LETRA E DYTË DREJTUAR KORINTASVE
1 Pavli, apostull i Krishtit Jezu falë vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai ynë Timoteu,+ drejtuar kongregacionit* të Perëndisë në Korint, si edhe gjithë të shenjtëve* në mbarë Akainë:+
2 Mirësia e pamerituar* dhe paqja nga Perëndia, Ati ynë, si edhe nga Zotëria Jezu Krisht, qofshin me ju!
3 Lëvduar qoftë Perëndia, po, Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht,+ Ati i mëshirshëm e zemërdhembshur+ dhe Perëndia i çdo ngushëllimi,+ 4 i cili na ngushëllon* në të gjitha sprovat* tona,+ që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të tjerët+ në çfarëdo sprove me po atë ngushëllim që marrim prej tij.+ 5 Vërtet, ashtu si vuajtjet tona për hir të Krishtit s’kanë të numëruar,+ po ashtu edhe ngushëllimi që marrim nëpërmjet Krishtit, është i pamasë. 6 Tani, nëse hasim sprova, është për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, e nëse marrim ngushëllim, është për ngushëllimin tuaj, i cili ju ndihmon t’u bëni ballë të njëjtave vuajtje që po heqim edhe ne. 7 Po, nuk i humbim kurrë shpresat për ju, sepse e dimë se, sikurse po hiqni të njëjtat vuajtje si ne, po ashtu do të gjeni të njëjtin ngushëllim si ne.+
8 Vëllezër, nuk duam të jeni në padije të sprovave që hasëm në krahinën e Azisë:+ atje ishim tej mase nën presion, madje përtej forcave tona, aq sa nuk ishim të sigurt as për vetë jetën+ 9 dhe faktikisht e ndienim se kishim marrë dënimin me vdekje. Nga kjo mësuam që të mos kishim besim te vetja, por te Perëndia+ që sjell të vdekurit në jetë. 10 Pikërisht përballë një rreziku kaq të madh si vdekja, ai na shpëtoi dhe do të na shpëtojë përsëri. Po, tek ai i kemi varur shpresat se do të vazhdojë të na shpëtojë.+ 11 Por edhe ju mund të na ndihmoni duke u përgjëruar për ne,+ sepse, në përgjigje të lutjeve të shumë vetave, do të na tregohet mirësi, dhe lutjet e falënderimit për ne do të vërshojnë lumë.+
12 Ne krenohemi dhe e kemi ndërgjegjen të pastër, sepse jemi sjellë me njerëzit në botë, e sidomos me ju, në përputhje me shenjtërinë dhe sinqeritetin që vjen nga Perëndia, e jo sipas mençurisë njerëzore,+ por sipas mirësisë së pamerituar të Perëndisë. 13 Në të vërtetë nuk po ju shkruajmë asgjë tjetër përveç atyre që mund të lexoni* dhe të kuptoni. Shpresoj t’i kuptoni plotësisht* këto gjëra, 14 sikurse keni kuptuar deri diku që mund të krenoheni me ne, ashtu siç do të krenohemi edhe ne me ju në ditën e Zotërisë tonë Jezu.
15 Kështu, i sigurt për këtë, kisha ndër mend të vija së pari te ju, që të kishit një rast të dytë për gëzim,* 16 sepse kisha planifikuar të vija ndërsa isha rrugës për në Maqedoni,* e nga Maqedonia të kthehesha përsëri te ju, që pastaj të më përcillnit për në Jude.+ 17 Tani, kur mora këtë vendim, mos vallë nuk e peshova mirë? Apo mos i bëj planet sipas interesit tim, që një herë të them «po, po» dhe pastaj «jo, jo»? 18 Por sikurse Perëndia është i besueshëm, po ashtu është edhe fjala jonë, sepse nuk themi një herë «po» e pastaj «jo». 19 Edhe Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, për të cilin ju predikuam ne, domethënë, unë, Silvani* dhe Timoteu,+ nuk thotë një herë «po» e pastaj «jo»; «po-ja» e tij është gjithmonë «po». 20 Faktikisht, premtimet e Perëndisë, pavarësisht sa të shumta janë, janë bërë «po» me anë të tij.+ Prandaj në emër të tij i themi «Amin!» Perëndisë+ që t’i japim lavdi. 21 Gjithsesi, ai që na ka mirosur* dhe që garanton se ju dhe ne i përkasim Krishtit, është Perëndia,+ 22 i cili ka vënë mbi ne edhe vulën e vet,+ domethënë, ka vënë frymën e tij në zemrat tona, si kapar* të trashëgimisë sonë.+
23 Tani, betohem për vetë jetën time, dhe kam dëshmitar Perëndinë, se nuk kam ardhur akoma në Korint, ngaqë doja t’ju kurseja e të mos ju rëndoja edhe më shumë. 24 Nuk po them se ne jemi zotër të besimit tuaj,+ por se jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj, sepse falë besimit tuaj po qëndroni të fortë.
2 Kështu, kam vendosur të mos ju sjell trishtim kur të vij herën tjetër, 2 sepse, nëse ju trishtoj të gjithëve, kush mes jush do të më sjellë gëzim përveç atyre që trishtova?! 3 Ato që ju shkrova, i shkrova që, kur të vij, të mos më sillni trishtim, sepse ju duhet të jeni burim gëzimi për mua, dhe jam i sigurt se ajo që më gëzon mua, ju gëzon edhe ju. 4 Ju shkrova mes shumë lotësh, ngaqë ndieja shtrëngim e ankth të madh në zemër, jo që të trishtoheni,+ por që ta dini sa e thellë është dashuria ime për ju.
5 Tani, nëse dikush ka trishtuar ndonjë,+ nuk më ka trishtuar mua, por deri në njëfarë mase—pa e rënduar këtë situatë edhe më shumë—të gjithë ju. 6 Për atë njeri mjafton qortimi që i dha shumica. 7 Tani duhet ta falni me gjithë zemër dhe ta ngushëlloni,+ që të mos e mbytë* trishtimi i tepërt.+ 8 Prandaj, ju nxit ta siguroni për dashurinë tuaj.+ 9 Por ju shkrova edhe për të parë nëse do të ishit vërtet të bindur në gjithçka. 10 Në fakt, nëse e falni dikë për ndonjë faj, e kam falur edhe unë. Çdo faj që kam falur (nëse kam falur ndonjë), e kam bërë për të mirën tuaj, dhe për këtë kam Krishtin dëshmitar. 11 Prandaj, le të mos na zërë në lak* Satanai,+ sepse nuk jemi në padije të intrigave* të tij.+
12 Tani, kur mbërrita në Troadë+ për të shpallur lajmin e mirë për Krishtin, m’u hap një derë në veprën e Zotërisë, 13 por nuk më gjente shpirti* qetësi ngaqë nuk gjeta aty Titin,+ vëllanë tim. Prandaj i përshëndeta vëllezërit atje dhe u nisa për në Maqedoni.+
14 Faleminderit Perëndisë që na prin gjithnjë në një marshim triumfues bashkë me Krishtin dhe që e përhap aromën e njohurisë së tij në çdo vend nëpërmjet nesh! 15 Vërtet, ne që predikojmë për Krishtin, jemi për Perëndinë një aromë e këndshme, e cila përhapet si tek ata që po shpëtojnë, edhe tek ata që po marrin fund; 16 për këta të fundit është kundërmim vdekjeje që çon në vdekje,+ kurse për të parët është aromë jete që çon në jetë. Kush është i kualifikuar* për këtë detyrë? 17 Ne, sepse nuk jemi shitës ambulantë të fjalës së Perëndisë,*+ siç janë shumë njerëz, por flasim gjithë çiltërsi si të dërguar nga Perëndia, po, nën shikimin e Perëndisë dhe përkrah Krishtit.
