.

Nga gjithë dashnorët e saj, s’ka kush ta ngushëllojë.+

Tërë miqtë e tradhtuan,+ e tani i ka armiq.

ג [Gimel]

 3 Juda ka shkuar në mërgim,+ nën zgjedhën e mundimshme të skllavërisë.+

Mes kombeve i duhet të banojë+ e s’gjen vend ku të prehet.

Të gjithë përndjekësit e saj e vunë poshtë kur ishte në pikë të hallit.

ד [Daleth]

 4 Rrugët e bijës së Sionit* mbajnë zi,

sepse askush nuk vjen më në festat e saj solemne.+

Tërë portat e saj janë të shkretuara;+

priftërinjtë e saj psherëtijnë;

të rejat* e saj janë të pikëlluara e atë vetë e ka pushtuar hidhërimi.

ה [He]

 5 Kundërshtarët tani i ka padronë*

dhe armiqtë e saj gëzojnë jetën në qetësi,+

sepse Jehovai ia ka sjellë këtë hidhërim nga moria e fajeve të saj;+

fëmijët ia kapi kundërshtari, ia çoi në robëri.+

ו [Ua]

 6 Bija e Sionit ka humbur tërë shkëlqimin.+

Princat e saj janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë;

ata ia mbathin të sfilitur nga përndjekësit.

ז [Zajin]

 7 Tani, në këto kohë të mundimshme, ku s’ka ku të futë kokën,

bija e Jerusalemit* kujton gjithë gjërat e çmuara që kishte kohë më parë.+

Kundërshtarët e panë që populli ra në dorë të armikut,

që s’kishte kush ta ndihmonte,+

ndaj fërkuan barkun* për rrënimin e saj.+

ח [Heth]

 8 Bija e Jerusalemit* ka mëkatuar rëndë,+

ja pse është katandisur në një gjë të neveritshme.

Të gjithë ata që dikur e nderonin,

tani e trajtojnë gjithë përçmim, sepse e panë krejt lakuriq,+

ndaj ajo psherëtin+ dhe kthen kokën e turpëruar.

ט [Teth]

 9 Rrobat i ka të përlyera me mëkate.

Nuk mendoi fare për të ardhmen e vet,+

prandaj rrënimi i saj ishte tronditës

e tani s’ka kush ta ngushëllojë.

O Jehova, shikoje mundimin tim,

sepse armiku mbahet me të madh për fitoren.+

י [Jod]

10 Kundërshtari ka shtënë në dorë gjithë thesaret e saj;+

para syve të saj kombet hynë në shenjtërore,+

pikërisht ato kombe që ti i urdhërove të mos hynin në mes të kongregacionit* tënd.

כ [Haf]

11 Mbarë populli psherëtin dhe kërkon bukë.+

Kanë dhënë gjërat e tyre me vlerë për një copë bukë,

sa për të mbajtur shpirtin gjallë.

Shih, o Jehova, shih ç’grua* e pavlerë jam bërë.

ל [Lamed]

12 A nuk ju bën përshtypje kjo që shikoni, o kalimtarë?!

Kthejini sytë dhe shikoni!

A ka dhembje më të madhe se kjo që më mundon,

se dhembja që më shkaktoi Jehovai ditën e zemërimit të tij të zjarrtë?!+

מ [Mem]

13 Nga atje lart dërgoi zjarr për të shkrumbuar çdo kockë timen.+

Për këmbët e mia vuri një rrjetë si grackë e më detyroi të kthehem prapa.

Ai më la qyqe të shkretë,

dhe unë dergjem e sëmurë gjithë ditën.

נ [Nun]

14 Fajet e mia rëndojnë si një zgjedhë që dora e tij shtrëngoi;

mbi qafë më rëndojnë dhe fuqitë m’i shterojnë.

Jehovai më ka lënë në duart e atyre që s’mund t’u bëjë ballë.+

ס [Sameh]

15 Tërë trimat e mi të fuqishëm Jehovai i ka hedhur tej, larg meje.+

Ka mbledhur një turmë kundër meje, që të m’i dërrmojë të rinjtë.+

Jehovai e ka shtypur virgjëreshën e Judës si rrushi në shtypëse.+

ע [Ajën]

16 Ja pse qaj dhe lotët+ më rrjedhin çurg.

Nuk kam afër dikë që të më ngushëllojë, dikë që të ma freskojë shpirtin,

dhe bijtë e mi janë zemërthyer, sepse armiku triumfoi.

