PYETJET PËR ATA QË DUAN TË PAGËZOHEN
Pjesa 2: Jeta e krishterë
Nga studimi i Biblës, ke mësuar çfarë kërkon Jehovai nga ti dhe si ta përputhësh jetën me standardet e tij të drejta. I nxitur nga gjërat që ke mësuar, mund të kesh bërë disa ndryshime në sjellje dhe në qëndrimin tënd për jetën. Tani që ke vendosur të jetosh sipas standardeve të drejta të Jehovait, je në gjendje t’i bësh shërbim të pranueshëm si shërbëtor i lajmit të mirë.
Shqyrtimi i pyetjeve vijuese do të të ndihmojë t’i ngulitësh mirë në mendje kërkesat e drejta të Jehovait e do të të kujtojë disa gjëra që mund të bësh për të qenë shërbëtor i tij i miratuar. Këto informacione do të të ngulitin në mendje sa e rëndësishme është t’i bësh të gjitha gjërat me ndërgjegje të pastër dhe për të nderuar Jehovain.—2 Kor. 1:12; 1 Tim. 1:19; 1 Pjet. 3:16, 21.
Pasi ke arritur në këtë fazë të studimit, me siguri që mezi pret t’i nënshtrohesh Jehovait dhe të bëhesh pjesë e organizatës së tij. Nëpërmjet pyetjeve dhe referimeve nga Bibla do të shohësh sa e kupton nënshtrimin ndaj rregullit që ka vendosur Jehovai për kongregacionin, për familjen ose për elementet politike të këtij sistemi. Pa dyshim do t’i vlerësosh më tepër masat që ka marrë Jehovai për t’u arsimuar e për t’iu afruar më shumë atij. Këtu përfshihen mbledhjet e kongregacionit ku duhet të shkosh e të komentosh për aq sa ta lejojnë rrethanat.
Veç kësaj, në këtë pjesë do të shqyrtojmë sa rëndësi ka pjesëmarrja e rregullt në veprën e predikimit për Mbretërinë, duke ndihmuar të tjerët që të njohin Jehovain dhe të mësojnë çfarë po bën ai për njerëzimin. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Së fundi, do të të ngulitë në mendje sa serioze është t’i kushtohesh Perëndisë Jehova dhe të pagëzohesh. Të jesh i sigurt se Jehovai e vlerëson kur i përgjigjesh me sinqeritet mirësisë së tij të pamerituar.
1. Cili është standardi i krishterë për martesën? Sipas Shkrimeve, cila është e vetmja bazë për t’u divorcuar?
• «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi në fillim, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë. . . . Kushdo që e divorcon gruan, përveçse kur ka si bazë imoralitetin seksual, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.»—Mat. 19:4-6, 9.
2. Pse duhet të jenë të martuar ligjërisht ata që jetojnë bashkë si burrë e grua? Nëse je i martuar, a je i sigurt që martesa jote është e ligjshme dhe njihet nga shteti?
• «Vazhdo t’u kujtosh vëllezërve që t’u nënshtrohen e t’u binden qeverive dhe autoriteteve.»—Titit 3:1.
• «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë imoralët dhe kurorëshkelësit.»—Hebr. 13:4.
3. Cili është roli yt në familje?
• «Biri im, vërja veshin disiplinës së atit tënd, dhe mos i braktis mësimet e nënës sate.»—Prov. 1:8.
• «Burri është kreu i gruas së tij, ashtu si Krishti është kreu i kongregacionit . . . Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe e dha veten për të.»—Efes. 5:23, 25.
• «Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait.»—Efes. 6:4.
• «Ju, fëmijë, bindjuni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pëlqyeshme për Zotërinë.»—Kolos. 3:20.
• «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj.» —1 Pjet. 3:1.
4. Pse duhet të tregojmë respekt për jetën?
• «[Perëndia] u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka. . . . Falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.»—Vep. 17:25, 28.