3 Mos po fillojmë ta rekomandojmë përsëri veten? Apo mos ndoshta kemi nevojë, si disa, për letra rekomandimi për ju ose nga ju? 2 Ju vetë jeni letra jonë,+ e shkruar në zemrat tona, e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit, 3 sepse është e qartë se ju jeni një letër e Krishtit, e shkruar nga ne si shërbëtorë të Perëndisë,+ jo me bojë, por me frymën e Perëndisë së gjallë, jo në pllaka guri,+ por në pllaka mishi, në zemra.+
4 Këtë lloj sigurie na e ka dhënë Perëndia nëpërmjet Krishtit. 5 Nuk po themi se jemi të vetëkualifikuar,* sa të mendojmë se këtë vepër e bëjmë falë forcave tona, por se vetë Perëndia na ka kualifikuar.+ 6 Vërtet, ai na ka kualifikuar që të jemi shërbëtorë të një besëlidhjeje të re,+ jo shërbëtorë të një kodi të shkruar,+ por të frymës,* sepse kodi i shkruar dënon me vdekje,+ kurse fryma jep jetë.+
7 Tani, nëse kodi i skalitur në gur+ që dënon me vdekje, u dha me aq shumë lavdi, sa bijtë e Izraelit nuk mundën ta shihnin fytyrën e Moisiut, ngaqë fytyra i rrezatonte gjithë lavdi+ (lavdi që do të venitej), 8 pse atëherë fryma e shenjtë+ të mos jepej edhe me më shumë lavdi?!+ 9 Nëse kodi që dënon,+ ishte i lavdishëm,+ aq më tepër do të ishte e lavdishme mënyra si shpallemi të drejtë.+ 10 Në të vërtetë, edhe kodi i shkruar që dikur ishte i veshur me lavdi, është zhveshur nga lavdia për shkak të lavdisë së pakrahasueshme të besëlidhjes së re.+ 11 E nëse u dha me lavdi kodi që do të hiqej,+ aq më shumë do të kishte lavdi besëlidhja që mbetet.+
12 Meqë kemi një shpresë të tillë,+ ne flasim lirshëm e pa druajtje 13 dhe nuk veprojmë si Moisiu, i cili vinte një vel në fytyrë,+ që bijtë e Izraelit të mos shihnin si do të merrte fund kodi që do të hiqej. 14 Kurse atyre u ishte mpirë mendja,+ madje deri sot e kësaj dite, i njëjti vel ua mbulon mendjen sa herë që lexohet besëlidhja e vjetër,+ pasi ai vel mund të hiqet vetëm nëpërmjet Krishtit.+ 15 Faktikisht, sot e kësaj dite, një vel ua mbulon zemrat+ sa herë që lexohen shkrimet e Moisiut.+ 16 Por, kur dikush kthehet te Jehovai,* veli hiqet,+ 17 sepse Jehovai* është Frymë,*+ dhe atje ku është fryma e Jehovait,* atje ka liri.+ 18 Me velin të hequr nga fytyra, të gjithë ne që pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Jehovait,* transformohemi sipas imazhit të tij, duke pasqyruar gjithnjë e më shumë lavdi,* ashtu si na transformon Jehovai,* i cili është Frymë.*+
4 Prandaj, meqë na është besuar ky shërbim falë mëshirës që na është treguar, ne nuk dorëzohemi.* 2 Përkundrazi, i kemi hedhur poshtë gjërat që bëhen në fshehtësi e që janë për të ardhur turp, dhe nuk sillemi me dinakëri e as e shtrembërojmë* fjalën e Perëndisë,+ por, duke shfaqur hapur të vërtetën, ia rekomandojmë veten në sytë e Perëndisë ndërgjegjes së çdo njeriu.+ 3 Tani, nëse lajmi i mirë që shpallim, është i mbuluar me vel, është i mbuluar vetëm për ata që po marrin fund, 4 për jobesimtarët, sepse perëndia i kësaj bote*+ ua ka verbuar mendjen,+ që të mos depërtojë drita e lajmit të mirë e të lavdishëm për Krishtin,+ i cili është imazhi* i Perëndisë.+ 5 Në fakt, kur predikojmë, nuk flasim për veten tonë, por për Jezu Krishtin, se ai është Zotëri, kurse ne jemi skllevërit tuaj për hir të Jezuit, 6 sepse Perëndia që tha: «Le të ndriçojë drita nga errësira»,+ është po ai që ka hedhur dritë mbi zemrat tona për t’i ndriçuar+ me njohurinë e Tij të lavdishme, nëpërmjet Krishtit.*
7 Megjithatë, ne e kemi këtë thesar+ në enë balte,*+ që të shihet qartë se fuqia përtej asaj që është normale, vjen nga Perëndia e jo nga ne.+ 8 Jemi zënë ngushtë, por jo aq sa të mos lëvizim; jemi në mëdyshje, por jo fare pa rrugëdalje;*+ 9 jemi të përndjekur, por jo të braktisur;+ jemi përtokë, por jo të shkatërruar.+ 10 Durojmë gjithnjë në trupin tonë trajtimin vdekjeprurës që hoqi Jezui,+ që edhe në trupin tonë të pasqyrohet jeta e Jezuit. 11 Vërtet, ne që jemi akoma gjallë, përballemi gjithnjë me vdekjen+ për hir të Jezuit, që edhe në trupin tonë të vdekshëm të pasqyrohet jeta e Jezuit. 12 Kështu, te ne vepron vdekja, por te ju, jeta.
13 Tani, meqë kemi po atë besim* për të cilin është shkruar: «Tregova besim, prandaj fola»,+ edhe ne tregojmë besim e prandaj flasim, 14 duke e ditur se Ai që ngriti Jezuin nga të vdekurit, do të na ngrejë edhe ne si Jezuin dhe do të na paraqitë përpara tij bashkë me ju.+ 15 Faktikisht, gjithë këto gjëra i heqim për të mirën tuaj që, falë lutjeve të falënderimit të shumë e shumë njerëzve në lavdi të Perëndisë,+ mirësia e pamerituar të vërshojë lumë.
16 Prandaj, ne nuk dorëzohemi,* por, edhe pse njeriu i jashtëm po tretet, njeriu i brendshëm po përtërihet nga dita në ditë. 17 Ndonëse sprovat* janë kalimtare dhe të lehta, ato na sjellin një lavdi të përhershme e që s’ka të krahasuar.*+ 18 Ndërkohë, i kemi sytë jo te gjërat që shihen, por tek ato që nuk shihen,+ sepse gjërat që shihen, janë të përkohshme, por gjërat që nuk shihen, janë të përhershme.
5 Ne e dimë në fakt se shtëpia* jonë në tokë, kjo tendë, do të shembet,*+ dhe se Perëndia do të na japë në qiej një shtëpi të përhershme që nuk e kanë bërë duart e njeriut.+ 2 Për sa kohë banojmë në këtë shtëpi,* ne rënkojmë dhe dëshirojmë me zjarr “të veshim” atë që është përgatitur për ne në qiell,*+ 3 që, kur të vijë koha për ta veshur, të mos jemi lakuriq. 4 Faktikisht, ne që jemi në këtë tendë, rënkojmë dhe jemi të rënduar, jo ngaqë duam të zhveshim këtë tendë, por ngaqë duam të veshim tjetrën,+ me qëllim që jeta të përpijë trupat tanë të vdekshëm.+ 5 Tani, ai që na përgatiti pikërisht për këtë gjë, është Perëndia,+ i cili na dha frymën e tij si kapar* të trashëgimisë sonë.+
6 Prandaj, edhe pse jemi larg Zotërisë+ ndërkohë që banojmë në këtë shtëpi prej mishi e gjaku, ne ndihemi plotësisht të sigurt, 7 sepse po ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet. 8 Po, nuk kemi pikë dyshimi dhe preferojmë të jemi larg kësaj shtëpie prej mishi e gjaku e të banojmë me Zotërinë.+ 9 Kështu, edhe nëse banojmë me të, edhe nëse jemi larg tij, synojmë të jemi të pranueshëm për të, 10 sepse të gjithë ne duhet të paraqitemi* përpara fronit të gjykimit të Krishtit, që secili të marrë shpërblimin e vet për gjërat që ka bërë kur ishte prej mishi e gjaku, të mira a të këqija* qofshin.+
11 Prandaj, meqë nderojmë thellësisht Zotërinë,* ne vazhdojmë t’i bindim njerëzit për atë që predikojmë. Gjithsesi, për Perëndinë është e qartë ç’lloj njerëzish jemi,* dhe shpresoj që kjo të jetë e qartë* edhe për ndërgjegjen tuaj. 12 Nuk po jua rekomandojmë përsëri veten, por po ju japim shkas të krenoheni me ne, që të mund t’u përgjigjeni atyre që krenohen me pamjen e jashtme+ dhe jo me atë që kanë në zemër. 13 Tani, nëse ishim të dalë mendsh,+ ishim për Perëndinë, e nëse jemi me mend në kokë, jemi për ju. 14 Vërtet, dashuria që ka Krishti, na motivon,* sepse kemi kuptuar fare qartë se një njeri i vetëm vdiq për të gjithë,+ meqë të gjithë ishin të vdekur. 15 Prandaj ai vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten,*+ por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.
16 Kështu, që tani e tutje nuk e shohim më askënd sipas kritereve njerëzore.*+ Edhe pse dikur e shihnim Krishtin sipas këtyre kritereve, sigurisht që tani nuk e shohim më kështu.+ 17 Prandaj, nëse dikush është në unitet me Krishtin, është një krijesë e re;+ gjërat e vjetra shkuan dhe gjëra të reja kanë ardhur në jetë. 18 Por të gjitha këto vijnë nga Perëndia, që na pajtoi me veten nëpërmjet Krishtit+ dhe na besoi shërbimin e pajtimit:+ 19 me fjalë të tjera, Perëndia pajtoi botën me veten nëpërmjet Krishtit,+ duke mos ia llogaritur fajet,+ kurse neve na besoi mesazhin e pajtimit.+
20 Prandaj, ne jemi ambasadorë+ në vend të Krishtit,+ sikur Perëndia të përgjërohej nëpërmjet nesh. Në emër të Krishtit, lutemi: «Pajtohuni me Perëndinë.» 21 Atë që nuk njohu mëkat,+ Perëndia e paraqiti si blatim për mëkatet tona,* që me anë të tij, të bëhemi të drejtë në sytë e Perëndisë.+
6 Si bashkëpunëtorë të tij,+ ju nxitim të mos e pranoni më kot mirësinë e pamerituar të Perëndisë,*+ 2 sepse ai thotë: «Të dëgjova në një kohë të favorshme dhe të ndihmova në një ditë shpëtimi.»+ Ja, tani është koha veçanërisht e favorshme! Ja, tani është dita e shpëtimit!
3 Në asnjë mënyrë nuk po bëhemi pengesë për ju, që në shërbimin tonë të mos gjendet asnjë e metë.+ 4 Përkundrazi, në çdo mënyrë e rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë,+ duke treguar qëndrueshmëri të madhe në shtrëngime, në raste nevoje, në vështirësi,+ 5 në rrahje, në burgje,+ në trazira, në mundime, në net pa gjumë, në raste pa ushqim;+ 6 me dëlirësi, me njohuri, me durim,+ me mirësi,+ me anë të frymës së shenjtë, me dashuri pa hipokrizi,+ 7 me fjalë të vërteta, me fuqinë e Perëndisë,+ me armët e drejtësisë+ në të djathtë* e në të majtë,* 8 me lavdi dhe çnderim, me një emër të keq e një emër të mirë. Konsiderohemi mashtrues, edhe pse themi gjithnjë të vërtetën; 9 si të panjohur, edhe pse të njohur; si të vdekur* e megjithatë, ja, jetojmë;+ si të dënuar* e megjithatë nuk jemi lënë në dorë të vdekjes;+ 10 si të pikëlluar, por gjithnjë të gëzuar; si të varfër, edhe pse pasurojmë shumë të tjerë; si njerëz që nuk kanë kurrgjë, edhe pse zotërojmë gjithçka.+
11 Ju kemi folur hapur,* o korintas, dhe për ju i kemi hapur plotësisht dyert e zemrave tona. 12 Përzemërsia jonë për ju s’njeh kufij,+ kurse ju i keni vënë kufij përzemërsisë së ngrohtë që ndieni për ne. 13 Prandaj, na e shpërbleni edhe ju—po ju flas si fëmijëve të mi—hapini plotësisht dyert e zemrës.*+
14 Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë* me jobesimtarët,+ sepse ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë?*+ Apo ç’të përbashkët ka drita me errësirën?+ 15 Si mund të pajtohet Krishti me Belialin?*+ Apo ç’të përbashkët ka një besimtar me një jobesimtar?+ 16 Vallë pajtohet tempulli i Perëndisë me idhujt?+ Ne jemi tempulli i Perëndisë së gjallë,+ ashtu si tha Perëndia: «Do të banoj mes tyre+ dhe do të eci mes tyre. Unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.»+ 17 «Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni veç,—thotë Jehovai,*—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër»;+ «dhe unë do t’ju mbledh nën krahët e mi».+ 18 «Unë do të bëhem ati juaj dhe ju+ do të bëheni bijtë e bijat e mia,+—thotë Jehovai,* Perëndia i Plotfuqishëm.»