פ [Pe]

17 Bija e Sionit* ka shtrirë duart+ për ndihmë,

por s’ka kush ta ngushëllojë.

Jehovai u ka dhënë urdhër tërë armiqve rreth e qark Jakobit të ngrihen kundër tij,+

e në sytë e tyre bija e Jerusalemit është bërë e neveritshme.+

צ [Cade]

18 Jehovai është treguar i drejtë,+ sepse unë u rebelova kundër urdhërimeve* të tij.+

Dëgjoni tani, të gjithë ju, o popuj, dhe shihni ç’dhembje po heq!

Të rinjtë dhe të rejat* e mia kanë shkuar në robëri.+

ק [Kof]

19 U thirra dashnorëve të mi, por ata më tradhtuan.+

Në qytet, priftërinjtë dhe pleqtë u shuan,

teksa kërkonin një copë bukë që të mbanin shpirtin gjallë.+

ר [Resh]

20 Shiko, o Jehova, në ç’hall të madh jam!

Më është bërë një lëmsh në bark*

dhe zemrën ma shtrëngon ankthi,

sepse jam treguar rebele kokë e këmbë.+

Jashtë, fëmijët m’i shkreton shpata,+

kurse brenda në shtëpi, vdekja.

ש [Shin]

21 Më kanë dëgjuar tek psherëtij,

por s’ka kush të më ngushëllojë.

Tërë armiqtë e mi kanë dëgjuar për të keqen që më ka rënë

dhe fërkojnë barkun, sepse këtë të keqe ma solle ti.+

Por do të vijë dita kur ata do të bëhen si unë,+

ashtu si ti vetë ke shpallur.+

ת [Ta]

22 Qoftë tërë ligësia e tyre para syve të tu, dhe sillu ashpër me ta,+

ashtu siç u solle ashpër me mua për shkak të të gjitha fajeve të mia.

Të shumta janë rënkimet e mia dhe zemra më është ligështuar.

א [Alef]

2 Oh, si vallë e mbuloi Jehovai bijën e Sionit me renë e zemërimit të vet?!

E hodhi bukurinë e Izraelit nga qielli në tokë+

dhe nuk e kujtoi «stolin e tij të këmbëve»+ ditën e zemërimit të vet.

ב [Beth]

 2 Jehovai i ka përpirë pa mëshirë të gjitha vendbanimet e Jakobit;

i ka shembur vendet e fortifikuara të bijës së Judës+ me zemërim të furishëm;

e ka rrafshuar dhe e ka përdhosur mbretërinë+ e princat e saj.+

ג [Gimel]

 3 Në flakët e zemërimit theu tërë fuqinë* e Izraelit.

E tërhoqi të djathtën e vet kur armiku u afrua,+

dhe zjarri flakërues që ndezi në mes të Jakobit, përpiu gjithçka.+

ד [Daleth]

 4 Si armik e tendosi harkun dhe si kundërshtar mori shenjë me të djathtën.+

Pa u ndalur, vrau gjithë njerëzit që në sytë tanë janë të shtrenjtë,+

dhe si zjarr e derdhi tërbimin e tij+ mbi tendën e bijës së Sionit.+

ה [He]

 5 Jehovai është bërë për ne si një armik;+

Izraelin e ka gllabëruar dhe ia ka shkatërruar gjithë kullat;

tërë fortifikatat ia ka rrafshuar dhe e ka mbuluar me zi e lot bijën e Judës.

ו [Ua]

 6 Ai e ka shembur kasollen e tij,+

si të ishte një barakë në mes të kopshtit.

Festave solemne u ka dhënë fund.+

Jehovai ua ka shuar kujtimin festave dhe sabatit në Sion,

dhe nga indinjata e thellë, s’do t’ia dijë as për mbret e as për prift.+

ז [Zajin]

 7 Jehovai e ka hedhur poshtë altarin e tij,

i ka vënë shkelmin shenjtërores së vet.+

Muret e kullave të fortifikuara të Sionit i ka lënë në duart e armiqve,+

dhe ata brohoritën në shtëpinë e Jehovait+ si të ishte ditë feste.

ח [Heth]

 8 Jehovai ka vendosur ta shembë murin e bijës së Sionit.+

Ai e ka shtrirë litarin për matje+

dhe nuk ka hequr dorë nga shkatërrimi* i vendit.

