Shtojca
Një mesazh për prindërit e krishterë:
Si prind, dëshiron t’i ndihmosh fëmijët e tu të shtrenjtë që ta duan Jehovain dhe t’i kushtohen atij. Si mund t’i ndihmosh që të përgatiten për pagëzimin? Kur do të jenë gati për këtë hap të rëndësishëm?
Jezui i udhëzoi dishepujt e tij: «Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar.» (Mat. 28:19) Sipas kësaj, kërkesa kryesore për t’u pagëzuar është të jesh dishepull, pra, jo vetëm t’i kuptosh dhe t’i besosh mësimet e Krishtit, por edhe t’u përmbahesh ngushtësisht atyre. Këtë mund ta bëjnë edhe ata që kanë moshë relativisht të vogël.
Lër një shembull të mirë për fëmijët e tu dhe ngulitua fjalët e Jehovait. (Ligj. 6:6-9) Kjo përfshin të përdorësh informacionin e librit Gëzoje jetën përgjithmonë, që t’u mësosh të vërtetat themelore të Biblës dhe t’i përgatitësh të arsyetojnë në bazë të parimeve të saj e të jetojnë sipas tyre. Ndihmoji fëmijët të jenë të aftë t’i shpjegojnë bindjet e tyre me fjalët e veta. (1 Pjet. 3:15) Njohuria dhe nxitja që marrin nga ti, nga studimi personal, nga adhurimi familjar, nga mbledhjet e kongregacionit dhe nga shoqëritë e mira, do t’i ndihmojnë të përparojnë drejt pagëzimit e më tej. Nxiti të mendojnë vazhdimisht si t’i afrohen gjithnjë e më shumë Jehovait.
Te Proverbat 20:11 thuhet: «Edhe fëmija njihet nga veprimet e tij, në ka sjellje të pafajshme dhe të drejtë.» Cilat veprime do të tregonin se një fëmijë, djalë ose vajzë, është bërë dishepull i Jezu Krishtit dhe është gati të pagëzohet?
Një fëmijë që po përparon drejt pagëzimit, duhet t’u bindet prindërve ose prindit. (Vep. 5:29; Kolos. 3:20) Ja çfarë thotë Bibla për Jezuin kur ishte 12 vjeç: «[Ai] vazhdoi t’u nënshtrohej [prindërve].» (Luka 2:51) Sigurisht që nuk mund të presësh përsosmëri nga fëmija. Por, kush dëshiron të pagëzohet, përpiqet fort të ndjekë shembullin e Jezuit dhe të njihet si person që u nënshtrohet prindërve.
Gjithashtu duhet të tregojë se ka dëshirë të mësojë të vërtetat e Biblës. (Luka 2:46) A dëshiron fëmija yt të shkojë në mbledhje dhe të komentojë në to? (Psal. 122:1) A ka etje ta lexojë Biblën dhe të bëjë studim personal rregullisht?—Mat. 4:4.
Një fëmijë që po përparon drejt pagëzimit, bën çmos ta vërë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë. (Mat. 6:33) E kupton se ka përgjegjësinë të flasë me njerëzit për besimin e tij. Merr pjesë në aspekte të ndryshme të shërbimit dhe nuk i vjen turp të identifikohet si Dëshmitar i Jehovait para mësuesve dhe shokëve të shkollës. I merr seriozisht caktimet në mbledhjen Jeta dhe shërbimi.
Ai përpiqet fort të qëndrojë i pastër moralisht duke i shmangur shoqëritë e këqija. (Prov. 13:20; 1 Kor. 15:33) Kjo pasqyrohet në zgjedhjet e tij për muzikën, filmat, programet televizive, videolojërat dhe si e përdor Internetin.
Shumë fëmijë kanë reaguar mirë ndaj përpjekjeve të zellshme të prindërve, e kanë bërë të tyren të vërtetën dhe janë kualifikuar për t’u pagëzuar. Jehovai të bekoftë teksa ndihmon fëmijët e tu të hedhin këtë hap të rëndësishëm në marrëdhënien e tyre me Jehovain!
Një mesazh për lajmëtarin e papagëzuar:
Është privilegj të shërbesh në kongregacion si lajmëtar i papagëzuar. Të lavdërojmë për përparimin që ke bërë. Ke arritur ta njohësh Perëndinë nëpërmjet studimit të Fjalës së tij dhe ke treguar besim te premtimet e tij.—Gjoni 17:3; Hebr. 11:6.
