BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 4/12 f. 2-6
  • Vështirësitë unike të familjeve me njerk

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vështirësitë unike të familjeve me njerk
  • Zgjohuni!—2012
  • Material i ngjashëm
  • Problemet e veçanta të familjeve me njerk apo njerkë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Problemet në familjet me njerk
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
  • Familje të suksesshme me njerk apo njerkë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Si të përshtatem kur njëri nga prindërit martohet përsëri?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
Shih më tepër
Zgjohuni!—2012
g 4/12 f. 2-6

Vështirësitë unike të familjeve me njerk

● Sipas specialistes për problemet e familjeve me njerk dr. Patricia Pejpërnau, të përpiqesh të zgjidhësh problemet e familjeve me njerk duke iu referuar si model një familjeje normale, është sikur «të përpiqesh të lëvizësh nëpër rrugët e Nju-Jorkut duke iu referuar hartës së Bostonit».

Fakti është se problemet e familjeve me njerk nuk janë vetëm unike, por edhe më të mëdha sesa ato të familjeve normale. Psikologu Uilliam Merkel i cilëson marrëdhëniet në familjet me njerk si «marrëdhëniet më të ndërlikuara, më të panatyrshme dhe më të vështira që njeh njerëzimi».

Po nëse është kaq e vështirë, atëherë si mund t’ia dalin mbanë familjet me njerk? Marrëdhëniet në një familje të tillë mund të krahasohen me të qepurat e një jorgani me copëza. Kur qepja fillon, lidhjet midis copëzave mund të jenë akoma të dobëta, por kur mbaron, nëse janë qepur e bashkuar me kujdes, këto lidhje mund të jenë po aq forta si të ishte një jorgan me një copë të vetme.

Le të shohim disa probleme që hasin zakonisht këto familje dhe hapat që i kanë ndihmuar disa «të bashkojnë» jetët e tyre. Pastaj, do të njihemi me katër familje me njerk që ia kanë dalë mbanë më së miri.

VËSHTIRËSIA NR. 1: SHPRESAT E PAREALIZUARA

«Prisja që të fitoja miratimin e fëmijëve të burrit duke u treguar shumë dashuri dhe vëmendje, por kanë kaluar tetë vjet dhe jam akoma në pritje.»—Gloria.a

FAMILJET me njerk shpesh nisin me shpresa të mëdha. Prindërit shpresojnë t’i shmangin ose t’i ndreqin gabimet e martesës së mëparshme dhe të gjejnë dashurinë a sigurinë që u ka munguar. Disa shpresa anojnë më tepër nga fantazitë, por gjithsesi, kur nuk realizohen, shkaktojnë stres. Bibla thotë: «Pritja e zgjatur e sëmur zemrën.» (Proverbat 13:12) Po nëse edhe ti je në një situatë të tillë?

Ç’MUND TË BËSH?

Mos i shpërfill ndjenjat me shpresën se zhgënjimi do të largohet. Në vend të kësaj, mendo për një shpresë të parealizuar që të bën të ndihesh keq. Pastaj, gjej arsyen pse e shpreson një gjë të tillë, se kështu do të kuptosh pse nuk heq dorë prej saj. Në fund, mendo një dëshirë më reale për momentin. Le të marrim disa shembuj:

1. Që në fillim, unë do t’i dua fëmijët e bashkëshortit e ata do të më duan.

Pse? Gjithmonë kam ëndërruar për një familje të ngrohtë dhe të lidhur ngushtë.

Më reale: Me kalimin e kohës, dashuria për njëri-tjetrin do të rritet. Ajo që ka rëndësi tani është që të ndihemi të sigurt dhe të respektuar në familje.

2. Të gjithë në familjen e re do të përshtaten shpejt.

Pse? Jemi gati të fillojmë një jetë të re.

Më reale: Zakonisht familjeve me njerk u duhen katër deri shtatë vjet për t’u stabilizuar. Problemet tona janë më se normale.

3. Nuk do të grindemi për paratë.

Pse? Dashuria do të na ndihmojë t’i lëmë mënjanë mosmarrëveshjet e vogla.

Më reale: Çështjet financiare që lidhen me martesat tona të mëparshme, janë mjaft komplekse. Mund të mos jemi ende gati për t’i konsideruar të përbashkëta paratë.