Kështu ledhi mbrojtës dhe muri mbajnë zi, e që të dy lëngojnë.

ט [Teth]

 9 Portat e saj janë fundosur nën dhé,+

shulat ia ka shkatërruar, ia ka bërë copë-copë.

Mbreti dhe princat e saj po treten në mërgim nëpër kombe.+

Nuk ka më ligj;* madje edhe profetët e saj nuk shohin më asnjë vegim* nga Jehovai.+

י [Jod]

10 Pleqtë e bijës së Sionit ulen përtokë dhe rrinë në heshtje;+

kokën e kanë mbuluar me pluhur dhe janë veshur me copë thesi.*+

Të rejat* e Jerusalemit e kanë ulur kokën deri në tokë.

כ [Haf]

11 Sytë më janë tretur nga lotët;+

më është bërë një lëmsh në bark;*

zemra më është bërë gjak,*

sepse bija* e popullit tim është rrënuar,+

sepse fëmijët dhe foshnjat e gjirit po treten shesheve të qytetit.+

ל [Lamed]

12 Ata u thonë pareshtur nënave të tyre:

«Nënë, kam uri! Kam etje!»,*+

teksa treten si të plagosurit nëpër sheshet e qytetit,

teksa shuhen në krahët e nënave të tyre.

מ [Mem]

13 Çfarë shembulli* mund të të jap?

Me kë të të përngjasoj, o bijë e Jerusalemit?

Me kë të të krahasoj për të të ngushëlluar, o bijë* e Sionit?

Plaga jote është e thellë sa deti.+ Kush mund të të shërojë?+

נ [Nun]

14 Vegimet që panë profetët e tu ishin të rreme e të kota;+

ata nuk i nxorën sheshit fajet e tua, që ti të mos bije në robëri,+

përkundrazi, shihnin për ty vegime të rreme e mashtruese.+

ס [Sameh]

15 Për ty tërë kalimtarët duartrokasin me përçmim,+

tallen*+ e, duke tundur kokën për bijën e Jerusalemit, thonë:

«Ky qenka qyteti për të cilin thuhej,

‘përsosmëria e bukurisë, gëzimi i mbarë tokës’?!»+

פ [Pe]

16 Tërë armiqtë të tallin,

fishkëllejnë* e kërcëllijnë dhëmbët kundër teje dhe thonë:

«E kemi përpirë.+ Mezi e kemi pritur këtë ditë!+ Ja, e arritëm dhe e pamë!»+

ע [Ajën]

17 Jehovai ka bërë atë që kishte ndër mend;+

e çoi në vend fjalën e vet,+ atë që urdhëroi kohë më parë.+

Ai të shembi pa mëshirë;+

lejoi që armiku të gëzohej për të keqen tënde;

forcat* kundërshtare i lartësoi.

צ [Cade]

18 O mur i bijës së Sionit,

dëgjo si i thërret Jehovait për ndihmë zemra e popullit!

Le të të rrjedhin lotët rrëke ditë e natë!

Mos pusho! Sytë e tu* mos paçin qetësi!

ק [Kof]

19 Çohu! Bërtit gjatë natës kur fillon ndërresa e rojës.

Porsi uji zbraze zemrën para Jehovait;

ngriji duart në lutje drejt tij për jetën e fëmijëve të tu,

që po treten rrugëve* prej zisë së bukës.+

ר [Resh]

20 Shiko, o Jehova, shiko kundër kujt je sjellë kaq ashpër.

A duhet të hanë gratë frytin e barkut të tyre,

fëmijët që kanë sjellë vetë në jetë?+

A duhet të vriten priftërinjtë dhe profetët në shenjtëroren e Jehovait?+

ש [Shin]

21 Djemtë dhe pleqtë dergjen të vdekur rrugëve;+

të rinjtë dhe të rejat* e mia kanë rënë të vdekur nga shpata;+

i ke vrarë në ditën e zemërimit tënd, i ke therur pa t’u dhimbsur syri.+

ת [Ta]

22 Si për ditë feste+ i mblodhe tmerret nga çdo anë.

Në ditën e zemërimit të furishëm të Jehovait,

askush nuk shpëtoi, askush nuk mbeti gjallë.+

Fëmijët që solla në jetë* dhe i rrita, m’i shfarosi armiku.+

א [Alef]

3 Unë vetë e kam parë mundimin që shkaktoi shkopi i zemërimit të tij të furishëm.

 2 Ai më ka përzënë dhe tani më bën të eci në errësirë, jo në dritë.+

 3 Po, ai e ngre dorën kundër meje pareshtur, gjithë ditën e ditës.+

ב [Beth]

 4 Mishin e lëkurën m’i ka tretur, kockat m’i ka thërrmuar.

 5 Kundër meje ka ngritur një mur rrethues,

rreth meje kam veç helm+ e halle.