7 Prandaj, o të dashur, meqë kemi këto premtime,+ le të pastrohemi nga çdo gjë që ndot trupin* e mendjen,*+ që të arrijmë shenjtëri të përsosur ndërsa nderojmë thellësisht Perëndinë.*
2 Bëni vend në zemrat tuaja për ne,+ sepse nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi çuar askënd në udhë të gabuar dhe nuk kemi shfrytëzuar asnjë njeri.+ 3 Këtë nuk po e them për t’ju ngarkuar me faj, sepse më parë thashë se ju kemi në zemrat tona, vdekshim a jetofshim. 4 Po ju flas gjithë çiltërsi: jam shumë krenar për ju dhe tej mase i ngushëlluar, sepse ndiej gëzim të papërshkrueshëm ndonëse mes shumë vështirësive.+
5 Në fakt, kur mbërritëm në Maqedoni,+ nuk gjetëm* qetësi, por nga çdo anë kishim vështirësi: jashtë luftë, brenda frikë. 6 Por Perëndia që ngushëllon zemërlëshuarit,+ na ngushëlloi me praninë e Titit, 7 dhe jo vetëm me praninë e tij, por edhe me ngushëllimin që i kishit sjellë ju. Ai na tregoi sa shumë ju kishte marrë malli për mua dhe se ishit tej mase të trishtuar e sinqerisht të merakosur, e kjo më solli edhe më shumë gëzim.
8 Prandaj, edhe nëse ju trishtova me letrën time,+ nuk më vjen keq. Në fillim faktikisht më erdhi keq (ngaqë ajo letër ju trishtoi, ndonëse për pak kohë), 9 mirëpo tani jam i gëzuar, jo thjesht ngaqë u trishtuat, por ngaqë ky trishtim ju nxiti të pendoheshit. Vërtet, ju u trishtuat ashtu siç i pëlqen Perëndisë, e kjo ju ndihmoi. Kështu, ajo që shkruam, nuk ju solli asnjë të keqe, 10 sepse trishtimi që i pëlqen Perëndisë, i hap rrugë pendimit që sjell shpëtim dhe nuk lë vend për keqardhje,+ kurse trishtimi që karakterizon botën, sjell vdekje. 11 Shihni sa shumë dobi ju solli ky trishtim që i pëlqen Perëndisë: shfajësuat emrin tuaj, u indinjuat për fajin, treguat nderim të thellë për Perëndinë dhe dëshirë të zjarrtë e zell për ta ndrequr fajin.+ Po, në këtë çështje jeni treguar të dëlirë* në çdo aspekt. 12 Ndonëse ju shkrova, nuk e bëra as për keqbërësin,+ as për personin që vuajti për shkak të tij, por për të parë sa do të përpiqeshit në sytë e Perëndisë t’ia vinit veshin fjalës sonë. 13 Ja pse jemi ngushëlluar.
Por përveç ngushëllimit, ndiem kënaqësi të madhe kur dëgjuam ç’gëzim provoi Titi, ngaqë të gjithë ju i kishit sjellë freskim zemrës* së tij. 14 Kështu, nuk iu mburra më kot Titit për ju, sepse siç ishin të vërteta të gjitha gjërat që ju thamë juve, po ashtu dolën të vërteta gjithë fjalët e mira që i thamë atij për ju. 15 Gjithashtu, ai ndien edhe më shumë përzemërsi të ngrohtë për ju kur kujton si u bindët që të gjithë+ dhe si e pritët me respekt e nderim të thellë.* 16 Jam shumë i kënaqur që mund të kem besim te ju* për gjithçka.
8 Tani, vëllezër, duam t’ju vëmë në dijeni të mirësisë së pamerituar që Perëndia u ka treguar kongregacioneve të Maqedonisë.+ 2 Gjatë një sprove të rëndë e të mundimshme, gëzimi i tyre i madh, pavarësisht varfërisë së thellë, e pasuroi edhe më shumë thesarin e bujarisë së tyre, 3 sepse ata dhanë sipas mundësive,+ madje përtej mundësive që kishin,+ dhe unë vetë mund të dëshmoj për këtë. 4 Me iniciativën e tyre, ata na u përgjëruan pareshtur që të kishin privilegjin të kontribuonin bujarisht dhe të merrnin pjesë në këtë shërbim* në dobi të të shenjtëve.+ 5 Madje i tejkaluan pritshmëritë tona, duke i shërbyer me gjithë zemër së pari Zotërisë dhe pastaj neve, sipas vullnetit të Perëndisë. 6 Prandaj nxitëm Titin+ të përfundonte punën që kishte nisur mes jush, domethënë, mbledhjen e kontributit tuaj bujar. 7 Kështu, sikurse jeni të pasur në çdo gjë—në besim, në fjalë, në njohuri, në përpjekje të palodhura dhe në dashuri, siç kemi edhe ne për ju—po ashtu qofshi të pasur në këtë vepër bujare!+
8 Nuk po jua them këtë si urdhër, por që t’ju vë në dijeni të përpjekjeve të palodhura që bëjnë edhe të tjerët, si edhe të shoh sa e sinqertë është dashuria juaj, 9 sepse ju e dini mirë ç’mirësi të pamerituar tregoi Zotëria ynë Jezu Krisht, i cili, edhe pse ishte i pasur, u bë i varfër për të mirën tuaj,+ që ju të bëheshit të pasur nëpërmjet varfërisë së tij.