5. Pse nuk duhet të vrasim askënd, përfshirë këtu edhe një foshnjë që s’ka lindur ende?
• «Në rast se disa burra zihen me njëri-tjetrin dhe godasin një grua shtatzënë, e . . . nëse ndodh ndonjë aksident vdekjeprurës, do ta paguajë jetë për jetë.»—Eks. 21:22, 23.
• «Kur isha ende një embrion, sytë e tu më panë; tërë pjesët e tij ishin shkruar në librin tënd, madje edhe ditët kur ato do të formoheshin, para se ndonjë prej tyre të ekzistonte.»—Psal. 139:16.
• «Jehovai i urren . . . duart që derdhin gjak të pafaj.»—Prov. 6:16, 17.
6. Cili është urdhri i Perëndisë në lidhje me gjakun?
• «Vazhdoni të rrini larg . . . nga gjaku [dhe] nga kafshët e mbytura.»—Vep. 15:29.
7. Pse duhet t’i duam vëllezërit dhe motrat?
• «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu si ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:34, 35.
8. Për të mos u ngjitur të tjerëve një sëmundje infektive, që mund të jetë vdekjeprurëse: (a) Pse një i infektuar duhet të frenohet e të mos e shfaqë përzemërsinë me përqafime e puthje? (b) Pse nuk duhet të reagojë keq nëse disa vendosin të mos e ftojnë në shtëpi? (c) Pse një njeri që mund të ketë qenë i ekspozuar ndaj një sëmundjeje infektive, duhet të bëjë vullnetarisht analiza gjaku para se të fillojë të njihet me dikë? (ç) Pse dikush që ka një sëmundje infektive duhet të informojë koordinatorin e trupit të pleqve para se të pagëzohet?
• «Të mos i detyroheni askujt për asgjë, përveçse të doni njëri-tjetrin. . . . ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit.»—Rom. 13:8-10.
• ‘Mos kërkoni vetëm interesat tuaja, por edhe të të tjerëve.’—Filip. 2:4.
9. Pse Jehovai pret nga ne që t’i falim të tjerët?
• «Vazhdoni të duroni e të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka arsye për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.»—Kolos. 3:13.
10. Ç’duhet të bësh nëse një vëlla të mashtron për të të zhvatur ose shpif kundër teje?
• «Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, shko, fol vetëm për vetëm me të dhe tregoji hapur ku ka gabuar. Në qoftë se të dëgjon, e fitove vëllanë tënd. Por, në rast se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy të tjerë, që çdo çështje të vendoset nga dëshmia e dy a tre dëshmitarëve. Nëse nuk i dëgjon edhe ata, fol me kongregacionin. Në qoftë se nuk e dëgjon as kongregacionin, le të jetë për ty tamam si një njeri nga kombet dhe si një taksambledhës.»—Mat. 18:15-17.
11. Si i sheh Jehovai këto mëkate?
▪ Imoraliteti seksual
▪ Përdorimi i ikonave në adhurim
▪ Homoseksualizmi
▪ Vjedhja
▪ Bixhozi
▪ Dehja
• «Mos u mashtroni! Imoralët, idhujtarët, kurorëshkelësit, burrat që kryejnë marrëdhënie homoseksuale, hajdutët, lakmitarët, pijanecët, sharësit dhe zhvatësit nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë.»—1 Kor. 6:9, 10.
12. Çfarë je i vendosur të bësh kur është fjala për imoralitetin seksual, që përfshin çdo lloj marrëdhënieje seksuale jashtë martese?
• «Ikni nga imoraliteti seksual!»—1 Kor. 6:18.
13. Pse duhet të ruhemi nga përdorimi jomjekësor i substancave që shkaktojnë varësi ose turbullojnë mendjen?
• ‘Paraqitini trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, që t’i bëni shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar. Mjaft u brumosët sipas kallëpit të kësaj bote, por transformohuni duke përtërirë mendjen, që të siguroheni cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.’—Rom. 12:1, 2.