 6 Më ka detyruar të banoj në skuta të errëta,

si ata që kanë vdekur prej kohësh.

ג [Gimel]

 7 Ai më ka rrethuar me mur që të mos dal,

më ka lidhur me vargonj të rëndë bakri.+

 8 Kur i dëshpëruar klith për ndihmë,

ai nuk pranon ta dëgjojë* lutjen time.+

 9 Shtigjet m’i ka bllokuar me gurë të latuar

dhe udhët m’i ka bërë dredha-dredha.+

ד [Daleth]

10 Ai më ka zënë pritë si një ari, si një luan që rri fshehur.+

11 Më ka shtyrë larg shtigjeve dhe më ka bërë copë-copë;*

ai më ka lënë të shkretë.+

12 Ka tendosur harkun e tij,

më ka vënë në nishan me shigjetë.

ה [He]

13 M’i ka shpuar veshkat me shigjetat* e kukurës* së tij.

14 Jam bërë gazi i botës për tërë popujt,

refreni i këngës së tyre gjithë ditën.

15 Ai më ka mbushur me hidhërim,

më ka ngopur me pelin.+

ו [Ua]

16 Me zhavorr m’i ka thyer dhëmbët

dhe më ka bërë të zhgërryhem në hi.+

17 Ti ma ke rrëmbyer paqen; kam harruar ç’është e mira.

18 Ndaj unë them: «Shkëlqimi im është shuar,

e po kështu edhe shpresa te Jehovai.»

ז [Zajin]

19 Mos harro ç’mundime po heq dhe se nuk kam ku të fut kokën;+

mos harro se po ngopem me pelin dhe helm.+

20 Me siguri ti* do të më kujtosh e do të përkulesh për të më ndihmuar.+

21 Këtë do ta ruaj në zemër, ja pse do të pres për ty me durim.*+

ח [Heth]

22 Falë dashurisë besnike të Jehovait, nuk kemi marrë fund,+

sepse mëshira e tij nuk shteron kurrë.+

23 Ajo përtërihet çdo mëngjes.+ Sa e madhe është besnikëria jote!+

24 «Jehovai është trashëgimia* ime,+—kam thënë,—ja pse do të pres për të me durim.»*+

ט [Teth]

25 Jehovai është i mirë me atë që shpreson tek ai,+

me atë që e kërkon pareshtur.+

26 Është mirë të presësh në heshtje*+ shpëtimin nga Jehovai.+

27 Është mirë për njeriun të mbajë zgjedhën gjatë rinisë së tij.+

י [Jod]

28 Le të rrijë vetëm e në heshtje kur Ai t’ia vërë këtë zgjedhë mbi supe.+

29 Le të ulë kokën e ta kredhë fytyrën në pluhur,+

se ndoshta ka ende shpresë.+

30 Le t’i kthejë faqen atij që e godet; le të ngopet me fyerje,

כ [Haf]

31 sepse Jehovai nuk do ta hedhë poshtë popullin e tij përjetë.+

32 Edhe pse ka sjellë hidhërime,

ai do të tregojë mëshirë sipas dashurisë së tij besnike të madhe,+

33 sepse nuk ia do zemra t’i mundojë a t’i hidhërojë bijtë e njerëzve.+

ל [Lamed]

34 Të shtypësh me këmbë të burgosurit e tokës,+

35 t’i mohosh drejtësinë dikujt në prani të Më të Lartit+

36 dhe ta zhvatësh tjetrin në gjyq me mashtrime

—gjëra të tilla Jehovai nuk i toleron.

