A ke synime realiste?
● Çfarë dëshiron nga jeta? A pret gjëra të arsyeshme apo fantazon për gjëra që mund të shkojnë përtej aftësive a mundësive të tua? Një vëzhgues i mprehtë i natyrës njerëzore dha këtë këshillë të mençur: «Më mirë të kënaqesh me atë që të sheh syri, sesa t’u lëshosh fre dëshirave; edhe kjo është kotësi dhe rendje pas erës.»—Eklisiastiu 6:9, The New English Bible.
‘Ajo që na sheh syri’ janë rrethanat dhe situata jonë sot. Natyrisht, s’ka asnjë të keqe të mundohemi ta përmirësojmë jetën. Megjithatë, Bibla thekson se të mençurit nuk rendin pas synimeve jorealiste. Ndër to mund të jenë fama, pasuria, një bashkëshort ideal ose shëndeti i përsosur.
Veç kësaj, edhe kur arrin një synim të caktuar, siç është pasuria, mund të lakmosh më tepër. Bibla thotë haptazi: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura. Edhe kjo është kotësi.» (Eklisiastiu 5:10) Prandaj, kush është i mençur dhe i sheh gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë, përpiqet të kënaqet me atë që ka, me ‘atë që i sheh syri’. Ai e pranon këtë të vërtetë: «Asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj.»—1 Timoteut 6:7.
Nga natyra, ne njerëzit ndiejmë lumturinë më të madhe kur plotësojmë nevojën për të mësuar rreth Perëndisë. (Mateu 5:3) Si mund ta bëjmë këtë? Jezu Krishti tha: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) Këto fjalë të vyera nga Perëndia i gjejmë në Bibël dhe mund t’i marrim falas.
Ndër to është Psalmi 37:4, që thotë: «Gjej kënaqësi të thellë tek Jehovai, dhe ai do të të japë çfarë të do zemra.» Si Perëndia i Plotfuqishëm, Jehovai do t’u japë adhuruesve të tij besnikë gjëra që nuk i jep dot asnjë njeri: shëndet të përsosur, siguri materiale dhe jetë të përhershme në tokën parajsore. (Luka 23:43; Zbulesa 21:3, 4) Nuk është jorealiste të kesh besim te këto fjalë.