VËSHTIRËSIA NR. 2: SI TA KUPTOJMË NJËRI-TJETRIN?

«U përshtatëm shumë shpejt, të gjithë në familjen e re u ndien menjëherë rehat.»—Joshito.

«M’u deshën rreth dhjetë vjet para se të përfshihesha me gjithë zemër në mbarëvajtjen e familjes sonë.»—Tatsuki, thjeshtri i Joshitos.

ASHTU si Joshitoja dhe Tatsuki, pjesëtarët e familjeve me njerk mund të mos e kuptojnë mirë njëri-tjetrin. Pse duhet ta marrim parasysh këtë gjë? Kur lindin probleme, mund të të vijë të veprosh menjëherë për t’i zgjidhur. Por që të gjesh një zgjidhje të efektshme, duhet që së pari të kuptosh familjen tënde.

Është e rëndësishme të mendosh mirë se si komunikoni, pasi fjalët mund të ndërtojnë, por edhe mund të shembin. Bibla thotë: «Vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës.» (Proverbat 18:21) Si mund ta përdorësh gjuhën që të ndërtosh ura mirëkuptimi e jo t’i shembësh ato?

Ç’MUND TË BËSH?

• Mos gjyko, por interesohu për ndjenjat e tjetrit dhe trego dhembshuri. Për shembull:

Nëse djali yt thotë se e ka marrë malli për babin, pranoje këtë gjë. Në vend që të thuash «Por njerku të do dhe sillet më mirë me ty se yt atë», provo t’i thuash: «Duhet të jetë vërtet e vështirë për ty. Pa më thuaj, çfarë të mungon më shumë nga ai?»

Në vend që ta akuzosh bashkëshortin duke thënë: «Djali yt nuk do të ishte kaq i pasjellshëm po të kishe qenë prind më i mirë», tregoji se si ndihesh. Mund t’i thuash: «A mund ta kujtosh Lukën të lutem të më përshëndetë kur hyn në shtëpi? Do të ishte goxha ndihmë për mua.»

• Përfitoni nga koha që kaloni bashkë gjatë vakteve, zbavitjeve dhe adhurimit të Perëndisë që ta njihni më mirë njëri-tjetrin.

• Mblidhe rregullisht të gjithë familjen për të biseduar. Mos i ndërprit, por lëre secilin prej tyre të shprehet duke filluar me diçka pozitive për familjen e re dhe duke vazhduar me diçka që e shqetëson. Trego respekt edhe nëse nuk je dakord dhe lejoje secilin të sugjerojnë një zgjidhje.

VËSHTIRËSIA NR. 3: SI MUND TË NDIHEN TË GJITHË PJESË E FAMILJES?

«Gruaja dhe fëmijët e saj mblidhen e flasin bashkë dhe pastaj më hidhen kundër. Për to, unë jam i huaj.»—Uollti.

FRIKA e të qenët i huaj në familjen tënde, mund të jetë rrënja e problemeve që duket sikur nuk kanë lidhje fare me këtë frikë. Për shembull:

• Fëmijët që para martesës shkonin mjaft mirë me njerkun e ardhshëm, pas martese zakonisht kanë probleme me të.

• Një njerk ndihet xheloz ndaj fëmijës 6-vjeçar.

• Debate të mëdha lindin për çështje familjare të vogla në dukje.

Kjo prek edhe prindin biologjik, pasi mund të ndihet nën presion nëse i duket sikur familja po përçahet. Karmeni shprehet: «Është tepër e vështirë të bësh ndërmjetësen midis burrit dhe dy fëmijëve të mi.»

Rregulla e Artë është çelësi për zgjidhjen e këtij problemi. Jezui tha: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Ç’mund të bëni që të gjithë të ndihen pjesë e familjes?

Ç’MUND TË BËSH?

• Vëre martesën në vend të parë. (Zanafilla 2:24) Kalo kohë me burrin ose gruan dhe bëja të qartë fëmijëve pozicionin e tij ose të saj në familje. Për shembull, një baba mund t’u thotë fëmijëve edhe para se të rimartohet: «Unë e dua Anën dhe ajo do të jetë gruaja ime. Jam i sigurt se do të silleni mirë me të.»

