MËSIMI 95
Asgjë nuk mund t’i ndalë
Një burrë që nuk ecte, ulej dhe lypte përditë pranë derës së tempullit. Një pasdite, ai pa Pjetrin dhe Gjonin teksa hynin në tempull. Ai u tha: ‘Ju lutem, më falni ndonjë gjë!’ Pjetri iu përgjigj: ‘Do të të jap diçka më të mirë se paratë. Në emër të Jezuit, ngrihu dhe ec!’ Pastaj Pjetri e ndihmoi të çohej dhe burri nisi të ecte. Turma u gëzua shumë nga kjo mrekulli, dhe shumë veta u bënë besimtarë.
Por priftërinjtë dhe saducenjtë u zemëruan. I kapën apostujt, i çuan në Sinedër, pra gjykata e udhëheqësve fetarë, dhe i pyetën: ‘Kush ua dha fuqinë të shëroni këtë njeri?’ Pjetri u përgjigj: ‘Ne e morëm fuqinë nga Jezu Krishti të cilin ju e vratë.’ Udhëheqësit fetarë u bërtitën: ‘Mos flisni më për Jezuin!’ Por apostujt thanë: ‘Ne duhet të flasim për të. Nuk do të pushojmë së foluri.’
Sapo i liruan, Pjetri dhe Gjoni shkuan te dishepujt e tjerë dhe u thanë ç’kishte ndodhur. Ata iu lutën së bashku Jehovait: ‘Të lutemi, na ndihmo të jemi të guximshëm, që të vazhdojmë të bëjmë veprën tënde.’ Jehovai u dha frymën e shenjtë, dhe ata vazhduan të predikonin e të shëronin. Gjithnjë e më shumë veta u bënë besimtarë. Saducenjtë ishin kaq xhelozë, saqë i arrestuan apostujt dhe i futën në burg. Megjithatë, gjatë natës, Jehovai dërgoi një engjëll që hapi dyert e burgut dhe u tha apostujve: ‘Kthehuni në tempull dhe atje mësojeni popullin.’
Të nesërmen në mëngjes u njoftua Sinedri: ‘Edhe pse burgun e gjetëm të kyçur, burrat që arrestuat kanë ikur. Janë në tempull duke mësuar popullin.’ Përsëri apostujt i arrestuan dhe i çuan në Sinedër. Kryeprifti u tha: ‘Ju urdhëruam të mos flitni më për Jezuin!’ Pjetri u përgjigj: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve.»
Udhëheqësit fetarë ishin kaq të zemëruar, saqë donin t’i vritnin apostujt. Por një farise me emrin Gamaliel u ngrit dhe tha: ‘Hapni sytë! Perëndia mund të jetë me këta burra. Vërtet doni të luftoni kundër Perëndisë?!’ Ata ia vunë veshin këshillës së tij. Pasi i rrahën apostujt me thupër, i urdhëruan edhe një herë që të mos predikonin, e pastaj i lanë të iknin. Por kjo nuk i ndali apostujt. Ata vazhduan të predikonin me guxim lajmin e mirë në tempull dhe nga shtëpia në shtëpi.
«Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve.»—Veprat 5:29