14. Cilat janë disa praktika demonike që Perëndia i ndalon?
• «Të mos gjendet mes teje asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, që merren me shtrigëri, që yshtin të tjerët, që konsultohen me një medium ose që parashikojnë fatin a pyesin të vdekurit.»—Ligj. 18:10, 11.
15. Nëse dikush ka kryer një mëkat të rëndë dhe dëshiron të ketë përsëri miratimin e Jehovait, ç’duhet të bëjë pa vonesë?
• «Më në fund ta rrëfeva mëkatin tim, gabimin tim më nuk e fsheha. Thashë: ‘Do t’ia rrëfej fajet e mia Jehovait.’»—Psal. 32:5.
• «A ka mes jush ndonjë të sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kongregacionit, dhe ata le të luten për të e ta lyejnë me vaj në emër të Jehovait. E lutja me besim do ta shërojë të sëmurin, dhe Jehovai do ta rimëkëmbë. E nëse ka kryer mëkate, do t’i falen.»—Jak. 5:14, 15.
16. Nëse je në dijeni që një bashkëbesimtar ka kryer një mëkat të rëndë, çfarë duhet të bësh?
• «Nëse dikush dëgjon një thirrje publike për të dëshmuar dhe është dëshmitar i një keqbërjeje, që e ka parë vetë a e ka marrë vesh nga të tjerë, dhe nuk tregon, ai po mëkaton dhe do të përgjigjet për fajin e vet.»—Lev. 5:1.
17. Nëse bëhet njoftimi se dikush nuk është më Dëshmitar i Jehovait, si duhet ta trajtojmë?
• ‘Mos u shoqëroni më me këdo që quhet vëlla, por që është imoral, lakmitar, idhujtar, sharës, pijanec ose zhvatës, madje as mos hani me një njeri të tillë.’—1 Kor. 5:11.
• «Nëse dikush vjen te ju e nuk sjell këtë mësim, mos e pranoni në shtëpinë tuaj, as mos e përshëndetni.»—2 Gjon. 10.
18. Pse duhet të kesh shoqëri të ngushtë me ata që e duan Jehovain?
• «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me të pamendët, do t’i shkojë keq.»—Prov. 13:20.
• «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.»—1 Kor. 15:33.
19. Pse Dëshmitarët e Jehovait janë asnjanës në çështjet politike?
• «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë [Jezui] nuk jam pjesë e botës.»—Gjoni 17:16.
20. Pse duhet t’u bindesh autoriteteve qeveritare?
• «Çdo njeri të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta, pasi nuk ka autoritet që të mos jetë lejuar nga Perëndia, dhe autoritetet ekzistuese janë në pozita relative nga Perëndia.»—Rom. 13:1.
21. Çfarë duhet të bësh nëse ndonjë ligj njerëzor bie ndesh me ligjin e Perëndisë?
• «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve.»—Vep. 5:29.
22. Cilat shkrime mund të të ndihmojnë të qëndrosh i ndarë nga bota kur zgjedh punën?
• «Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.»—Mik. 4:3.
• «Dilni prej saj [Babilonisë së Madhe], o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të vuani nga plagët që do t’i bien asaj.»—Zbul. 18:4.
23. Ç’lloj zbavitjesh duhet të zgjedhësh dhe cilave duhet t’u rrish larg?
• ‘Jehovai e urren atë që do dhunën.’—Psal. 11:5.
• «Urreni thellësisht të keqen, kapuni fort pas së mirës.»—Rom. 12:9.
• «Vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo gjë të virtytshme dhe të denjë për t’u lëvduar.»—Filip. 4:8.
24. Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk bashkohen me grupet e tjera fetare për të adhuruar Perëndinë?
• «Ju s’mund të hani edhe në ‘tryezën e Jehovait’, edhe në tryezën e demonëve.»—1 Kor. 10:21.