• Programo kohë vetëm për vetëm me secilin prej fëmijëve të tu. Nëse lë kohë enkas për ta, kjo tregon se sa të rëndësishëm janë për ty dhe do t’i sigurojë se i do.

• Kalo kohë me secilin prej fëmijëve të bashkëshortit, kështu do të mund të krijosh një marrëdhënie me ta, pa prindin tjetër që bën arbitrin.

• Lejoji fëmijët të bëhen pjesë e familjes pa iu dashur të heqin dorë nga familja e mëparshme. Zakonisht është më mirë të mos pretendosh që fëmijët të përdorin shprehje të përzemërta si «mami» ose «babi». Nëse janë të mëdhenj, fëmijët në fillim mund të mos e kenë të lehtë të përdorin fjalë si «familje» ose «ne» për familjen e tanishme.

• Caktoji secilit prej fëmijëve punë shtëpie, vendin e tij në tavolinë dhe një hapësirë të vetën në shtëpi. Kjo vlen edhe për ata fëmijë që jetojnë një pjesë të kohës me ty.

• Mendo të transferoheni në një shtëpi tjetër ose të përshtatni shtëpinë që keni tashmë në mënyrë që pjesëtarët e rinj të familjes të mos ndihen si të huaj.

VËSHTIRËSIA NR. 4: DISIPLINIMI I FËMIJËVE

«Kur përpiqem t’i disiplinoj fëmijët e Karmenit, në vend që të më përkrahë, ajo i merr me të mira.»—Pabloja.

«Më pikon në zemër kur Pabloja i trajton ashpër fëmijët e mi.»​—Karmeni.

PSE mund të lindin mosmarrëveshje në lidhje me rritjen e fëmijëve në familjet me njerk? Në familjen me një prind mund të jetë neglizhuar me disiplinën. Kur njerku bashkohet me familjen, lidhjet emocionale me fëmijët mund të mos jenë formuar plotësisht. Cili është rezultati? Njerku mund të mendojë që prindi është tepër i butë me fëmijët, kurse prindi biologjik mendon se njerku është tepër i ashpër.

Bibla këshillon që prindërit të tregojnë ekuilibër në rritjen e fëmijëve: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait [Perëndisë].» (Efesianëve 6:4) Shkrimi thekson se duhet punuar me mënyrën si mendon fëmija e jo thjesht të mbahet nën kontroll sjellja e tij. Njëkohësisht, prindërit inkurajohen të jenë mirëdashës dhe të dashur në mënyrë që disiplina të mos shkaktojë acarim.

Ç’MUND TË BËSH?

• Vendosni rregulla në shtëpi, duke filluar me ato që tashmë keni pasur. Shqyrtoni dobitë e këtyre rregullave në situatën e mëposhtme:

Njerka: Xhenifer, rregulli i shtëpisë është të mos dërgosh mesazhe pa mbaruar detyrat e shkollës.

Xheniferi: Ti s’je mami im.

Njerka: Ke të drejtë Xheni, por autoritetin si prind e kam unë sonte dhe rregulli është: s’ka mesazhe pa mbaruar detyrat.

• Mos nxirr tepër rregulla ose mos ua ndrysho rutinën pjesëtarëve të familjes shumë shpejt. Ajo që për njerkun mund të jetë thjesht një kërkesë, mund të jetë barrë për fëmijën që ndien se e gjithë bota i është kthyer përmbys. Sigurisht, disa rregulla të reja mund të jenë të domosdoshme, si rregullat për privacitetin dhe për veshjen, sidomos nëse në familje ka fëmijë të rritur.

• Sqarojini mosmarrëveshjet veçmas, jo në sy të fëmijëve. Përqendrohuni te veprimi konkret i fëmijës dhe jo te të metat e supozuara të edukimit të tij të mëparshëm.

[Shënimi]

a Disa emra në këtë seri janë ndryshuar.

[Figura në faqen 3]

Në një familje me njerk uniteti mund të duket ëndërr e pamundur

[Figura në faqen 4]

Ji dëgjues i mirë që të kuptosh ndjenjat dhe shqetësimet e secilit

[Figura në faqen 6]

Nëse kanë një mosmarrëveshje, prindërit duhet ta zgjidhin veçmas

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo