Nga ushtarë në paqebërës
REVISTA Zgjohuni! e 8 dhjetorit 2002 (anglisht), kishte përvojën e Toshiaki Niuasë, ish-pilotit japonez që ishte stërvitur për një mision kamikaz gjatë Luftës II Botërore. Niua tregonte se në gusht të vitit 1945 ai ishte në një bazë ajrore afër Kiotos në pritje të urdhrit për një sulm vetëvrasës kundër flotës së SHBA-së. Urdhri nuk u dha kurrë sepse vetëm pak ditë më vonë lufta mbaroi. Vite më vonë Niua filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Nga ky studim mësoi se ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë nuk shkojnë në luftë dhe i respektojnë me të vërtetë njerëzit, pavarësisht nga vendi ku jetojnë ose nga vijnë. (1 Pjetrit 2:17) Niua, që më parë ishte një ushtar, tani është një njeri paqësor, i cili përhap mesazhin e Fjalës së Perëndisë që i bashkon njerëzit.
Rasëll Uertsi nga Shtetet e Bashkuara u prek nga tregimi i Niuasë pasi edhe ai kishte marrë pjesë në të njëjtën luftë, por me palën kundërshtare. Uertsi i shkroi këto fjalë Niuasë: «Ti thoshe se në gusht të vitit 1945 ishe afër Kiotos duke pritur pushtimin. Në të njëjtën kohë unë bëja stërvitjet e fundit për atë pushtim. Nëse lufta nuk do të kishte mbaruar ato ditë, ka të ngjarë të kishim vdekur që të dy, si kundërshtarë, në atë betejë. Ashtu si ti dhe familja jote, edhe unë me gruan më vonë u bëmë Dëshmitarë të Jehovait. Është një ndjesi e mrekullueshme ta mendosh se ne, që një herë e një kohë ishim armiq të vendosur për të vrarë njëri-tjetrin, tani jemi jo vetëm miq, por edhe vëllezër.»
Ashtu si Toshiaki Niua dhe Rasëll Uertsi, shumë njerëz që më parë ishin armiq të betuar tani jetojnë në paqe dhe unitet, sepse kanë studiuar dhe kanë zbatuar Fjalën e Perëndisë, Biblën. Ndër Dëshmitarët e Jehovait ka hebrenj dhe arabë, armenë dhe turq, gjermanë dhe rusë, hutu dhe tutsi, që po tregojnë se janë të krishterë të vërtetë. Në fakt Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.»—Gjoni 13:35.
[Figurat në faqen 31]
Toshiaki Niua dhe Rasëll Uertsi gjatë Luftës II Botërore