10 Lidhur me këtë çështje, po ju shpreh mendimin tim:+ kjo është në dobinë tuaj, meqë tashmë një vit më parë jo vetëm filluat ta mblidhnit kontributin, por edhe treguat se kishit dëshirë ta bënit këtë. 11 Prandaj, tani përfundojeni atë që nisët; siç ishit të gatshëm ta fillonit këtë punë, po ashtu jini të gatshëm ta realizoni me aq sa keni, 12 sepse Perëndia është veçanërisht i kënaqur kur japim me gatishmëri, me aq sa kemi,+ dhe jo me atë që nuk kemi. 13 Nuk dua t’ju rëndoj ju e të lehtësoj të tjerët, 14 por dua që të ketë barazi. Kështu, bollëku juaj në këtë moment të kompensojë nevojat e tyre, që edhe bollëku i tyre të kompensojë nevojat tuaja, e në këtë mënyrë të ketë barazi, 15 sikurse është shkruar: «Ai që mblodhi shumë, nuk pati më tepër; edhe atij që mblodhi pak, nuk i mungoi gjë.»+
16 Tani, falënderojmë Perëndinë që i shtiu në zemër Titit të njëjtin merak të sinqertë që kemi edhe ne për ju,+ 17 sepse jo vetëm që iu përgjigj nxitjes sonë, por ishte aq entuziast, sa u nis për te ju me iniciativën e vet. 18 Bashkë me të, po ju dërgojmë edhe vëllanë që e lavdërojnë të gjitha kongregacionet për atë që po bën për lajmin e mirë. 19 Jo vetëm kaq, por kongregacionet e emëruan që të jetë shoku ynë i udhëtimit kur të shpërndajmë këtë kontribut bujar në lavdi të Zotërisë, si edhe si provë të gatishmërisë sonë për të ndihmuar. 20 Kështu shmangim kritikat e ndokujt për mënyrën si e shpërndajmë këtë kontribut bujar,+ 21 sepse ‘ne kujdesemi për çdo gjë me ndershmëri, jo vetëm në sytë e Jehovait,* por edhe në sytë e njerëzve’.+
22 Gjithashtu, bashkë me ta po dërgojmë edhe një vëlla tjetër, të cilin e kemi provuar shpeshherë, e në shumë raste kemi parë se është i zellshëm. Por tani ai do të përpiqet edhe me më shumë zell, sepse ka shumë besim se ju do të bëni gjënë e duhur. 23 Nëse ka ndonjë pyetje për Titin, ai është shoku dhe bashkëpunëtori im në shërbimin tuaj; nëse ka ndonjë pyetje për vëllezërit që do të vijnë me të, ata janë apostuj të kongregacioneve, të cilët i sjellin lavdi Krishtit. 24 Prandaj jepuni prova të dashurisë suaj+ dhe tregojuni kongregacioneve se nuk krenohemi më kot me ju.
9 Sa për shërbimin që bëni për të shenjtët,+ s’kam pse t’ju shkruaj, 2 sepse e di mirë sa të gatshëm jeni, e për këtë krenohem përpara të krishterëve në Maqedoni. U them se ju në Akai keni një vit që jeni gati për të ndihmuar, dhe faktikisht zelli juaj ka nxitur shumicën prej tyre të bëjnë po njësoj. 3 Prandaj po ju dërgoj vëllezërit, që të mos krenohemi më kot me ju, por të jeni vërtet gati, ashtu sikurse thashë se do të ishit. 4 Përndryshe, sikur disa vëllezër nga Maqedonia të vinin me mua e të mos ju gjenin gati, ne—për të mos thënë ju—do të turpëroheshim që treguam besim te ju. 5 Prandaj, e pashë të nevojshme t’i nxitja vëllezërit të vinin te ju përpara meje, e kështu të bënin gati paraprakisht kontributin bujar që kishit premtuar, që kjo dhuratë të jepet me bujari e jo me zor.
6 Dua të them se ai që mbjell me kursim, edhe do të korrë me kursim, dhe ai që mbjell dorëhapur, edhe do të korrë dorëhapur.+ 7 Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me gjysmë zemre* a me detyrim,+ sepse Perëndia i do ata që japin me gëzim.+
8 Për më tepër, Perëndia mund të bëjë që mirësia e tij e pamerituar të vërshojë te ju, që të mos ju mungojnë kurrë gjërat e nevojshme dhe që të keni me bollëk gjithçka ju nevojitet për çdo vepër të mirë.+ 9 (Ashtu siç është shkruar: «Ai jep dorëhapur,* u fal të varfërve. Drejtësia e tij mbetet përjetë.»+ 10 Tani, Ai që i jep mbjellësit me bollëk farë dhe bukë për të ngrënë, do t’ju japë edhe juve me bollëk farë për të mbjellë dhe do të rritë frytet e drejtësisë suaj.) 11 Kështu ju po bekoheni me bollëk që të jeni bujarë në çdo gjë, e nga kjo i jepen më shumë falënderime Perëndisë. 12 Vërtet, ky shërbim publik nuk bëhet vetëm që të plotësohen nevojat e të shenjtëve,+ por edhe që drejt Perëndisë të vërshojnë me bollëk lutje falënderimi. 13 Ata do t’i japin lavdi Perëndisë, ngaqë ky shërbim* jep prova se jeni të nënshtruar ndaj lajmit të mirë për Krishtin, sikurse shpallni botërisht, dhe se kontribuoni me bujari për ta e për të gjithë.+ 14 Gjithashtu, nëpërmjet përgjërimeve të tyre, ata do të tregojnë sa shumë ju kanë për zemër, për shkak të mirësisë së pamerituar tejet të madhe që ju ka treguar Perëndia.
15 Faleminderit Perëndisë për këtë dhuratë të papërshkrueshme!
10 Tani, vetë unë, Pavli—që ju dukem i rëndomtë kur jam mes jush,+ por i fuqishëm me letrat që ju shkruaj kur jam larg+—ju bëj thirrje për hir të butësisë dhe të mirësisë së Krishtit,+ 2 po, ju përgjërohem që, kur të jem i pranishëm, të mos kem nevojë të marr masa të ashpra, siç mendoj se duhet, ndaj atyre që kujtojnë se ne jetojmë sipas mentalitetit të kësaj bote.* 3 Ne vërtet jetojmë në këtë botë,* por nuk luftojmë sipas mentalitetit të saj, 4 sepse armët e luftës sonë nuk janë të kësaj bote,+ por vijnë nga Perëndia+ dhe janë të fuqishme që të rrëzojnë gjëra të fortifikuara mirë. 5 Faktikisht, ne po rrëzojmë arsyetime e çdo barrierë që ngrihet kundër njohurisë së Perëndisë+ dhe po robërojmë çdo mendim, që t’i bindet Krishtit. 6 Gjithashtu, jemi gati të ndëshkojmë këdo për çdo lloj mosbindjeje,+ sapo ju vetë të tregoni bindje të plotë.
