PORTRETE NGA E KALUARA
Injac Zemelvajsi
INJAC ZEMELVAJSI mund të mos jetë emër shumë i njohur, por nga puna e tij kanë nxjerrë dobi mjaft familje të ditëve tona. Lindi në Budë (tani Budapesti) të Hungarisë dhe u diplomua për mjekësi në Universitetin e Vjenës më 1844. Kur filloi të punonte si asistent i një profesori në Maternitetin e Parë në Spitalin e Përgjithshëm të Vjenës më 1846, Zemelvajsi u përball me një realitet tronditës: më tepër se 13 për qind e grave që lindnin atje, vdisnin nga një sëmundje e quajtur ethet e paslindjes.
Ishin hedhur një sërë idesh për shkakun e mundshëm të kësaj sëmundjeje, por askush nuk kishte arritur ta zbulonte misterin. Gjithë përpjekjet për të ulur shkallën e vdekshmërisë kishin dalë të kota. I tronditur nga vdekja e ngadaltë dhe agonike e shumë nënave, Zemelvajsi vendosi të gjente shkakun e kësaj sëmundjeje dhe ta parandalonte.
Spitali ku punonte, kishte dy maternitete dhe për çudi vdekshmëria e nënave pas lindjes në maternitetin e parë ishte më e lartë se tek i dyti. I vetmi ndryshim midis dy materniteteve ishte se tek i pari stërviteshin studentë të mjekësisë së përgjithshme, kurse tek i dyti vetëm mamí. Po pse tek i pari vdisnin më shumë nëna? Në përpjekje për të zbuluar përgjigjen, Zemelvajsi eliminoi një nga një disa shkaqe të mundshme të sëmundjes, por shkaku i vërtetë mbetej ende enigmë.
Megjithatë, në fillim të 1847-s Zemelvajsi zbuloi diçka të rëndësishme. Kolegu dhe miku i tij Xhejkëb Koletshka kishte vdekur nga helmimi në gjak pasi ishte çarë teksa bënte autopsinë e një kufome. Kur lexoi raportin e autopsisë së Koletshkës, Zemelvajsi kuptoi se në disa aspekte, rezultatet ishin identike me ato të viktimave të etheve të paslindjes. Prandaj mendoi se ato që ai i quante «helme», transmetoheshin nga kufomat te gratë shtatzëna, duke shkaktuar kështu ethet e paslindjes. Mjekët dhe studentët e mjekësisë, që shpesh bënin autopsi para se të futeshin në pavijonin e maternitetit, pa dashje e transmetonin sëmundjen te nënat gjatë vizitës obstetrike ose gjatë lindjes. Vdekshmëria te pavijoni i dytë ishte më e ulët, sepse studentët që përgatiteshin për mami nuk merreshin me autopsi.
Menjëherë Zemelvajsi vendosi një rregull strikt në klinikë për pastrimin e duarve, që përfshinte sterilizimin e tyre me anë të një tretësire me klor para se të vizitonin gratë shtatzëna. Rezultati ishte befasues: shkalla e vdekshmërisë ra nga 18,27 për qind në prill në 0,19 për qind në fund të vitit.
«Teoritë e mia mjekësore ekzistojnë që të shpëtoj maternitetet nga tmerri, t’u shpëtoj gratë burrave dhe nënat fëmijëve.»—Injac Zemelvajsi
Megjithatë, jo të gjithë e duartrokitën suksesin e Zemelvajsit. Këto rezultate hidhnin poshtë teoritë për ethet e paslindjes të eprorit të tij, që acarohej nga këmbëngulja e Zemelvajsit. Si përfundim, Zemelvajsi e humbi punën në Vjenë dhe u kthye në Hungari. Atje e vunë në krye të Departamentit të Obstetrikës në spitalin Shën Rokus në Pest, ku metodat e tij ndihmuan që shkalla e vdekshmërisë nga ethet e paslindjes të binte nën 1 për qind.
Në vitin 1861 Zemelvajsi botoi librin The Cause, Concept, and Prophylaxis of Childbed, të cilit i kushtoi gjithë jetën. Mjerisht, vlera e zbulimit të tij u pranua vetëm disa vjet më vonë. Ndërkohë, shumë e shumë veta që mund të ishin shpëtuar, humbën jetën në mënyrë tragjike.
Zemelvajsi sigurohet që të respektohen masat higjienike në pavijonet që kishte nën mbikëqyrje.—Pikturë nga Robert Tomi
Më në fund Zemelvajsi u njoh si një nga etërit e teknikës së sotme antiseptike. Nga libri i tij u kuptua se grimcat mikroskopike mund të shkaktojnë sëmundje. Ai i ka kontribuar teorisë se mikrobet shkaktojnë sëmundje. Kjo teori është cilësuar si «kontributi më i rëndësishëm në shkencën e mjekësisë dhe në mjekësinë e praktikuar». Është interesante që mbi 3.000 vjet më parë, Ligji i Moisiut, i cili më vonë u bë pjesë e Biblës, tashmë kishte dhënë udhëzime të mençura si të veprohej me kufomat.