מ [Mem]

37 Vallë, kush mund ta realizojë atë që thotë, po të mos japë urdhër Jehovai?!

38 Nga goja e Më të Lartit nuk dalin e keqja dhe e mira bashkë.

39 Ndaj njeriu* s’ka pse të ankohet për pasojat e mëkatit të vet!+

נ [Nun]

40 Le t’i shqyrtojmë e t’i hetojmë udhët tona,+ dhe le të kthehemi te Jehovai.+

41 Me zemër të pastër, le t’i ngremë duart drejt Perëndisë në qiej e t’i lutemi:+

42 «Ne kemi mëkatuar dhe jemi rebeluar,+ ja pse ti nuk na ke falur.+

ס [Sameh]

43 Nga zemërimi, nuk na ke lejuar të të afrohemi;+

na ke ndjekur këmba-këmbës e na ke vrarë pa t’u dhimbsur syri.+

44 Ke vënë një re mes nesh, që të mos të afrohemi e që lutja jonë të mos kalojë dot te ti.+

45 Na ke bërë fundërrina e mbeturina në mes të popujve.»

פ [Pe]

46 Tërë armiqtë na tallin.+

47 Për ne paskan qenë tmerri e gropa,+ shkretimi e rrënimi.+

48 Lotët më rrjedhin lumë për rrënimin e bijës së popullit tim.+

ע [Ajën]

49 Jam mbytur në lot e do të qaj pa pushim+

50 derisa Jehovai të kthejë sytë nga ne e të na shohë nga qielli.+

51 Sa më dhemb shpirti! Ç’po më shohin sytë?!

Ç’i ka gjetur kështu bijat e qytetit tim!+

צ [Cade]

52 Armiqtë më kanë ndjekur pa shkak si të isha shpend gjahu.

53 Jetës sime i dhanë fund; në gropë më çuan e më goditën pareshtur me gurë.

54 Ujërat më vërshuan mbi kokë dhe thashë: «Tani mora fund!»

ק [Kof]

55 Nga thellësia e gropës, thirra emrin tënd, o Jehova!+

56 Dëgjoma zërin! Mos i mbyll veshët kur të thërras për ndihmë, kur kërkoj lehtësim.

57 Ditën që të thirra, m’u afrove dhe më the: «Mos ki frikë!»

ר [Resh]

58 Ti e ke mbrojtur çështjen time, o Jehova;

ma ke shpenguar* jetën.+

59 Ti, o Jehova, e ke parë padrejtësinë që më është bërë.

Të lutem, më jep të drejtën time!+

60 Ti e ke parë sa herë kanë marrë hak e kanë thurur intriga kundër meje.

ש [Sin] ose [Shin]

61 Ti, o Jehova, i ke dëgjuar sa herë janë tallur e kanë thurur intriga kundër meje,+

62 si kanë çuçuritur gjithë ditën kundër meje armiqtë e mi tek përdridhnin buzët.

63 Shikoji si më tallin edhe kur ulen, edhe kur ngrihen;

jam bërë refreni i këngës së tyre.

ת [Ta]

64 O Jehova, ti do t’ua kthesh sipas veprave të tyre.

65 Bëjua zemrën gur, dhe mallkimi yt rëntë mbi ta!

66 O Jehova, ndiqi këmba-këmbës gjithë zemërim dhe fshiji nga faqja e dheut.

א [Alef]

4 Oh, seç u venit ari që shkëlqente, ari i kulluar!+

Oh, seç u shpërndanë rrugëve*+ gurët e shenjtë!+

ב [Beth]

 2 Bijtë e çmuar të Sionit që vlerësoheshin si ari i kulluar,*

tani shihen si enë balte, vepër e duarve të poçarit.

ג [Gimel]

 3 Edhe çakejtë i vënë në gji këlyshët e tyre që t’i mëndin,

kurse bija e popullit tim është bërë mizore+ si strucët në shkretëtirë.+

ד [Daleth]

 4 Foshnjës së gjirit i është ngjitur gjuha pas qiellzës nga etja;

fëmijët lypin bukë,+ por s’u jep kush.+

ה [He]

 5 Ata që hanin gjëra të shijshme, dergjen të uritur* rrugëve;+

ata që ishin rritur me rroba të shtrenjta,*+ kanë përqafuar togjet me hi.

ו [Ua]

 6 Ndëshkimi* i bijës së popullit tim është më i madh se ndëshkimi* i Sodomës,+

që u shkatërrua në çast dhe askush nuk ia zgjati dorën për ta ndihmuar.+

ז [Zajin]

 7 Nazirejtë*+ e saj ishin më të pastër se bora, më të bardhë se qumështi,

më kuqalashë se koralet, si gurë safiri të lëmuar.