• «‘Ndahuni veç,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër’; ‘dhe unë do t’ju mbledh nën krahët e mi’.»—2 Kor. 6:17.
25. Cilat parime do të të ndihmojnë të vendosësh nëse do të marrësh pjesë në një festë?
• «Me kombet u përzien dhe morën zakonet e tyre. U shërbenin idhujve të tyre, që u bënë lak për ta.»—Psal. 106:35, 36.
• «Të vdekurit s’dinë asgjë.»—Ekl. 9:5.
• «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.»—Gjoni 17:16.
• «Më parë kaluat mjaft kohë duke bërë vullnetin e botës, kur jepeshit pas sjelljes së pacipë, epsheve të shfrenuara, pirjes me tepri, festave të shfrenuara, dehjeve dhe idhujtarisë së neveritshme.»—1 Pjet. 4:3.
26. Si të ndihmojnë shembujt nga Bibla të vendosësh nëse duhet të festosh ditëlindjet?
• «Ditën e tretë ishte ditëlindja e faraonit, prandaj ai shtroi një gosti për gjithë shërbëtorët e tij dhe nxori nga burgu kryekupëmbajtësin dhe kryebukëpjekësin në prani të të gjithë shërbëtorëve. Kryekupëmbajtësin e ktheu në detyrën e tij . . . Por kryebukëpjekësin e vari.»—Zan. 40:20-22.
• «Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës kërceu atje, dhe Herodit i pëlqeu aq shumë, sa u betua se do t’i jepte ç’t’i kërkonte. Atëherë, e shtyrë nga e ëma, ajo i tha: ‘Më jep këtu, në një tabaka, kokën e Gjon Pagëzorit.’ Kështu dërgoi njerëz në burg që t’i pritnin kokën Gjonit.»—Mat. 14:6-8, 10.
27. Pse është mirë të ndjekësh drejtimin e pleqve?
• «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për ju e do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.»—Hebr. 13:17.
28. Pse është e rëndësishme që ti dhe familja jote të rezervoni kohë për të lexuar e për të studiuar Biblën rregullisht?
• ‘Ai që gjen ëndje në ligjin e Jehovait dhe e lexon nën zë ditë e natë, do të jetë si një pemë e mbjellë buzë përrenjve plot ujë, që jep fryt në stinën e vet e që nuk i thahen gjethet; çdo gjë që bën, do t’i shkojë mbarë.’—Psal. 1:2, 3.
29. Pse dëshiron nga zemra të ndjekësh mbledhjet dhe të marrësh pjesë në to?
• «Unë do t’ua shpall emrin tënd vëllezërve të mi; në mes të kongregacionit do të të lëvdoj.»—Psal. 22:22.
• «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera, e të mos i lëmë pas dore mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por t’i japim zemër njëri-tjetrit, aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet.»—Hebr. 10:24, 25.
30. Cila është vepra më e rëndësishme që na ka ngarkuar Jezui?
• «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar . . . dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»—Mat. 28:19, 20.
31. Cili qëndrim e kënaq Jehovain kur dhurojmë për veprën e Mbretërisë ose për të ndihmuar vëllezërit e motrat?
• «Nderoje Jehovain me gjërat e tua me vlerë.»—Prov. 3:9.
• «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me gjysmë zemre a me detyrim, sepse Perëndia i do ata që japin me gëzim.»—2 Kor. 9:7.
32. Çfarë vështirësish presin të hasin të krishterët?
• «Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë, sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve! Lum ju kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin dhe thonë lloj-lloj gënjeshtrash të liga kundër jush për shkakun tim! Gëzoni dhe ngazëlloni, se i madh është shpërblimi juaj në qiej, sepse kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.»—Mat. 5:10-12.
33. Pse është privilegj i veçantë të pagëzohesh si Dëshmitar i Jehovait?
• «O Jehova, . . . fjala jote u bë ngazëllimi dhe gëzimi i zemrës sime, sepse mbaj emrin tënd.»—Jer. 15:16.