MËSIMI 36
Premtimi i Jefteut
Izraelitët e braktisën prapë Jehovain dhe adhuruan perëndi të rreme. Por këto perëndi të rreme nuk i ndihmuan aspak kur amonitët i sulmuan dhe luftuan kundër tyre. Izraelitët vuajtën për shumë vjet. Më në fund i thanë Jehovait: ‘Kemi mëkatuar. Të lutemi, na shpëto nga armiqtë tanë.’ Izraelitët shkatërruan idhujt dhe filluan ta adhuronin prapë Jehovain. Jehovai nuk i shihte dot teksa vuanin.
Një luftëtar që quhej Jefte, u zgjodh që të drejtonte popullin në luftë kundër amonitëve. Ai i tha Jehovait: ‘Nëse na ndihmon ta fitojmë këtë luftë, të premtoj që, kur të kthehem në shtëpi, njeriun e parë që do të dalë nga shtëpia të më takojë, do të ta jap ty.’ Jehovai e dëgjoi lutjen e Jefteut dhe e ndihmoi ta fitonte luftën.
Kur Jefteu u kthye në shtëpi, e para që doli ta takonte, ishte vajza e tij, fëmija i vetëm. Ajo po kërcente dhe po i binte dajres. Çfarë do të bënte Jefteu? Atij iu kujtua premtimi dhe tha: ‘Oh jo, bija ime! M’u bë zemra copë! Unë i bëra një premtim Jehovait. Që ta mbaj, më duhet të të çoj në tabernakull, në Shiloh, që të shërbesh atje.’ Vajza i tha: ‘Babi, nëse i ke bërë një premtim Jehovait, duhet ta mbash. Gjithçka që kërkoj, është të shkoj për dy muaj në male me shoqet e mia. Pastaj do të shkoj në Shiloh.’ Vajza e Jefteut shërbeu me besnikëri në tabernakull gjatë gjithë jetës. Çdo vit, shoqet e saj shkonin ta takonin në Shiloh.
«Ai që ka më shumë për zemër djalin ose vajzën sesa mua, nuk është i denjë për mua.»—Mateu 10:37