7 Tani, ju i gjykoni gjërat nga pamja e jashtme.* Prandaj, nëse dikush është i sigurt në vetvete se i përket Krishtit, le të mendojë edhe një herë për këtë fakt: ashtu sikurse ai i përket Krishtit, po ashtu i përkasim edhe ne. 8 Edhe sikur të mburresha sadopak për autoritetin që Zotëria na e dha për t’ju ndërtuar* e jo për t’ju shembur,*+ nuk do ta quaja për turp. 9 Mirëpo, me këto fjalë nuk dua t’ju jap përshtypjen sikur po përpiqem t’ju shtie frikën me letrat e mia, 10 sepse disa thonë: «Letrat e tij janë me peshë e të fuqishme, por, kur është vetë i pranishëm, ai nuk bie hiç në sy dhe fjala s’i ka peshë.» 11 Njerëz të tillë të mbajnë parasysh se atë që themi* me anë të letrave kur nuk jemi aty, po atë do të bëjmë* edhe kur të jemi të pranishëm.+ 12 Sigurisht, ne nuk duam ta vëmë veten në të njëjtin nivel me ata që vetërekomandohen*+ a të krahasohemi me ta, sepse kur maten e kur krahasohen vetëm me veten e tyre,* tregojnë se janë të pamend.+
13 Megjithatë, ne nuk do të mburremi për atë që është arritur përtej kufijve që na janë caktuar, por vetëm për atë që kemi arritur brenda kufijve të territorit që na ka caktuar* Perëndia, ku përfshiheni edhe ju.+ 14 Në të vërtetë, nuk i tejkaluam këta kufij kur erdhëm te ju, se faktikisht ishim të parët që erdhëm deri te ju me lajmin e mirë për Krishtin.+ 15 Jo, nuk po mburremi për atë që është arritur përtej kufijve që na janë caktuar e as po mburremi me mundin e dikujt tjetër, por kemi shpresë se, ndërsa besimi juaj rritet, vepra jonë do të vazhdojë të lulëzojë brenda territorit tonë. Atëherë do të kemi mundësi të bëjmë edhe më shumë 16 dhe do ta shpallim lajmin e mirë edhe në vendet përtej kufijve tuaj, që të mos mburremi për atë që tashmë është bërë në territorin e dikujt tjetër. 17 Prandaj siç është shkruar: «Ai që mburret, le të mburret për Jehovain».*+ 18 Vërtet, nuk miratohet kush rekomandon* veten,+ por ai që rekomandon Jehovai.*+
11 Do të doja të më duronit, edhe pse mund të dukem i paarsyeshëm; faktikisht po më duroni. 2 Vërtet, kam për ju të njëjtën xhelozi* që ka edhe Perëndia,* pasi unë vetë ju fejova me një burrë të vetëm, me Krishtin, që t’ju paraqit para tij si një virgjëreshë të dëlirë.*+ 3 Por, ashtu si Eva u josh nga gjarpri me dinakëri,+ kam frikë se mos edhe mendjet tuaja korruptohen në ndonjë mënyrë dhe largohen nga çiltërsia dhe dëlirësia* që i takojnë Krishtit.+ 4 Po të vinte dikush e t’ju predikonte për një Jezu tjetër nga ai që kemi predikuar ne, ose po të merrnit një frymë* tjetër nga ajo që keni marrë, ose një tjetër lajm të mirë nga ai që keni pranuar,+ ju do ta duronit pa problem. 5 Megjithatë, unë mendoj që nuk jam më inferior se apostujt tuaj “të shkëlqyer”, qoftë edhe në një gjë të vetme.+ 6 Edhe nëse nuk jam i zoti në fjalë,+ sigurisht nuk më mungon njohuria, dhe këtë jua kemi bërë fare të qartë në çdo mënyrë e në çdo aspekt.
7 Mos bëra ndonjë mëkat kur përula veten për t’ju shpallur me gëzim dhe falas lajmin e mirë të Perëndisë, që ju të lartësoheshit?+ 8 Kongregacionet e tjera “i rropa”* duke pranuar ndihma materiale,* me qëllim që t’ju shërbej juve.+ 9 Madje, kur isha te ju dhe rashë ngushtë, nuk iu bëra barrë askujt, sepse vëllezërit që erdhën nga Maqedonia, m’i plotësuan të gjitha nevojat.+ Po, në asnjë mënyrë nuk e lejova veten t’ju bëhesha barrë dhe do të vazhdoj të bëj po njësoj.+ 10 E siç është e sigurt që them të vërtetën si Krishti, unë do të vazhdoj të mburrem+ për këtë në viset e Akaisë. 11 Për ç’arsye? Ngaqë nuk ju dua? Perëndia e di sa ju dua.
12 Gjithsesi, atë që po bëj, do të vazhdoj ta bëj,+ që të mos u jap asnjë pretekst atyre që kërkojnë arsye* të konsiderohen të barabartë me ne për atë* që mburren. 13 Faktikisht njerëz të tillë janë apostuj të rremë, punëtorë hileqarë, që shtiren si apostuj të Krishtit.+ 14 E s’është për t’u çuditur, sepse vetë Satanai shtiret si engjëll drite.+ 15 Prandaj nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme nëse edhe shërbëtorët e tij shtiren si shërbëtorë drejtësie; por fundi i tyre do të jetë sipas veprave.+
16 Prapë po e them: askush të mos mendojë se jam i paarsyeshëm. Por edhe sikur ta mendoni, atëherë më pranoni si të paarsyeshëm, që edhe unë të mburrem paksa, sikurse bëjnë ata. 17 Tani nuk po flas siç do të fliste Zotëria, por po mburrem gjithë vetëbesim si një i paarsyeshëm. 18 Meqë shumëkush po mburret për gjërat njerëzore,* edhe unë do të mburrem. 19 E përderisa jeni kaq “të arsyeshëm”, ju i duroni pa problem njerëzit e paarsyeshëm. 20 Në fakt, ju duroni këdo që ju skllavëron, këdo që ju gllabëron pasuritë, këdo që ju zhvat, këdo që ngre lart veten e ju përçmon ju, këdo që ju jep shuplaka fytyrës.
21 Dhe kjo që po them, është për të ardhur turp, por po e them ngaqë sipas jush, ne jemi treguar të dobët.
Mirëpo, nëse të tjerë guxojnë të mburren—po flas si i paarsyeshëm—edhe unë do të guxoj të mburrem. 22 Janë ata hebrenj? Edhe unë jam.+ Janë ata izraelitë? Edhe unë jam. Janë ata pasardhës* të Abrahamit? Edhe unë jam.+ 23 Janë ata shërbëtorë të Krishtit? Po përgjigjem si i marrë, unë jam edhe më tepër: kam punuar më fort se ata,+ jam burgosur më shpesh,+ më kanë rrahur sa e sa herë dhe kam qenë shpeshherë buzë vdekjes.+ 24 Pesë herë mora nga judenjtë 40 goditje pa një;+ 25 tri herë më rrahën me thupër;+ një herë më qëlluan me gurë;+ tri herë m’u shkallmua* anija në det;+ kam kaluar një natë e një ditë në ujëra të thella; 26 kam qenë shpesh në udhëtime, i rrezikuar nga lumenjtë, i rrezikuar nga kusarët, i rrezikuar nga vetë populli im,+ i rrezikuar nga kombet,+ në rrezik në qytet,+ në rrezik në shkretëtirë, në rrezik në det, në rrezik mes vëllezërve të rremë; 27 kam punuar e jam robtuar, kam kaluar shpesh net pa gjumë,+ kam pasur uri e etje,+ shpeshherë pa ushqim,+ kam qenë në të ftohtë e i zhveshur.*
28 Përveç këtyre gjërave, ditë për ditë më pushton edhe ankthi për të gjitha kongregacionet.+ 29 Kur dikush ndihet i dobët, a nuk ndihem edhe unë i dobët? Kur dikush bëhet pengesë, a nuk më ndizet gjaku?