ח [Heth]

 8 Tani janë bërë më të zinj se bloza* dhe rrugëve nuk njihen më.

Lëkura u është ngjitur pas kockave,+ u është tharë si dru.

ט [Teth]

 9 Më mirë ata që i vret shpata se ata që i vret zia e bukës,+

sepse këta treten dalëngadalë nga mungesa e ushqimit.

י [Jod]

10 Gratë që dikur ishin të dhembshura, i kanë zier fëmijët me duart e veta;+

ata u bënë ushqim* për to gjatë rrënimit të bijës së popullit tim.+

כ [Haf]

11 Jehovai e zbrazi tërbimin e tij;

ai e derdhi zemërimin e tij të zjarrtë+

e në Sion ndezi një zjarr, që ia përpiu themelet.+

ל [Lamed]

12 Mbretërit e tokës dhe tërë banorët e dheut nuk e besonin

se kundërshtari dhe armiku do të hynin në portat e Jerusalemit.+

מ [Mem]

13 Kjo ndodhi për shkak të mëkateve të profetëve e të fajeve të priftërinjve,+

të cilët derdhën në mes tij gjakun e të drejtëve.+

נ [Nun]

14 Ata janë endur rrugëve si të verbër,+

të ndotur me gjak,+ ndaj askush s’ua prek dot rrobat.

ס [Sameh]

15 «Largohuni, të papastër!​—u bërtasin.—Ikni! Largohuni! Mos na prekni!»

Kanë mbetur të pastrehë dhe enden andej-këtej.

Nëpër kombe kanë thënë: «Ata nuk mund të rrinë këtu me ne.*+

פ [Pe]

16 Vetë Jehovai* i ka shpërndarë;+

ai nuk do t’i shohë më me pëlqim.

Njerëzit s’do t’i respektojnë priftërinjtë,+

as do t’i nderojnë pleqtë.»+

ע [Ajën]

17 Na u thanë sytë për pak ndihmë, por më kot.+

Pareshtur i mbajtëm sytë te një komb që nuk mund të na shpëtonte.+

צ [Cade]

18 Hap pas hapi na gjurmonin,+ ndaj s’shkonim dot nëpër sheshe.

Fundi ynë është afruar; i kemi mbushur ditët, se na ka ardhur fundi.

ק [Kof]

19 Ata që na ndiqnin këmba-këmbës, ishin më të shpejtë se shqiponjat e qiejve.+

Nëpër male na ndoqën dhe në shkretëtirë na zunë pritë.

ר [Resh]

20 I mirosuri* i Jehovait,+ që është si ajër për ne,*

është kapur rob në gropën e tyre të madhe,+

po, ai për të cilin thoshim: «Nën hijen e tij do të jetojmë të mbrojtur mes kombeve.»

ש [Sin]

21 Ngazëllo dhe gëzo, o bijë e Edomit,+ që banon në vendin e Uzit!

Edhe nga ti do të kalojë kupa,+ e ti do të dehesh e do të zbulosh lakuriqësinë tënde.+

ת [Ta]

22 Ndëshkimi për fajin tënd, o bijë e Sionit, ka marrë fund;

Perëndia nuk do të të çojë sërish në mërgim.+

Por ai do ta drejtojë vëmendjen te faji yt, o bijë e Edomit,

dhe do t’i nxjerrë në shesh mëkatet e tua.+

5 Mos harro, o Jehova, ç’na ka gjetur.

Ktheji sytë dhe shikoje poshtërimin tonë.+

 2 Trashëgimia jonë është lënë në dorë të të panjohurve,

shtëpitë tona në dorë të të huajve.+

 3 Kemi mbetur jetimë, pa baba, dhe nënat tona kanë mbetur të veja.+

 4 Edhe për të pirë ujin tonë na duhet të paguajmë,+

dhe drutë tona na duhet t’i marrim me pará.

 5 Ata që na ndjekin këmba-këmbës, i kemi pas qafe;

edhe pse jemi të rraskapitur, prapë nuk na lënë të marrim frymë.+

 6 Ia shtrimë dorën Egjiptit+ dhe Asirisë+ për një copë bukë.

 7 Paraardhësit tanë kanë mëkatuar.

Mirëpo ata nuk janë më, ndaj për fajet e tyre na duhet të vuajmë ne.

 8 Tani shërbëtorët janë bërë sundimtarët tanë,

e askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre.