Para se të filloje të studioje me Dëshmitarët e Jehovait, mbase je shoqëruar në ndonjë mënyrë me një organizatë tjetër fetare ose nuk i përkitje asnjë organizate të tillë. Ndoshta je përfshirë në ndonjë gjë tjetër që nuk është në përputhje me parimet e Biblës. Por tani e ke treguar qartë besimin tënd duke u penduar, pra, duke shfaqur keqardhje të thellë për keqbërjet e së kaluarës. Gjithashtu ke bërë kthesë, duke hequr dorë nga udha e gabuar dhe duke vendosur të bësh atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë.—Vep. 3:19.
Ndoshta i ke njohur shkrimet e shenjta «që nga foshnjëria», e kjo të ka mbrojtur të mos përfshihesh në sjellje jo të krishterë dhe në keqbërje të rëndë. (2 Tim. 3:15) Ke mësuar t’i rezistosh presionit të moshatarëve dhe tundimeve të tjera për të bërë gjëra të gabuara në sytë e Jehovait. Ke treguar besim duke mbështetur adhurimin e vërtetë dhe duke u folur të tjerëve për bindjet e tua. Je stërvitur në shërbimin e krishterë. Tani ke marrë një vendim personal për t’i shërbyer Jehovait si lajmëtar i papagëzuar.
Pavarësisht nëse i ke mësuar udhët e Jehovait që nga foshnjëria ose e ke njohur Jehovain më vonë, tani ndoshta po mendon për dy hapa të mëtejshëm në përparimin tënd: kushtimin dhe pagëzimin. Jehovait i kushtohesh duke bërë një lutje ku i shpreh vendimin për t’iu përkushtuar vetëm atij përgjithmonë. (Mat. 16:24) Pastaj, për ta simbolizuar këtë kushtim, pagëzohesh në ujë. (Mat. 28:19, 20) Me anë të kushtimit dhe të pagëzimit bëhesh zyrtarisht shërbëtor i Perëndisë Jehova. Sa privilegj i mrekullueshëm!
Mirëpo, siç e ke kuptuar nga studimi i Biblës, mund të hasësh sfida të ndryshme. Mos harro se pak pasi u pagëzua, «fryma e Perëndisë e çoi Jezuin në shkretëtirë, ku e tundoi Djalli». (Mat. 4:1) Pasi të pagëzohesh si dishepull i Krishtit, mund të presësh sprova të tjera. (Gjoni 15:20) Këto sprova do të jenë në forma të ndryshme. Mund të hasësh kundërshtim nga familja. (Mat. 10:36) Mund të të tallin shokët e shkollës, kolegët e punës ose shokët që ke pasur më parë. Mos i harro asnjëherë fjalët e Jezuit që i gjejmë te Marku 10:29, 30: «Vërtet po ju them: nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpi, vëllezër, motra, nënë, baba, fëmijë ose toka për hirin tim dhe për hir të lajmit të mirë, e të mos marrë tani, në këtë kohë, 100-fish—shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë dhe toka, bashkë me përndjekje—dhe në sistemin që po vjen, jetën e përhershme.» Prandaj vazhdo të punosh fort për të qëndruar pranë Jehovait dhe për të jetuar në lartësinë e standardeve të tij të drejta.
Kur të duash të pagëzohesh, bëja të ditur këtë koordinatorit të trupit të pleqve. Pyetjet pas këtij mesazhi shërbejnë si bazë për bisedat që do të zhvillojnë pleqtë me ty, për të përcaktuar nëse kualifikohesh për t’u pagëzuar. Mund të fillosh t’i studiosh këto pyetje si pjesë të studimit të rregullt personal.
Kur të përgatitesh për këto biseda, rezervo kohë të lexosh e të meditosh rreth shkrimeve që janë cituar. Ndoshta ke dëshirë të bësh ca shënime në këtë libër ose diku tjetër. Këto shënime mund t’i përdorësh dhe mund ta mbash hapur librin gjatë bisedave me pleqtë. Nëse e ke të vështirë të kuptosh ndonjë pyetje, mos ngurro t’i kërkosh ndihmë atij që po studion Biblën me ty ose pleqve.
Gjatë bisedave me pleqtë, mos mendo se duhet të japësh përgjigje të gjata ose të ndërlikuara. Është më mirë të japësh një përgjigje të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe me fjalët e tua. Gjithashtu, për shumë pyetje, është mirë t’u referohesh një ose dy shkrimeve që tregojnë bazën nga Bibla të përgjigjes.
Nëse ende nuk ke njohuri të mjaftueshme për mësimet themelore të Biblës, pleqtë do të sigurohen që të marrësh ndihmën e nevojshme, me qëllim që t’i kuptosh siç duhet Shkrimet e t’i shpjegosh me fjalët e tua, e kështu më vonë të kualifikohesh për t’u pagëzuar.
[Shënim për pleqtë e kongregacionit: Udhëzimet se si t’i zhvilloni bisedat me kandidatët për pagëzim gjenden në faqet 208-212.]