30 Nëse më duhet të mburrem, do të mburrem për ato gjëra që nxjerrin në pah dobësinë time. 31 Perëndia, Ati i Zotërisë Jezu, po, Ai që duhet lëvduar përgjithmonë, e di se nuk po gënjej. 32 Në Damask, guvernatori i mbretit Areta e ruante qytetin e damaskianëve që të më kapte, 33 por unë shpëtova nga duart e tij, ngaqë më zbritën me kosh* nga një dritare në murin e qytetit.+
12 Më duhet të mburrem, prandaj do të flas për vegime* të mbinatyrshme+ dhe për zbulesa nga Zotëria,+ ndonëse kjo nuk më sjell ndonjë dobi. 2 Njoh një njeri në unitet me Krishtin, i cili 14 vjet më parë—a në trup, a jashtë trupit, nuk e di, Perëndia e di—u mor në çast deri në qiellin e tretë. 3 Po, unë e njoh një njeri të tillë—a në trup, a veçmas trupit, nuk e di, Perëndia e di—4 i cili u mor në çast në parajsë* dhe dëgjoi fjalë që nuk mund të thuhen dhe për të cilat njeriut nuk i lejohet të flasë. 5 Me një njeri të tillë do të mburrem e jo me veten time, përveçse për dobësitë e mia. 6 Edhe sikur të doja të mburresha, nuk do të isha i paarsyeshëm, pasi do të thosha të vërtetën. Gjithsesi nuk do të mburrem, që askush të mos më japë më shumë merita për gjërat që bëj a dëgjon prej meje, 7 vetëm ngaqë më janë dhënë zbulesa të jashtëzakonshme.
Që të mos krekosem së tepërmi, më është dhënë një gjemb në trup,*+ i cili më bie vazhdimisht me shuplaka* si një engjëll i Satanait, se mos krenohem. 8 Iu përgjërova tri herë Zotërisë që ta hiqte këtë nga unë, 9 mirëpo ai më tha: «Mirësia ime e pamerituar të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.»+ Prandaj, me kënaqësi do të mburrem për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të qëndrojë mbi mua si një tendë. 10 Kështu, për hir të Krishtit, gëzohem kur kam dobësi, kur më fyejnë, kur jam në hall, kur më përndjekin dhe kur kam vështirësi, sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.+
11 Jam bërë i paarsyeshëm, por ju më detyruat, se në fund të fundit duhej të më kishit rekomanduar ju, sepse nuk isha më inferior se apostujt tuaj “të shkëlqyer”, qoftë edhe në një gjë të vetme, ndonëse jam një hiç në sytë tuaj.+ 12 Në të vërtetë, plot qëndrueshmëri,+ ju dhashë prova me anë të shenjave, mrekullive* dhe veprave të fuqishme+ se jam apostull. 13 Në ç’gjë ishit më pak të privilegjuar se kongregacionet e tjera, përveç faktit që nuk u bëra barrë për ju?+ Ju lutem të ma falni këtë gabim.
14 Ja, kjo është hera e tretë që jam gati të vij te ju dhe nuk do t’ju bëhem barrë, sepse nuk dua zotërimet tuaja,+ por ju dua ju; faktikisht, nuk pritet që të vënë mënjanë fëmijët+ për prindërit, por prindërit për fëmijët. 15 Për këtë arsye, me kënaqësi nuk do të kursej asgjë dhe do të jepem me mish e me shpirt për ju.*+ E nëse ju dua kaq shumë, e meritoj të më doni më pak? 16 Sidoqoftë nuk u bëra barrë për ju,+ e prapëseprapë thoni se isha «dinak» dhe se jua hodha «me dredhi». 17 Mos përdora ndonjërin nga ata që dërgova te ju, për t’ju shfrytëzuar?! 18 Unë e nxita Titin të vinte te ju dhe bashkë me të dërgova edhe vëllanë tjetër. Mos përfitoi ndonjë gjë nga ju Titi?!+ A nuk ishim në një mendje?!* A nuk ecëm në të njëjtat gjurmë?!
19 Mos keni menduar ndërkohë se me këtë letër po mbrohemi përpara jush? Përkundrazi, si dishepuj të Krishtit, po themi të vërtetën përpara Perëndisë. Gjithsesi, gjithçka që bëjmë, o të dashur, e bëjmë për t’ju forcuar.* 20 Por kam frikë se, kur të mbërrij, mos nuk ju gjej si do të doja dhe se mos unë nuk jam si do të donit. Madje kam frikë se mos ka konflikte, xhelozi,* shpërthime zemërimi, debate, përgojime, thashetheme,* krekosje dhe rrëmujë. 21 Kam merak se do të më vijë turp përpara Perëndisë kur të vij mes jush dhe se do të më duhet të vajtoj për shumë nga ata që dikur e linin veten në dorë të mëkatit, por që ende nuk janë penduar për ndyrësinë e tyre, për imoralitetin seksual* dhe për sjelljen e pacipë* pas së cilës u dhanë.
13 Kjo është hera e tretë që kam ndër mend të vij te ju. «Çdo çështje duhet të vendoset nga dëshmia* e dy a tre dëshmitarëve.»+ 2 Edhe pse tani jam larg jush, më duket sikur jam aty për herë të dytë. Prandaj i paralajmëroj ata që dikur e linin veten në dorë të mëkatit dhe gjithë të tjerët se, po të vij përsëri, nuk do t’ua kursej disiplinën,* 3 përderisa po kërkoni prova se Krishti—i cili nuk është i dobët kundrejt jush, por i fuqishëm mes jush—po flet vërtet nëpërmjet meje. 4 Vërtet, ai u ekzekutua në shtyllë kur ishte i dobët, por është gjallë falë fuqisë së Perëndisë.+ Po ashtu edhe ne, ndonëse tani jemi të dobët siç ishte ai, do të jetojmë bashkë me të,+ falë fuqisë së Perëndisë, e cila vepron edhe te ju.+
5 Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni çfarë jeni ju vetë.+ Apo nuk e dalloni se Jezu Krishti është në unitet me ju? Veç në qofshi të pamiratuar. 6 Shpresoj vërtet të dalloni se ne nuk jemi të pamiratuar.