 9 E nxjerrim bukën e gojës duke rrezikuar kokën,+

për shkak të shpatës në shkretëtirë.

10 Lëkura na digjet flakë për shkak të urisë së pashuar.+

11 Në Sion gratë tona i kanë çnderuar,*

në qytetet e Judës virgjëreshat tona i kanë dhunuar.+

12 Princat i kanë lënë të varur vetëm me një dorë,+

kurse pleqve nuk u kanë treguar pikë respekti.+

13 Të rinjtë i kanë vënë të bluajnë në mokër,*

dhe djemtë e vegjël rrëzohen nën barrën e druve.

14 Pleqtë nuk mblidhen më te porta e qytetit,+

dhe tingujt e muzikës së të rinjve nuk dëgjohen më.+

15 Gëzimi në zemrat tona është shuar dhe vallet na janë kthyer në zi.+

16 Kurora na ka rënë nga koka. Mjerë ne, se kemi mëkatuar!

17 Ja pse na është ligështuar zemra,+

ja pse na janë errur sytë.+

18 E tani mali Sion dergjet i shkretuar+

dhe nëpër të enden veç dhelpra.

19 Por ti, o Jehova, rri ulur në fronin tënd përjetë;

froni yt qëndron brez pas brezi.+

20 Pse të na lësh në harresë dhe të na braktisësh për një kohë kaq të gjatë?+

21 Na kthe pranë teje, o Jehova,

dhe ne do të kthehemi me gjithë zemër.+

Sillna ditë të mira si më parë.+

22 Mirëpo ti na ke hedhur poshtë krejt;

je ende tejet i zemëruar me ne.+

Kapitujt 1-4 janë këngë të përvajshme në formë akrostike, sipas alfabetit hebraik.

Domethënë, Jerusalemi. Fjalë për fjalë «qyteti».

Ose «ajo që kishte popullsi të dendur mes».

Fjalë për fjalë «e Sionit».

Fjalë për fjalë «Virgjëreshat».

Fjalë për fjalë «krerë».

Fjalë për fjalë «Jerusalemi».

Ose «u kënaqën».

Fjalë për fjalë «Jerusalemi».

Ose «popullit».

Ky personifikim i referohet Jerusalemit.

Fjalë për fjalë «Sioni».

Fjalë për fjalë «gojës».

Fjalë për fjalë «virgjëreshat».

Fjalë për fjalë «zorrë».

Fjalë për fjalë «çdo bri».

Fjalë për fjalë «nga gllabërimi».

Ose «udhëzim».

Shih Fjalorthin.

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «Virgjëreshat».

Fjalë për fjalë «zorrë».

Fjalë për fjalë «mëlçia më është derdhur përtokë».

Personifikim poetik, ndoshta për të shprehur keqardhje ose dhembshuri.

Fjalë për fjalë «Ku janë drithi dhe vera?»

Ose «dëshmie».

Ose «o bija e virgjër».

Fjalë për fjalë «fishkëllejnë».

Me sa duket një gjest që tregon habi ose tallje.

Fjalë për fjalë «bririn».

Fjalë për fjalë «Vajza e syrit tënd».

Fjalë për fjalë «në krye të çdo rruge».

Fjalë për fjalë «virgjëreshat».

Ose «që lindën të shëndetshëm».

Ose «e pengon; e ndalon».

Një mundësi tjetër «më bën të rri kot».

Fjalë për fjalë «bijtë».

Ose «e këllëfit».

Ose «shpirti yt».

Ose «do të rri në pritje».

Fjalë për fjalë «pjesa».

Ose «do të rri në pritje».

Ose «me durim».

Fjalë për fjalë «njeriu që rron».

Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».

Fjalë për fjalë «në krye të çdo rruge».

Ose «që peshoheshin në flori».

Fjalë për fjalë «të shkretë».

Ose «me ngjyrë të kuqe të ndezur».

Fjalë për fjalë «Faji».

Fjalë për fjalë «mëkati».

Shih Fjalorthin.

Fjalë për fjalë «e zeza».

Ose «ushqimi i vajtimit».

Ose «nuk mund të banojnë këtu si të ardhur».

Fjalë për fjalë «Fytyra e Jehovait».

Shih Fjalorthin.

Ose «si fryma në flegrat tona».

Ose «përdhunuar».

Shih Fjalorthin.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo