MËSIMI 45
Ilustrime dhe shembuj ndërtues
ILUSTRIMET janë mjete të fuqishme për të mësuar të tjerët. Shpesh ato e tërheqin dhe e mbajnë të mbërthyer vëmendjen me shumë efektshmëri. Ato vënë në punë mendjen. Ngjallin emocione dhe në këtë mënyrë mund të prekin ndërgjegjen dhe zemrën. Ndonjëherë ilustrimet mund të përdoren edhe për të kapërcyer një paragjykim. Janë edhe një ndihmë e efektshme për kujtesën. A i përdor kur mëson të tjerët?
Figurat letrare përfshijnë ilustrime që zakonisht kërkojnë vetëm pak fjalë, por, megjithatë, mund të krijojnë përfytyrime të gjalla. Kur zgjidhen me kujdes, një pjesë e mirë e domethënies së tyre është mjaft e qartë. Por një mësues mund ta përforcojë vlerën e tyre duke shtuar një shpjegim të shkurtër. Bibla është plot me shembuj nga të cilët mund të mësosh.
Fillo me krahasime dhe metafora. Krahasimet janë figurat letrare më të thjeshta. Në qoftë se sapo ke filluar të mësosh të përdorësh ilustrimet, mund ta shohësh të dobishme të fillosh me krahasimet. Zakonisht ato fillojnë me fjalën «si» ose «ashtu si». Ndonëse vënë pranë njëra-tjetrës dy gjëra që janë të ndryshme, krahasimet nxjerrin në pah diçka që ato e kanë të përbashkët. Bibla është plot me figura letrare që kanë për bazë gjërat e krijuara—bimët, kafshët dhe trupat qiellorë—si edhe përvojën njerëzore. Në Psalmin 1:3 na thuhet se njeriu që e lexon rregullisht Fjalën e Perëndisë është «si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit», një pemë që është e frytshme dhe nuk thahet. Për të ligun thuhet se është «si një luan» që rri në pritje për të kapur prenë. (Psal. 10:9) Jehovai i premtoi Abrahamit se fara e tij do të bëhej «si yjet e qiejve» dhe «si kokrrizat e rërës në breg të detit» për nga numri. (Zan. 22:17) Për marrëdhënien e ngushtë që lidhi me kombin e Izraelit, Jehovai tha: «Ashtu si një brez rri ngjitur pas ijëve të një burri, kështu unë e bëra tërë shtëpinë e Izraelit dhe tërë shtëpinë e Judës të rrijë ngjitur pas meje.»—Jer. 13:11.
Edhe metaforat nxjerrin në pah ngjashmërinë midis dy gjërave krejt të ndryshme. Por, metafora është më e fuqishme. Ajo flet për një gjë sikur të ishte tjetra dhe në këtë mënyrë i vesh asaj disa cilësi të së parës. Jezui u tha dishepujve: «Ju jeni drita e botës.» (Mat. 5:14) Duke përshkruar dëmin që mund të shkaktojë të folurit e pakontrolluar, dishepulli Jakov shkroi: «Gjuha është një zjarr.» (Jak. 3:6) Davidi i këndoi Jehovait: «Ti je kështjella ime dhe kalaja ime.» (Psal. 31:3) Zakonisht, një metaforë e zgjedhur me kujdes ka nevojë për pak ose aspak shpjegim. Duke qenë diçka e shkurtër, ajo ka edhe më shumë forcë. Metafora mund ta ndihmojë auditorin për ta kujtuar një pikë shumë më tepër sesa mund ta ndihmojë një pohim.
Hiperbola është një zmadhim, i cili duhet përdorur me maturi, sepse përndryshe keqkuptohet. Jezui e përdori këtë figurë letrare për të krijuar një tablo të paharrueshme kur tha: «Përse . . . shikon lëmishten në syrin e vëllait tënd, por nuk mban parasysh traun në syrin tënd?» (Mat. 7:3) Para se të përpiqesh të përdorësh këtë ose figura të tjera letrare, mëso të përdorësh me efektshmëri krahasimin dhe metaforën.
Përdor shembuj. Në vend që të përdorësh figura letrare, mund të zgjedhësh të përdorësh si mjete ndihmëse shembuj, të cilët mund të jenë tregime imagjinare ose përvoja të jetës reale. Këto duhen përdorur me maturi, pasi ekziston prirja për ta tepruar me to. Shembujt duhen përdorur vetëm për të mbështetur pika që janë vërtet të rëndësishme dhe duhen paraqitur në mënyrë të tillë që të mbahen mend pikat që duhen theksuar e jo vetëm tregimi.
Ndonëse jo të gjithë shembujt duhet të jenë ndodhi të vërteta, ato duhet të pasqyrojnë qëndrime ose situata reale. Kështu, kur u mësoi të tjerëve se si duhen trajtuar mëkatarët e penduar, Jezui e ilustroi këtë duke treguar se ç’gëzim provoi një njeri kur gjeti delen që i kishte humbur. (Luka 15:1-7) Duke iu përgjigjur një njeriu që nuk po e kuptonte plotësisht se çfarë nënkuptonte Ligji me urdhrin për të dashur të afërmin, Jezui tregoi historinë e një samaritani që ndihmoi një burrë të plagosur pasi një prift dhe një levit nuk e kishin bërë një gjë të tillë. (Luka 10:30-37) Në qoftë se mëson të jesh vëzhgues i kujdesshëm i qëndrimeve dhe i veprimeve të të tjerëve, mund ta përdorësh me efektshmëri këtë metodë mësimdhënieje.
Profeti Natan përdori një situatë imagjinare si mjet për të qortuar mbretin David. Tregimi ishte i efektshëm pasi shmangu një rrethanë që mund ta kishte shtyrë Davidin të justifikohej. Tregimi fliste për një njeri të pasur që kishte shumë dele dhe për një të vobektë, i cili kishte vetëm një qengj femër që po e rriste me shumë kujdes. Davidi kishte qenë vetë bari, prandaj mund t’i kuptonte ndjenjat e të zotit të qengjit. Davidi u zemërua me të drejtë me njeriun e pasur, i cili i kishte marrë njeriut të varfër qengjin që mezi e kishte. Pastaj Natani i tha hapur Davidit: «Ti je ai njeri!» Kjo gjë i preku zemrën Davidit, i cili u pendua sinqerisht. (2 Sam. 12:1-14) Duke u ushtruar mund të mësosh t’i trajtosh çështjet që përfshijnë emocionet në një mënyrë që prek zemrën.
Shumë shembuj të dobishëm për të mësuar të tjerët mund të nxirren nga ngjarjet e dokumentuara në Shkrime. Jezui veproi kështu kur tha me pak fjalë: «Kujtoni gruan e Lotit.» (Luka 17:32) Kur përshkroi me hollësi shenjën e pranisë së tij, Jezui iu referua ‘ditëve të Noesë’. (Mat. 24:37-39) Në kapitullin 11 të Hebrenjve, apostulli Pavël përmendi me emër 16 burra dhe gra si shembuj besimi. Duke u njohur mirë me Biblën, do të jesh në gjendje të nxjerrësh shembuj të fuqishëm nga ajo që thonë Shkrimet për ngjarjet dhe njerëzit që përmenden në faqet e saj.—Rom. 15:4; 1 Kor. 10:11.
Ndonjëherë mund ta shohësh të dobishme ta përforcosh një mësim me ndonjë përvojë reale të ditëve tona. Megjithatë, kur bën një gjë të tillë, ki kujdes të përdorësh vetëm përvojat që janë të verifikuara dhe të shmangësh ato që do të vinin më kot në siklet ndonjë njeri në auditor ose që do ta drejtonin vëmendjen te një çështje e diskutueshme që nuk ka lidhje me temën. Mbaj parasysh, gjithashtu, që përvoja duhet t’i shërbejë një qëllimi. Mos trego hollësi të panevojshme që kanë prirjen ta largojnë vëmendjen nga synimi i fjalimit.
A do të kuptohet? Çfarëdo ilustrimi ose shembulli që të përdorësh, ai duhet të arrijë një synim të caktuar. A do ta arrijë atë synim, nëse nuk e bën zbatimin për argumentin që po trajton?
Pasi iu drejtua dishepujve si «drita e botës», Jezui bëri disa komente shtesë rreth mënyrës si përdoret një llambë dhe çfarë përgjegjësie nënkuptonte kjo për ta. (Mat. 5:15, 16) Ai e pasoi ilustrimin e deles së humbur me një koment rreth gëzimit që provohet në qiell për një mëkatar që pendohet. (Luka 15:7) Gjithashtu, pasi tregoi për samaritanin e mirë, Jezui i bëri dëgjuesit të tij një pyetje specifike dhe e pasoi atë me një këshillë të drejtpërdrejtë. (Luka 10:36, 37) Nga ana tjetër, ilustrimin për llojet e ndryshme të tokës dhe atë për egjrën në arë Jezui nuk ua shpjegoi turmave, por vetëm atyre që ishin aq të përulur sa e pyetën. (Mat. 13:1-30, 36-43) Tri ditë para se të vdiste, Jezui tregoi një ilustrim që fliste për disa vreshtarë vrasës. Ai nuk i bëri asnjë zbatim, pasi nuk kishte nevojë. «Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë . . . e kuptuan se ai po fliste për ta.» (Mat. 21:33-45) Prandaj, natyra e ilustrimit, qëndrimi i auditorit dhe pikësynimi yt, janë të gjithë faktorë që përcaktojnë nëse duhet të bësh një zbatim dhe, nëse po, sa i hollësishëm duhet të jetë.
Zhvillimi i aftësisë për t’i përdorur me efektshmëri ilustrimet dhe shembujt kërkon kohë, por ia vlen të bësh përpjekje. Ilustrimet e zgjedhura mirë i bëjnë thirrje si mendjes, ashtu edhe ndjenjave. Si rrjedhim, mesazhi paraqitet me një forcë të tillë që shpesh nuk arrihet thjesht duke pohuar fakte.