7 Tani, i lutemi Perëndisë që të mos bëni asgjë të gabuar, jo që ne të dukemi të miratuar, por që ju të bëni atë që është e shkëlqyer, edhe sikur ne të dukemi të pamiratuar. 8 Në fakt, ne nuk mund të bëjmë asgjë kundër së vërtetës, por vetëm në përkrahje të së vërtetës. 9 Sigurisht që gëzojmë sa herë që ju jeni të fortë e ne të dobët; dhe për këtë po lutemi, që ju të ndreqeni. 10 Ja pse i shkruaj këto gjëra ndërkohë që s’jam i pranishëm, që, kur të jem i pranishëm, të mos veproj me rreptësi sipas autoritetit që Zotëria më dha+ për të ndërtuar* dhe jo për të shembur.*
11 Së fundi, vëllezër, vazhdoni të gëzoni, të ndreqeni, të ngushëlloheni,+ të jeni në një mendje,+ të jetoni në paqe,+ dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes+ do të jetë me ju. 12 Përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë. 13 Të gjithë të shenjtët ju dërgojnë përshëndetje.
14 Mirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe fryma e shenjtë, prej së cilës po nxirrni të gjithë dobi, qofshin me të gjithë ju!
Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Ose «Dashamirësia e pamerituar». Shih Fjalorthin.
Ose «na jep zemër; na inkurajon».
Ose «shtrëngimet».
Një mundësi tjetër «që tashmë i njihni mirë».
Fjalë për fjalë «deri në fund».
Një mundësi tjetër «që të nxirrnit dyfish dobi».
Shih Fjalorthin.
Quhet edhe Sila.
Shih Fjalorthin.
Ose «parapagesë (paradhënie); garanci (peng)».
Ose «të mos e përpijë».
Ose «të mos na e hedhë; të mos na mashtrojë».
Ose «të qëllimeve; të kurtheve; të taktikave».
Shih Fjalorthin.
Ose «ka kualifikimet e mjaftueshme».
Ose «nuk bëjmë tregti me fjalën e Perëndisë; nuk nxjerrim fitime nga fjala e Perëndisë».
Ose «se kemi kualifikimet e mjaftueshme nga vetja».
Shih Fjalorthin.
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Shih Fjalorthin.
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Fjalë për fjalë «nga lavdia në lavdi».
Shih Shtojcën A5.
Një mundësi tjetër «fryma e Jehovait».
Ose «nuk shkurajohemi; nuk na lëshon zemra».
Ose «as e bastardojmë».
Ose «i këtij sistemi; i këtij rendi». Shih Fjalorthin.
Ose «pasqyrimi».
Fjalë për fjalë «fytyrës së Krishtit».
Ose «enë argjile».
Një mundësi tjetër «por jo të dëshpëruar».
Fjalë për fjalë «frymë besimi».
Ose «nuk shkurajohemi; nuk na lëshon zemra».
Fjalë për fjalë «shtrëngimi».
Fjalë për fjalë «me peshë të pamasë».
Fjalët «shtëpi» dhe «banesë» përdoren në kuptim të figurshëm për t’iu referuar trupit si krijesë prej mishi e gjaku ose si krijesë qiellore.
Ose «do të shpërbëhet».
Ose «banesë».
Ose «në banesën tonë qiellore».
Ose «parapagesë (paradhënie); garanci (peng)».
Ose «duhet të shfaqemi».
Ose «të poshtra».
Fjalë për fjalë «i frikësohemi Zotërisë».
Ose «ne vetë jemi shfaqur para Perëndisë».
Ose «të jemi shfaqur».
Ose «na nxit; na detyron».
Ose «për të kënaqur veten».
Fjalë për fjalë «sipas mishit».
Fjalë për fjalë «e bëri mëkat për ne».
Ose «të mos e pranoni mirësinë e pamerituar të Perëndisë pa e përmbushur qëllimin e saj».
Ndoshta për sulm.
Ndoshta për mbrojtje.
Ose «si të denjë për vdekjen».
Ose «si të disiplinuar».
Fjalë për fjalë «E kemi hapur gojën».
Ose «zgjerohuni edhe ju».
Fjalë për fjalë «nën një zgjedhë të pabarabartë», që i referohet një lidhjeje të pabarabartë.
Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.
Nga një fjalë hebraike që do të thotë «pa pikë vlere». I referohet Satanait.
Shih Shtojcën A5.
Shih Shtojcën A5.
Fjalë për fjalë «mishin».
Fjalë për fjalë «frymën». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «i frikësohemi Perëndisë». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «mishi ynë nuk gjeti».
Ose «të pastër; të pafajshëm».
Fjalë për fjalë «frymës». Shih Fjalorthin.
Ose «me frikë e dridhma».
Një mundësi tjetër «mund të jem plot guxim falë jush».
Ose «në shërbimin e ndihmës».
Shih Shtojcën A5.
Ose «me pahir».
Ose «me bujari».
Ose «shërbim ndihme».
Fjalë për fjalë «sipas mishit». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «sipas mishit». Shih Fjalorthin.
Ose «përciptas».
Ose «për t’ju inkurajuar».
Ose «për t’ju shkurajuar; dekurajuar».
Fjalë për fjalë «se ajo që jemi në fjalë».
Fjalë për fjalë «ashtu do të jemi edhe në vepra».
Ose «që lartësojnë veten».
Ose «vetëm sipas kritereve të tyre».
Ose «na ndau me masë».
Shih Shtojcën A5.
Ose «lartëson».
Shih Shtojcën A5.
Ose «të njëjtin merak».
Fjalë për fjalë «zellin e Perëndisë».
Ose «të pastër».
Ose «pastërtia».
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «i plaçkita».
Ose «përkrahjen e tyre».
Ose «një pretekst».
Ose «për caktimin».
Fjalë për fjalë «sipas mishit».
Fjalë për fjalë «farë».
Ose «m’u shkatërrua».
Fjalë për fjalë «e lakuriq».
Ose «kosh kashte».
Shih Fjalorthin.
Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «në mish». Shih Fjalorthin.
Ose «më rreh vazhdimisht».
Ose «çudirave».
Ose «për shpirtin tuaj».
Fjalë për fjalë «frymë?!» Shih Fjalorthin.
Ose «për t’ju inkurajuar; për t’ju ndërtuar».
Ose «smirë».
Ose «çuçuritje».
Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.
Ose «sjellje e paturp; përbuzëse». Greqisht, asélgeia. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «goja».
Shih Fjalorthin.
Ose «për të inkurajuar».
Ose «për të shkurajuar; dekurajuar».